Nikë Lumezi ishte profesionist dhe la një bagazh të madh

Periskopi.com Lajme

Me rastin e vdekjes së avokatit Nikë Lumezi, sot është mbajtur mbledhja komemorative e organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ku morën pjesë shumë bashkëpunëtorë të tij dhe kolegë.

Kryetari i Odës, Osman Havolli duke shprehur ngushëllimet me të sinqerta me rastin e humbjes së këtij doajeni të sistemit të drejtësisë së Kosovës, ka thënë se ka shumë për të thënë për veprimtarinë e Nikë Lumezit, i cili ka lënë një bagazh të madh që të vazhdohet rruga e tij më tutje.

“Fjalët sigurisht se është shumë për të thënë për jetën dhe veprën e tij, por ai ka lënë një bagazh të madh që neve si trashëgimtarë të tij të trasojmë rrugën të cilën ai e ngriti dhe ne duhet ta vazhdojmë më tutje. Lavdi jetës dhe veprës së Nikë Lumezi dhe pushoftë i qetë në parajsë e në paqe”, ka thënë Havolli.

Ramë Gashi, ish kryetar i Odës dhe bashkëpunëtor i Nikë Lumezit, tha se lajmi për ndarjen nga jeta të avokatit Nikë Lumezit, ka tronditur të gjithë, sepse sipas tij, përveç ekspertizës së veçantë ligjore, ishte njeri i matur.

“Lajmin që morëm dje për ndarjen e Nikë Lumezit nga jeta na tronditi të gjithëve. Nikë Lumezin e përkujtojmë si juristin, gjyqtarin e avokatin më me etikë, më me profrosional, më me dinjitet dhe profesionit me principe të mirëfillta”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Virgjina Duminca, mike e Nikë Lumezit, me emocione dhe vaj në buzë, ka kujtuar dhe vlerësuar lartë punën profesionale të avokatit Lumezi në kohën sa ka qenë gjyqtarë.

“Për me fol për zotri Nikën që ne e kemi quajt baza Nikë, kisha mundur me fol  dy ditë. Më kujtohet gjenerata jonë e re e gjyqtarëve kur nuk kishte as institut gjyqësor, as qendra të trajnimeve. Në gjyqtarët e Gjykatës komunale atëherë  fatmirësisht ishim në një ndërtesë me gjykatën supreme dhe shpesh e thirshim jo vetëm atë, por krejt atë plejadën e gjyqtarëve që kanë qenë gjyqtarë me shumë dinjitet dhe ekspert të posaçëm. I kemi ftuar për zbërthimin e dispozitave ligjore”, ka thënë Dumnica.

Djali i Nikë Lumezit, Albert Lumezi duke i falënderuar pjesëmarrësit në ketë mbledhje komemorative, tha se kjo pjesëmarrje zvogëlon dhimbjen për humbjen e babait, sepse siç tha ai kanë pasur një prind shembull, dhe fjala e tij ishte udhërrëfyes për familjen.

“Krahas këtij pikëllimi të thellë ngushëllohemi me faktin se kemi pasur një prind shembull, i cili në vazhdimësi  u kujdes për përgatitjen tonë për jetë, për flijimet që bëri të na shkolloj dhe në na bëjë të pavarur. Na mësoj se si duhet t’i përballojmë vështirësitë për t’u përgatitur për jetë. Në fëmijët e tij, por edhe mesat dhe nipat e tij, fjalën e tij gjithnjë e patëm udhërrëfyesin kryesor, ndërsa veprimet e tij shembull konkret si duhet të realizohen ato në jetën e përditshme”, ka thënë Lumezi.

Nikë Lumezi ishte lindur më 23 shtator 1937 në Prizren, profesionin e avokatit e ka ushtruar që prej vitit 1993 deri më 1997 për të vazhduar prej vitit 2004 e deri më 2018.

Ndërsa, varrimi i avokatit Nikë Lumezi bëhet sot në varrezat në Prizren, në orën 14:00.

 

Vdes avokati i njohur kosovar, babai i kryeprokurorit Lumezi

Periskopi.com Lajme

Pas një sëmundje të rëndë, në moshën 81 vjeçare ndërroi jetë Nikë Lumezi, një ndër juristët e parë kosovar, që ushtroi funksione me rëndësi në sistemin e drejtësisë në periudhën e paraluftës dhe pasluftës.

Me përvojën e tij shumëvjeçare ka dhënë kontribut në fushën e drejtësisë si gjyqtar në të gjitha instancat gjyqësore deri në Gjykatën Supreme dhe Kushtetuese të Kosovës, anëtar i Qeverisë së Kosovës, zëvëndës Ombudsperson i Kosovës.

Në vitet e fundit ushtroi detyrën e avokatit. Gjatë karrierës së gjatë ka dhënë kontribut në hartimin e shumë projektligjeve të Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë penale.
Mbledhja Komemorative e organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, mbahet në Hotel Sirius, me datë 18.08.2018, në orën 9:30.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet të shtunën me datë 18.08.2018, në varrezat e qytetit të Prizrenit në orën 14:00.

Mesha mbahet në orën 11:00 në Katedralen e Prishtinës, kurse kortezhi i funeralit niset pas përfundimit të meshës.

Nikë Lumezi është babai i kryeprokurorit të shtetit, Aleksander Lumezit.