Nobelisti Mukwege në Prishtinë: 20 vjet pas luftës ende asnjë i dënuar për përdhunimet seksuale në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në shënimin e 20 vjetorit të themelimit ka organizuar konferencë ndërkombëtare përmes së cilës është bëre adresimi i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pjesë e kësaj ngjarjeje ishte edhe Laureati i Çmimit Nobel për Paqe 2018 Dr. Denis Mukwege.

Mukwege nga Kongo, deklaroi se gjatë ka pritur që të vijë në Kosovë dhe të takojë nga afër viktimat e torturës seksuale.

Sipas tij, 20 vjet pas luftës në Kosovë asnjë rast nuk është dënuar dhe për të ky është një mesazh negativ për të dhunuarat.

”20 vjet pas luftës në Kosovë asnjë rast nuk është dënuar dhe ky është një mesazh negativ për viktimat e dhunës seksuale. Të gjithë duhet t’i përkrahim ato gra që vuajnë në trupin e tyre. Drejtësia nuk e ka vetëm rolin e ndëshkimit, por ka rolin që të mos përsëriten gjërat dhe të intervenoj në shërimin e viktimave”.

”E përgëzojmë qeverinë kosovare për amendamentin që është bërë në ligjin e 2014-tes dhe falë QKRMT-së. Fal këtij ligji këto e kanë statusin e viktimës dhe tani mund të përfitojnë. Ju si gazetarë dhe ne si shoqëri duhet të përkrahim gratë dhe t’i inkurajojmë që ato që shkojnë në komision dhe për të treguar rastin”.