Zaptimi i plazheve publike, Rama: Ligj i ri për mbrojtjen e vijës bregdetare

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar hartimin e një ligji që do të mbrojë vijë bregdetare. Ky ligj i ri, thotë ai do të dërgohet për votim në Kuvend gjatë Vjeshtës.

Reagimi i Kryeministrit vjen pas aksioneve të Policisë së Shtetit për lirimin e plazheve publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

Sipas Ramës, ligji i ri do të mbrojë dhe administrojë nga shteti të gjithë vijë bregdetare shqiptare.

“Pushtimi i plazheve publike dhe rrumpalla në administrimin e plazheve e të territorit bregdetar në tërësi nga njësitë vendore, duhet të marrë fund. Beteja e Policisë së Shtetit dhe inspektoriateve qëndrore, qysh nga fillimkorriku, po ndikon në përmirësimin situatës, por nuk mjafton. Në vjeshtë në Kuvend, ligji i ri për mbrojtjen dhe administrimin e Vijës Bregdetare nga shteti. Kjo pasuri kombëtare i takon popullit dhe pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie; nga tregtarët që nuk lëshojnë kuponat, tek harbutët që zaptojnë plazhet dhe deri tek zyrtarucë shtetërorë e pushtetarë vendorë, të cilët në vend të detyrës ndaj vendit dhe pushuesve, u bëjnë qoka dëmtuesve e zhurmuesve.

“ZeroTolerancë ndaj abuzuesve nuk është moto fushate, po linja e re e qeverisjes”, shkruan Rama në Facebook. /tvklan.al/