Haradinaj flet për numrin e këshilltarëve, thotë se qeveritë para tij i kanë pasur nga 400

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar numrin e lartë të këshilltarëve dhe zyrtarëve në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se prej se ka ardhur në pozitën e shefit të ekzekutivit nuk ka punësuar më shumë se 60 zyrtarë dhe këshilltarë.

Ai tha se të dhënat e fundit në media për punësime të rreth 400 zyrtarëve në Zyrën e Kryeministrit, janë të punuar nga Qeveria “Mustafa” dhe Qeveria “Thaçi”.

“Del një lajm dhe thuhet që 400 zyrtarë kryeministria. Ata janë administratë e shtetit, nuk janë kryeministria. I ka sjellë Isa, i ka sjellë Hashimi, i ka sjellë ai para meje. Me ardhjen e Haradinajt mund të jenë në total të rinj rreth 50-60, që kanë ardhur të rinj në krejt administratën potenciale, përfshirë edhe këshilltarët që nuk janë aq shumë sa po thonë”, tha Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë një takimi me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, i cili theksoi se viti 2019 do të jetë i ekonomisë dhe premtoi se do të ketë lehtësira për biznese.

Ndërkohë që vazhdon të jetë në fuqi masa 100 për qind e vendosur ndaj mallrave serbe, kryeministri Haradinaj u bëri thirrje bizneseve vendore të mos e shfrytëzojnë një situatë të tillë duke ngritur çmimet.

I pari i Ekzekutivit foli edhe rreth gjendjes në Telekomin e Kosovës, për të cilin shfaqi shpresën se do të gjendet një zgjidhje për këtë kompani.

Ndërsa, drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se qëllimi i takimit është diskutimi lidhur me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.
Ai shfaqi shpresën që prioritetet e Qeverisë të jenë sa më gjithëpërfshirëse për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ndërsa Ilir Ibrahimi, kryetar i Bordit të OEA, ka inkurajuar qeverinë për reformat qeveritare, por sipas tij, këto duhet të ndodhin në vazhdimësi për përmirësimin e klimës së të bërit biznes. /KosovaPress/