Fetahu i PDK-së akuzon kundërkandidatët e tij për keqqeverisje në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu ka akuzuar dy kundërkandidatët e tij për keqqeverisje lokale tash e njëzet vite.

“Për njëzet vite rresht komuna e Podujevës ka mbetur më e pazhvilluara në vend.  Të dy kundërkandidatët është dashur të ulen në të njëjtën anë, sepse të dy kanë qenë në qeverisje. Është mirë t’iu tregoni qytetarëve si i keni pru deri këtu dhe t’iu kërkoni falje për qeverisjen e keqe. Duhet ta ndryshojmë këtë model të keq dhe t’u ofrojmë qytetarëve  argumente dhe programe.  Shpejtim Bulliqi për dhjetë vite ka qenë drejtor i arsimit i LDK-së dhe as Vetëvendosja nuk e pranon si kandidat për kryetar.”, është shprehur Fetahu në emisionin Debat në RTK.

Ai theksoi se shkalla e papunësisë në komunën e Podujevës është e lartë pasi bizneset janë zhvendosur në qytete tjera si Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Lipjan, gjë që sipas tij ka ndikuar në largimin e të rinjve nga qyteti.

Fetahu tha se në qeverisjen e tij sistemi arsimor dhe administrata do të depolitizohen dhe përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të parimit të meritokracisë.

“Sistemi arsimor duhet të depolitizohet. Njëzet drejtorë janë ushtrues detyre, gjë që i tejkalon limitet.  Vazhdimisht ka padrejtësi në punësim dhe avancim. Ka aktakuza të ngritura në prokurori ndaj drejtorëve dhe zyrtarëve të lartë. Te gjitha këto duhet të bien. Administrata nuk ka nevojë të ngurrojë.”, tha Fetahu.

Naim Fetahu i PDK-së e nis fushatën në mënyrë të veçantë në Podujevë

Periskopi.com Lajme

Kandidati i PDK-së në Podujevë, Naim Fetahu, e ka nisur sot fushatën për kreun e qytetit në mënyrë të veçantë.

Fetahu ka takuar sot për çaj babain e dëshmorit të kombit Elfir Behrami, Maliqin.

Me këtë rast, Fetahu ka thënë se Podujeva ka dhënë shumë djem e vajza për lirinë e vendit – por asnjëherë nuk e mori në rikthim një qeverisje që meriton.

“Ditën e parë të fushatës e nisa me nga një çaj me Maliqin, babain e dëshmorit Elfir Behrami. Podujeva ka dhënë shumë djem e vajza për lirinë e vendit – por asnjëherë nuk e mori në rikthim një qeverisje që meriton. Podujeva meriton më mirë. Llapjanët meritojnë më mirë. Lavdi dëshmorëve të lirisë”, ka shkruar Fetahu.

Kandidati i PDK-së do të garoj me numrin 10 në zgjedhjet e 15 marsit.

Ky është programi qeverisës i Naim Fetahut për Podujevën

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryetar të Podujevës nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu, ka treguar se ku do të fokusohet programi i tij me të cilin synon që t’i fitojë zgjedhjet e 15 marsit.

“Unë i siguroi qytetarët se nuk do të ketë hakmarrje siç po ndodh aktualisht në sektorin e arsimit. Megjithatë do t’i ndëshkojë ata që nuk e kryejnë punën si duhet, pa dallime partiake”, është shprehur Fetahu.

Ai ka thënë se programi i tij do të fokusohet në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe diasporën.

“Programi im do të fokusohet në mbështetjen e bizneseve të vogla, krijimin e vendeve të reja të punës, rikthimin e atyre që e kanë lëshuar Podujevën, brenga jonë më e madhe është diaspora”

Gjendejn e Komunës së Podujevës, Fetahu e quajti të patolerueshme.

“Është e patolerueshme gjendja e Komunës sonë, unë premtoj se do ta ndryshojë këtë gjendje nga 15 tetori. Nuk mund të pajtojë me gjendjen në të cilën është Podujeva”, shtoi Fetahu.

Fetahu i PDK-së i bindur se do të fitojë, thotë se Rudari e Bulliqi kanë qenë drejtorë të Agim Veliut

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Naim Fetahu, në Sytë 7 të programit të mëngjesit në Klan Kosova ka folur për zgjedhjet në këtë komunë që do të mbahen më 15 mars.

Fetahu tha se tërë jetën është angazhuar në të mirë të qytetarëve të Podujevës.

“Komunën e Podujevës e ndjej si familjen time, si vetën. Tërë jetën kam punuar dhe angazhuar në të mirë të komunës. Andaj vendosa që të hyjë në këtë garë. Jam angazhuar që nga shkolla e mesme në të mirë të qytetarëve. Si në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Helmimi i nxënësve. Ajo ka ndodhur pikërisht në klasën time. Kam marrë pjesë edhe në protestat e studentëve, kam qenë edhe pjesë e UÇK-së. I kemi ndarë të mirat dhe të këqijat bashkë me qytetarët”- tha Fetahu

Ai foli edhe për kohën sa ishte në uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.

“Kam qenë pjesë e themelimit të UÇK-së, të themelimit të Zonës Operative të Llapit. Kam dhënë kontributin tim në kuadër të logjistikës. Kemi kaluar momente të mira me bashkëluftëtarët e mi. Jam krenar. Jam njohtë edhe me Ilir Konushevcin. Ai ka vepruar në furnizimin me armë nga Shqipëria, kurse unë kam vepruar këtu në ZOLL. Unë mund ta veçoj edhe një nga bashkëpunëtorët nga Shqipëria Dashamir Alliu, i cili ka qenë nga Librazhdi i Shqipërisë. Ka qenë besnik “- tha Fetahu.

Kandidati i PDK-së për të parin e Podujevës theksoi se për shkak të keqmenaxhimit Podujeva ka mbetur prapa në krahasim me komunat e tjera.

“Komuna e Podujevës ka qenë ndër komunat më të zhvilluara. Është e shtata në Kosovë për kah numri i banorëve. Por kur e krahasojmë me Gjilanin, Ferizajin apo Gjakovën, Podujeva ka mbetur prapa sa i përket zhvillimit, sepse menaxhimi i komunës në këto 20-vjetët e fundit ka qenë jashtëzakonisht i dobët “- theksoi ai.

Fetahu u zotua se Podujeva me atë në krye do ta merr vendin e merituar.

“Qytetarët kanë mbetur para pa fajin e tyre. Unë e besoj që me projektet që do t’i ofroj Podujeva do ta ketë vendin e merituar. Podujeva ka nevojë për plotësim të infrastrukturës, rrugëve, kanalizimit, të ujërave të zeza. Një arsim cilësor. Ka shumë familje që e ka braktisur komunën për shkak të arsimit, sepse duan që fëmijet të edukohen. Paramendoni si mund të ngritët cilësia e arsimit, kur në Podujevë e kemi vetëm një çerdhe? I kemi 86 mijë banorë por e kemi vetëm një çerdhe publike “- shtoi Fetahu.

Ai foli edhe për planprogramin që do t’i ofrojë qytetarëve, duke premtuar se do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallim.

“Jemi në finalizim të planprogramit. Ky program do të jetë i bazuar në nevojat e qytetarëve. Së bashku me ekspertët lokal dhe qendror, por edhe me qytetarët jemi munduar të hartojmë një planprogram të mirë. Unë do të jem i gjithë qytetarëve, nuk do të jem vetëm i PDK-së. Poashtu edhe sa i përket punësimit qytetarët e Podujevës nuk kanë mundësi të punësohen askund tjetër përpos në arsim, sepse sektori privat është i shkatërruar ”

“Të gjitha bizneset që kanë pasur një potencial zhvillimi nuk operojnë në Podujevë për shkak të kushteve jo të mira. Ata operojnë në Fushë Kosovë, Prishtinë, Lipjan, në Parkun e Biznesit në Drenas. Unë do të përpiqem që bizneset e Llapit të operojnë në një park industrial. Të gjithë do të kenë vend sikur bizneset vendore, ashtu edhe investimet nga jashtë. Sepse pa punësim dhe zhvillim të sektorit privat nuk ka as zhvillim ekonomik. Edhe në aspektin social do të jem i përqendruar, nuk mund ti ketë një familje të gjithë anëtarët e punësuar kurse tjetra mos ta ketë asnjë “- tha ai.

Naim Fetahu foli edhe për dy kundër-kandidatët e tjerë për kryetar të Podujevës.

Sipas tij të dy kanë qenë drejtor të Agim Veliut dhe se nuk pritet ndryshimi nga ta.

“I kam dy kundër-kandidatë nga dy parti të ndryshme, por që janë faktikisht nga partia e njëjtë. Këta kanë qeverisur me Podujevën dhe si pasojë e tyre ne e kemi këtë gjendje. Këta kanë qenë drejtor të Agim Veliut. Unë jam ndryshimi për Podujevën si kryetar. Edhe para se të hyjë në garë kam pasur kërkesa nga qytetarët. Unë do të jem kryetar i Podujevës “- tha ndër të tjera Fetahu.

 

Naim Fetahu i PDK, kandidati më i pëlqyer për kryetar të Podujeves në rrjetet sociale (foto)

Periskopi.com Lajme

Naim Fetahu nga PDK-ja, në krahasim me kandidatët nga subjektet tjera politike për kryetarë të Podujevës, është më i pëlqyeri nga qytetarët në rrjetin social Facebook.

Naim Fetahu i ka deri tash mbi 6000 pëlqime, kundërkandidati i tij nga Vetëvendosje, Shpëtim Bulliqi ka 4000, kurse Nexhmi Rudari nga LDK-ja, 4,287 pëlqime.

Naim Fetahu pati garuar edhe ne 2013, ku ishte shumë afër balotazhit me mbi 15 mijë vota. Vetëm këta tre kandidatë janë në garën për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 15 mars.