Arrestohet i riu nga Peja që hoqi tabelën e rrugës me emrin e meshtarit katolik

Periskopi.com Lajme

Një qytetar i Kosovës është arrestuar sot nga Policia e vendit, pasi kishte hequr tabelën e një rruge, vetëm pse ajo e mban emrin e një meshtari katolik.

Ai, i irrituar nga emërimi i një rruge të fshatit me emrin e një meshtari katolik, ka hequr tabelën njoftuese të vendosur breg rrugës së fshatit. (Një video, e publikuar në rrjetet sociale, shfaq veprimin e tij).

Bëhet fjalë për tabelën njoftuese të rrugës që mban emrin e meshtarit At Lugj Palaj – dëshmor që ra në kryerje të detyrës së shenjtë për njerizimin.

E, pas këtij veprimi, të kryer nga individi i identifikuar si Armend Gashi, Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës që personin në fjalë ta shoqërojë në stacion policor.

Policia është autorizuar gjithashtu që “të njëjtin ta intervistojë lidhur me veprimet e tij”.

Më pas do të vendoset lidhur me veprimet tjera rreth këtij rasti, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënes i Prokurorisë Themelore në Pejë.