Si e dëbuan dhe poshtëruan qytetarët e Kosovës Veton Surroin në vitin 2007 (Foto)

Periskopi.com Lajme

Veton Surroi është emri që po qarkullon së fundi si ministri i ri i Punëve të Jashtme në Qeverinë Kurti që pritet të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike.

Surroi kishte mbështetur publikisht koalicionin mes këtyre dy partive dhe para zgjedhjeve të 6 tetorit kishte bërë thirrje që të votohej ose z.Albin Kurti ose znj.Vjosa Osmani.

Dhe, duket se kjo mbështetje do t’i shpërblehet multimilionerit kosovar, shkruan Periskopi. I përmendur si anëtar i Shoqërisë Civile, ai shihet si një njohës i mirë i politikës së jashtme, ani pse në kolumnet e botuara në portalin Koha shihet se sa sipërfaqësore e naive janë qëndrimet e tij.

Surroi së fundi në një ndër kolumnet e tij e sulmoi Bashkimin Evropian si të korruptuar dhe kriminale ndërsa bëri thirrje për një Jugosllavi të Re. Kurti po e mohon idenë e Minishengenit deri tash, por në fakt kjo veç sa nuk ishte ideuar në mënyrë eksplicite nga Surroi në kolumnen e përmendur.

Ai po ashtu njihet si një ndër kritikët e mëdhenj të luftës dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].

Por, Surroi nuk është aq i paqtë si pjesë e Shoqërisë Civile. Në fakt, Veton Surroi ishte pjesë e politikës kosovare për disa vite rresht duke qenë kundërshtues i politikës së LDK-së që udhëhiqej nga Ibrahim Rugova. Me partinë e tij për tri vjet ai kishte qenë në opozitë bashkë me PDK-në e Hashim Thaçit.

Në zgjedhjet e vitit 2004, Surroi mori një rezultat të kënaqshëm dhe arriti 6,23 për qind të votave ose 43 mijë e 17 sosh. Ai kishte menduar se ky numër do t’i dyfishohej e trefishohej për t’u bërë ngadalë një faktor i rëndësishëm në politikën kosovare por ja që nuk doli kështu.

 

Por, në zgjedhjet që pasuan të 17 nëntorit të vitit 2007, Surroi u dëbua përfundimisht nga skena politike duke mbetur jashtë pragut. Ora në ato zgjedhje i kishte humbur afër 20 mijë vota duke u përgjysmuar. Ky rezultat kishte bërë që kjo parti politike të shuhej, dhe anëtarët e saj të lëviznin drejt partive tjera politike në Kosovë.