Legjislatura që shkoi, nga 140 projektligje përfundoi vetëm 29 prej tyre

Periskopi.com Lajme

Me seanca të jashtëzakonshme, mungesë kuorumi e pak ligje të miratuara, është karakterizuar sesioni pranveror i legjislaturës së shkuar.

Njohës të punës së Kuvendit, Legjislaturën e gjashtë, e cila nuk arriti të përmbyllte mandatin e saj, e kanë cilësuar të dobët për nga performanca, raporton KTV.

Sipas Agnesa Haxhiut nga Instituti Demokratik i Kosovës, legjislatura e re do të përballet me probleme të vjetra.

Megjithatë, Artan Murati thotë se efikasiteti i legjislaturës së re do të varet nga mënyra e formimit të saj.

Përkundër kësaj, Haxhiu e Murati vlerësojnë që, për dallim nga seancat e Kuvendit, puna në komisionet parlamentare ka qenë ndryshe.

Nga 143 projektligje sa kanë qenë të planifikuara për shqyrtim gjatë sesionit pranveror, legjislatura e kaluar ka miratuar vetëm 29 prej tyre.

Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 26 dhjetor, pas shpërndarjes së Legjislaturës së gjashtë, në gusht të 2019-s.

 

Shkollat të ndara në datën e përfundimit të vitit shkollor

Periskopi.com Lajme

Pjesa më e madhe e shkollave të Kosovës nuk i janë bindur vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) që viti shkollor të përfundojë më 28 qershor. Ato e kanë përfunduar mësimin më 21 qershor, siç është përcaktuar me kalendarin shkollor të këtij viti.

Përfundimin e mësimit sipas kalendarit e ka kërkuar edhe vetë Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), shkruan sot Koha Ditore.

Muaj më parë ky këshill ka votuar unanimisht që të mos kompensohet asnjë ditë shtesë për orët e humbura gjatë grevës së janarit. Nga ana tjetër, një pjesë e vogël e shkollave kanë vendosur ta respektojnë vendimin e MASHT-it që mësimi të përfundojë më 28 qershor.

Koha Ditore është informuar se në shumicën e këtyre shkollave tashmë janë mbyllur notat, por mësimdhënësit formalisht do të dalin në punë deri në fund të javës tjetër.

Kjo nuk është hera e parë që mësimdhënësit nuk u binden vendimeve të Ministrisë së Arsimit. (Detajet mund t‘i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

 

Procesi gjyqësor ndaj ‘Syrit të Popullit’ pritet të kryhet këtë vit

Periskopi.com Lajme

Gjykimi i filluar në mars të vitit të kaluar ndaj të pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur, “Syri i Popullit”, pritet të përfundojë këtë vit. Në fund të vitit që lamë pas, pjesë e këtij procesi gjyqësor u bënë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët dëshmuan në këtë rast.

Të dy këta liderë të Kosovës, së bashku me shumë ish-drejtues tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin në listën e personave që kjo organizatë i konsideronte tradhtarë dhe planifikonte t’i likuidonte.

Ishte marsi të vitit 2017, u krye edhe tentim-vrasja e parë. I pari në listë për t’u vrarë ishte Azem Vllasi, i cili u plagos mëngjesin e 13 marsit të këtij viti.

Pas kësaj tentim vrasje, ishin arrestuar, Murat Jashari dhe Avni Llumnica, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, që mori përgjegjësinë për këtë rast.

Vala e arrestimeve të mëvonshme përfshiu edhe persona tjerë, si Bajrush Konjusha, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

 

Xhaka tregon se ku dëshiron ta përfundojë karrierën

Periskopi.com Sporti

Futbollisti nga Prishtina po zhvillon një sezon pozitiv me Arsenalin.

Granit Xhaka nuk e fsheh ëndrrën që ta përfundojë karrierën aty ku edhe e nisi, tek skuadra e Baselit.

28-vjeçari që është pjesë e Arsenalit, në një intervistë për mediat zvicerane ka thënë se kjo mund të ndodhë pasi ai të kalojë të 30-tat.

“Unë e kam filluar karrierën te Basel dhe padyshim se ëndrra ime është që edhe ta përfundoj këtu”, ka thënë Xhaka.

“Për të qenë i sinqertë nuk planifikoj që menjëherë të kthehem, por pas disa vitesh”.

“Do të ndiqja shembullin e Alex Frei, i cili pasi ka kaluar të 30-tat është kthyer dhe ka ndihmuar Baselin të fitonte disa tituj”.

“Rikthimi mbetet një ëndërr që shpresoj të kthehet në realitet”, ka përfunduar ai.