Pse askush nuk po e kontrollon peletin që hynë në Kosovë?

Periskopi.com Lajme

Përkundër paralajmërimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se peleti që importohet nga Serbia është i rrezikshëm, kjo lëndë djegëse nuk po kontrollohet nga asnjë institucion përgjegjës.

Ndonëse përballë këtij rreziku pati reaguar edhe vet kreu i kësaj ministrie, Fatmir Matoshi, duke shprehur dyshime se peleti i importuar nga Serbia mund të ketë edhe përbërje të dëmshme, pasi që përmban gomë dhe thëngjill, ende askush nuk ka ushtruar kontroll të posaçëm mbi këtë lëndë.

Ndërkohë, në vendin tonë kontrollohet lënda e parë prej të cilës prodhohet peleti, e që është druri.

Menaxheri i kompanisë “Thes Ari”, Bashkim Zejnullahu, thotë se importuesit e drurit në vend i nënshtrohen të gjitha kontrolleve hitosanitare, pavarësisht se ky i fundit është ekologjik dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku për shëndetin e njerëzve.

Sipas tij, në Kosovë nevojiten rreth 20 mijë kubik dru në vit, sasi kjo që nuk sigurohet pa importin e tij nga vende të ndryshme, e edhe nga Serbia.

Ai thotë se jo i gjithë peleti i importuar nga ky vend është i rrezikshëm, porse porositë se për këtë duhet kontrolluar ky produkt, për tu siguruar se është ekologjik, nga mbeturinat e drurit e jo nga ato të gomës.

Zejnullahu shpjegon se edhe peleti, si çdo produkt tjetër ka mënyrat e kontrollit, për të cilat thotë se po manipulohet me to.

Përkundër pretendimeve se peleti që importohet në vend përmbushë kushtet, ai thotë se qytetarët deri më tash asnjëherë nuk kanë blerë produkt cilësor sikur që është ai A1.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, thotë se çështja e kontrollimit të peletit i përket Agjencionit të Veterinarisë dhe Ushqimit.

Ai thotë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për kontrollimin e këtij produkti përkundër paralajmërimeve të Ministrisë së Mjedisit se peleti që po hynë nga Serbia është i rrezikshëm.

Ndërsa nga AUV thonë se një kontroll i tillë ndaj peletit nuk bëhet.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress drejtori i këtij agjencioni, Valdet Gjinovci.

 

Matoshi: Peleti më i rrezikshëm se thëngjilli, sidomos ai nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Ishte menduar si zgjidhje më e mirë sesa thëngjilli, por ‘peleti’ del se mund të jetë më i rrezikshëm.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me peletin që importohet në vend. E dyshimet shtohen kur ky produkt vjen nga Serbia.

Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, ka shprehur dyshime se peleti i importuar mund të ketë edhe përbërje të dëmshme, sidomos ai që vjen nga shteti fqinj.

Kjo lëndë djegëse përmban gomë dhe thëngjill.

Në një deklaratë për KP, Matoshi ka thënë se nevojitet mobilizimi i institucioneve përkatëse në mënyrë që të kontrollohet cilësia e kësaj lënde djegëse.

“Kemi informacione që peleti që importohet nga Serbia është po ashtu shumë i dëmshëm, sepse ka në përbërje gomë dhe plastikë në sasi të madhe që kur digjet liron gazra. Po ashtu, është jashtëzakonisht i dëmshëm. Kështu që, kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të shtojë kontrollin nëpër pikat kufitare për të kontrolluar edhe cilësinë e peletit. Pra, mbeten alternativa e rrymës, mbetet alternativa e druve, peletit dhe alternativa tjera, por sidomos institucionet publike duhet të heqin dorë nga përdorimi i thëngjillit”, tha Matoshi.

Edhe kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, thotë se peleti mund të jetë një nga shkaktarët e ndotjes së ajrit në vend.

Ai ka bërë të ditur se janë duke hetuar peletin, por se thotë se kjo më shumë bie në përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë.

“Një problem që Agjencia është duke e hetuar është edhe produkti i peletit. Ne jemi duke dyshuar, kemi pasur kontrolle në disa restorante në të cilat kemi parë tym në oxhaqe, dhe na kanë paraqitur peletin e certifikuar. Është produkt që duhet të kontrollohet nga Ministria e Tregtisë. Dhe, si duket ka produkte shtesë në atë pelet që të ketë energji më shumë. Ose ka vajra ose thëngjill, që faktikisht mund të jetë shumë i pashëndetshëm. Mund të jetë më i pashëndetshëm sesa thëngjilli që e përdorim”, tha Morina.

KP është interesuar të marr përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me atë se çfarë rreziku paraqet peleti i përzier me gomë apo thëngjill për shëndetin e qytetarëve.

Por drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, ka thënë se deri më tash nuk kanë kryer analiza rreth kësaj çështjeje.

“Instituti Kombëtar nuk ka kryer analiza rreth çështjes në fjalë, lidhur me këtë ju duhet të kontaktoni zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndryshe, KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe kryeinspektorin e Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Aktualisht një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ngrohen me këtë lëndë djegëse dhe çmimi për një ton pelet fillon nga 189 euro deri në 218 euro.