Mashtrimi i ministres së Ambientit – vizitën në një OJQ kanadeze e shet si vizitë në seli të NATO-s

Periskopi.com Lajme

Zyrtarët qeveritarë në Kosovë shumë shpesh dështojnë që të organizojnë takime e vizita kualitative jashtë vendit. Për të mbuluar dështimin e tyre, ata shpesh simulojnë takime që i paraqesin si të rëndësishme me institucione e organizata jorelevante, që në fund të fundit nuk i shërbejnë konstituimit dhe fuqizimit të shtetit.

Kështu, sot Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e drejtuar nga ministrja Albena Reshitaj, e cila gjendet në Kanada, i ka dërguar një komunikatë mediave në vend me titullin “Ministrja Reshitaj pritet në selinë e NATO-s në Toronto”.

E vërteta është se ministrja Reshitaj nuk është takuar me asnjë zyrtar të NATO-s e as që ka zhvilluar vizitë në ndonjë organ të Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, shkruan Periskopi. E për më tepër NATO-ja as që ka një seli në Toronto të Kanadasë.

Takimi i saj me presidentin e Shoqatës për NATO-n në Kanada, Robert Baines në opinion është interpretuar si një lloj mbështetjeje që NATO-ja i ka dhënë Reshitajt për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, përmes avancimit të FKS-së.

E vërteta e Shoqatës për NATO-n në Kanada është se kjo organizatë nuk ka të bëj asgjë me mekanizmat e NATO-s e as nuk mund të flasë në emër të saj. Madje, në uebfaqen e kësaj organizate thuhet se “është e regjistruar si organizatë bamirësie”.

Në uebfaqen zyrtare të organizatës thuhet se Shoqata joqeveritare për NATO-n në Kanada (NAOC) mision ka promovimin e paqes, prosperitetit dhe sigurisë, përmes sqarimit dhe kuptimit të rëndësisë së NATO-s.

“Ne përpiqemi që të vetëdijesojmë kanadezët për NATO-n dhe qëllimet (e saj) mbi paqen, prosperitetin dhe sigurinë… NAOC ka raporte të forta me Qeverinë e Kanadasë. Ne në vazhdimësi jemi duke u përpjekur që të mbajmë raporte me organizata ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Zyra Qendrore e NATO-s, Tribunali Ndërkombëtar për Krime, si dhe të tjera organizata prominente joqeveritare”, thuhet në pjesën sqaruese lidhur me organizatën në vet uebfaqen e saj.

Ndërsa, në komunikatë thuhet se “ministrja Reshitaj ka marrë mbështetje nga presidenti i Asociacionit të NATO-s në Kanada, z. Baines për ngritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për realizimin e suksesshëm të rolit të saj”.

Por, Shoqata për NATO-n në Kanada nuk ka mekanizma ushtarakë që të mund ta ndihmojë avancimin të FSK-së, siç pretendon Ministria e Planifikimit dhe Mjedisit Hapësinor – përkundër se kjo çështje nuk është në domenin e ministrisë së saj. /Periskopi/