Beogradi ‘i detyroi’ serbët të largoheshin nga Forca e Sigurisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Një raport i ri mbi dorëheqjen masive të anëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës fajëson Qeverinë serbe dhe e akuzon atë për “ndërhyrje brutale” në një institucion të Kosovës.

Pas dorëheqjes së një numri të anëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport që fajëson presionin e Qeverisë serbe.

Sipas QKSS-së, presioni ndaj anëtarëve serbë të FSK-së dhe dorëheqja e tyre masive përbën “ndërhyrje brutale” nga Serbia në një institucion shtetëror të Kosovës.

Në raport thuhet se dorëheqja e planifikuar e mbi 60 anëtarëve serbë të FSK u zhvillua si pjesë e një operacioni të menduar ushtarak dhe psikologjik, të organizuar nga pjesëtarë të inteligjencës ushtarake në Beograd dhe në Vranjë, në Serbinë jugore.

“Kërcënimet për ndërprerjen e pagave / pensioneve të anëtarëve të ngushtë dhe të gjerë të familjes që banojnë në Serbi dhe ndalimi i hyrjes në Serbi u përdorën si mjet i presionit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së”, thuhet në raport.

Aty thuhet se ekzistonte edhe presioni psikologjik. Ky presion përfshinte anëtarët e FSK-së serbë të cilëve iu tha se një luftë midis Serbisë dhe Kosovës ishte e afërt dhe se ata do të “përfundonin duke luftuar kundër vëllezërve të tyre në ushtrinë serbe”.

QKSS rekomandon që institucionet e Kosovës të përgatisin një strategji të re për integrimin e mëtejshëm të komunitetit serb në FSK, me mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë në vend.

“MFSK duhet të rekrutojë anëtarë të rinj të komunitetit serb si një kundërmasë ndaj veprimeve të Serbisë dhe të plotësojë vendet e lira”, shkruan raporti.

Mediat në Kosovë dhe Serbi kanë raportuar se një numër i anëtarëve serbë të FSK-së shumetnike e kanë braktisur kohët e fundit atë, ndërsa politikanët e Kosovës fajësojnë Beogradin për gjoja “presion” ndaj serbëve për t’u larguar.

Ibrahim Shala, nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për BIRN se rreth 6 për qind e pjesëtarëve të FSK-së vijnë nga komuniteti serb dhe janë integruar mirë në institucion.

Por Igor Simiq, nga Lista Serbe, tha për faqen serbe të internetit ‘Telegraf.rs’ në muajin korrik se serbët e Kosovës nuk duhet të jenë pjesë e një ushtrie të Kosovës.

“Pozicioni i Listës Serbe është shumë i qartë, dhe ky qëndrim ndahet nga i gjithë populli serb në Kosovë. KFOR-i është e vetmja forcë e ligjshme ushtarake në këtë rajon që është e pranishme në bazë të pëlqimit të Beogradit dhe të Rezolutës [së OKB-së] 1244.

“Prishtina po përdor pozicionin e vështirë financiar të disa familjeve me qëllim që të shantazhojë serbët që të pranojnë të jenë pjesë e një forme të ushtrisë së Kosovës, kështu që të mund të tregojë një lloj kuazi-multietniciteti të këtyre forcave”, tha ai.

Kosova ka kërkuar shumë kohë që të formojë një ushtri të rregullt kundër kundërshtimit të ashpër nga Serbia dhe nga pakica serbe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës të enjten miratoi një projektligj të ri të FSK-së, duke zgjeruar kompetencat e saj, por duke shmangur nevojën për ndryshime kushtetuese të kërkuara për ta shndërruar atë në një ushtri të rregullt./BIRN

Numri i serbëve të rekrutuar në Policinë e Kosovës nuk po zvogëlohet

Periskopi.com Lajme

Numri i serbëve të interesuar për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës mbetet i pandryshuar, thanë zyrtarët, pavarësisht raporteve që serbët kanë kërkuar të lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës për shkak të tensioneve politike.

Policia e Kosovës tha për BIRN se në vitin 2014, mbi 5 për qind e aplikuesve ishin serbë, ndërsa këtë vit ka pasur rreth 5 për qind (4.91 për qind).

“Bazuar në statistikat dhe përqindjen e aplikuesve nga komuniteti serb vërehet një interes konsistent i këtij komuniteti për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës”, tha Policia.

“Interesimi [për të iu bashkangjitur forcës] ka qenë pothuajse proporcional” me numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë si përqindje e popullsisë së përgjithshme”, insistoi Policia.

Forca ka mbi 8,600 anëtarë, duke përfshirë stafin me uniformë dhe atë administrativ.

“Pjesëmarrja e komunitetit serb në Policinë e Kosovës është mbi 11 për qind”, tha Policia e Kosovës.

Por Mentor Vrajolli, një studiues i lartë në Qendrën e Kosovës për Studimet e Sigurisë, sugjeroi se shumë serbë i janë bashkuar Policisë se Kosovës nga një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për të zhbërë strukturat paralele të sigurisë të kontrolluara nga serbët që ekzistuan më parë në Kosovë.

“Një numër i madh i tyre janë rekrutuar në bazë të zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për të zhbërë strukturat paralele kur anëtarët e këtyre strukturave u bashkuan me Policinë e Kosovës”, tha Vrajolli për BIRN.

Vrajolli tha se institucionet e Kosovës kanë dështuar të punojnë në drejtimin e përmirësimit të imazhit të serbëve që shërbejnë në Policinë e Kosovës.

“Veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, unë kam vërejtur se pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës janë fyer nga shoqëria [lokale]; ata shihen si njerëz që nuk punojnë për interesat e bashkësisë [serbe]”, tha Vrajolli.

“Rrjedhimisht, nuk ka entuziazëm midis këtyre anëtarëve [të forcës], ata punojnë më shumë për pagat sesa për të ofruar shërbime si anëtarë të Policisë së Kosovës”, shtoi ai.

Mediat në Kosovë dhe Serbi kohët e fundit kanë raportuar se disa anëtarë serbë të Forcës multi-etnike të Sigurisë së Kosovës e kanë lënë punën, ndërsa politikanët e Kosovës fajësojnë Beogradin për presupozimin e presionit të serbëve për t’u larguar.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, konfirmoi në korrik se forca kishte marrë kërkesa nga disa anëtarë serbë për t’u larguar.

“Sipas vlerësimeve të ministrisë, këto kërkesa vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimta ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e komunitetit serb po përpiqen të dëmtojnë arritjet dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe imazhin e saj si forca më e besueshme e sigurisë në vend për vite”, tha Berisha në një konferencë shtypi.

Vrajolli sugjeroi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shikohet nga Beogradi më tepër si një institucion shtetëror dhe për këtë arsye “presioni ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së është më i madh se sa ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.

Ai u kërkoi gjithashtu institucioneve të Kosovës të bëjnë më shumë përpjekje për të fituar mbi pakicat etnike të vendit.

“Duhet të ketë investime në inkurajimin e integrimit të komuniteteve”, tha ai.

“Nuk mund të jetë surprizë nëse anëtarët serbë largohen, pasi qeveria nuk po punon në përmirësimin e imazhit të tyre brenda komunitetit të tyre”, shtoi ai. /kallxo.com

 

FSK pritet të shpallë konkurs për plotësimin e vendeve të pjesëtarëve të larguar serbë

Periskopi.com Lajme

Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të hapë konkurs për plotësimin e vendeve të lëna bosh nga pjesëtarët serb të kësaj force, të cilët javë më parë braktisën radhët e saj.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë së Kosovës është organizatë profesionale ku hyhet vullnetarisht.

“Në FSK nënshkruhet kontrata për shërbim në FSK. Janë të parapara rregullat për shkëputje të kontratës dhe ne kemi shkëputur kontratën më një numër të pjesëtareve tanë që vinin nga komuniteti serb. Na vjen shumë keq për ta”, tha Çeku.

“Tash janë liruar disa vende dhe shumë shpejt do të hapet konkursi dhe t’i plotësojmë këto vende, po me pjesëtarë të komunitetit serb dhe mund të them se ka interesim të madh për t’iu bashkuar FSK-së. Pra nga radhët e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë”, tha zëvendësministri i FSK-së.

Largimi i pjesëtarëve serb nga Forca e Sigurisë pasoi presionet e ushtruara ndaj tyre nga Beogradi zyrtar. Autoritetet në Beograd thonë se do të angazhohen për të penguar formimin e ushtrisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas qëndrimeve politike në Prishtinë, pritet që në të ardhmen të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Pjesëtarëve serbë që braktisën FSK’në u ndalet rroga

Periskopi.com Lajme

40 pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që kërkuan demilitarizimin e tyre, u është ndalur rroga.

Kjo, pasi ata që kur dorëzuan dorëheqjen, nuk janë paraqitur fare në vendin e tyre të punës, raporton KTV.

Komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtnat, Rrahman Rama, në një intervistë për Kohavisionin, ka treguar se largimi i tyre tashmë është definitiv dhe nuk ka kthim prapa.

Për gjeneral Ramën, i rëndësishëm është fakti se ata nuk janë larguar nga aty, për shkak të diskriminimit etnik, por vetëm pse dikujt i ka penguar suksesi i FSK-së .

Ai ka bërë të ditur se kanë biseduar me të gjithë serbët e tjerë të Forcës për të parë nëse shantazhet dhe presionet kanë ndikuar tek ata.

Presionet, thotë se janë të ndikuar politikisht dhe për këtë, ka thënë se kanë qenë në dijeni të gjithë aleatët e FSK-së, përfshirë edhe NATO-n.

Ai ka folur edhe për planet që ka Forca në rritjen e kapacitetit të saj në aspektin universitar, ku në vitin 2019-2020, ka paraparë që në Qendrën Universitare të pranojë ushtarakë, jo vetëm nga shtete e rajonit, por edhe më gjerë.

Veseli e konfirmon: Të arrestuarit në Gjilan kërcënonin pjesëtarët serbë të FSK’së

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka dënuar kërcënimet që po po dyshohen se po bëhen ndaj familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti serb. 

Madje Veseli ka konfirmuar se Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona të dyshuar për këto kërcënime.

Ai, në një deklaratë në faqen e tij në Facebook ka thënë se provokime të tilla nga Serbia nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve në Ballkan.

“Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm. Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata. Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave europiane dhe aspiratave për integrimin në BE. Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”, ka shkruar Veseli.

Budallallëku i mediave serbe: Serbët po dorëhiqen nga FSK, pasi po planifikohet pushtimi i veriut

Periskopi.com Lajme

Forcën e Sigurisë së Kosovës këto ditë e kanë braktisur afër 40 pjesëtarë të minoritetit serb.

Shkaqet për këtë braktisje, që portali i Beogradit “blic” e quan masive, janë të shumta.

Një nga to, thuhet aty, ka lidhje edhe me rrëfimet e shpeshtuara për “pushtimin e veriut të Kosovës” e populluar me shumicë serbe.

“Nëse do të ndodhte që FSK të niset në veri, ky praktikisht do të ishte ‘pushtim’ e në të cilën do të merrnin pjesë edhe serbët”, thuhet lidhur me këtë.

Arsye, sipas këtij portali, janë edhe presionet joformale të përhershme te pjesëtarët serbë në FSK në që kanë të bëjnë edhe me ato rreth formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Përkujtohet se për krijimin e Ushtrisë së Kosovës duhet ndryshuar Kushtetutën pasi me aktualen formimi i Ushtrisë është i pamundur pa votën e serbëve.

Ministri i FSK’së deklarohet për dorëheqjet e pjesëtarëve serbë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me kërkesat e ditëve të fundit nga disa pjesëtarë të komunitetit serb për largim nga FSK-ja.

Komunikata e plotë

Forca e Sigurisë së Kosovës, ditëve të fundit është duke u përballur me dukurinë e kërkesave për largim nga FSK-ja të disa pjesëtarëve të komunitetit jo shumicë serb.

Sipas vlerësimeve të MFSK, këto kërkesa për largim vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimshme që i janë bërë FSK-së, përkatësisht pjesëtarëve të komunitetit serb dhe janë tentim për të dëmtuar arritjet dhe zhvillimin e FSK-së si dhe imazhin e saj si institucioni më i besueshëm në vend për vite me radhë.

Ne ndjejmë keqardhje për pjestarët tanë të cilët nuk janë lejuar të vendosin lirshëm për  vazhdimin e karrierës profesionale, të ardhmes së tyre, duke ndikuar negativisht direkt në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.

Pjesëtarët e FSK-së nga komuniteti serb kanë qenë shumë mirë të integruar në nivel të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, prandaj shantazhet dhe kërcënimet e bëra janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

Diversiteti etnik dhe profesionalizmi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vlerë që është e njohur dhe e pranueshme nga miqtë tanë  ndërkombëtar dhe shtetet anëtare të NATO-s, dhe kjo vlerë është duke ju  penguar atyre që nuk ja dojnë të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë.

FSK, do të vazhdojë në përmbushje të misionit dhe zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve operacionale si dhe angazhimin për pëfundimin e tranzicionit në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), si forcë moderne mbrojtëse për Kosovën dhe popullin e saj pa asnjë dallim.

Rruga e Kosovës dhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk do të ndalet. FSK-ja ka qenë, është dhe do të jetë e hapur për të gjitha komunitet që jetojnë në Kosovë dhe gjithëher do të jetë në shërbim të qytetarëve të saj.