Kur Petro Marko shkruante: Pas ahengjeve me ndihmat e tërmetit, vazhdoi lufta për bukën e gojës

Periskopi.com Lajme

Publicisti, shkrimtari e gazetari i njohur shqiptar, Petro Marko (1913 -1991), në njërën nga veprat e tij më të njohura, autobiografinë ‘Retë dhe gurët’ ose ‘Intervistë me vetveten’, ka një pjesë ku rrëfen se si ishin sjellur bashkëfshatarët e tij kur kishtë rënë tërmet vdekjeprurës.

Lexojeni për më shumë këtë pjesë:
[…]
Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët. U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur! Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit… Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:
– Gjunjëzohuni!
Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.
– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!
Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.

Petro Marko, Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët, fq. 90-91