Turistët ankohen për mungesën e sinjalistikës dhe emërtimeve: Orientohemi me vështirësi

Periskopi.com Lajme

Turistët me dëshirën e mirë që kanë për të njohur vendin tonë, e kanë të vështirë të orientohen edhe pse ndodhemi në hyrje të Tiranës; ku mungon një pikë informimi apo nuk ka tabela orientuese për t’iu treguar atyre rrugën drejt destinacioneve turistike që duan të vizitojnë.

“Hej, sapo mbërrita dhe nuk di ku të shkoj. Ku është qendra, në këtë drejtim apo në tjetrin?!”,- thotë gjermani Joerg Dauscher.

Sapo ka zbritur nga autobusi i Sarandës dhe do të vizitojë Shkodrën, por turisti gjerman Joerg Dauscher ndihet i hutuar. Terminali i autobusëve të zonës së veriut nuk ndodhet në sheshin ‘Shqiponja’. Top Channel u bë udhërrëfyesi i Joerg, shkrimtarit gjerman që gjatë rrugës drejt ‘Zogut të Zi’ na tregon se ky episod do të jetë në librin që po shkruan për Shqipërinë.

“Autobusi ndalon diku dhe ti shikon se të gjithë turistët janë konfuz pasi nuk dinë në ç’kah të drejtohen. 5 minutat e para janë të vështira sa të kuptosh disi si ky vend funksionon, më pas pyet njerëzit dhe mëson se të gjithë janë të gatshëm të të ndihmojnë. Rruga që duhet të ndjekësh fillon bëhet e qartë”, thotë ai.

Nuk ka nevojë për ndryshim për sa kohë njerëzit janë të papërtueshëm për të dhënë informacion, shprehet shkrimtari gjerman, por e ka një këshillë për të ardhmen e Shqipërise turistike.

“Nëse doni të ndryshoni dicka do të sugjeroja që rrugët të mos mbeteshin pa emra; do të ishin mjaftueshëm disa shenja bazike orientuese; dhe dicka tjetër ku ne turistët ngatërrohemi janë stacionet e autobusëve. Nuk janë të gjithë në të njëjtin vend dhe vështirë për t’u gjetur”, thotë Dauscher.

Ndërsa të tjerë turistë tregojnë se pa guidë nuk do e kishin të lehtë vizitën në Tiranë. Koha e tyre do të humbte për të gjetur rrugën drejt pikave turistike dhe jo për t’I parë ato.

“Nuk e di, më ngjan e vështirë për ta zbuluar. Nuk ka shenja në anglisht”, thotë një turist.

“Nuk e di ku jam dhe nuk ndihem rehat”, shprehet një tjetër.

“Jo, vërtet jo. Por ndoshta ne e kemi më të lehtë për të parë gjërat që duam sepse jemi të shoqëruar me guidë, por në fakt është e vështirë sepse nuk ka shenja kah monumenteve apo rrugëve. Gjithashtu nuk ka një hartë të qytetit, çudi pasi në çdo vend që kemi qenë në Europë apo Ballkan ka patur”, tregon turistja.

Një tjetër shprehet: “Shqipëria është shumë e bukur, shumë turistike, por keni nevojë për tabela orientuese”.

“Ne jemi lart njërit prej bunkerve-muze. Është e lehtë të orientohemi jo sepse kemi qenë më parë, apo se ka shenja treguese por sepse kemi  me vete guidën perfekte”, thonë ata.