Drejtori i ‘Pfizer’ mesazh skeptikëve: Do ta merrja me qejf vaksinën sapo të jetë radha e familjes time

Periskopi.com Lajme

Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Pfizer” në Mbretërinë e Bashkuar, Ben Osborn, tha se ai është aq i sigurt në vaksinën ndaj koronavirusit sa që është i gatshëm ta marrë atë menjëherë që sot dhe dëshiron që edhe nëna e tij ta kryejë atë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Unë do ta merrja me dëshirë që sot vaksinën. Shpresoj që edhe nëna e ime, e cila bën pjesë në grupet e rrezikuara, ta marrë sa më parë atë. Nuk do të hezitoja t’ia rekomandoja familjes sime menjëherë sapo të jetë radha e tyre”, tha Osborn, duke reaguar ndaj dyshimeve që janë ngritur mbi vaksinën e koronavirusit. “Jam zhgënjyer kur kam parë numrin e madh të komenteve kundër vaksinës në mediat sociale, të cilat thjesht nuk janë të sakta, janë gënjeshtra”.

Po ashtu, ai reagoi edhe ndaj kritikëve mbi miratimin e shpejtë të vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar. “Unë u zhgënjeva edhe pse nuk u habita me reagimet, por kjo çështje nuk duhet të politizohet. Ne kemi filluar ta përziejmë politikën me shkencën. Është njësoj si të bësh bashkë vajin me ujin. Nuk është një përzierje e mirë për mua”, tha Osborn.