Deklarohet avokati i Halitit: Prokuroria e Shtetit duhet të ketë kujdes, deputetët ishin në detyrë zyrtare

Periskopi.com Lajme

Si pasojë e një kontakti fizik që kishte ndodhur më 18 maj 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mes të nënkryetarit të Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Halitit.

Sipas aktakuzës së 31 majit të këtij viti, Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm”, ndërsa Dreshaj për veprën penale “kanosje”.

Në lidhje me këtë është deklaruar avokati i Xhavit Halitit, Kujtim Kurveleshi.

Sipas tij, klienti i tij nuk mund të akuzohet për vepër penale.

Këtë deklaratë e ka publikuar në facebook vet deputeti Xhavit Haliti.

“Deklaratë e Kujtim Kerveshit, avokat i imi, në lidhje me ngritjen e aktakuzës ndaj meje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për “përpalsjen” me deputetin Arben Gashi. Ju njoftoj se kam pranuar aktin akuzues të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Konsideroj se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Edhe po të kishte vepër penale për të mbrojturin tim, konsideroj se Prokuroria e Shtetit ka ndërhyrë në institucione ligjore të njohura edhe pse do të duhet të kishte parasysh kufizimin e autoritetit të saj ndaj imunitetit funksional duke qenë se bëhet fjalë për një situatë gjatë së cilës deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë duke ushtruar detyrën zyrtare”, shkruan Haliti në facebook. /Periskopi