Kurti emëron Përparim Kryeziun zëdhënës të Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë, ka bërë të ditur të hënën Zyra e Kryeministrit.

“Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile.

Studimet bachelor në Sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, prej të cilave vitin e fundit të tyre e ka ndjekur në Universitetin e Antwerp-it (Universtiteit Antëerpen) në Belgjikë duke qenë përfitues i bursës JoinEU-SEE. Të dy këto bursa të financuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatë.

Qeveria Kurti në ditët e para të saj mori shumë kritika për mungesë të zëdhënësit, meqenëse kryeministri i tashëm sa ishte në opozitë kishte premtuar transparencë të madhe.

 

Vendimi për delegacionin ia rikujtoi Haradinajt punët e veta, rrezikojmë të përfundojmë si Bosnja – Analiza e Kryeziut për dialogun

Periskopi.com Lajme

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në një  vendim të publikuar të enjten, ka shpallur jokushtetues ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Në vendim thuhej se “ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës. Vendimi pasoi me shpërbërjen e delegacionit shtetëror për dialog. Derisa anëtarët e këtij delegacioni kanë pranuar vendimin dhe janë tërhequr, opozitarët kanë kërkuar që një gjë të tillë ta bëjnë edhe Qeveria e Kuvendi. Por, për atë se çka do të ndodh tash, cilat do të jenë pasojat e shpërbërjes së ekipit e shumë çështje tjera që lidhen me dialogun – Periskopi ka realizuar një intervistë të shkurtër me Përparim Kryeziun nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike [GPLS]…

Shkruan: Artina Muçiqi 

Për Përparim Kryeziun nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur jokushtetues ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë, është i pakontestueshëm.

Në një intervistë të shkurtër për Periskopin, Kryeziu ka thënë se ai mbetet vendim i prerë i institucionit më të lartë juridik në vend që bën interpretime kushtetuese, pavarësisht nëse i pëlqen dikujt apo jo.

“Komentet e tjera lidhur me këtë bëhen nga njerëz që nuk u shkon për shtati interesave të tyre. Ekziston një arsye pse partitë politike kanë kërkuar atë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, për më tepër të gjitha palët e përfshira e kanë pranuar vendimin dhe nuk e kanë kundërshtuar sepse ai ka peshë juridike. Por, mendoj se më i rëndësishëm se vendimi është fakti se cili do të jetë veprimi dhe cilat do të jenë pasojat pas këtij vendimi, sepse është krijuar një realitet tjetër që disa ndoshta nuk kanë dashur ta pranojnë”, ka thënë Kryeziu.

Tutje, ai ka përmbledhur në tri – rezultatet kryesore e të menjëhershme që krijon vendimi i Gjykatës për ekipin negociues.

“E para, është zhbërja e delegacionit shtetëror, duke e shfunksionalizuar juridikisht ekzistencën e tij edhe se për aq kohë sa ka ekzistuar ky delegacion nuk është se ka pasur ndonjë rol udhëheqës apo domethënës dhe nuk ka qenë ndonjë vlerë e shtuar në zgjidhjen e të gjitha problemeve që lidhen me dialogun. Nuk ka prodhuar pajtueshmëri. E ka zhbërë delegacionin, më nuk ka delegacion në formën që e kemi njohur për këta muajt e fundit. E dyta, e ka bërë të qartë dhe e ka rikonfirmuar, e në të njëjtën kohë edhe ia ka rikujtuar Qeverisë se ajo është përgjegjëse për propozimin e zbatimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, proces në të cilin bën pjesë dialogu Kosovë – Serbi. Dhe e treta, përfundimisht e ka krijuar nevojën që të krijohet një pajtueshmëri politike në lidhur me atë se çka duhet të prezantohet dhe cili duhet të jetë pozicioni negociues i Kosovës gjatë fazave të ardhshme të dialogut”, ka deklaruar Kryeziu për Periskopin.

Sipas tij, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese tani janë vetëm dy institucione që kanë përgjegjësi direkte për dialogun – Qeveria dhe Presidenca. Por, mosmarrëveshjet e tyre në këtë proces duket se janë të mëdha.

“Shkaku i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë dy institucione kushtetuese që e kanë këtë përgjegjësi, e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të përfaqësuar politikën e jashtme dhe duke e pasur të qartë se ka mospajtime të thella mes këtyre dy institucioneve nuk është e rrugës që efekti i vetëm i interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të ulë numrin e zërave kushtetues nga tre sa ishin me delegacionin shtetëror, në dy, sepse kjo nuk ka ndonjë peshë të madhe. Por, meqë ekziston nevoja e patejkalueshme për pajtueshmëri politike të brendshme. Kjo pajtueshmëri duhet të jetë e gjerë dhe të përfshijë dy të tretën e Kuvendit të Kosovës, konsiderojmë që është e nevojshme që të krijohet një grup joformal i përbërë nga anëtarë e persona të rëndësishme të partive më të mëdha politike që e kanë veç një qëllim dhe një përgjegjësi dhe ajo është që të krijojë pozicione të qarta negociuese, të cilat më pastaj Qeveria mund t’i prezantojë në raundet e ardhshme të negociatave. Një grup që s’ka mandat për negociata siç ka pasur Ekipi Shtetëror, por një grup që ka përgjegjësi të krijimit të pozicioneve negociuese të cilat e ulin mundësinë e negocimit për territore, e të cilat më pas do të duhej të prezantoheshin në fazat e ardhshme të dialogut”, ka thënë ai tutje.

I pyetur lidhur me përtesën e kryeministrit për përfshirjen e tij në dialog, Kryeziu ka thënë Gjykata Kushtetuese ia ka rikujtuar atij edhe një herë se disa përgjegjësi shtetërore që i takojnë atij, nuk mund t’ia delegojë askujt tjetër.

“Është e vërtet që kryeministri i vendit ka provuar që disa përgjegjësi të tij t’ia delegojë dikujt tjetër, por një gjë mjaft me vlerë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është që ia rikujton kryeministrit që përgjegjësi kushtetuese që burojnë nga Kushtetuta, nuk mund t’i transmetohen dikujt tjetër. Në qoftë se Gjykata Kushtetuese ia ka rikujtuar Qeverisë se është përgjegjësi e juaja kushtetuese, që ti duhet ta propozosh e ta zbatosh politikën e jashtme, atëherë kryeministri nuk mund t’ia delegojë këtë përgjegjësi dikujt tjetër”, ka thënë ai.

Kryeziu, është pyetur edhe për përçarjen e skenës politike në vend, dhe mundësinë e krijimit të një grupi të përbërë nga përfaqësues politikë, të cilët do të krijonin pozicione negociuese që do të prezantoheshin në tavolinën e bisedimeve.

“Është i kuptueshëm skepticizmi që s’mund të arrihet pajtueshmëri, por nëse qëllimi është që Kosova të dalë fitimtare nga negociatat, është vetëm një zgjidhje, e ajo është që të ketë koordinim të pozicioneve negociuese mes institucioneve që i ka përmendur Gjykata [Qeveria e Presidenca]. Momentalisht ekziston një atmosferë me pushtete të pafavorshme që një pajtueshmëri e tillë të arrihet, por të gjithë anëtarët, përfshirë edhe partitë politike duhet t’i tejkalojnë këto mospajtime për të ofruar një pozicion të përbashkët e konsensual, e të mbështetur nga dy të tretat e Kuvendit të Kosovës, sepse kjo është e rëndësishme, në mënyrë që të ketë performim sa më të duhur të Kosovës në këtë proces”, shtoi ai.

Ai ka folur edhe mundësinë e tejkalimit të këtij ngërçi përmes zgjedhjeve.

“Në qoftë se zgjidhja është zgjedhjet, atëherë nëse ekziston hamendësim i bazuar se nëpërmes zgjedhjeve mund të krijohet kjo lloj klime për bashkëpunim më të gjerë mes pjesëtarëve politikë, atëherë kjo të jetë zgjidhja. Jo pse zgjedhjet garantojnë zgjidhje, por në këto rrethana, përpjekja më e sinqertë mund të arrihet përmes zgjedhjeve. Kur të ketë një ndryshim në përbërje politike të institucioneve, atëherë ndoshta kjo sjell bashkëpunim më të zgjeruar dhe sjell konsensus në pozicione negociuese”.

Mosmarrëveshjet e brendshme politike, sipas Kryeziut, janë shumë të dëmshme për vendin.

Madje, ai i frikësohet mundësisë që Kosova të përfundojë si Bosnja.

Sipas tij, qëllim kyç në këto negociata duhet të jetë marrëveshje e leverdishme për Kosovën, sepse nëse arrihet bosnjëzimi i Kosovës, atëherë njohja e Serbisë nuk do të ketë asnjë vlerë.

“Hiç më larg se më 96’tën kur kanë ndodhur negociatat e Dejtonit, mes Serbisë e Bosnjës, Bosnja në ato negociata ka qenë e ndarë si Kosova momentalisht. Presidenti i vendit në atë kohë dhe kryeministri nuk pajtoheshin në çështjet kryesore, madje në disa raste as nuk kanë folur mes vete dhe po mendoj se ne të gjithë jemi të rritur për me ditë se çka po ndodh me Bosnjën, çka ka ndodhur me Marrëveshjen e Dejtonit. Bosnja sot është shtet jofunksional…Ky mund të jetë edhe rreziku për Kosovën, sepse qëllimi nuk duhet të jetë marrëveshja, qëllimi duhet të jetë marrëveshje e leverdishme për Kosovën, sepse nëse çmimi për marrëveshje është që të kemi bosnjëzim të Kosovës, atëherë nuk e di çfarë vlere ka një marrëveshje e tillë që ndoshta edhe ta garanton njohjen e Serbisë. Edhe Bosnjën e njeh Serbia, por si funksionon ajo – aty nuk merret asnjë vendim i dakorduar mes komuniteteve atje. Kosova nuk duhet të ketë model të tillë, sepse e defunksionalizon shtetin”, ka paralajmëruar ai.

Kryeziu, për Periskopin ka folur edhe për takimin e fshehtë që njerëzit e Haradinajt kanë mbajtur në Berlin me përfaqësues të shtetit serb dhe prezencën e ndërkombëtarëve.

Ai ka thënë se takimet e tilla prodhojnë efekt shumë negativ për Kosovën, sidomos përballë palës serbe, për të cilët thotë se janë njëzëri në negociata.

“Këto takime nuk janë vetëm të pamatura, por prodhojnë efekt shumë negativ për Kosovën. Në një proces negociues zakonisht është një person që i delegohet një pozicion e më pas ai person e mbron dhe e negocion atë pozicion. Nuk mundet për një çështje, si Marrëveshja, të shkojnë tri institucione të ndryshme e ta prezantojnë pozicione të ndryshme. Një kohë kemi pasur presidentin e vendit që akuzohej për pabesi sepse dyshohej se ai po mbante takime të fshehta me homologun e tij për një marrëveshje. Më pas u krijua delegacioni shtetëror i cili sapo u konstitua, shkoj dhe në mënyrë të panevojshme zhvilloi takime të paraportuara e të pakoordinuara në Bruksel, edhe e njëjta gjë ndodhi me përfaqësues të Qeverisë të cilët po mbanin takime të fshehta me përfaqësues të palës serbe, në ndërmjetësimin ndërkombëtar, pa u konsultuar me delegacionin shtetëror. Këtu ka një mungesë jo vetëm të qëndrimeve të përbashkëta, por edhe mungesë të komunikimit që vjen si rezultat i pabesisë ndaj njëri tjetrit. Të gjithë këto vetëm sa e dëmtojnë pozicionin negociues të Kosovës, sidomos përballë Serbisë, e cila nuk përballet me probleme të tilla. Ata i kanë të qarta qëndrimet e tyre, i prezantojnë në mënyrë të qartë. Opozitë ka edhe atje, por ajo është e menaxhueshme”, ka deklaruar ai tutje.

Si u bë shpërbërja e Delegacionit Negociues

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e shpalli jo kushtetues ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, i miratuar në dhjetor të vitit të shkuar. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që u shpall të enjten më datë (27.06), thuhet se “ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës”.

Dy partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, e patën dërguar në kushtetuese ligjin për dialogun në mars të këtij viti, duke thënë se dialogun me Serbinë mund të zhvillojë vetëm qeveria e Kosovës dhe asnjë mekanizëm tjetër.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj thotë se, “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”.

“Delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”. Prandaj Gjykata konstaton se “bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek mekanizmi i posaçëm i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i vesh delegacionit shtetëror funksione, të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

I menjëhershëm ishte reagimi i njërit nga bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror të dialogut me Serbinë, Shpend Ahmeti. Ai tha se ai e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe që nesër do t’i paraqesë dorëheqjen nga kjo detyrë Kuvendit të Kosovës. Shpend Ahmeti është edhe kryetar i Partisë Social Demokrate, që ka 12 deputetë në Parlamentin e Kosovës.

“Partia Socialdemokrate e pranon këtë vendim dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht, nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenesë ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurrfarë rëndësie ligjore”, shkroi në profilin e tij Shpend Ahmeti.

Edhe zëvëndëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, që vjen nga radhët e PDK-së në pushtet, tha se partia e tij, do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë.”

Nga fillimi, PDK ka besuar se Kosova ka institucionet legjitime për ta udhëhequr procesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën e vendit. Ne vazhdojmë të besojmë, se megjithatë, konsensusi politik është i nevojshëm për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë që do të përfundonte me njohje të ndërsjelltë dhe ulëse në OKB”, shkroi në profilin e tij zëvëndëskryeministri Enver Hoxhaj.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti i cili së bashku me Vetëvendosjen e dërguan në kushtetuese ligjin për dialogun thotë se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese vetëm e vërteton atë që LDK ka thënë që nga miratimi që ligjit që “dialogu duhet të udhëhiqet vetëm nga institucionet legjitime sipas kompetencave kushtetuese që kanë ato institucione”.

“Kosova është dëmtuar shumë nga pazaret antikushtuese të koalicionit PAN. Në të gjitha veprimet që ka ndërmarrë Qeveria sa i përket dialogut ka bërë shkelje kushtetuese:

Shkelje e Kushtetutës është draft-rezoluta e miratuar në Qeveri, ku dialogu i kalon Presidentit.

Shkelje e Kushtetutës është platforma e dialogut e miratuar në Kuvend,

Shkelje e Kushtetutës është ligji për dialog”, shkroi në ragimin e tij shefi i grupit parlamentar të LDK-së i cili kërkoi që pos ekipit dialogues edhe qeveria e Kosovës të jap dorëheqje.

Edhe Lëvizja Vetëvendosja kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e kontestuar, siç thonë, edhe përfaqësimin e Presidentit Thaçi në dialog me Serbinë.

“Gjykata Kushtetuese ka argumentuar që Qeveria ka ingerenca kushtetuese, presidenti i Kosovës nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë, ndërsa zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne e kemi kundërshtuar presidentin Thaçi, mënyrën se si ka shkuar ky dialog me Serbinë. Në këto rrethana ku kemi një president që në mënyrë jo kushtetuese ka udhëhequr dialogun, dhe kryeministrin i cili refuzoi të marrë kompetencat e tij, zgjidhja e vetme është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

E nga ana e tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili që nga ndërprerja e dialogut me Serbinë tash e disa muaj e ka përfaqësuar i vetëm Kosovën në forume dhe disa takime me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, tha se “Kushtetuta e Kosovës është udhërrëfyesi në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës”.

“Askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë”, shkroi Presidenti Thaçi. Më tej ai fton, që “në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve…të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore, e cila hap perspektiven e integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit dhe stagnimit”.

Ligji dhe delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedimet me Serbinë, pas debateve shumë të ashpra, ishin miratuar në kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të shkuar. Në krye të ekipit ishin emëruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Në ligjin për dialogun, ishin përfshirë pjesë të një platforme për dialog, ku u përcaktuan edhe vijat e kuqe të Kosovës në bisedime dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë, shkruante Deutsche Ëelle. Autoritetet në Beograd këtë platformë që përcaktonte vijat e kuqe në dialog me Serbinë e patën cilësuar si fundin e dialogut, ndërsa vazhdojnë ta kushtëzojnë rifillimin e dialogut me Kosovën me heqjen e taksës së vënë nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë.

Sidoqoftë, aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që bënë që tash e disa muaj të ndërpritet dialogu Kosovë-Serbi. Prej këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), që planifikohej të mbahej më 1 korrik në Paris. Në të do të flitej vetëm për mundësinë e arritjes së një marrrëveshjeje Kosovë-Serbi, që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.