Thaçi: Drenica s’do të jetë kurrë më e izoluar

Periskopi.com Lajme

Drenica nuk do të jetë më asnjëherë e diskriminuar apo e izoluar. Do të ketë vetëm mirëqenie dhe progres për këtë pjesë të Kosovës, e cila dha trima të pashembullt që i dhanë liri Kosovës.

Kështu ka deklaruar sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, duke shtuar se asgjë nuk ndodh rastësisht, sepse lindi, u forcua dhe fitoi populli i Kosovës.

Në tubimin përkujtimor ku janë nderuar në 20 vjetorin e rënies martirët e fshatit Polac të komunës së Skenderajt, Thaçi kujtoi se anekënd Kosovës po përkujtohen martirët dhe heronjtë e kombit, teksa shtoi se shteti do të jetë gjithmonë afër familjeve të tyre dhe gjithë shoqërisë.

Dhembja e familjarëve të të rënëve për liri, sipas tij, përcjellë institucionet në vendimmarrje institucionet e vendit.

“Përderisa ne kujtojmë kështu të bashkuar martirët tonë, heronjtë tonë, luftën tonë, të jeni të sigurt se jemi në rrugë të drejtë të forcimit të shtetit tonë, të ndërtimit të së ardhmes, të zhvillimit tonë. Ju e shihni, si gjithë Kosova, edhe Drenica ka ndryshuar. Nuk do të ketë më kurrë, siç ka ndodhur në të kaluarën, izolim apo diskriminim për Drenicën. Do të ketë vetëm ecje përpara, do të ketë vetëm zhvillim, vetëm progres, do të ketë vetëm mirëqenie… Ne duhet të jemi krenarë me të kaluarën tonë, me dinjitet dhe integritet, ato vlera të UÇK-së që janë sublimimi i historisë tonë për liri dhe pavarësi, çdo ditë, çdo minutë, kudo që jemi t’i kultivojmë, t’i forcojmë dhe t’i bartim tek gjeneratat e ardhshme”, tha ai.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pati një mesazh për më shumë punë, në mënyrë që amaneti i të rënëve të vihet në vend.

“Të jemi unik, ta duam njëri – tjetrin, të punojmë për këtë vend, për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë, vetëm atëherë do të themi se kemi çuar në vend amanetin e dëshmorëve”, u shpreh ai.

Në emër të familjeve të dëshmorëve, Rushit Veliu, tha se martirët e Polacit trasuan rrugën e së ardhmes, duke mbyllur kapitullin e luftës dhe duke hapur atë të lirisë.

“Është shumë e natyrshme që sot, edhe dhembja edhe krenaria të jenë bashkë. Ky përvjetor i rënies së këtyre dëshmorëve e martirëve është përvjetor i krenarisë sonë sepse Polaci në të gjitha kohët i dha njerëzit e vet të pendës, të pushkës, të dijes, duke u frymëuar nga vepra e patriotit të madh Hasan Prishtina dhe luftës së komandantit legjendar Adem Jashari… Dëshiroj që këto sakrifica që bënë dëshmorët e martirët tanë për liri e pavarësi, t’i kthejmë në forcë, ta mposhtim çdo pengesë, ta realizojmë amanetin e tyre dhe të ndërtojmë shtetin e ri dhe të pavarur siç e deshën ata”, u shpreh ai.

Në nderim të jetës dhe veprës së të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Polac, u bënë homazhe pranë varreve të tyre.

 

Të riut nga Polaci i Skenderajt i gjenden 19 bimë narkotike në shtëpi

Periskopi.com Lajme

Të martën në fshatin Polac të Skenderajt është arrestuar një i mitur pasi që gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, i janë gjetur 19 bimë të mbjella  të dyshuara narkotike të llojit “Kanabis Sativa”.

Pas marrjes së mostrave bimët e dyshuara narkotike janë shkatërruar, njofton Policia e Kosovës, përcjell Klan Kosova.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Aksident i rëndë në Skenderaj, vdes një person

Periskopi.com Lajme

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në Polac të komunës së Skenderajt.

Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një person.

Rasti në fjalë është konfirmuar edhe nga vetë Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.

“Si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar. Të përfshirë në aksident kanë qenë një veturë dhe një traktor”, ka thënë Zaiti për Indeksonline.

Aksidenti në fjalë ka ndodhur rreth orës 22 ndërsa duhet përkujtuar se aksidentet janë të shumta përgjatë ditëve të fundit në vend.

Dy të ngjashëm ndodhën së fundi edhe në Mitrovicë, duke u bërë kështu aksidenti i tretë i rëndë në këtë regjion përgjatë tri ditëve.