Dardan Molliqaj e Haki Abazi nuk do të ftohen nga prokuroria deri pas zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Një debat me tone të ngritura në emisionin Pressing në T7 në mes të Haki Abazit të Vetëvendosjes e Dardan Molliqajt të PSD-së, do të përfundonte me grushte e shkelma jashtë studiove të televizionit. Krejt çka ndodhi e që u publikua edhe në media në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nuk do t’u bëjë problem me ligjin dy kandidatëve për deputetë.

Ata nuk do të thirren në intervistim, deri para përfundimit të zgjedhjeve, kanë konfirmuar për Express nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Vetëm një natë më parë, Dardan Molliqaj, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-PSD nuk u tregua pishman për përleshjen që pati pas emisionit Pressing në T7, derisa pranoi publikisht se do të vepronte njësoj në rast se do të ishte në situatë si në ditën kur debatoi me Haki Abazin.

“Unë nuk e toleroj këtë dhe do ta bëja të njëjtën prapë. Secili që shpif, ofendon dhe bën atë që bëri Hakiu, sigurisht që do ta marrë përgjigjen time se ‘çfarë ke për të thënë’ në studio dhe jashtë saj. Ai ishte si kafshë e tërbuar ndaj nesh dhe më pas iku si një lepur prej asaj. Ishte rast që ndodhi, por për këtë duhet të mbajnë përgjegjësinë ata që e instaluan këtë mendësi në raport me neve. Përgjigja jonë ndaj tyre do të jetë gjithmonë e vërteta dhe argumenti – edhe në studio dhe pas studiove”, tha Molliqaj, duke folur për përleshjen që u publikua edhe në media.

Por, kjo deklaratë e Molliqajt ku ai pranon atë që shihet edhe në videon e publikuar, nuk do t’i prishë shumë punë këtij të fundit deri në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të gjashtë tetorit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do t’i ftojë në intervistim palët e përfshira, mirëpo, që një datë e saktë ende nuk dihet. Të njëjtët thonë se kjo do të bëhet pas ditës së zgjedhjeve.

“Prokuroria do t’i ftojë në intervistim por nuk është caktuar dita se kur. Sigurisht pas përfundimit të zgjedhjeve do të thirren”, thotë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Më 11 shtator, Dardan Molliqaj dhe Haki Abazi kishin përdorur tone të larta drejtuar njëri-tjetrin në debatin në T7, derisa kjo kaloi edhe në fyerje që shkëmbyen të dy këta ndaj njëri-tjetrit.

Abazi kishte deklaruar se Molliqaj e kishte sulmuar atë menjëherë pas emisionit.

“Mas emisionit, në dalje e sipër Dardani me atë rojën e tij, ose përcjellësin, kanë ardhë edhe janë përballë, në njëfarë forme, në kacafytje, e cila ka përfundu me një situatë të pakëndshme”, kishte deklaruar për Express, Haki Abazi.

Për të njëjtin përmes Facebook-ut pati reaguar edhe Molliqaj, derisa, për këtë e kishte quajtur mashtrues Haki Abazin.

Disa javë pas përleshjes, në media dolën edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihet se çka kishte ndodhur në të vërtetë pas emisionit.

Të njëjta video nuk i kishte pasur si provë, derisa u publikuan në media, as prokuroria themelore, u raportua në media.

Haki Abazi, Dardan Molliqaj e dëshmitarët e tjerë për prapavijën e 11 shtatorit kanë dhënë deklaratë tashmë vetëm para policisë në Fushë-Kosovë.

Të dy këta po synojnë të marrin postin e deputetit në zgjedhjet e 6 tetorit.