Rrallë ose kurrë nuk flitet për ta: Heronjtë e vërtetë që fshihen prapa pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA

Periskopi.com Sporti

Kanë kaluar tashmë katër vjet nga pranimi i Kosovës si anëtare me të drejta të plota në organizatat më të mëdha të futbollit në botë, UEFA dhe FIFA.

Ishte një rrugëtim i gjatë dhe i lodhshëm, derisa shenjat e para se diçka serioze po ndërmerrej për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar erdhën në vitin 2010, kur “Dardanët” zhvilluan një ndeshje kundër Arabisë Saudite, të cilën tanët e fituan me rezultat 1-0, falë një goli nga Kristian Nushi, shkruan Periskopi.

Nga kjo ndeshje e tutje, pati vullnet dhe lëvizje më të shpeshta për pranim në UEFA dhe FIFA.

Kosova filloi të organizonte ndeshje më shpesh, në harmoni me instancat më të larta evropiane të futbollit, duke zhvilluar takime me Kombëtare si Haiti, Turqia, Senegali e Omani, të cilat u organizuan me insistencë të Fadil Vokrrit dhe ekipit të tij.

Sidoqoftë, gjithçka do të ishte e kotë pa kontributin e Federatës Gjermane të futbollit, e cila bëri presion të madh te anëtarët e tjerë të UEFA-s për ta pranuar Kosovën me të drejta të plota.

Meritat më të mëdha në këtë insistim dhe ndihmesë të Gjermanisë e kanë atdhetarët Nexhat dhe Zija Shoshi, së bashku me Fekmi Kongjelin, biznesmenë që asnjëherë nuk e ndalën lobimin për pranimin e Kosovës.

FFK nënshkroi marrëveshje me Unionin e Bizneseve Shqiptare ...

Kjo treshe organizoi dy ndeshje para pranimit, kundër Eintracht Frankfurtit dhe Werder Bremenit.

Këto dy ndeshje u zhvilluan pasi u arrit marrëveshja mes tyre dhe përfaqësuesëve të Federatës Gjermane (Rainer Milkoreit-nënkryetar, Markus Weidner, Wolfgang Grunert dhe Dieter Burdenski).

Ky ekip ndikoi që tanimë i ndjeri, ish Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të takohet me presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit, Wolfgang Niersbach.

Takimi u mbajt më 18 mars dhe si temë kryesore ishte harmonizimi i agjendës për takimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të mbahet më 23.03.2015 në Vjenë të Austrisë. Ky ishte momenti i së vërtetës dhe dyert u hapën, shkruan Periskopi.

Pasuan pranimet në UEFA dhe FIFA, si dhe takimi i parë zyrtar i Kosovës pas pranimit, më 3 qershor kundër Ishujve Faroe në Frankfurt.

Edhe këtë përballje e organizuan vëllezërit Shoshi dhe Kongjeli, diçka për të cilën është shumë falënderues edhe ish-selektori, Albert Bunjaki.

“Kjo lojë (kundër Ishujve Faroe) u realizua falë kontribuesve të mëdhenj në Gjermani, vëllezërit, Fekmi Kongjelit dhe Zenelit, të cilët organizuan për mrekulli ndeshjen,” tha Bunjaki për Redaksinë.

“Dardanët” triumfuan 2-0, falë golave nga Albert Bunjaki dhe Elbasan Rashani, çka ndodh pastaj është shumë mirë e evidentuar dhe nuk ka nevojë për elaborim. /Periskopi.com/