Kush është nigeriani që shkëlqeu mbrëmë në Champions League e që mund të luajë për Shqipërinë?

Periskopi.com Sporti

Peter Olayinka, 23 vjeçari nga Nigeria, shkëlqeu mbrëmë në barazimin e Slavia Pragës në Giuseppe Meazza ndaj Interit të Antonio Contes.

Barazimi i djeshëm ishte i papritur marrë parasysh formën e lartë të zikaltërve dhe pritjet e mëdha që kanë për këtë sezon duke pasur në stol Antonio Conten.

Por, gëzimin dhe entuziazmin e interistëve e ndali ish futbollisti i Bylisit të Ballshit dhe Skënderbeut të Korçës, Peter Olayinka.

Ai shënoi dhe për pak nuk i dha ekipit të tij një fitore të madhe. Interi barazoi vetëm në lojën shtesë me anë të transferimit të ri, Nikollo Barellës.

Sidoqoftë, ajo që zgjon interes të madh në opinionet sportive në Kosovë e Shqipëri është dëshira e nigerianit për të përfaqësuar kombëtaren e Shqipërisë në futboll.

Peteri ka kaluar katër vite të bukura mes Ballshit dhe Korçës në Shqipëri dhe është familjarizuar mjaft mirë me shtetin tonë fqinj.

Olayinka sa ishte te Skënderbeu

 

Fillimisht, kjo çështje ishte përfolur në vitin 2015, kur anëtari i Komitetit Ekzekutiv i FShF-së, Fatbardh Jera, kishte sugjeruar që t’i propozohej lojtarit të atëhershëm të Skënderbeut që të pajisej me pasaportë shqiptare për të luajtur me Shqipërinë.

Të njëjtin propozim e kishte pasur edhe kapiteni i ekipit korçar, Bledi Shkëmbi. Por, këto sugjerime nuk u përfillën nga kryetari i federatës, Armando Duka – edhe pse arsyet e një gjëje të tillë nuk dihen, shkruan Periskopi.

Por, rrëfimi për Olayinkën dhe Shqipërinë u rindez në muajin prill të këtij viti. Olayinka ishte protagonist në kualifikimin e ekipit të tij, Slavia Pragës, në fazën çerekfinale të Europa League – një sukses i jashtëzakonshëm e historik për ta.

“Sulmuesi është i gatshëm të luajë me Komëtaren kuqezi” – ishte një lajm që qarkulloi në mediat nigeriane, burimi i të cilës kishte qenë Brila.net.

Sidoqoftë, burime zyrtare brenda kampit kuqezi, në atë kohë e kishin mohuar ekzistimin e një përpjekjeje të tillë për Panorama Sport.

Por, me shkëlqimin e tij në garën më të madhe evropiane, Shqipëria nuk mund të shpërfill më nigerianin që u rrit si futbollist në këtë vend. /Periskopi