Kosova gati për të marrë përgjegjësitë në INTERPOL

Periskopi.com Lajme

Më 29 nëntor, në Dubai, çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL, do të jetë pjesë e agjendës së Asamblenë së Përgjithshme të kësaj organizate më të madhe ndërkombëtare policore. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe njohës të aspekteve të sigurisë, vlerësojnë se me anëtarësimin eventual në INTERPOL, para Kosovës do të jenë obligimet ndaj kësaj organizate, por edhe përfitimet nga ajo.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e gatshme t’i marrë obligimet që dalin nga anëtarësimi eventual në INTERPOL dhe njëkohësisht është e gatshme në përgjithësi që të jetë pjesë e kësaj organizate policore.

“Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it, për t’i kontribuar forcimit të sigurisë, forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, forcimit të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe fenomeneve tjera negative”, thotë Zyberaj.

Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh besimin që Kosova tashmë është e përgatitur që të jetë pjesë e barabartë e INTERPOL-it. Sipas tij, ajo tashmë ka dëshmuar me zhvillimin e policisë së saj, me përgjegjësitë policore që ka marrë në vazhdimësi, në drejtim të sigurisë së brendshme të vendit, por edhe në drejtim të bashkëpunimit me policitë e rajonit dhe ato ndërkombëtare.

Përfitim tjetër, sipas tij, është mundësia e trajnimit të stafit policor të Kosovës, sidomos për disa forma të krimit të organizuar në Kosovës, në rajon dhe botë, ndërkohë që sistemi i këmbimit të informacioneve është shumë më i lehtë. Këmbimi i informacioneve në mënyrë të shpejtë, sipas tij, mund të krijojë avantazh Policinë e Kosovës përballë terroristëve të mundshëm dhe kriminelëve që kërkohen me fletarrestime.

“Ata mund të hyjnë nga një pjesë në tjetrën të Kosovës, pa mundësinë që ne ta dimë se kemi të bëjmë me persona të nivelit të lartë të rrezikshmërisë, siç janë terrorizmi apo kategoritë tjera që janë në fletarrestime. Pra, janë këto avantazhe dhe realisht pritet që në të ardhmen të jemi edhe në grupet e ndryshme të punës në INTERPOL, me përfaqësim direkt aty, por edhe në ngritjen e kapaciteteve për luftimin e llojeve të reja të krimit të organizuar dhe formave të reja të paraqitjes së krimit të organizuar, si dhe të terrorizmit, i cili është një rrezik i përgjithshëm botëror”, thekson Ibishi.

Ndërkaq, deputeti Xhelili thekson se në rast se Kosova bëhet anëtare e INTERPOL-it, atëherë vendi do të jetë pjesë e krijimit të sigurisë në rajon, në aspektin policor.

“Por, përfitimet normalisht që do të jenë edhe për kërkesat e policisë sonë dhe të shtetit tonë për t’i ndjekur kriminelët, prej atyre të luftës e deri tek ata të profileve tjera”, shprehet Xhelili.

Pikërisht, mundësia e lëshimit të fletarrestimeve nga Kosova për të dyshuarit për krime të luftës, në rast se ajo bëhet pjesë e INTERPOL-it, ka nxitur ditë më parë reagimet e autoriteteve të Beogradit, të cilat kanë alarmuar opinionin e tyre se Kosova mund t’i lëshojë rreth 5 mijë fletarrestime të tilla.

Zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë hedhur poshtë një shifër të tillë, duke thënë se synimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, nuk ka “qëllime hakmarrëse” ndaj askujt. Njohësit e aspekteve të sigurisë, kanë theksuar se shifrat që kanë përmendur autoritetet serbe, janë krejtësisht joreale, ndërkohë që deklaratat e këtyre autoriteteve, sipas tyre, janë në funksion të frikësimit të opinionit, jo vetëm të brendshëm, por edhe të huaj.

Në vitin 2010, Kosova pati aplikuar për herë të parë për anëtarësim në INTERPOL. Kërkesën e kishte përsëritur edhe në vitin 2015. Dy vjet më vonë, në vitin 017, Kosova pati hequr dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.