Skandali në Shqipëri: ‘Arena Kombëtare’ në rrezik, mund të mbetet papërfunduar

Periskopi.com Sporti

Stadiumi “Arena Kombëtare” gjithnjë e më shumë po shkon drejt përfundimit, por  tashmë janë duke u ngritur disa pikëpyetje për të. Sipas njoftimit të fundit nga Federata Shqiptare e Futbollit thuhet se Ministria e Financave ka ardhur me një lajm tjetër.

Bëhet fjalë për mos rimbursimin e TVSH-së për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare” nga Komisioni i Apelit. Sipas deklarimeve  të fundit qiradhënia e ardhshme do të jetë e tatueshme. Më poshtë keni dhe njoftimin e plotë të FSHF-së.

Njoftimi i plotë:

Nga Ministria e Financave vjen një lajm tjetër: Komisioni i Apelit refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo do të thotë që këtij investimi i mungojnë afërsisht 2 milionë euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve të stadiumit vihet seriozisht në pikëpyetje.

Në bazë të VKM Nr.953, datë 29/12/2014, neni 5, pika 5, Qendra Sportive Kuq e Zi, ka bërë deklarimet kronologjike në librat e blerjes dhe shitjes të TVSH-së, duke konsideruar dhe deklaruar se qiradhënia e ardhëshme do të jetë e tatueshme. Këtë shpjegim nuk po e bëjmë për Komisionin e Apelit që sillet si një grup “tifozësh ultras”, por për ata që e dinë dhe e kuptojnë këtë procedurë ligjore.

Gjithsesi FSHF do t’i drejtohet Gjykatës, për këtë çështje, por është për të ardhur keq se si një grupi burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk u ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern!  /Periskopi/