Një muaj paraburgim për vrasjen te nënkalimi

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të pandehurin N.B., nën dyshimet se ka kryer veprën penale vrasje sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 20.07.2019 rreth orës 17.50 në Prishtinë në rrugën “Perandori Justinian” në shkallët e nënkalimit, pas mosmarrëveshjes verbale me të dëmtuarin fizikisht e ka sulmuar tani të ndjerin – G.R., duke e goditur grushte në kokë dhe e ka shqelmuar, si pasojë e së cilës ky i fundit ishte rrëzuar dhe si pasojë e lëndimeve ndërroi jetë në QKUK, në Prishtinë.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Policia jep detaje tjera për romin që u rrah për vdekje tek nënkalimi, i dyshuari në arrati

Periskopi.com Lajme

Dje është vrarë personi me inicialet G.R. 45 vjeçar i komunitetit rom, si pasojë e lëndimeve të rënda që i ka marr nga një përleshje fizike te nënkalimi i rrugës “Bill Clinton” në Prishtinë. Viktima është goditur në kokë dhe ka mbetur pa vetëdije, më pas ka vdekur. Prokuroria ka njoftuar se deri më tani nuk dihen motivet e kësaj rrahje, si dhe sulmuesi ndodhet ende në arrati.

Prokuroria ka siguruar të gjitha provat nga vendi i ngjarjes dhe po merret me rastin.

Përmes raportit 24 orësh, Policia, thekson se i dyshuari i vrasjes së djeshme është ende në arrati.

“Rr. Bill Klinton, Prishtinë 20.07.2019 – 17:51. Është raportuar se viktima mashkull është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor pasi që i njëjti është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar i panjohur. Viktima është goditur në kokë duke mbetur pa vetëdije. I njëjti nuk ka mundur ti përballojë lëndimet e marra dhe ka ndërruar jetë. I dyshuari gjendet në arrati”, tha policia.

Viktima është nga Fushë-Kosova, kishte ardhur nga Gjermania, atje ka gruan dhe fëmijët.

Trupi i pajetë i tij është në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për autopsi.

 

 

Prokuroria jep detaje për vdekjen e personit pasi u rrah tek nënkalimi në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar për vdekjen e personit G. Rama si pasojë e rrahjes te nënkalimi i rrugës ‘Bill Clinton’.

“Prokuroria e Prishtinës, njofton se deri më tani nuk dihen motivet e kësaj rrahje, si dhe sulmuesi ende është në arrati.

Po ashtu, Prokuroria ka siguruar të gjitha provat nga vendi i ngjarjes.

Trupi i personit të pajetë, është në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dhe pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për autopsi”, thuhet në komunikatën e tyre.

Policia kishte thënë se personi ishte dërguar në emergjencë, por për shkak të lëndimeve, kishte ndërruar jetë.

“Në ora 17:51, policia ka pranuar një informatë për një rrahje tek nënkalimi i rrugës “B.Kllinton” saktësisht tek shkallët. Një person është dërguar në emergjencë, i njëjti kishte pësuar lëndime të rënda tek shkallët e nënkalimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë”, ka thënë ai. Ai ka deklaruar se këto janë të dhënat fillestare dhe se Policia po mbledh informacione tjera rreth rastit./PERISKOPI/

 

 

Ky është personi që vdiq sot nga rrahja tek nënkalimi në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Gani Rama, rreth 40 vjeç, është personi i cili ka vdekur te nënkalimi në Prishtinë pasi është rrahur nga një person.

Burimet e Indeksonline brenda policisë kanë thënë se viktima është nga Podujeva ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar.

I dyshuari ka pasur të veshur maicë me ngjyrë të bardhë dhe menjëherë pasi e ka shtyrë viktimën shkallëve të nënkalimit, ka ikur në drejtim të panjohur.

Policia e Kosovës me të pranuar informacionin është paraqitur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet përkitazi me rastin.

Në polici rasti është paraqitur në orën 17 e 51 minuta ndërsa aktualisht nuk dihen motivet që quan deri të vdekja e viktimës.