Veseli: Ne marrim përgjegjësi sepse e dimë ku duam të arrijmë

Periskopi.com Lajme

Në takim me strukturat e reja në Degën e Partisë Demokratike në Drenas, kryetari Kadri Veseli, ka thënë se Drenasi është djepi dhe bazamenti i forcës së PDK-së, duke shtuar se “jam i bindur se nga ky proces i brendshëm zgjedhor, kemi dalë edhe më të fortë. Ne ekzistojmë si parti dhe marrim gjithmonë besimin e madh të qytetarëve sepse marrim përgjegjësi e nuk ikim nga to. Unë pres gatishmëri nga të gjithë për t’i pri edhe më tej proceseve të mira për vendin dhe qytetarët”.

Ai ka thënë se procesi zgjedhor ishte tejet demokratik, me pjesëmarrje masive dhe cilësi të organeve të përzgjedhura në Drenas dhe degët tjera gjithandej vendit, duke ruajtur strukturat, por edhe duke sjell kuadër të ri dhe udhëheqës të rinj në degë dhe nëndegë.

“Në qoftë se më herët kemi arritur lirinë, pse sot nuk mund ta arrijmë zhvillimin ekonomik?”, ka thënë Veseli.

“Do të eliminojmë çdo parregullsi e fenomen korruptiv. Në të njëjtën kohë do të zhvillojmë politika inkurajuese, ta bëjmë Kosovën si vendet e BE-së, përmes vizionit të qartë të ndërmarrësisë, njerëzve inovatorë e punëtorë, ndërmarrës, fermerëve e edukatorëve. Ky duhet të jetë drejtimi ynë”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së ka folur edhe për iniciativën e tij për Tribunalin për gjenocidin serb.

“Serbia duhet të përgjigjet, këtu në mes të Drenicës, flakët e luftës e kanë munduar më së shumti. Ne nuk duhet të jetojmë në frymën e konfliktit por ne në Ballkanin perëndimor, kemi perspektivë, duhet të marrim përgjegjësi, në rend të parë PDK-ja, duke respektuar të drejtat e serbëve, por edhe duke u kujdesur për Luginën e Preshevës”, ka thënë Veseli.

Ai ka ftuar që të shfrytëzohen resurset humane dhe natyrore, për krijimin e bizneseve të reja dhe fuqizimin e atyre ekzistuese.

“Të kemi prodhime vendor dhe punësim. Ndërmarrësit tanë të kenë perspektivë, këtë ne mund ta arrijmë. Jemi krenar për të kaluarën, të përgjegjshëm për sukseset dhe gabimet, por jemi të vendosur për një Kosovë perëndimore, të zhvilluar, ku njerëzit jetojnë edhe me mirë”, ka thënë Veseli.

Kryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, ka thënë se Dekada e Re ka dhënë mundësi për gërshetiminë e gjeneratave duke marrë përkrahje në forcimin e PDK-së, në Drenas, në qeverisjen lokale, së bashku duke sjell çështjet e qytetarëve si prioritet.

Hoxha theksoi se vetëm me udhëheqjen e përgjegjshme dhe të aftë, qytetarët do të mund të arrijnë synimet për jetë më të mirë.

“Me një vizion unik të liderit Kadri Veseli dhe Dekadës së Re, Drenasi dhe Drenica ecin pandalshëm përpara”, tha Hoxha.

Ndërsa gjatë takimin me strukturat e reja të degës së PDK-së në Dragash, kreu i PDK-së Kadri Veseli ka thënë se PDK nuk do të lejoj brenda vetes njerëz që e kanë keqpërdorur partinë për qëllime personale, duke i hapur trugë njerëzve profesionist me vullnet për të punuar për të mirën e qytetarëve.

“Fenomenet negative do t’i godasim rëndë, ne nuk mund, të mbesim peng, duhet t’i japim mundësi njerëzve të cilët vërtet e duan vendin, perspektivën, zhvillimin për vendin si prioritet. Sundimi i ligjit duhet të jetë më i fortë se secili indvid. Duhet me i dhënë shans secilit, por edhe do të luftojmë për të drejtat tona”, ka thesuar Veseli.

Ai ka ftuar drejtuesit e Degës së PDK-së në Dragash, të bashkëbisedojnë me njerëz, patriotë që kanë vizion e guxim të ecim bashkërisht përpara, në mënyrë që mos ta lëmë këtë të arritur të na dështojë, por ta qojmë suksesin më tutje, me këto ndryshime kemi nisur, për faktin se kemi problem papunësinë dhe duhet gjetur zgjidhje, ta fitojmë besimin dhe ta çojmë përpara vizionin e Dekadës së Re.

Molliqaj-Krasniqit: Unë nuk po e shoh që e keni përnime këtë punë

Periskopi.com Lajme

Deputeti i nga radhët e partisë Social-Demokrate në vazhdimin e seancës së Kuvendit për formimin e Tribunalit Ndërkombëtarë, ka thënë se partia e tij nuk do të lejoj që të vazhdoj formimi i këtij Tribunali, pa dhënë dikush përgjegjësi për atë që ndodhi në seancën e kaluar.

Ai tha se për publikim e fotografisë nga Flora Brovina, dikush duhet të marrë përgjegjësi.

Po ashtu tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk janë duke kontribuar që të votoj Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Edhe nëse e ki përnime, rrugën e ki gabim, nuk po ta mohon qëllimin as motivin, por rrugën e ki krjetësisht gabim. Përgjegjësinë që e ke pas keq 10 vjet duheni me marrë seriozisht, e për me marrë seriozisht unë duhet me besu unë duhet me pa që e keni përnime, e unë nuk po e shoh që e keni përnime”.

BE kërkon përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi

Periskopi.com Lajme

Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi duhet të ketë përgjegjësi. Ka thënë se familjet e viktimave të të gjitha komuniteteve kërkojnë drejtësi dhe duhet t’ju njihen vuajtjet gjatë luftërave.

“Pozita e qartë e BE-së është se duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë e viteve të 90-të, dhe se vetëm bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vendimtare për të nxitur besimin dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”, thuhet në përgjigjen e Kocijançiq për lajmi.net.

Nga Bashkimi Evropian tutje theksojnë se ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima, familjet e të cilave janë në kërkim të drejtësisë dhe ato familje presin hapa konkret në këtë aspekt.

“Ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima dhe familjet e tyre në kërkim të drejtësisë dhe njohjes së vuajtjeve të tyre. Të gjitha komunitetet duhet të shohin hapa konkret dhe të vërtetë”, thekson tutje Kocijançiq.

Kocijancic i ka bërë këto komente pasi në Kosovë Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka nisur një iniciativë për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Dënimin e Krimeve Serbe të kryera në Kosovë.

 

Një vit nga dëbimi i gjashtë shtetasve turq, ende askush nuk ka marrë përgjegjësi

Periskopi.com Lajme

Sot është bërë një vit që nga dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Lidhur me këtë rast, askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi.

Më 29 mars, të vitit të kaluar shtetasit turq, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina u dëbuan nga Kosova në mënyrë të jashtëligjshme.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, e kishte dënuar këtë rast,  ku edhe ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashin.

Ndaj këtij vendimi pati reaguar edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, duke e quajtur të turpshëm. Ndërsa pati falënderuar presidentin e vendit Hashim Thaçi lidhur për këtë aksion.

“Operacioni i fundit në Kosovë nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘turp’, sepse largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik, sepse ato e bënë detyrën e tyre”, kishte deklaruar Erdogan.

Komisioni Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve tashmë ka evidentuar 31 shkelje në këtë rast.

Këto shkelje të zbuluara nga Komisioni Hetimor Parlamentar kanë rezultuar me atë se Kosova ka shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante, duke mos respektuar asnjë ligj vendor e ndërkombëtar.

Shtetasit turq që u dëbuan nga Kosova, kanë qenë në kërkim nga shteti turk, nën dyshimin se kanë lidhje me organizatën ‘Feto’ të Fetullah Gulenit, e cila nga autoritetet turke quhet terroriste dhe është përgjegjëse për tentim grusht-shtetin në Turqi.

IKD kërkon përgjegjësi institucionale për vdekjen e Astrit Deharit

Periskopi.com Lajme

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin e thellë që edhe dy vjet nga vdekja e dyshimtë e të ndjerit Astrit Dehari, në institucion korrektues, fatkeqësisht institucionet e drejtësisë ende nuk kanë një përgjigje zyrtare lidhur me këtë rast.

IKD thekson se moszbardhja e rastit Dehari, i cili para dy vitesh ka vdekur në institucionin korrektues, derisa po mbahej nën masën e paraburgimit, dëshmon për papërgjegjësi dhe koordinim jo profesional në mes të institucioneve vendore, të cilat në vend se të ndërmarrin veprime konkrete për zbardhjen e rastit, kanë luajtur rol të gabueshëm në publik, duke u bërë pjesë e luftërave politike.

“IKD ka reaguar për këtë rast dhe raste tjera të vdekjeve të dyshimta në sistemin korrektues në Kosovë. IKD rikujton se në çdo shtet demokratik duhet të aplikohen standardet minimale të kujdesit të personave që janë të privuar nga liria si rezultat i procedurave gjyqësore. Siguria dhe kujdesi i personave të arrestuar/paraburgosur apo atyre që janë në vuajtje të dënimit në institucione korrektuese apo qendra të paraburgimit është drejtpërdrejtë obligim dhe përgjegjësi e shtetit”, thuhet në reagim.

IKD vlerëson se mënyra e trajtimit të rastit Dehari, prej momentit të vdekjes së tij të dyshimtë, ka qenë krejtësisht e gabuar, duke interpretuar secilin veprim dhe mosveprim zyrtarët e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera në kundërshtim me obligimet ligjore.

“Trajtimi joprofesional i rastit prej momentit të vdekjes ka rënduar situatën në tërësi, duke vështirësuar hetimin e drejtë, të pavarur dhe të paanshëm. Fatkeqësisht, një qasje e tillë ende është duke vazhduar, ku lidhur me këtë rast është krijuar amulli, përderisa familja dhe publiku ende nuk kanë një përgjigje zyrtare, dhe të bazuar në fakte dhe prova të besueshme”, thuhet më tej në reagim.

IKD thekson se rasti Dehari duhet të trajtohet me prioritet dhe institucionet shtetërore duhet të kenë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme për zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti.

“IKD pati kërkuar që të ftohen edhe agjencione të specializuara dhe ekspertë të pavarur të huaj, për të kontribuar në zbardhjen e të vërtetës rreth kësaj vdekje të dyshimtë, dhe përkundër angazhimit në këtë drejtim, ende nuk ka rezultate konkrete për zbardhjen e këtij rasti. Në të njëjtën kohë, IKD kërkon që të gjithë të kursehen nga komentimet dhe interpretimet e këtij rasti, duke i lënë organet e ndjekjes që ta hetojnë rastin në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale. Prej momentit të informacionit të vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit, IKD ka kërkuar përgjegjësi institucionale për këtë rast, hetim të pavarur, profesional, të drejtë dhe urgjentë për të adresuar saktë përgjegjësinë dhe për të eliminuar mundësinë e keqkuptimeve dhe keqpërdorimeve rreth këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në reagimin e IKD-së.