Bërnabiq ende pa përgjigje ndaj Platformës së Kosovës për negociatat me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi sot se ende nuk është koha për një qëndrim dhe përgjigje të Serbisë ndaj Platformës së Prishtinës për negociata me Beogradin, transmeton Koha.net raportimin e FoNet-it.

Bërnabiq u tha gazetarëve në Beograd se duhet të dëgjohet qëndrimi i aktorëve ndërkombëtarë, para së gjithash i Brukselit që është garantues i Marrëveshjes së Brukselit dhe mbikëqyrës i dialogut.

Sipas saj, Brukseli ende nuk është shprehur në lidhje me situatën e krijuar, ndërsa ka shtuar se kjo nuk është korrekte dhe se pret reagimin e BE-së.

Serbët në ankth nga Platforma e Kosovës për Dialog

Periskopi.com Lajme

Miratimi i Platformës së Dialogut, ka nxitur reagime të shumta në Serbi.

Zyrtarët serb kanë deklaruara se kjo platformë mund të qojë në ndërprerjen e negociatave mes dy vendeve, transmeton Indeksonline.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun beson se qëllimi i miratimit të Platfomës për Dialogun nuk ka të bëjë me ngrirje të konfliktit por me një vendosje të njëanshme të një koncepti ekstrem.

“Imponimi i konceptit ekstreme është rreziku më i madh i kësaj platforme”, ka thënë Drecun për Tanjug, duke shpjeguar se Prishtina me sa duket do të parandalojë arritjen e një zgjidhje, kompromisi me Beogradin, në mënyrë që të ketë një justifikim për të shpallur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ai shton se Prishtina dëshiron që në fund të përfundojë spastrimin etnik të popullit serb nga dhe të destabilizojë më tej marrëdhëniet me Beogradin, por edhe në rajon.

Prandaj, Drecun thotë se Beogradi duhet të insistojnë në vazhdimin e dialogut në mënyrë që të kërkojnë komunitetit ndërkombëtar të detyrojë Prishtinën për të tërhequr platformën, të cilat serbët absolutisht nuk e pranojnë.

“Ne nuk duam që Prishtina të na çojë në një situatë si në Rambuje para bombardimeve,kur Madeleine Albright erdhi me letra dhe na tha ‘merre ose lëre ‘, atëherë përgjegjësia është transferuar në Serbi “, thotë Drecun.

Dushan Prorokoviq nga Instituti për Politikë Ndërkombëtare dhe Ekonomi, megjithatë, beson se çdo gjë që është duke punuar Prishtina kohëve të fundit,  përfshirë edhe platformën e dialogut, do të rezultojë në ndërprerjen e përhershme të negociatave.

Për të, platforma e Prishtinës, e cila është e bazuar në Kushtetutë, nuk është një surprizë.

“Nëse është e mundur, ne do të kishim nënshkruar diçka të ngjashme në 10 vitet e fundit”, tha Prorokoviç për Tanjug.

“Duke parë topin e parë, kjo duket si një konflikt i ngrirë, një pezullim i përhershëm i negociatave do të vijë dhe se në një kuadër të ri do të duhet të zgjidhim disa situata krize. Por kjo nuk duhet të thotë këtë. Dhe, Beogradi duhet të ofrojë platformën e vet dhe si ta shohë zgjidhjen e kësaj çështjeje,”, tha ai.

Sheshelit i humb ‘rruga në oborr’ pas votimit të Platformës për Dialog: Dërgoni atje ushtarët rusë e kinezë

Periskopi.com Lajme

Lideri i radikalëve serbë Vojisllav Sheshel është zemëruar shumë me miratimin e Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë.

Siç njoftojnë medie të Beogradit, ai ka kërkuar që lidhur me këtë hap të Prishtinës të njoftohen urgjentisht Rusia dhe Kina  si dhe të kërkohet që ushtria e këtyre dy vendeve të vendoset në Kosovë në të gjitha mjediset ku ka serbë.

Ai thënë se për çdo veprim të Kosovës pëlqimi paraprakisht merret nga fuqitë perëndimore e sidomos nga SHBA-ja, transmeton Koha.net.

“Ajo që ka bërë Kuvendi i kaçakëve në Prishtinë tregon se prapa të gjithë hapave të separatistëve shqiptarë qëndrojnë fuqitë e Perëndimit, para së gjithash Amerika, madje edhe prapa vendimit për vënien e taksës ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnje Hercegovinës. Kanë bërë lojën dhe kanë deklaruar se e kërkojnë heqjen e taksës. Nuk është aspak e rastësishme që zyrtarë amerikanë kanë ndryshuar retorikën dhe më nuk thonë të hiqet taksa, por të suspendohet ajo. Edhe një gjë tjetër kemi vërejtur nga deklarata e zyrtarëve amerikanë. Se ata presin që procesin negociues të përfundojë me njohjen reciproke Serbi – Kosovë”, ka thënë Shesheli, transmetojnë medie serbe .

Sipas tij, amerikanët e trajtojnë Serbinë sikur të mos jetë shtet i njohur ndërkombëtarisht, sikur të mos jetë anëtar i OKB-së.

“Ky është kulmi i politikës antiserbe, e cila, në fakt, kërkon kapitullimin e shteti serb dhe unë kërkoj nga presidenti Aleksandar Vuçiq që urgjentisht ta kontaktojë presidentin e Rusisë Vladimir Putin dhe atë të Kinës Xi Xianpin dhe të kërkojë që kontingjente të mëdha të ushtrisë ruse e kineze sa më shpejt të përfshihen në KFOR, që ato të vendosen nëpër Kosovë,sidomos nëpër mjediset ku jetojnë serbë të mbetur”, ka thënë ai.

Në vazhdim Shesheli ka propozuar mbajtjen e seancës së Kuvendit të Serbisë në të cilën do të hiqej dorë nga neutraliteti dhe do të kërkohej aleancë ushtarake nën udhëheqje të Rusisë.

“Po ashtu kërkoj që Rusia në Republikën Serbe dhe në Serbi të formojnë bazat ushtarake që do të na mbronin nga sulmet e NATO-s”, ka thënë ai.

Shesheli ka përfunduar se “shqiptarët për ne nuk paraqesin kurrfarë rreziku po të mos kishte përzierje nga NATO -ja dhe se ata nuk do ta bënin asnjë hap serioz ushtarak e lufte kundër serbëve sikur të mos e kishin pajtimin e NATO-s” .

Miratohet Platforma e Dialogut

Periskopi.com Lajme

Kuvendi ka miratuar Platformën për Dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.​

Me 61 vota për, 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Platformën për Dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

58 deputetë kanë votuar me elektronikë, ndërsa 3 të tjerë me ngritje dore.  Bëhet fjalë për tre deputetët e PSD-së: Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina dhe Aida Dërguti.


Hoti për Periskopin tregon a do shkojnë nesër në seancë: Ligji e Platforma janë dokumente absurde

Artina Muçiqi Lajme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që seanca në të cilën do të hidhet në votim Ligji dhe Platforma për Dialogun do të mbahet nesër duke filluar nga ora 09:00. Kjo Platformë dhe ky Ligj kundërshtohet fuqishëm nga dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti për Periskopin tregon se si do të veprojnë nesër…

Me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, seanca për Ligjin dhe Platformën për Dialogun është caktuar për nesër, duke filluar nga ora 09:00.

Këtë e bëri të ditur kryeparlamentari Kadri Veseli në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

Aty ai bëri të ditur se pas përfundimit të seancës për Platformën për dialog, do të vazhdojë seanca e rregullt duke filluar nga ora 10:00.

Ligji dhe Platforma për Dialog është kundërshtuar vazhdimisht nga dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje.

Andaj, Periskopi ka kontaktuar me shefin e Deputetëve të LDK’së, Avdullah Hotin për të parë nëse ata do të marrin pjesë në seancë dhe si do të veprojnë aty.

Në një deklaratë dhënë Periskopit, Hoti ka thënë se në seancën e nesërme për Dialogun ata do të marrin pjesë dhe do ta prezantojnë qëndrimin e tyre kundër këtij Ligji dhe kësaj Platforme.

“Do të marrim pjesë në këtë seancë dhe do të prezantojmë qëndrimin tonë se ky ligj dhe kjo platformë janë dokumentet më absurde për dialogun”, ka thënë Hoti për Periskopin.

I pyetur nëse do të ndërmarrin ndonjë masë për të kundërshtuar votimin e këtij Ligji, Hoti është përgjigjur: “Do t’i ndërmarrim të gjitha masat demokratike dhe kushtetuese, qysh i kemi ndërmarrë deri më tani duke pamundësuar kuorum”.

Derisa thotë se nuk e di nëse do të kalojë ky ligj, Hoti thotë se edhe nesër do të veprojnë si çdo herë tjetër: “Qëndrojmë në Kuvend për çdo pikë dhe shprehim qëndrimin tonë”.

Edhe komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë dritë jeshile Platformës për Dialogun.

6 anëtarët e partive në pushtet votuan Platformën për dialogun./PERISKOPI

Platforma për Dialogun kalon në Komision të Punëve të Jashtme

Periskopi.com Lajme

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë dritë jeshile Platformës për Dialogun.

Siç njofton KTV-ja, 6 anëtarët e partive në pushtet votuan Platformën për dialogun.

Nesër pritet të shqyrtohet në Kuvend, në seancën që nisë nga ora 9:00.

Platforma për dialog dërgohet në Kuvend pa pëlqimin e komisionit

Periskopi.com Lajme

Platforma për dialogun me Serbinë, në mungesë kuorumi, nuk ka kaluar sot në Komisionin për Punë të Jashtme dhe pa pëlqimin e këtij komisioni është dërguar në Kryesinë e Kuvendit për diskutim.

Ndërsa, me 5 vota pro dhe 4 vota kundër, projektligji për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me shtetin fqinj ka kaluar për lexim të dytë në seancën e radhës të Kuvendit.

Platforma u kritikua ashpër nga anëtarët e partive opozitare, pasi sipas tyre ky dokument ka probleme të mëdha, pasi nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, dhe se qeveria nuk pozicionohet qartë karshi qëndrimeve të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Doruntinë Maloku, kishte një kërkesë që platforma për dialog të largohet nga rendi i ditës, pasi sipas saj, ligji ende nuk ka hyrë në fuqi dhe si i tillë nuk mund të diskutohet.

“Rrjedhimisht, ligji ende nuk ka kaluar dhe si rrjedhojë ende nuk i ka marrë delegacioni shtetëror këto kompetenca. Gjithçka që ka ndodhur ndërmjet rezolutës së 15 dhjetorit dhe deri sot, gjithçka që këta kanë bërë, është jo ligjore, sepse nuk kanë bazë ligjore për të sjellë platformë. Edhe është e turpshme qysh kryetari i Kuvendit, mundohet të vë në lajthitje Komisionin për punë të jashtme të sjellë këtu një dokument, një platformë me kaq rëndësi jashtë ligjore”, tha ajo.

Këtë kërkesë, e mbështeti dhe kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani. Mirëpo, pavarësisht kësaj, kërkesa nuk u miratua dhe me pesë vota pro, anëtarët e vendosën që platforma për dialogun të diskutohet në komision.

Duke i theksuar të metat e kësaj platforme, Osmani tha se shtetësia e Kosovës nuk mbrohet me anë të saj, por vetëm rrezikohet, pasi në të thuhet se Kosova do t’i pranojë gjitha marrëveshjet e kaluara që  kanë ndodhur, përfshi atë të 2013 që nënkupton krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo  bëri të ditur se platforma për dialogun me Serbinë nuk e trajton rolin e institucioneve tjera shtetërore, pasi sipas saj, presidenti nuk ka të drejtë të krijojë pozicione, por vetëm t’i mbrojë pozicionet e qeverisë.

“Është paradoks me nxjerr dokumente, të cilat lejojnë hapur që të negociohet statusi dhe territori i Kosovës, ky është paradoks. Qysh në hyrje, ky ekip që po tenton të formohet, pozicionohet sa i përket marrëveshjes së parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, delegacioni shtetëror pranon, jo vetëm marrëveshjen e prillit  2013, me të cilin është krijuar asociacioni i komunave serbe.  Delegacioni shtetëror përcaktohet që të mos aplikojë në këto organizata pa ndodhur marrëveshja me Serbinë, në njëfarë mënyre  dhe një pozicionim që e ka mbajtur dhe presidenti deri më tani i cili insiston, një gjuhë dhe më herët që e ka përmendur Serbia, se pa marrëveshje me Serbinë,  Kosova nuk mund të vazhdojë fuqizimin e saj ndërkombëtar dhe nuk mundet të aplikojë në agjencitë e OKB-së, siç është UNESCO, apo Organizata Botërore e Shëndetësisë dh e të tjera. Rezultati që e kemi para nesh është një dokument që as nuk e mbron territorin e Kosovë, rrjedhimisht nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e saj”, tha deputetja Osmani.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, tha se platforma tregon për krizën që ekziston sa i përket legjitimitetit politik në dialogun me Serbinë.

Ai pati kritika dhe për ish-bashkë partiakët e tij, siç tha, në zgjedhje të vitit 2017 kanë kërkuar vota për Kosovën me territorin e tanishëm, ndërsa tash negociojnë për korrigjim të kufirit.

“Delegacioni shtetëror duhet t’i adresohet presidentit dhe t’i tregojë që nuk ka mandat për të zhvilluar aktivitetin që e ka bërë deri më sot, çështjet konkrete kanë të bëjnë me dy tema. E para, deklarata e presidentit që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë 430 kilometra dhe çështja e dytë, atë që në mënyrë eksplicite e shpjegoi dhe në këtë tryezën e fundit që ishin liderët e partive politike para pesë-gjashtë dite. Presidenti tha se nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë shumë shpejt do të destabilizohet rajoni. Ky delegacion duhet t’i bëjë pyetje presidentit, se kush do ta destabilizojë rajonin nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë, sepse unë mendoj që marrëveshja me Serbinë mund dhe mos të arrihet…delegacioni duhet të kërkoj sqarime se kush mendon ai që do ta destabilizojë rajonin nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë, çfarë informata të sakta i ka për destabilizimin e rajonin dhe pse ka pretendime të tilla”, tha Konjufca.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Evgjeni Thaçi kishte akuza ndaj anëtarëve të këtij komisioni, pasi sipas saj, në asnjë moment nuk është thënë se do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Ajo kishte dhe një pyetje për anëtarët e këtij komisioni, pasi sipas saj askush nuk mund të jetë kundër marrjes së Presheves, Bujanovcit dhe Medvegjës brenda kufirit të Kosovës.

“Një gjë nuk e kam të qartë qysh po mundeni me qitë vetën në pozicionin e Serbisë dhe menduar si ata, se çka keni me lyp ju në dialog me Kosovën. Kush nuk e ka përmend shkëmbimin e territoreve, ndarjen e Kosovës përveç juve…Kush nga ju këtu është kundër marrjes së Presheves, Bujanovcit dhe Medvegjës brenda kufirit të Kosovës? ”, tha ajo.

Nënkryetarja e komisionit, Time Kadrijaj tha se platforma dhe ligji për dialogun e siguron Kosovën e 17 shkurtit me kufijtë territorin dhe sovranitetin aktual.

“Në platformë është përfshi decitidisht se do të respektohet kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti. Për shembull në parimin e gjashtë theksohet se sovraniteti i Kosovës është i panegociueshëm…Kosova është e pavarur dhe duhet të pranojmë kushtetutën dhe ta mbrojmë Kosovën e 17 shkurtit”, tha Kadrijaj.

Ndryshe, në fillim të mbledhjes disa amendamente të deputetit të PSD-së, Dukagjin Gorani për projektligjin e detyrave dhe kompetencave të delegacionit shtetëror, u dërguan për shqyrtim në administratën e Kuvendit për të interpretuar, se a kanë kaluar apo jo.

Në mungesë kuorumi, Platforma për dialogun s’kalon në Komisionin për Punë të Jashtme

Periskopi.com Lajme

Platforma për dialogun me Serbinë, në mungesë kuorumit, nuk ka kaluar në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ndërsa me 5 vota për dhe 4 vota kundër, projektligji për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me shtetin fqinj kaloi në lexim të dytë në seancën e radhës.

Me këtë rast, platforma për dialog u kritikua ashpër nga anëtarët e partive opozitare, duke theksuar se ky dokument nuk e ruan shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, kishte kritika të shumta për platformën e dialogut me Serbinë, pasi saj, ka probleme të mëdha pasi nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Osmani bëri të ditur se kjo platformë nuk e trajton rolin e institucioneve tjera shtetërore, siç thotë ajo, presidenti nuk ka të drejtë të krijojë pozicione, por vetëm t’i mbrojë pozicionet e qeverisë.

Sipas saj, në platformën e dialogut është një pikë që Kosova pa arritur marrëveshje me Serbinë, nuk mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtarë dhe agjencitë e huaja. Kjo sipas saj, është e dëmshme dhe e papranueshme.

“Pa kaluar ligji për dialogun, çdo dokument është i pavlefshëm”, tha Osmani.

Për deputetin e VV-së, Glauk Konjufca, në këtë platformë qeveria nuk pozicionohet qartë karshi pozicioneve që i ka presidenti në këtë platformë.

“Duhet të ketë vetëm një platformë. Ajo është se qysh me ndalë presidentin Hashim Thaçi t’i ndalojë qëllimet e tij për ndarje të Kosovës”, tha ai.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Evgjeni Thaçi, kishte akuza ndaj anëtarëve të këtij komisioni, pasi sipas saj, në asnjë moment nuk është thënë se do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, u shpreh se platforma dhe vetë ligji për dialogun është përpjekje për t’i dhënë fuqi institucioneve të Kosovës karshi situatës në të cilën ndodhet vendi.

Ndërsa, nënkryetarja e komisionit, Time Kadrijaj, tha se kjo platformë dhe ky ligj e siguron Kosovën e 17 shkurtit me kufijtë, territorin dhe sovranitetin./

 

Gjuriq: Platforma e Kosovës është kundër dialogut me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Ka ardhur edhe reagimi i Beogradit për Platformën e Ekipit negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë, transmeton Koha.net.

Ka qenë Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë që, me gjasë, e ka paraqitur qëndrimin zyrtar të vendit të vet lidhur me Platformën.

Ai platformën e ka quajtur “platformë kundër dialogut me Serbinë”, njoftojnë mediet serbe.

“Platforma është listë dëshirash joreale të separatistëve”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “ajo është dëshmi kulmore se Kosova nuk dëshiron dialog.”

Ende shumë punë për kompletimin e Platformës së Dialogut

Periskopi.com Lajme

Edhe pse ishte paralajmëruar që sot do të prezantohet platforma për dialogun me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pasi që ky dokument ende nuk është kompletuar.

As pas dy takimeve që i mbajtën gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e ekipit negociator nuk arritën të dalin me një datë se kur kjo platformë do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Për t’u dakorduar për këtë platformë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të hënën thirri në takim edhe presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, bashkëkryesuesin e delegacionit shtetëror për dialog Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e delegacionit Enver Hoxhajn dhe Visar Ymerin, shkruan Zeri.

Përderisa nuk pati deklarime për medie pas takimit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri të ditur se temë e diskutimit ishte platforma e dialogut që ditëve në vijim do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, pasi e njëjta, sipas tij, ende nuk është kompletuar.

Ekipi negociator po përgatitë platformën e re për dialogun

Periskopi.com Lajme

Ekipi negociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, është duke përgatitur një platformë të bisedimeve, e cila shfaqë unitetin e Republikës së Kosovës, pavarësisht që dy partitë më të mëdha opozitare në vend Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk e kanë përkrahur këtë ekip.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili bashkë me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmetin, janë bashkëdrejtues të delegacionit të Kosovës në këtë proces.

Limaj tha se kjo platformë do të jetë shtylla kryesore ku do të bazohet i tërë procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk ka bërë të qartë nëse përmes kësaj platforme do të bëhen të qarta vijat e kuqe për çka nuk do të mund të bisedohet me Serbinë.

“Ideja është që të dalim me një platformë e cila reflekton qëndrimin unik të Republikës së Kosovës. Si dokument i cili do të jetë udhërrëfyes i delegacionit shtetëror të Kosovës, i institucioneve të Kosovës dhe kështu Kosova ta ketë një mesazh, një zë në bisedimet e ardhshme me Serbinë”, thotë Limaj.

Ekipi negociator që u krijua në gjysmën e dhjetorit të vitit të kaluar nga Kuvendi i Kosovës, është duke pritur koordinim dhe ide për vazhdimin e këtij procesi edhe nga presidenti Hashim Thaçi.

Formimi i këtij ekipi ka ardhur si rezultat i synimit të Qeverisë së Kosovës që ta fuqizojë rolin e saj në bisedimet me Serbinë, çka nga analistët politik shihet edhe si përpjekje për zbehjen e rolin udhëheqës të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë. Ky synim, besohet se është sforcuar shumë pas idesë për “korrigjim të kufirit”, të cilën presidenti Thaçi e mbështetë, por jo edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës.

“Ne e kemi krijuar menjëherë një komision brenda delegacionit shtetëror i cili është duke përgatitur draft-platformën dhe për atë kemi marrë shumë dokumente nga Qeveria, po presim edhe disa dokumente nga Presidenca, ide të ndryshme”, thotë Limaj për Radon Evropa e Lirë.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se platforma përveç që duhet të sigurojë që të jetë një ekip politikisht gjithëpërfshirs dhe të ketë konsensus politik, duhet t’i ketë të qarta vijat e kuqe karshi Serbisë në këtë proces.

“Duhet të jenë vijat e kuqe të përcaktuara në këtë platformë, ku Kosova nuk e cenon integritetin e saj territorial, sovranitetin e saj dhe funksionimin e saj unitar të shtetit të Kosovës. Epilogu duhet të përcaktohet që Kosova duhet të njihet nga pala serbe formalisht, pra njohje reciproke dhe të ketë anëtarësim të palës kosovare në Kombet e Bashkuara”, thotë Jeta Krasniqi.

Me anë të kësaj platforme, sipas saj, duhet të shihet zëvendësimi i Rezolutës 12 44 me një rezolutë tjetër, pasi e njëjtë nuk mund të jetë në fuqi pas arritjes së marrëveshjes finale dhe duhet të ketë mekanizma për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ekipi negociator i Kosovës ka realizuar më 8 janar një takim konsultues me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pas takimit, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ka kërkuar që Kosova të heqë taksën prej 100 për qind të vënë në muajin nëntor.

Dy bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror të Kosovës, Limaj dhe Ahmeti, thanë pas takimit se ia kanë sqaruar zonjës Mogherini rolin e këtij delegacioni dhe gatishmërinë për të diskutuar për të gjitha temat e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të çonin deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me kushtin parësor, njohjen reciproke.

Sidoqoftë, vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fazën e re të këtij procesi, sipas zyrtarëve të BE-së mbetet ende i paqartë, përderisa Kosova e mbanë në fuqi taksën doganore ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Thaçi vetë nuk pajtohet me platformën e Veselit, por ua sugjeron atë partive parlamentare

Periskopi.com Lajme

Presidenti Hashim Thaçi ua ka sugjeruar partive parlamentare Platformën e dialogut të prezantuar nga pasardhësi i tij në krye të PDK-së, aktualisht kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por nuk ka treguar nëse, si prijës në dialog do ta mbështesë këtë dokument në fazën finale të dialogut me Serbinë, e cila rinis këtë të mërkurë, shkruan sot Koha Ditore.

“Presidenca me kujdes analizon çdo dokument apo platformë që ka të bëjë me dialogun, të cilat propozohen dhe bëhet publike nga partitë politike, shoqëria civile etj. Platforma e propozuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, respektivisht nga kryetari i PDK/së, z. Kadri Veseli, gjithashtu është marrë në konsideratë dhe është analizuar”, shkruan në përgjigjen e Zyrës për informim të Presidencës.

Presidenca ka thënë se mirëpret dhe e çmon çdo ide, propozim apo dokument që synon ndërtimin e konsensusit politik në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.