Isa Mustafa kërcënon hapur Haradinajn dhe Limajn: Qeveria të jetë gati t’i largojë ata me agjenda personale e partiake

Periskopi.com Lajme

Duket se takimi i djeshëm mes tre liderëve të partive në koalicionin qeveritar nuk ka shkuar aspak mirë. Së fundi, Isa Mustafa në mënyrë të hapur ka kërcënuar dy partnerët e koalicionit me largim nga Qeveria nëse nuk i përmbahen përcaktimeve fillestare. 

Ai ka deklaruar se “LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëj rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.”

Gjatë ditës së djeshme nuk pati fare prononcim për media nga z.Mustafa, e as nga kryeministri Hoti, shkruan Periskopi.

Një goditje e tillë nga Mustafa thellon edhe më tej përçarjet në koalicionin aktual qeverisës mes tri partive në Qeverinë Hoti.

Mustafa gjatë këtij statusi foli edhe për dialogun duke përsëritur qëndrimet e mëparshme.

Statusi i plotë: 

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.
Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.
Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.
Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.
LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.
Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. IM

Nisma ka e gati kallëzimin penal për kontratën e Prizrenit rreth materialit mbrojtës

Periskopi.com Lajme

Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren ka bërë të ditur se do të paraqesë kallëzim penal në Prokurori kundër zyrtarëve të lartë komunalë për çështjen e kontratës së furnizimit me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi.

Ky subjekt opozitar pretendon se kryetari Mytaher Haskuka, drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu dhe shefi i Zyrës së Prokurimit, Isa Osmankaj në këtë lëndë të prokurimit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, shkruan KOHA.

“Të lartcekurit, në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit duke i tejkaluar autorizimet ligjore dhe duke mos respektuar ligjin për prokurim publik, kanë nënshkruar një kontratë me çmimet për njësi që nuk janë në përputhje me çmimet e tregut, që përbën shkak të dyshimit të arsyeshëm për keqpërdorim të parasë publike. Me këtë veprim, dyshohet se të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, të sanksionuar në nenet 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e degës së NS-së. Aty theksohet se ky kallëzim penal do të dorëzohet të hënën në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Duke u bazuar në raportimet mediale, NS në arsyetimin e kallëzimit penal ka shkruar se kontrata në fjalë është nënshkruar me një operator ekonomik që në aktivitetet e saj ekonomike nuk i ka ato të produkteve mjekësore apo diçka të ngjashme, “gjë që vë dyshimin e arsyeshëm të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga të lartcekurit gjatë negocimit të drejtpërdrejtë me këtë operator ekonomik”. Kësisoj subjekti opozitar ka vlerësuar si të nevojshme që Prokuroria t’i iniciojë hetimet, “në mënyrë që të sigurojë edhe provat e tjera në proces, që mund të jenë të nevojshme për ngritjen e aktakuzës”.

Nismë globale për të përshpejtuar gjetjen e vaksinës kundër koronavirusit

Periskopi.com Lajme

Kombet e Bashkuara i bashkuan forcat edhe me udhëheqës botërorë dhe me sektorin privat në një nismë për përshpejtimin e gjetjes së vaksinës për koronavirus dhe për sigurimin e qasjes së barabartë për të gjithë.

“Ky është një bashkëpunim i rëndësishëm për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinave dhe terapive për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, tha shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Angazhimi ynë i përbashkët është që t’iu sigurojmë të gjithë njerëzve qasje në të gjitha mjetet për të mposhtur COVID-19”, tha ai.

“Të bashkuar, ne mund të luftojmë virusin”, tha Tedros.

Mbledhja, përmes video-konferencës, është bashkudhëhequr nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Melinda Gates nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

Aty morën pjesë edhe shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dhe liderë botërorë, si kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Në të gjithë botën, mbi 2.7 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 190,000 kanë vdekur.

​LDK nuk e përkrah pakon emergjente të PDK-së, AAK dhe Nisma po

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të përkrahë pakon emergjente të propozuar nga PDK-ja në seancën e nesërme. Kështu u shpreh për KosovaPress shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Derisa dy partitë tjera opozitare, AAK dhe Nisma-AKR thanë se do të votojnë pro një pako të tillë.

Deputeti i LDK-së thotë se propozimi i PDK-së është vetëm një projekt-rezolutë dhe nuk është obliguese për qeverinë në detyrë.

“Në formën siç është nuk e përkrahim”, u shpreh Gashi përmes telefonit për KosovaPress.

Përkrahje pakos 320 milionëshe të PDK-së për t’u ballafaquar me krizën pandemike i dha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.

Ai tha se në këtë pako janë të përfshira edhe pikat e partisë së tij.

“Kemi edhe ne pikat tona kemi dy pako të propozuara. Është pako emergjente aktuale dhe ajo e stabilitetit ekonomik pas pandemisë. Do të inkorporojmë të dyja bashkë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nisma-AKR, Haxhi Shala u shpreh se janë të informuar për këtë pako dhe se do të koordinohen me PDK-në brenda seancës së nesërme.

“Në vija të trasha jemi të informuar në lidhje me këtë pako. Por gjithçka do të varet nga seanca dhe do të koordinohemi brenda seancës”, tha ai.

Ndërkohë gjatë ditës sotme, PDK i ka bërë thirrje gjitha partive parlamentare pa dallime të votojnë nesër për pakon emergjente. Sipas tyre ajo i adreson nevojat e qytetarëve në këtë krizë pandemie dhe ekonomike.

Pako emergjente e Qeverisë në detyrë është paraparë të jetë 170.6 milionë euro, ndërsa ajo e propozuar nga partia opozitare, PDK 320 milionë.

Limaj: Shkolla shqipe gjithmonë ka qenë vatër ku është kultivuar dija dhe dashuria për Atdheun

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të gjithë mësimdhënësve ua ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.

“Ka shumë njerëz që kanë lënë gjurmë në jetën tonë, por askush prej tyre nuk e zë vendin e veçantë që kanë përherë tek ne mësuesit tanë”, ka shkruar Limaj.

 

 

Kreu i Nismës u ka shprehur mirënjohje të gjithë mësuesve për kujdesin dhe këmbënguljen, që me dashurinë dhe përkushtimin e tyre ndër breza krijuan tek secili prej nesh vlerat më të larta njerëzore e kombëtare.

“Shkolla shqipe gjithmonë ka qenë vatër ku është kultivuar dija dhe dashuria për Atdheun. Dëshira për sa më shumë dije, përherë ka qenë dhe mbetet dëshirë për forcim të identitetit tonë kombëtar”, ka shtuar Limaj.

E JASHTËZAKONSHMJA: Këto janë të gjitha pozicionet e partive politike sa i përket Taksës dhe Reciprociteti

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Republikës së Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme, e në të cilën po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Periskopi për lexuesit e saj ka përgatitur pozicionet politike të partive tona parlamentare sa i përket Taksës dhe Reciprocitetit.

Edhe gjatë kësaj seance nuk u kursyen fjalët e rënda nga opozita në drejtim të Kurtit për qëndrimet e ndryshuara, me disa deputetë që e cilësuan Kurtin si “mashtrues”.

Vetëvendosje (Partia kryesore e pushtetit):

Vetëvendosje ka ngulmuar në qëndrimin e saj për pezullimin gradual të tarifës 100 për qind, filluar nga 15 marsi – mbi produktet e lëndës së parë – e duke përfunduar më 1 prill, me pezullim të plotë 90 ditësh.

Në këtë formë ai mbrojti shkeljen e premtimit të tij për heqjen e tarifës para se të vendosej reciprociteti – ashtu siç kishte premtuar vazhdimisht.

Kurti deklaroi gjatë seancës së sotme se “edhe vendosja e tarifës ishte bërë gradualisht, duke qenë së pari 10 për qind e duke u bërë më vonë 100 për qind”. Pra, Kurti mbrojti vendimin qeveritar të atëhershëm, por mbrojti edhe vendimin e tij të tashëm.

LDK (Partia e dytë e pushtetit):

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë shumë e heshtur gjatë seancës së sotme. Por, megjithatë qëndrimi i saj në lidhje me çështjen dihet. Tarifa duhet të hiqet plotësisht – ashtu siç e kërkon ShBA-ja – dhe duhet të koordinohet më pas për vendosjen ose jo të reciprocitetit.

Lista Serbe (Parti e tretë e pushtetit):

Kjo parti politike nuk e ka ndryshuar qëndrimin e mëhershëm për heqjen e plotë të tarifës dhe mos-vendosjen e reciprocitetit. Natyrisht, Lista Serbe vazhdon të jetë krejtësisht në vijë me politikën zyrtare të Qeverisë së Beogradit.

PDK (Partia më e madhe e opozitës):

Partia Demokratike qëndron në të njëjtën vijë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Edhe kjo parti beson që nuk duhet rrezikuar raportin tonë me ShBA-të, duke përforcuar raportin me BE-në, e cila e ka mbështetur heqjen e pjesshme të tarifës.

Kjo parti politike beson që ka një dallim mes politikës amerikane dhe asaj evropiane. Teknikisht, BE-ja nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës për shkak të pesë vendeve që nuk e njohin atë.

AAK (Partia e dytë e opozitës):

Aleanca e Ardhmëria e Kosovës ka përsëritur qëndrimin e saj në mbrojtje të tarifës dhe ka kundërshtuar ashpër vendimin e kryeministrit Kurti për largimin gradual të saj.

Kjo parti opozitare për dallim nga PDK-ja, beson që nuk duhet të dëgjohen kërkesat e ShBA-së dhe e sheh veprimin e z.Kurti si dorëzim para Serbisë.

Nisma-AKR (Grup parlamentar opozitar)

Periskopi nuk arriti të kuptonte qëndrimin e kësaj partie politike. /Periskopi

Limaj: Kurti ia zgjati dorën opozitës, pse se zgjaste dorën sa ishte vet në opozitë

Periskopi.com Lajme

Kreu i Nismës Fatmir Limaj tha se Kurti shpesh ka ndërruar qëndrimet në punët më me rëndësi për shtet, ai ka theksuar çështjen e flamurit të institucioneve dhe pavarësisë së Kosovës.

Limaj po ashtu ka përmendur edhe ditën e formimit të qeverisë ku ka theksuar se ishte veprim i mirë zgjatja e dorës së Kurtit ndaj opozitës, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur sa ishte vet në opozitë, përcjell Periskopi

“Kurti shpesh ka ndërruar qëndrimet në punët më me rëndësi për shtet. Për flamur, për institucione, për pavarësi etj. Kanë krijuar standard të keq. Opozitari duhet të takohet me zyrtarët në pozitë, duhet të krijohet platforma për bisedë. Ai nuk na kishte dhënë dorën, para se të ndahej VV’ja. Pse nuk e kishte bërë këtë. Është shembull i keq i opozitarizmit”, ka thënë Limaj në Pressing/Periskopi

 

Nisma emëroi Haxhi Shalën shef të deputetëve, AKR-së i mbetet hatri dhe shqyrton ndarjen

Periskopi.com Lajme

Nisma Socialdemokrate ka emëruar shef të Grupit Parlamentar të koalicionit Nisma-AKR, haxhi Shalën.

Por partisë Behgjet Pacollit duket se i ka mbetur hatri për këtë vendim, të cilin thotë se Nisma e mori njëanshëm.

Madje këshilltari i Behgjet Pacolli , Jetlir Zyberaj ka thënë se AKR-ja do të shqyrtojë bashkëpunimin me Nismën e Fatmir Limajt, përcjell Periskopi.

Zyberaj ka shkruar në rrjetin e ti social ‘Facebook’, se Nisma nuk  është  konsultuar  AKR-në për këtë vendim.

“Aleanca Kosova e Re nuk është konsultuar fare në këtë drejtim. Bashkëpunimi yne me partinë Nisma Socialdemokrate do të shqyrtohet”, ka shkruar Zyberaj.

Sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku Haxhi Shala ka përfaqësuar grupin parlamentar të Nismës Socialdemokrate.

Ai ka bërë të ditur se sot në detyrën e re ka marrë pjesë në mbledhjen e parë të kryesisë./Periskopi/

 

Lirohet nga paraburgimi anëtari i Nismës që e kërcënoi Albin Kurtin

Periskopi.com Lajme

Rasim Hoti, avokati i Haxhi Hotit, i akuzuar për kërcënimin që ia bëri muajin e kaluar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se klientit të tij i është ndërprerë masa e paraburgimit.

Në një postim në Facebook, Rasimi, që është edhe vëlla i Haxhiut, ka thënë se ky vendim është i drejtë.

“I drejtë dhe i bazuar në ligj vendimi i datës 23.01.2020, me të cilin i është ndërprerë masa e paraburgimit të mbrojturit tim Haxhi Hoti”, shkroi Rasim Hoti në Facebook.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është paraqitur sot në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me kërcënimin që iu bë ditë më parë nga anëtari i Nismës për Kosovës, Haxhi Hoti.

Kjo u bë e ditur anëtari i VV-së, Berat Ganiqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sot, së bashku me kryetarin e Lëvizjes, Albin Kurti, ishim në Prokurorinë Themelore me ftesë të kësaj të fundit. Albin Kurti është ftuar për intervistim në lidhje me kërcënimin që i është bërë në rrjetet sociale nga Haxhi Hoti, anëtar i subjektit Nisma për Kosovën në fund të dhjetorit 2019”, ka shkruar Ganiqi.

Kujtojmë se më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Haxhi Hoti, përmes një postimi në Facebook, kishte bërë një krahasim mes presidentit të vrarë amerikan, John Kennedy dhe Albin Kurtit, duke thënë se ndonëse populli e deshi të parin për udhëheqës të shtetit, nuk ishte në interesin e shtetit që ai të ishte president, kurse për Kurtin ka thënë se populli “ndoshta” e do, “por nuk është interes i shtetit që ky të jetë kryeministër”.

“John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër”, tha ai.

Liderit të Vetëvendosjes, Hoti i la dy rrugë: “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”.

Pasi ky postim u mediatizua, Hoti e kishte fshirë atë dhe kishte kërkuar falje publike.

Të nesërmen, policia e kishte arrestuar Hotin.

 

Beqiri s’e përjashton opsionin për koalicion LDK-AAK-NISMA

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, ka komentuar opsionet e formimit të qeverisë dhe ato nëse dështon marrëveshja VV-LDK.

Beqiri në RTV Dukagjini ka thënë se në LDK ende nuk është vënë në diskutim opsioni i një koalicioni me AAK-në, NISMA-n dhe minoritetet, por megjithatë nuk e ka përjashtuar një opsion të tillë.

“Nuk e them se nuk vjen në rend të ditës kjo pikë, nëse Albin Kurti nuk arrin ta bëjë qeverinë dhe nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në”.

Por, ai thotë se në LDK ka mbështetje absolute opsioni i arritjes së një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Beqiri thotë se megjithatë nuk përjashtohet as edhe mundësia që pasi të bëhet koalicioni VV-LDK pas një viti kur të vjen dita për të zgjedhur presidentin të shkohet në zgjedhje.

Beqiri thotë se fakti që janë ulur me Vetëvendosjen në tryezë është një kompromis nga ana e LDK-së, pasi sipas tij në ta kaluarën këtë të fundit u kanë bërë shumë dëme zyrtarëve të LDK-së me gaz dhe me djegie makinash.

 

​Limaj dënon sulmin ndaj forcave amerikane në Irak

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj bazave amerikane në Irak si dhe çdo sulm tjetër që ka për qëllim të shkatërrojë paqen në Irak apo kudo në botë.

“Po ashtu, shprehim shqetësimin tonë për sigurinë e qytetarëve tanë të cilët punojnë në këto baza ushtarake të miqve tanë. Si gjithmonë, Kosova është rreshtuar krah SHBA-ve dhe aleatëve të saj perëndimor”, shkruan Limaj në Facebook.

 

Arsyetohet Enver Shala i Nismës: Nuk ishte kallash i vërtetë, por lodër

Periskopi.com Lajme

Enver Shala, ish kandidat për deputet nga rradhët e Nismës nuk festoi si gjithë të tjerët.

Ai publikoi një video, ku shihet se me një armë kallashnikov në duar teksa gjuan në ajër.

“Urime me kallash të Gjermanisë”, shkruajti ai në postimin e tij në Facebook, teksa ia bashkëngjiti edhe videon.

Mirëpo, ai po thotë se armë e cila gjuajti në ajër nuk është prej vërteti, dhe se ajo armë në vend të plumbave gjuan fishekzjarre.

Madje ai për lajmi.net thotë se e njëjta armë është shumë më pak e rrezikshme se fishekzjarret.

“Desha të ju sqaroj se kallashi që është përdorur, është me fishekzjarre, bile më pak i rrezikshëm se fishekzjarret, pra është e lejuar të përdoret në festa të fundvitit”, ka sqaruar Shala që vije nga rradhët e Nismës Socialdemokrate.

Videoja e publikuar nga Shala është përhapur me të madhe në media dhe ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion.

PAN’i e bëri kryeministër, Haradinaj sot i shan e kritikon

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka gati gjashtë muaj që është kryeministër në detyrë, ka hedhur akuza ndaj partnerëve të koalicionit PAN, të cilët e bën kryeministër.

Haradinaj, si duket ka harruar që votat e partnerëve të PAN’it e bën atë kryeministër të vendit.

Ai tha se ata gjatë bashkëqeverisjes kanë menduar vetëm për vete, por jo edhe për Kosovën.

“Partnerët e koalicionit qeverisës gjithmonë në fokusim kanë pasur forcimin e vetës, kalimin pa pasoja të etapave edhe krijimin e partneritetit potencial në dëm për Kosovën. Këto janë të vërteta, dhe kjo është arsyeja pse në këto zgjedhje kemi shkuar ndaras, dhe nuk synojmë kthimin në PAN”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se kthimi në PAN nuk është formulë për AAK-në. E kjo, siç ka thënë ai, “për shkak se përvoja në bashkëqeverisje, në kohën kur unë jam përballur në raste të caktuara me palë të ndryshme për të mbrojtur interesin e Kosovës, kolegët e mi, bashkëpunëtorët, tek të cilët është dashur të llogaris në ta, ata kanë mbrojtur vetëm interesin personal dhe partive të tyre politike:.

E ka marrë edhe një shembull të freskët.

“Tash së fundmi e vëreni me kritikat për shpenzimin e rezervës ose me kritikat për shpenzimin e buxhetit. Ministri i Financave që është njeri përgjegjës që ka marrë rrogë gjatë gjithë qeverisjes së financave e shihni si është fshehur, nuk del asnjëherë që të japë një shpjegim. Nuk i shpenzon kryeministri paratë, paratë i shpenzon ministri i Financave”, tha Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të partisë të cilës i prinë.

Ai shtoi se AAK është ndoshta e vetmja parti në shërbim të ruajtjes, mbrojtjes dhe forcimit të Kosovës së pavarur.

“Zakonisht në etapa të ndryshme kohore, forcat politike të Kosovës të gjitha kanë ndihmuar që Kosova të ecë në rrugën e vet, drejt pavarësisë, të mbetet e pandarë, të ketë sovranitetin, integritetin territorial dhe kufijtë e me radhë. Mirëpo, ka plot momente kur forcat politike janë fokusuar vetëm për vetveten, përfshirë udhëheqësit politikë. Ndoshta AAK-ja është e vetmja parti në Kosovë që për më shumë kohë gjithë potencialin e vet e ka vënë në shërbim të ruajtjes, mbrojtjes dhe forcimit të Kosovës së pavarur, ashtu siç kemi rënë dakord me 17 shkurt 2008, dhe ashtu siç na kanë njohur miq e aleatë”, tha Haradinaj, përcjell ksp.

Gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, Haradinaj tha se partitë tjera i kanë shërbyer vetës dhe rritjes së votës. Nga aty Haradinaj u zotua se gjatë mandatit të kaluar është detyruar të mbroj interesin, derisa të tjerët sipas tij kanë punuar vetëm për interesat e partisë, e pikërisht për këtë ai tha se në këto zgjedhje kanë kandiduar si parti të vetme.

Sipas tij, partnerët e koalicionit PAN kanë punuar në mënyrë të orkestruar.

Policia jep detaje për rastin e anëtarit të Nismës që e kërcënoi Kurtin me vrasje

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar se Policia e Kosovës po merret me rastin e anëtarit të NISMA-s, Haxhi Hotit.

Kelani ka thënë se PK kanë ndërmarr veprimet konform autorizimeve ligjore.

 

 

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar dhe sipas deryrës zyrtare ka ndërmarr veprimet konform autorizimeve ligjore që ka. Të gjitha veprimet e mëtejm do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Hoti ka bërë thirrje përmes Facebookut që lideri i VV-së të vritet ose të lëshoj Kosovë.

”Nisma e AKR mund të ndihmojnë në zhbllokimin e situatës pas zgjedhore”

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vështirë se do të qeverisin gjatë së bashku.

Matoshi ka thënë se AKR’ja me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt do të jenë në një grup parlamentar.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë iniciativë konkrete për t’u përfshirë në qeverinë e ardhshme.

“Mendojmë se AKR dhe NISMA duhet të jenë në opozitë për të reflektuar për gabimet e mundshme që janë bërë në qeverisje”, ka thënë ai në Rtv Dukagjini.

Matoshi duke komentuar situatën aktuale mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ka thënë se AKR në vitin 2017 ka pasur përpjekje të mëdha për bashkimin e tyre por thotë se “kanë hasur rezistencë të madhe në këtë drejtim”.

Ai ka shtuar se VV dhe LDK janë dy partitë që kanë më së shumti dallime me njëra-tjetrën por sipas tij qëndrimi i përbashkët në opozitë i ka përafruar pozicionet e tyre.

Anëtari i Kryesisë së AKR-së, ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje fatkeqësisht nuk kanë vullnet për të arritur një koalicion qeverisës dhe sipas tij ato po kërkojnë ndonjë arsye për t’u ndarë, përcjell Telegrafi.

Matoshi ka thënë se nëse arrihet marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së qeverisja e tyre do të jetë shumë afatshkurtër por sipas tij edhe nëse nuk arrihet ndonjëra nga këto parti do të gjej alternativa tjera për të formuar qeverinë por në zgjedhje nuk do të shkohet.

“AKR-së i konvenon shkuarja në zgjedhje të parakohshme por Kosovës nuk i konvenon një gjë të tillë”.

Ministri në detyrë i Mjedisit thotë se është e vështirë të imagjinohet një situatë si në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por sipas tij nëse është e nevojshme AKR/NISMA mund të japin kontribut në zgjidhjen e ngërçit.

“Ne jemi të vetëdijshëm për fuqinë tonë politike. E dimë se dy parti kanë nga 26 dhe 25 për qind të votave, por as AKR dhe as NISMA nuk do të jenë bllokuese për t’i dhënë vendit institucione të reja”.

Matoshi ka thënë se është fundi i vitit dhe sipas tij ka një nevojë të madhe për formimin e institucioneve në mënyrë që të miratohet edhe buxheti për vitin e ardhshëm kalendarik.

 

Shala i Nismës e dëshiron koalicionin me LVV-në: Jemi të dyja parti socialdemokrate

Periskopi.com Lajme

Deklarata e dhënë nga Glauk Konjufca, se nëse nuk arrihet koalicioni me LDK-në, Vetëvendosje do të kërkojë edhe alternativa tjera, duket se i ka pëlqyer anëtarit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala.

Zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, në një prononcim për Periskopin ka thënë se si parti ende nuk kanë një qëndrim zyrtar për këtë çështje, mirëpo ai thotë se nëse LVV i bën ofertë Nismës atëherë gjithçka do të diskutohet brenda organeve të partisë.

‘’Deri tani nuk kemi një qëndrim të qartë në lidhje me bashkëqeverisjen sepse ende nuk e kemi diskutuar këtë temë për shkak të problemeve që i kemi pasur më herët. Por, mbetet të shqyrtohet oferta, nëse bën ofertë duhet të shqyrtohet me organet e partisë dhe t’i jepet një përgjigje partisë fituese të zgjedhjeve’’, tha Shala.

Ndonëse tha se nuk po shpreh qëndrim zyrtar të partisë që ai i takon, Shala tha se personalisht mendon se gjasat janë reale për bashkëqeverisje me LVV-në, meqenëse që të dyja partitë janë të orientimit socialdemokrat.

‘’Meqenëse të dy partitë kanë një program socialdemokrat dhe duhet të shqyrtohet, nuk dallojmë shumë nga programi vetëm se duhet ta shqyrtojmë partneritetin se si duhet të zhvillohet në mes VV-së dhe NISMA-s’’, tha Shala. /Periskopi/Zana Rugova/

Jakup Krasniqi me fjalë të urta zbut LDK-në dhe VV-në: Për të marrë të këndshmen, duhet të japësh të dhimbshmen

B.Hoti Lajme

Posti i presidentit po del të jetë “mollë sherri” për LDK-VV, parti këto të cilat ishin duke negociuar rreth një koalicioni të mundshëm por që  tashmë kjo marrëveshje e mundur po shkonë drejt një dështimi.

Rreth këtyre zhvillimeve të fundit politike në vend për Periskopin ka folur Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

Sipas tij këto dy parti duhet të kuptojnë se kompromisi është i domosdoshëm.

Krasniqi për këto dy parti ka një mesazh zbutës ku siç tha ai për Periskopin, duhet të jepni diçka të dhimbshme për të marrë diçka të këndshme.

“Në politikë zhvillimet e tilla janë normale, pasi secila parti lufton për pozicionin që mendon që i takon. Edhe në raste të tilla partitë politike duhet ta dinë se kompromisi është i domosdoshëm. Populli thotë: “Për të marrë të këndshmen duhet të ipet e dhimbshmja”, ka thënë ai.

I pyetur nga Periskopi se a do të jetë Nisma e gatshme për të bisedeuar për  një marrëveshje të mundur me VV-në, Krasniqi tha se i takon VV-së për të zgjedhur se kë dëshirojnë në koalicion.

“Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, të drejtën për të biseduar për aleatet e koalicionit qeverisës e ka LVV-ja”, ka shtuar Krasniqi.

Jakup Krasniqi po ashtu ka folur edhe rreth postit të presidentit, ku emri i tij u lakua sot nga një zyrtar i Nismas  si një mundësi për të zgjidhur ngërçin.

Ai tha se nuk e ka menduar vetën si president të ardhshëm në një situatë të tillë.

“Personalisht mendoj se kjo çështje nuk është në rend të ditës. Ne një situatë të tillë as që kam menduar. Në rend të ditës tani për tani janë: konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë”, ka thënë Krasniqi./Periskopi

NISMA: Qeveria Kurti nuk do të ketë jetëgjatësi, VV e LDK aspak nuk pajtohen për temat e mëdha

Periskopi.com Lajme

Nisma Socialdemokrate konsideron se koalicioni qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë jetëgjatësi.

Albulena Balaj-Halimaj, e cila ka arritur të rizgjedhet deputete e kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s, tha se dallimet që LVV dhe LDK i kanë në tema të mëdha, mund t’iu bëhet pengesë për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Janë dy parti të cilat aspak nuk pajtohen për temat e mëdha që i kanë përpara, prandaj marrëveshja edhe mund të arrihet, por si do të vazhdojë ajo mbetet të shihet. Mendoj se nuk do të ketë jetëgjatësi ky koalicion për shkak se siç thash kanë shumë dallime në tema dhe kjo do t’i pengojë dy palët të vazhdojnë me mendime dhe ide të kundërta“, tha ajo.

Balaj-Halimaj, u shpreh se pavarësisht qëndrimit në opozitë, NISMA do të bashkëpunojë me qeverinë, duke shtyer përpara çështje të cilat do të jenë në të mirë të vendit, por nëse ndodh e kundërta, ajo shtoi se koalicioni qeverisës do të has edhe në kundërshti.

“Nisma nuk është parti që i dëshiron të keqen vendit tonë e të lutet që ky koalicion të mos funksionojë. Urojmë që qeveria e ardhshme të punoj në të mirë të vendit dhe sa herë që është e nevojshme mbështetja jonë për projekte serioze dhe të mira për vendin, ne do të jemi aty. Në të kundërten në jemi aty edhe për të kundërshtu gjithçka që është në dëm të vendit tonë“, deklaroi Balaj-Halimaj.

E vendimin që kjo qeveri të ketë vetëm 12 ministri, e ka përshëndetur deputetja nga radhët e NISMA-s, gjë për të cilin pohon ta ketë kërkuar edhe në qeverinë e kaluar.

“Vendimi për 12 ministri është një vendim shumë i mirë, unë kam qenë kundër numrit të ministrive në qeverinë e kaluar“, tha në fund ajo.

Ndryshe, në takimin e sotëm ndërmjet liderëve të dy partive më të mëdha në vend bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-LDK u tha se është arritur pajtueshmëri për finalizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Limaj: Grabitja nuk kaloi, nesër do të qeverisin ata që nuk e njohin shtetin e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Durim Limaj ka komentuar rezultatin e Nismës, që edhe zyrtarisht është pjesë e Kuvendit.

Në një postim në FB, ai godet Vetëvendosjen, duke mos e përmendur me emër, por që shkruan:

Dhe, grabitja, normal, nuk kaloj.

E, fitoj shteti ligjore, shtet ky qe ata qe do te qeverisin neser nuk ja njohin as simbolet e tij, fatkqesisht!

EKSKLUZIVE: Nisma konfirmon se nesër fillon negociatat që të jetë pjesë e Qeverisë Kurti

Periskopi.com Lajme

Nisma Socialdemokrate nesër do të fillojë bisedimet me njërën nga partitë të cilat që pas 6 tetorit po zhvillojnë negociata për formimin e Qeverisë së re. Periskopi nga burime të afërta me Nismën, ka mësuar se krerë të kësaj partie, nesër do ta kenë një takim të tillë, që mund ta shpie partinë e Fatmir Limajt në Qeverinë Kurti…

Nesër pritet të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat mori vendim Gjykata Supreme. Me këtë vendim, ishte miratuar ankesa e Nismës për rinumërim të mbi 1400 vendvotimeve dhe për anulimin e votave nga Serbia, përkatësisht mosnjohjen e atyre votave në rezultatin përfundimtar të 6 tetorit.

Kjo bënte që sipas rezultatit aktual – prej para rinumërimit – Nisma ta kalonte pragun zgjedhor.

Ndërkaq tash pas rinumërimit, i cili pra përfundon nesër, Nisma tashmë e ka të sigurt pragun zgjedhor, i kanë thënë Periskopit burime në ketë parti.

Edhe në kohën kur KQZ nuk kishte dalë me rezultatet preliminare, përflitej vazhdimisht se do të ishte Nisma pjesë e Qeverisë së ardhshme [Qeverisë Kurti].

Kujtojmë se as kryetari i Vetëvendosjen e me gjasë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti e as ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kur janë pyetur për Nismën në koalicionin e tyre qeverisës, nuk kanë pasur fjalë përjashtuese.

Albin Kurti megjithëse nuk ka qenë i prerë në një ‘jo’ për Nismën, veç ka thënë se ‘nuk do të preferonte të kishte në Qeveri një parti nga PAN’ ndërkaq Isa Mustafa, e ka vlerësuar kryetarin e Nismës si një ‘politikan mjaft korrekt’, shkruan Periskopi.

Se me cilën parti, do të takohet Nisma për mundësinë e hyrjes në Qeveri, Periskopi nuk ka informacione të mëtutjeshme.

Ndryshe, me kalimin e pragut, koalicioni Nisma-AKR- PD ka gjashtë ulëse në Kuvend. Deputetët që do të jenë në Kuvendin e Kosovës nga ky koalicion janë: Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Albulena Balaj, Mirlinda Sopi – Krasniqi, Endrit Shala dhe Haxhi Shala./Periskopi/