Oficeri i FSK’së nderohet me dy çmime në SHBA

Periskopi.com Lajme

Pjesëtarët e FSK-së, kudo që po marrin pjesë në trajnime dhe shkollime jashtë vendit, po arrijnë rezultate të shkëlqyeshme.

“Njëri ndër ta, është edhe kapiten Bujar Ferizi, shef i Qendrës se Operacioneve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili ka përfunduar me sukses trajnimin „Kursi i kapitenëve për mbrojtje kimike“, në shkollën e Mbrojtjes Kimike- Atomike dhe Biologjike (MKAB) në Fort LeonardWood, në shtetin Missouri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky kurs ka filluar më 10 korrik dhe ka përfunduar më 07 dhjetor 2018.

Oficeri i FSK-së, kapiteni Bujar Ferizi, gjatë shkollimit 22 javor, në shkollën e MKAB-së në SHBA, për paraqitje të dalluar akademike është nderuar me çmimin „Student Ndërkombëtar Nderi, kurse për rezultate të shkëlqyera në testin fizik ka marr çmimin „Njeriu i Hekurt“”, thuhet në komunikatën për media të MFSK-së.

Kursi për kapiten të karrierës përfshin përgatitjen e përgjithshme të oficerëve në fushën e MKAB-së, në aftësi udhëheqëse, teknike dhe taktike luftarake, procedura shtabore, doktrina të gjinive të kombinuara të ndërlidhura me procesin e vendimmarrjes ushtarake, punë grupore dhe aftësim në operacionet e detektimit dhe dekontaminimit të materieve kimike-atomike-biologjike dhe nukleare.

Kapiten Ferizi, është oficeri i parë nga Kosova i cili përfundon trajnimin e mbrojtjes nga helmet kimike, atomike, biologjike dhe nukleare të nivelit Kapiten karriere, në „UnitedStatesArmy CBRN School“.

 

Oficeri i NATO-s që u vetëvra, dyshimet e para të familjarëve

Periskopi.com Lajme

Oficeri i NATO-s që shërbente në Bunavi të Vlorës i jep fund jetës duke u vetëflijuar.

29-vjeçari Enea Xhaja, banues në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Fier, ka kryer vetëvrasje duke konsumuar një sasi fostoksinë.

I riu është gjetur në gjendje të rëndë nga familjarët. Pavarësisht se e kanë transportuar me urgjencë për ndihmë në spitalin e Fierit, 29-vjeçari ka ndërruar jetë. Mësohet se Xhaja ka shfaqur shenja të helmimit në orët e para të së enjtes. Sipas të dhënave të Policisë, vetëm dy orë pasi kishte mbërritur në Spitalin Rajonal të Fierit, 29-vjeçari ka ndërruar jetë.

Ende nuk dihen shkaqet që e çuan të riun drejt aktit fatal, por paraprakisht Policia dyshon se i riu mund të ketë kryer një akt të tillë në kushtet e depresionit. Shenjat e një ngarkese psikologjike, ai i ka shfaqur disa ditë më parë.
Nga ana e tyre, familjarët kanë treguar se nuk kanë pasur asnjë debat apo konflikt me të birin. Ata kanë mohuar gjithashtu që djali të ketë pasur probleme me familjarët. Sipas tyre, djali, prej disa ditësh, qëndronte i heshtur dhe nuk komunikonte shumë me ta.

Sidoqoftë, kjo nuk u ka lënë atyre të dyshojnë se mund të kishte pasur diçka serioze që mund ta çonte drejt këtij vendimi fatal për jetën. I riu ishte pjesë aktive e forcave të NATO-s, ku shërbente si oficer në Bunavi të Vlorës prej dy vitesh. Sipas informacioneve, ai nuk ka pasur probleme në punë dhe ishte korrekt në shërbim. Këto dy ditë kishte ardhur në shtëpinë e tij në Fier dhe do të kthehej ditën e premte sërish në punë. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan drejt vetëvrasjes oficerin e NATO-s, duke marrë në pyetje familjarë, të afërm dhe miq të tij.

Përveç familjarëve që kanë vërejtur heshtje të djalit gjatë ditëve të fundit, të afërmit dhe miqtë kanë deklaruar se nuk kishin parë asgjë që nuk shkonte tek Enea. Policia bëri të ditur se është duke hetuar, ndërsa dyshimi kryesor është se i riu vuante nga depresioni. Gjithashtu nuk përjashtohet pista që ai ta ketë kryer veprimin fatal për shkak të ndonjë histori dashurie që mund të ketë shkuar keq.
Gjithsesi, do të jenë hetimet e Policisë që do të zbulojnë shkakun që shtyu oficerin e NATO-s të ndërmerrte aktin vetëflijues, duke i dhënë fund jetës me anë të konsumit të fostoksinës./Panorama/