Alarmante niveli i lartë i ndotjes së ajrit në Shkup

Periskopi.com Lajme

Qytetarët e Shkupit edhe sot janë zgjuar në smog dhe mjegull. Stacionet matëse edhe sot kanë regjistruar nivel të lartë të ndotjes së ajrit.

Ndotje më e lartë është regjistruar në Rektorat, Karposh, Qendër, Lisiçe, Milladinovci dhe Gazi Babë. Me ajër të ndotur përballen edhe qytetarët e Tetovës. Kurse Kumanova ka pasur ndotje në mënyrë të moderuar.

Përndryshe, ndotja e ajrit këtë mëngjes në Shkupi u renditet në vendin e 19-të të qyteteve me të ndotura në botë.

Përveç Prishtinës, këto janë qytetet tjera të Kosovës me ndotje alarmante të ajrit

Periskopi.com Lajme

Letafete Latifi, drejtore e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se përveç Prishtinës, edhe në qytetet tjera të Kosovës ka tejkalime të vlerave të lejueshme të ndotjes së ajrit.

Latifi në një intervistë për Telegrafin tha se tejkalime të vlerave të lejueshme këtë vit ka edhe në Drenas, Han të Elezit, Gjilan.

Ajo bëri të ditur se këtë vit tejkalime të vlerave të lejuara të cilësisë së ajrit në Han të Elezit ka pasur për shkak të punimeve në autostradë.

Ajo tha se IHK obligim ligjor e ka monitorimin e cilësisë së ajrit dhe informimin për gjendjen.

“Në këtë aspekt ne nuk kemi nejt duarkryq. Monitorimi i ajrit me sistem automatik ka filluar në 2009 dhe vazhdimisht kemi informuar”, tha ajo.

Sipas saj, që nga 2012-ta kur ka dal raporti i parë për gjendjen nga periudha 2010-2012 vazhdimisht monitorojnë dhe njoftojnë publikun.

“Fillimisht kemi pasur dy tri stacione, tashmë kemi 11. Janë rrit investimet në mirëmbajtje dhe servisimin e stacioneve monitoruese”, tha Latifi.

Sipas drejtoreshës së IHK-së, stacionet janë funksionale dhe raportimet janë në kohë reale.

Latifi theksoi se megjithëse raportimet janë në kohë reale, ende nuk është përpunuar ueb-sajti sa duhet për të qenë i kapshëm për publikun.

Ajo tha se për të përmirësuar cilësinë e ajrit veprimet duhet të jenë të ndërlidhura me të gjithë akterët.

“Duhet edhe ministritë tjera të marrin obligimet e tyre karshi mbrojtjes së cilësisë së ajrit. Rast konkret e kemi Ministrinë e Transportit, e cila duhet të ngrit kapacitet të saj në kontrollin e emisioneve nga automjetet”, tha ajo.

Ajo tha se megjithëse janë marrë masa, edhe Qeveria e Kosovës duhet ta ketë prioritet cilësinë e ajrit.

“Plani i masave urgjente ka dalë për herë në parë 2016. Është dalë në Kuvend dhe është propozua një plan i masave.  Pastaj në 2017 është dalë Plani i veprimit nga qeveria e tanishme për masat afatshkurta dhe afatmesme… Masat që janë ndërmarr ose parashihen në planin e veprimit duhet të zbatohen nga akterët e ndryshëm”, tha ajo.

Latifi ka thënë se Instituti së bashku me Ministrisë e Mjedisit dhe institucionet tjera janë duke punuar ngushtë në përmirësimin e gjendjes së ajrit.

Sipas saj, rezultatet e masave të ndërmarra, siç është projekti i kogjenerimit pritet të shihen më vonë.

Kërkohen masa afatgjate kundër ndotjes së ajrit

Periskopi.com Lajme

Organizatat joqeveritare vazhdojnë ta ngrenë zërin kundër ndotjes alarmante të ajrit në Maqedoni.

Një pjesë e tyre përmes peticioneve tentojnë të detyrojnë autoritetet të ndërmarrin masa urgjente për këtë problem të pazgjidhur prej vitesh.  Organizata joqeveritare Eko-Svest kërkon nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Ambientit që shëndetin e qytetarëve ta kenë prioritet të lartë.

Ndër 10 masat që propozohen kundër ndotjes janë:

-Të ndalohet përdorimi i qymyrit për ngrohje te amvisëritë

-Kufizim i lëvizjes së automjeteve në pjesët qendrore të qytetit (pjesërisht ose tërësisht)

-Përmirësimin e transportit publik dhe shtimin e linjave të reja të transportit publik

-Kufizimin e aktiviteteve ndërtimore dhe industriale gjatë periudhës dimërore

OJQ-të thonë se në rast të mos-marrjes së masave të duhura, do të vazhdojë të rritet numri i vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur. Pavarësisht kritikave të shumta të sektorit civil dhe ankesave të shumta të qytetarëve, kreu i Shkupit thotë se janë ndërmarrë dhe vazhdimisht po merren masa, por është e pamundur që problemi me ndotjen të tejkalohet brenda natës.

“Mënyra më e gabueshme për të trajtuar ndotjen është të mendoni se mundet të ndërmerret diçka dhe menjëherë të zgjidhet problemi. Problemi me ndotjen e ajrit është problem që është krijuar me vite më parë për shkak të strategjive jo të mira dhe planifikimi jo të mirë të Qytetit. Duhet të targetojmë të gjitha burimet e ndotjes që ne e kemi bërë. Jo rastësisht qyteti i Shkupit ka filluar blerjen e autobusëve ekologjik të cilat vitin e ardhshëm do të vozisin në qytet dhe jo rastësisht Qyteti i Shkupit ka marrë nismë për etiketën ekologjike të automjeteve, sepse transporti kontribuon rreth 22 për qind në ndotjen e ajrit”, deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit, transmeton Alsat M.

Për ditë të tëra Maqedonia shënon shifra alarmante të ndotjes së ajrit, ku qytetet më të ndotura rezultojnë të jenë Shkupi, Tetova dhe Manastiri. Tre milionë njerëz çdo vit vdesin nga sëmundjet kronike respiratore, ndërsa 400 milion njerëz në gjithë botën vuajnë nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes. Shkaktar kryesor është niveli i lartë i ndotjes së ajrit.

Matoshi: Peleti më i rrezikshëm se thëngjilli, sidomos ai nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Ishte menduar si zgjidhje më e mirë sesa thëngjilli, por ‘peleti’ del se mund të jetë më i rrezikshëm.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me peletin që importohet në vend. E dyshimet shtohen kur ky produkt vjen nga Serbia.

Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, ka shprehur dyshime se peleti i importuar mund të ketë edhe përbërje të dëmshme, sidomos ai që vjen nga shteti fqinj.

Kjo lëndë djegëse përmban gomë dhe thëngjill.

Në një deklaratë për KP, Matoshi ka thënë se nevojitet mobilizimi i institucioneve përkatëse në mënyrë që të kontrollohet cilësia e kësaj lënde djegëse.

“Kemi informacione që peleti që importohet nga Serbia është po ashtu shumë i dëmshëm, sepse ka në përbërje gomë dhe plastikë në sasi të madhe që kur digjet liron gazra. Po ashtu, është jashtëzakonisht i dëmshëm. Kështu që, kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të shtojë kontrollin nëpër pikat kufitare për të kontrolluar edhe cilësinë e peletit. Pra, mbeten alternativa e rrymës, mbetet alternativa e druve, peletit dhe alternativa tjera, por sidomos institucionet publike duhet të heqin dorë nga përdorimi i thëngjillit”, tha Matoshi.

Edhe kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, thotë se peleti mund të jetë një nga shkaktarët e ndotjes së ajrit në vend.

Ai ka bërë të ditur se janë duke hetuar peletin, por se thotë se kjo më shumë bie në përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë.

“Një problem që Agjencia është duke e hetuar është edhe produkti i peletit. Ne jemi duke dyshuar, kemi pasur kontrolle në disa restorante në të cilat kemi parë tym në oxhaqe, dhe na kanë paraqitur peletin e certifikuar. Është produkt që duhet të kontrollohet nga Ministria e Tregtisë. Dhe, si duket ka produkte shtesë në atë pelet që të ketë energji më shumë. Ose ka vajra ose thëngjill, që faktikisht mund të jetë shumë i pashëndetshëm. Mund të jetë më i pashëndetshëm sesa thëngjilli që e përdorim”, tha Morina.

KP është interesuar të marr përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me atë se çfarë rreziku paraqet peleti i përzier me gomë apo thëngjill për shëndetin e qytetarëve.

Por drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, ka thënë se deri më tash nuk kanë kryer analiza rreth kësaj çështjeje.

“Instituti Kombëtar nuk ka kryer analiza rreth çështjes në fjalë, lidhur me këtë ju duhet të kontaktoni zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndryshe, KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe kryeinspektorin e Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Aktualisht një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ngrohen me këtë lëndë djegëse dhe çmimi për një ton pelet fillon nga 189 euro deri në 218 euro.