SHBA-ja njoftohet për kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së

Periskopi.com Lajme

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, në Halifaks ka zhvilluar një takim me senatoren amerikane, njëherësh anëtare e Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jeanne Shaheen.

Ministri Berisha e njohu senatoren Shaheen për procesin e tranzicionit të FSK-së, të arriturat e deritanishme dhe sfidat e këtij procesi.

“Ministri Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i kanë shprehur shqetësimin e tyre senatores Shaheen lidhur me fushatën kërcënuese që po u bëhet nga jashtë pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët po dekurajohen që të shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, bëhet e ditur përmes kumtesës për media, përcjell KosovaPress.

Në fund të takimit, ministri Berisha e ka siguruar senatoren se FSK –ja do të mbetet forcë e besueshme, e përkushtuar dhe e gatshme në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, si dhe në shërbim të paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë.

Pesë të arrestuar në Gjilan – Mediat serbe thonë se po u bënin presion serbëve që të dorëhiqen nga FSK

Periskopi.com Lajme

Mëngjesin e sotëm, mediat serbe raportuan se Policia e Kosovës ka realizuar një aksion bastisjeje, ku janë arrestuar disa të dyshuar për presionin që po u bëhet pjesëtarëve të nacionalitetit serb të FSK’së për dorëheqje, raporton Periskopi.

Sipas televizionit publik serb, operacioni u realizua në shtëpitë e ish-anëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës të përkatësisë etnike serbe të cilët e kanë lënë shërbimin.

Për këto raportime pati reagim edhe nga Policia e Kosovës.

Në një komunikatë për media, Policia ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona, por thotë se ata nuk janë as nuk kanë qenë pjesëtarë të FSK’së.

“Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në njoftim të Policisë.

Të arrestuarit sipas Policisë, kanë qenë të përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Por, Policia nuk ka mohuar se operacioni është realizuar lidhur me presionin që po u bëhet serbëve për dorëheqje nga FSK.

“Sot, me datën 10 korrik 2018, pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit. Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, njofton tutje Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, mediat serbe kanë raportuar se mëngjesin e sotëm janë bastisë ambientet e Qendrës kulturore dhe arsimore ‘Bozhidar Mitrovic Sandor’ në Shillovë të Gjilanit.

E Policia krejt çka njoftoi ishte se operacioni është duke vazhduar ende.

“Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim të Policisë./Periskopi