Gjykata Speciale s’i ndal ftesat e intervistimet, por punon tinëzisht

Periskopi.com Lajme

Tash e disa kohë puna e Gjykatës Speciale nuk është në fokusin e mediave.

Zhvillimet e fundit në vend dhe në sferën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë e kanë lënë në hije Gjykatën Speciale e cila po vazhdon punën.

Kështu së paku sipas avokatit të akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj i cili në një prononcim për lajmi.net është shprehur se puna e Speciales nuk ka pauzuar.

Ai madje është shprehur se gjatë kësaj kohe të “heshtjes mediale”, Gjykata Speciale ka dërguar ftesa dhe ka persona që janë intervistuar.

“Unë i kam pranuar 2 klientë gjatë muajit maj. Nuk është e vërtetë që ka pasur pauzë të punës, puna ka vazhduar edhe me ftesa edhe me intervistime”, tha Rrecaj për lajmi.net.

Në anën tjetër, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj është shprehur se ftesa e fundit për të cilën janë njoftuar organizata ka qenë ajo e Rrahim Hashimit.

Haradinaj gjithashtu është shprehur se kjo Gjykatë do të dështojë ose në një variant tjetër ajo do të bëhet gjithëpërfshirëse ku do të gjykohen edhe krimet e serbëve.

“Gjykata megjithatë do të dështoj dhe unë llogaris që në vitin 2020 ajo do të shfuqizohet, atëherë kur edhe njëherë duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës. Deri atëherë nuk do të gjinden prova, ata po mundohen t’i gjejnë, por nuk ka prova, andaj mendoj se atëherë ose do të shfuqizohet ose do të bëhet Gjykatë për të gjithë, pra edhe për krimet serbe, pro të cilës jemi edhe ne”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Se puna e Speciales ka vazhduar e ka konfirmuar edhe avokati Tomë Gashi, duke thënë se nuk ka pasur pauzë dhe intervistimet kanë vazhduar.

“Në bazë të dispozitave ligjore, Gjykata Speciale nuk e ka për obligim të bëjë publike të ftuarit në çfarëdo cilësie qoftë, por mbetet në suazat e vullnetit të tyre nëse do t’i bëjnë publike ftesat e Speciales apo jo, por kjo e ashtuquajtur pauzë nuk ka ndodhur dhe intervistimi ka vazhduar e nuk është ndërprerë në asnjë moment.”, tha Gashi.

Më tutje ai ka shtuar se kjo gjykatë është formuar për interesa të Serbisë.

“Sigurisht që Gjykata Speciale edhe pse formalisht është e formuar nga Kuvendi i Kosovës, ajo mund të quhet lirisht Gjykatë Ndërkombëtare e formuar nga Serbia dhe për interesa të Serbisë dhe ne kemi pasur ditë më parë një deklaratë të ministrja e drejtësisë e Serbisë që ka deklaruar se Serbia edhe pse bashkëpunon ngushtë me Gjykatën Speciale edhe pse ka dërguar shumë materiale në këtë Gjykatë, prapë se prapë ata nuk janë të interesuar si Serbi që të dërgojnë materiale dhe të kërkojnë akuzimin e liderëve të Kosovës duke i përmendur një pjesë të udhëheqësve të Kosovës”, tha Gashi.

Ai e ka quajtur këtë Gjykatë raciste ku mund të gjykohen vetëm ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se kjo Gjykatë është diskredituar dhe ka humbur besimin e të gjithëve.

“Ndërsa Gjykata Speciale edhe pse dihet që përveç tjerash është Gjykatë raciste sepse mund të gjykojë vetëm ish-pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo prapë se prapë edhe pse ka kryer hetime të mjaftueshme duket se nuk është në gjendje të ngrisë akuza të tilla që e kanë tronditur opinionin vendor dhe ndërkombëtar në aludimet e senatorit zviceran Dik Marty ku thuhet se mund të kemi të bëjmë edhe me  raste të trafikimit të organeve njerëzore që sipas tij kanë ndodhur. Unë besoj se Gjykata Speciale tani më është e diskredituar dhe kësaj Gjykate nuk do t’i besojnë as të akuzuarit dhe as viktimat për të cilët thuhet se është ngritur kjo Gjykatë.”, tha Gashi.

Gashi krejt në fund është shprehur se nuk pret të ngriten aktakuza për hierarkinë e lartë të Kosovës, pasi as Serbia nuk e dëshiron një gjë të tillë.

“Dhe në bazë të rrethanave politike që mbretërojnë në Ballkan, sipas situatave politike të cilat udhëheqen nga shtete të fuqishme, do të shohim se kur do të ngriten akuzat e para dhe kush do të jetë i akuzuar, tani më është e qartë se nuk do të kemi të akuzuar hierarkinë e lartë të Kosovës së paku tani për tani sepse Serbia deklarohet se nuk e dëshiron një gjë të tillë”, tha Gashi.

Një numër i madh i ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ndër të ftuarit e Speciales që ishin pjesë e hierarkisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë edhe Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku e Sylejman Selimi të cilët veç janë intervistuar.

Ndërkohë, është folur se gjatë vjeshtës së këtij viti do të ngritën aktakuzat e para por një gjë e tillë sipas avokatit Gashi nuk pritet të ndodh aq më pak për udhëheqës të profilit të lartë.