Qysh i gërryen populizmi standardet morale?

Slawomir Sierakowski Op-Ed

Siç kemi parë vitet e fundit, sundimi nga një parti populiste mund të çojë në polarizimin e thellë të një elektorati. Por, ajo gjithashtu gërryen strukturën etike të jetës politike.

Në pamundësi për të mposhtur populistët përmes metodave të zakonshme, partitë tradicionale kanë filluar të imitojnë kundërshtarët e tyre, duke i lënë votuesit pa alternativë tjetër përveçse të përqafojnë cinizmin.

Në shumë vende, madje edhe përkrahësit e partive anti-populliste, kanë filluar të pranojnë me vetëdije sjellje patologjike, thyerje të rregullave dhe madje edhe veprime të paligjshme nga ana e përfaqësuesve të tyre politikë të zgjedhur.

Pas Ligjit të Greshamit i cili mendon se paratë e këqija i dëbojnë të mirat, forcat e opozitës gjithnjë e më shumë ndihen të detyruara të përgatisin skema dhe të mashtrojnë në mënyrë që të fitojnë. Si rezultat, politikanët me skrupuj do ta gjejnë veten në disavantazh. Me gjithnjë e më shumë votues që konkludojnë se populistët duhet të mposhten në lojën e tyre, partitë e opozitës përballen me një zgjedhje midis mbrojtjes së standardeve të tyre etike dhe shpëtimit të demokracisë liberale.

Në këto kushte, politikanët nuk duhet të shqetësohen për humbjen e besimit të mbështetësve të tyre nëse shkelin ligjin në shërbim të partisë. Por, kjo ka tendencë të favorizojë populistët tashmë në pushtet.

Prandaj, partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Polonisë dhe Fidesz në Hungari kanë shijuar një shkallë imuniteti të paparë nga skandalet politike.

Dallimi midis korrupsionit në emër të palës dhe korrupsionit në interes të individit është thelbësor. Në Poloni, kryetari i PiS-it, Jaroslaw Kaczynski, fal nepotizmin e hapur dhe korrupsionin institucional, por dënon format e tjera të vetë-interesit. Zyrtarët e PiS-it punësohen në mënyrë rutinë nga ndërmarrjet në pronësi të shtetit, por me kusht që do të dhurojnë një pjesë të të ardhurave të tyre për partinë.

Dhe, vetë Kaczynski ka raportuar se ka mbyllur një marrëveshje me një biznesmen austriak për të ndërtuar dy kulla të larta në tokën në pronësi të një firme të lidhur me PiS-in. Ndryshe nga kjo, kur u zbulua se kryeministrja polake Beata Szydlo u kishte paguar ministrave të saj shpërblime ekuivalente me pagën e 10 muajve, Kaczynski kërkoi që paratë të dhuroheshin për bamirësi dhe mundësoi nëpërmjet legjislacionit uljen e pagave parlamentare dhe të qeveritarëve të lartë.

Deputetët polakë tani fitojnë rreth 1.800 euro neto në muaj (anëtarët e Parlamentit Evropian fitojnë afro 8.800 euro), gjë që është e mirë për imazhin e partisë, por jo dhe aq e mirë për parandalimin e korrupsionit.

Kohët e fundit, Kaczynski detyroi dorëheqjen e një aleati politik prej një kohe të gjatë, marshallit të Sejm (parlamentit), Marek Kuchcinski, pas zbulimeve se ai kishte përdorur një aeroplan qeveritar për udhëtime private. Kaczynski e kupton që mbështetësit e PiS-it do të pranojnë korrupsion “institucional” që i sjell përfitime partisë, por jo korrupsionin që i sjell përfitime individit.

Kur një politikan përvetëson para ose keqpërdor burimet e qeverisë (siç bëri Kuchcinski), votuesit mund të shohin se akte të tilla nuk u sjellin dobi atyre.

Por, kur një politikan zbulohet se ka ofruar ryshfet ose ka dhënë punë në këmbim të dhurimeve për partinë, votuesit mund të shohin se si këto marrëdhënie korruptive mund të përparojnë “të mirën më të madhe”.

Unë dhe Przemyslaw Sadura nga Universiteti i Varshavës sapo kemi botuar studime mbi qëndrimet e votuesve polakë një muaj para zgjedhjeve parlamentare të Polonisë më 13 tetor. Gjetjet tona zbulojnë shkallën në të cilën cinizmi ka kapur elektoratin polak. Shikoni për shembull përgjigjet e mëposhtme përfaqësuese nga një votues i PiS:

A duhet të falen politikanët si Kaczynski për përfshirjen në korrupsion në një farë mase?

– Jo domosdoshmërish. Nëse po flasim për përfitime materiale individuale, atëherë jo, ai ka marrë fund.

Po sikur të mos kenë qenë për të përfituar ai vetë, por e ëma?

– Nëse do të ishin për partinë, për një të mirë më të madhe, atëherë po, do të priresha ta falja.

Për partinë, jo për veten e tij?

– Po.

Korrupsioni individual mund të jetë i keq jo vetëm sepse shkel standardet morale, por edhe sepse dëmton imazhin e partisë.

Është e lehtë të imagjinohet që mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump ose të kryeministrit britanik Boris Johnson do të ofronin përgjigje të ngjashme.

Në të gjithë perëndimin, cinizmi politik po ngre në këmbë rregullat e politikës dhe po krijon dy sfera të veçanta etike. Akte që votuesit do t’i konsideronin si të papranueshëm në shumicën e fushave të tjera të jetës, papritmas bëhen të virtytshme në një kontekst partizan politik.

Politikanët si kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Kaczynski e filluan karrierën e tyre në rrjedhën e përgjithshme dhe përqafuan populizmin si një mjet për të realizuar ambiciet e tyre politike. Por, politikanët që kanë qenë populistë që në fillim kanë rezultuar akoma më skandalozë.

Trump dhe Matteo Salvini i partisë Liga në Itali, për shembull, në fakt, nxjerrin legjitimitet nga skandali. Duke antagonizuar elitat, mediat, institucionet e huaja (mbi të gjitha evropiane) dhe gjyqësorin dhe duke shkelur normat, ata kanë pretenduar mantelin e “origjinalitetit”.

Skandalet politike, sado të shumta, nuk i dëmtojnë figura të tilla. Përkundrazi, ata i bëjnë ata martirë. Partitë opozitare kanë më pak mundësi për t’u përfshirë në korrupsion publik, sepse ato nuk janë në pushtet. Por, nëse ato mund të gjejnë një mënyrë për të rrëzuar populistët në pushtet duke ndjekur rrugë të ulëta, provat sugjerojnë se mbështetësit e tyre nuk do t’i gjykojnë shumë ashpër për këtë. /Project Syndicate/BIRN/

Tronditëse: Ky është veprimi histerik i Kurtit që trembi edhe simpatizantët e Vetëvendosjes (Video)

Periskopi.com Lajme

Lëvizja Vetëvendosje dje e çeli fushatën e saj zgjedhore në Mitrovicë, komunën që e udhëheq z.Agim Bahtiri, i sapoaderuar në këtë parti.

Ajo që la mbresa të thella te opinioni në vend ishte fundi i fjalimit të kandidatit për kryeministër të kësaj partie, z.Albin Kurti.

Para se të falënderonte turmën për pjesëmarrjen, Kurti përsëriti pesëmbëdhjetë herë rresht dhe në mënyrë ritmike numrin e kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme, 126-shin, shkruan Periskopi.

“Një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, njëqind e njëzet e gjashtë, njëqind e njëzet e gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, njëqind e njëzet e gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë, një-dy-gjashtë” – brohoriti z.Kurti në mënyrë histerike në fund të fjalimit.

Kjo brohorimë në fakt nuk u përcoll nga masa e mbledhur, e cila mos-kuptuese dhe e çakorduar me ritmin e Kurtit, vetëm këqyrte e brengosur dhe duartrokiste pa mundur t’i jepte shpjegim një sjelljeje të tillë nga ana e liderit të tyre.

Efektet e përsëritjes në fjalime politike para masës janë të mirënjohura. Së fundi, është presidenti populist amerikan, Donald Trump, ai që në fjalimet e tij përdorte përsëritjen ritmike për ta ndezur dhe mobilizuar më fort masën.

“Do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish. Do ta bëjmë Amerikën krenare sërish. Do ta bëjmë Amerikën të sigurt sërish. Dhe do ta bëjmë Amerikën madhështore sërish.” – kishte thënë z.Trump në një fjalim.

Në të tjera fjalime gjatë fushatës zgjedhore, ai e përsëriste dhjetëra herë në mënyrë ritmike brohorimën “Lock her up, Lock her up” [shq. Rraseni në burg] në referencë me kandidaten demokrate Hillary Clinton. Por, Trump megjithatë përcillej nga turma ndërsa Kurti u braktis nga simpatizantët e tij.

Përsëritjen ritmike më parë e kanë përdorur edhe politikanët e tjerë të kaheve ekstreme, në veçanti të së djathtës.

Por, përsëritja e një numri të vetëm megjithatë është tepër shterpe dhe e ngurtë në ndjellje të kuptimeve.

Kurti në fund të zgjedhjeve të 2017-s, pasi kishte arritur t’i fitonte 32 deputetë, në Rubikon të KTV-së kishte deklaruar se shumë prej fjalëve të cilat i thotë në fakt si qëllim kryesor e kanë mobilizimin e turmave.

Sidoqoftë, veprimi i djeshëm në Mitrovicë është tepër brengosës. /Periskopi

Paradoksi i populizmit

Simon Johnson Op-Ed

Mposhtja e populizmit, kërkon ballafaqimin me një realitet themelor:politikat e keqija ekonomike, nuk sjellin domosdoshmërisht humbjen e pushtetit nga një qeveri. Në fakt, tashmë është plotësisht e mundur që populistët e papërgjegjshëm të forcojnë shanset e tyre për t’u rizgjedhur, duke bërë premtime edhe më të mëdha por dhe më të pamundura për t’u mbajtur, dhe duke shkaktuar më shumë dëme ekonomike.

Po si mbërritëm në këtë pikë, dhe çfarë masash mund të ndërmarrim, për t’u larguar sa më shpejt prej andej? Faktorët e fuqishëm strukturorë ekonomikë në dekadat e fundit – përfshirë automatizimin, tregtinë dhe krizën financiare – kanë bërë që shumë njerëz që ndihen të shpërfillur apo të keqtrajtuar nga ata, në të djathtë dhe të majtë, që kanë pasur kontrollin e politikave ekonomike.

Kur ngjiten në pushtet populistët anti-establishment, zbatojnë një gamë politikash që gjenerojnë pasiguri dhe dekurajojnë investimet. Dhe një investim më i vogël, do të thotë një rritje më e vogël ekonomike, dhe më pak vende pune të mira. Zakonisht, kjo do të çonte në një mekanizëm reagimi, në të cilin qeveria respective, do të mbante përgjegjësi në kutinë e votimit.

Por populistët po e anashkalojnë këtë mekanizëm, përmes inkurajimit të besimit se mediat janë të njëanshme, ekspertët e kanë përherë gabim, dhe që faktet nuk janë fakte. Sa më shumë që zemërohen njerëzit, aq më e lehtë është t’i bindësh ata që ta pranojnë këtë narrativë.

Dhe Brexit-i është një shembull klasik. Nëse i injoroni, ose nuk u besoni të dhënave ekonomike, atëherë përvoja juaj personale në Mbretërinë e Bashkuar gjatë 12 muajve të ardhshëm mund të jetë kjo:Qeveria e re konservatore, tërhiqet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, e cila pengon tregtinë dhe dekurajon kompanitë të investojnë në Britani. Ose papunësia do të rritet, ose do të ketë më pak punë të mira – ose që të dyja bashkë.

Por a do ta fajësojë elektorati për këtë qeverinë? Ndoshta jo, teksa nivelet e zemërimit do të rriten – një rezultat i drejtpërdrejtë i lëkundjes ekonomike dhe financiare. Prandaj, qeveria do ta ketë më të lehtë të fajësojë për situatën BE-në, ekspertët, akademikët, median dhe emigrantët. Dhe politikanët që janë direkt përgjegjës për fatkeqësinë e Brexit, mund të përfitojnë në zgjedhje.

Në Indi, nacionalistët hindu të kryeministrit Narendra Modi, e zgjeruan mazhorancën e tyre parlamentare në zgjedhjet e fundit, pavarësisht dështimit të qeverisë për të mbajtur premtimet e dhëna ndaj votuesve.

Dhe në Shtetet e Bashkuara, oferta e rizgjedhjes së presidentit Donald Trump, mund të ndjekë një rrugë të ngjashme. Trump duket se synon ta rrënojë ekonominë amerikane, duke zhvilluar një luftë tregtare në shkallë të plotë kundër Kinës. Zakonisht, mund të pritet që kjo të dëmtojë përkrahjen e tij tek votuesit që shqetësohen për qasjen në tregjet e eksportit – sikurse janë fermerët amerikanë.

Në vend të kësaj, mbështetja ndaj Trump në zonat rurale vazhdon të jetë e lartë, ashtu si në pjesë të tjera të bazës së tij elektorale. Tarifat, janë një taksë për konsumatorët, dhe ndërkohë dëmtojnë kompanitë vendase që përdorin lëndën e parë, të cilën e importojnë nga jashtë.

Për shembull, industria vendase e çelikut mund të përfitojë nga tarifat e çelikut, por ka shumë më tepër njerëz të punësuar në industritë që përdorin çelikun, dhe që dëmtohen më shumë nga të njëjtat tarifa. Përkundër kësaj, populistët në SHBA dhe vende të tjera, i mirëpresin format e ndryshme të proteksionizmit.

Nëse kjo e ngadalëson ekonominë, siç ndodh thuajse gjithmonë, votuesit do të zemërohen – dhe do të shpërqendrohen më lehtë. E vetmja mënyrë për ta prishur këtë cikël, janë politikat që adresojnë thelbin e problemit, duke krijuar më shumë vende të mira pune, aty ku ato janë të nevojshme.

Tejkalimi i paradoksit populist – dhe parandalimi i spirales rënëse në ekonomi – kërkon politika që synojnë të krijojnë kudo vende pune më të mira. Hartimi i këtyre politikave, është një premtim që politikanët mund ta mbajnë vërtet, dhe që mbrojtësit e demokracisë liberale, nuk kanë më luksin ta injorojnë.

“Project Syndicate” – Bota.al

Populizmi po merr fund

Gideon Rachman Op-Ed

A mund të jetë 2019-a, viti kur populizmi do të marrë tatapjetën? Në vitin 2016, votat për Brexit dhe Donald Trump, i habitën institucionet politike në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e BAshkuara.

Por viti 2019, është një shans i mirë për të qenë koha kur projekti populist të shembet nën inkoherencën e vet, pasi bëhet gjithnjë e më e qartë se idetë e këqija, kanë pasoja të këqija.

Pretendimet optimiste, të bëra për Brexit në vitin 2016, tashmë kanë rënë. Marrëveshja e kryeministres britaike Tereza Mej me BE-në, është denoncuar si tradhëti nga shumica e udhëheqësve të dikurshëm të fushatës “Leave”.

Por një Brexit pa marrëveshje, që e mbështet tanimë shumica e përkrahësve të daljes nga unioni, kërcënon të shkaktojë vështirësi dhe poshtërim në prag të tij; ndërkohë që një vendim për të mbajtur një referendum të dytë, do të ishte një tërheqje edhe më e zbehtë nga piku i populizmit 3 vite më parë.

Perspektivat për degën amerikane të projektit populist, nuk duken më tërheqëse. Popullariteti i zotit Trump është sërish në rënie dhe tregu i bursës – etaloni i zgjedhur prej tij i suksesit – ka rënë. Robert Myler do të raportojë së shpejti, dhe gjetjet e tij mund të shkaktojë nisjen e procedurave të shkarkimit të presidentit.

Ndoshta më e rrezikshme për presidentin, republikanët kryesorë janë duke u shqetësuar pas pengesave në zgjedhjet afatmesme, dhe dorëheqjes së Xhim Matis si sekretar i Mbrojtjes.

Por, ndërsa është joshëse të argumentohet se populizmi do të nisë të gremiset, kjo është gjithashtu e parakohshme.

Dhe për këtë ekzistojnë 3 arsye kryesore. E para është se, megjithëse politikat populiste janë në vështirësi, forcat ekonomike dhe kulturore themelore që e ngritën lëvizjen, janë ende aktive. Së dyti, populizmi vjen në forma të djathta dhe të majta. Ndërsa versioni i djathtë po has në vështirësi në SHBA dhe Britaninë e Madhe, varianti i majtë mund të forcohet shumë këtë vit.

Arsyeja e tretë është se populizmi, është tashmë një dukuri globale. Politikanët populistë, janë në pushtet nga Brazilia në Budapest, dhe nga Roma në Manila. Zgjedhjet italiane dhe braziliane të vitit 2018, ishin veçanërisht të rëndësishme. Qeveritë e vendit më të madh në Amerikën Latine dhe të një kombi të madh evropiano-perëndimor, drejtohen nga partitë populiste.

Presidenti i Brazilit, Xhair Bolsonaro, ka adoptuar disa nga temat retorike të Trumpizmit, duke përfshirë denoncimet ndaj Kinës, “globalizmin” dhe elitat kulturore. Por zoti Bolsonaro, ndryshe nga modeli i tij i Amerikës së Veriut, mund të ketë një periudhë të ‘muajit të mjaltit’ në vitin 2019, me rritjen e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, pjesërisht për shkak të premtimit të tij për reforma ekonomike liberale.

Mateo Salvini, “fytyra” e populizmit italian, mund të ketë gjithashtu një vit të mirë. Italia, duket se ka shmangur një përplasje me Komisionin Europian mbi defiçitin buxhetor të vendit, dhe shumë italianë duket se e shijojnë një qeveri, që ka një qëndrim më agresiv ndaj Brukselit.

Nëse partia Lidhja e zotit Salvini, del mirë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në muajin maj, ai mund të shkaktojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në shtëpi, duke lejuar që Lidhja të dalë si forca politike dominuese në Itali. Dobësia e financave publike të vendit, nënkupton që populizmi italian është i prekshëm ndaj një reagimi të udhëhequr nga tregu. Por, për momentin, zoti Salvini

është ende në rritje.

Shumë udhëheqës populistë, kanë falënderuar vazhdimisht zotin Trump. Pra, fajësimi (impeachment) i presidentit amerikan, do të kishte me siguri një ndikim në moralin e populistëve në mbarë botën, sikurse edhe mossuksesi i Brexit. Por edhe në qoftë se pararoja anglosaksone e populizmit zhytet në telashe, forcat globale që e nxisin këtë lëvizje, duket të jenë ende të forta.

Frika nga migracioni, pasiguria ekonomike dhe konservatorizmi kulturor, janë ende një koktej i fuqishëm. Apeli ndaj një të kaluare të thjeshtë, do të vazhdojë. Damares Alvesh, ministri për gratë në qeverinë e Bolsonaros, u zotua javën e kaluar se në Brazilin e ri “burrat do të vishen në blu, dhe vajzat në rozë”.

Çështjet kulturore, e ushqejnë populizmin e së djathtës. Ndërkohë, varianti i majtë i populizmit, do të vazhdojë ta vërë theksin tek të drejtat e pakicave dhe ekonomia. Viti i ardhshëm, mund të jetë i frytshëm për populistët e majtë. Gara për kandidatin e ardhshëm demokrat për presidencën amerikane, ka filluar.

Shumica e energjisë në parti, duket të jetë duke u harxhuar në krahun e saj “progresiv”, të përfaqësuar nga Elizabet Uoren, Berni Sanders dhe Aleksandria Okasio-Kortez. Këta janë politikanët që sulmojnë të pasurit dhe të privilegjuarit, në një mënyrë që dikur ishte tabu në politikën tradicionale amerikane.

Në Britani, kaosi pas Brexit mund t’i jepte Xheremi Korbinit shansin për t’u bërë kryeministër. Një fitore e Korbin në Britani, do të frymëzonte populistët e majtë anembanë botës, ashtu si Brexit bindi populistët e djathtë (duke përfshirë edhe fushatën Trump), se historia po lëvizte në drejtimin e tyre.

Populizmi i së majtës, ka një degë të rëndësishme në Amerikën Latine. Zgjedhja e Andres Manuel Lopez Obrador si president i Meksikës në vitin 2018, u prit me entuziazëm nga e majta në të gjithë botën. Zoti Korbin, dikur një fans entuziast i Hugo Çavezit në Venezuelë, është një mik i vjetër i Obrador, dhe ishte një i ftuar nderi në ceremoninë e inaugurimit në detyrë.

Centristët pragmatikë, do të dyshojnë se eksperimentet meksikane dhe braziliane me populizmin, do të kenë fatin e Brexit dhe presidencës Trump. Por qendra ka nevojë për disa ‘melodi’ të reja. Politikanët si presidenti i Francës Emanuel Makron, reagimi i të cilit ndaj populizmit, është të luajë edhe më fort muzikën e vjetër, rrezikojnë të mposhten. Populizmi është në vështirësi, por vrulli populist nuk ka kaluar ende.

FINANCIAL TIMES – BOTA.AL

​Papa u përgjigjet politikanëve italianë: Populizmi i vetëm është ai i krishterë

Periskopi.com Lajme

Papa Françesku rekomandoi sot tipin e populizmit të krishterë, pasi u sulmua nga politikanët italianë për mbrojtjen që u bënë ai emigrantëve.

Papa tha sot në Palermo para rreth 100000 njerëz, se “populizmi i vetëm i mundshëm është ai i krishterë.

Qindra-mijëra emigrantë të shpëtuar në Mesdhe në vitet e fundit, janë sjellë në portet italiane.

Papa gjithmonë mbrojti të drejtat e emigrantëve dhe bëri thirrje për solidaritet dhe kjo është arsyeja pse ai u kritikua nga ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini.

 

A po dështon demokracia liberale?

Cathy Young Op-Ed

Nga të gjitha shenjat e jashtme, duket se demokracia liberale është në tërheqje në mbarë botën. Lëvizjet populiste dhe nacionaliste, shpesh haptazi ksenofobike, janë në rritje në Evropë. Amerikanët, kanë zgjedhur një president që admiron hapur Vladimir Putinin dhe Xi Jinpingun.

Komentet dhe analizat e kohëve të fundit, mbajnë tituj të tillë si “Si zhduken demokracitë”. Një mori librash të rinj, përfshijnë “Njerëzit kundër Demokracisë” të Yascha Mounk, “Vetëvrasja e Perëndimit” e Jonah Goldberg dhe “Pse dështoi liberalizmi” e Patrick Deneen.

E megjithatë, çështja nuk është se ka dështuar demokracia liberale. Përkundrazi, liberalizmi – dhe jo domosdoshmërisht ai i llojit të majtë në Amerikë, por një sërë vlerash që përfshijnë lirinë, barazinë, demokracinë, të drejtat individuale, laicizmin, ekonominë e tregut dhe internacionalizmin –ka pasur një sukses në rritje.

Pas rindërtimit të Evropës pas vitit 1945, dhe triumfit në fundin e Luftës së Ftohtë, rendi liberal ka një rekord mbresëlënës për nxitjen e mirëqenies njerëzore. Por, ashtu si çdo sistem tjetër, ai ka kontradikta të brendshme. Sundimi i shumicës demokratike, bie shpesh ndesh me individualizmin; liria, me barazinë; liria fetare, me çlirimin personal; dhe hapja internacionaliste, me nacionalizmin qytetar.

Sukseset e liberalizmit, shpesh i shtojnë këto tensione, të cilat gjithmonë kanë qenë në sfond.

Merrni emigracionin. Siguria dhe pasuria e shoqërive demokratike liberale, i bën ata “magnetë” për njerëzit nga pjesët më pak fatlume të botës, që i ikin varfërisë dhe dhunës, që kanë qenë të pashmangshme për pjesën më të madhe të historisë njerëzore.

Si humanitarizmi, ashtu edhe liria e lëvizjes janë vlera thelbësore liberale; njohja e vlerës së barabartë njerëzore të të gjithë personave, pavarësisht nga raca ose përkatësia etnike është një nga arritjet më të mëdha të liberalizmit modern. Demokracia liberale në Shtetet e Bashkuara, është ndërtuar në veçanti mbi idenë e Amerikës si një vend i ndërtuar nga emigrantët, dhe një shtëpie për kërkuesit e lirisë dhe të mundësive nga e gjithë bota.

Megjithatë, nuk ka nevojë të jesh i pushtuar nga një frikë me një sfond racist, për të menduar që në disa rrethana, emigracioni – veçanërisht, si ai në Gjermani në vitin 2015, një fluks masiv emigrantësh që nuk mund të përshtaten lehtë me normat shoqërore dhe kulturore të vendit pritës, mund të kenë efekte shkatërruese, dhe të shkaktojë tensione sociale të rrezikshme, që nuk lindin thjesht për shkak të paragjykimeve nativiste.

Sidomos në Evropë, debatet mbi emigracionin i kundërvënë shpeshherë qytetarët që besojnë se duhet të kenë një zë në politikat që ndikojnë në jetën e tyre ndaj elitave, që besojnë se të drejtat e njeriut kanë përparësi mbi vullnetin popullor. Kjo çon në atë që Mounk e quan “liberalizmi jodemokratik”, dhe që vjen si një reagim i parashikueshëm që ka fuqizuar populistët anembanë kontinentit, me Viktor Orbanin në Hungari si përfaqësuesin më të njohur.

Në Shtetet e Bashkuara, vijat ndarëse shpesh përfshijnë rolin e fesë dhe ritmin e ndryshimeve shoqërore. Një pjesë e mbështetjes më të fortë ndaj presidentit Trump, vjen nga ungjillorët, që besojnë se të drejtat e tyre janë nën sulmin e kulturës moderne amerikane.

Dikush mund të tallet me disa nga ankesat e tyre, si një version i krahut të djathtë të politikës së viktimizimit. Në të njëjtën kohë, liria riprodhuese për gratë, të drejtat e martesës për homoseksualët dhe lezbiket, dhe të drejtat civile për njerëzit transgjinorë – të gjitha fushat në të cilat liberalizmi ka arritur suksese të admirueshme – mund të ngrejë çështje vërtet të vështira të lirisë fetare, për ata që ndjekin besimet tradicionale rreth seksualitetit dhe gjinisë.

Ndërkohë, në të majtë, konfliktet e brendshme të liberalizmit, janë përshkallëzuar në luftërat e identitetit, dhe në atë që Sohab Ahmari e quan “liberalizëm jo-liberal”. Një nga arritjet më të mëdha të liberalizmit perëndimor të shekullit XX-të, ishte shtrirja e premtimit të barazisë civile dhe sociale për grupet e përjashtuara më herët:gratë, minoritetet racore dhe përfundimisht homoseksualët.

Vitet e fundit, pjesërisht për shkak të pakënaqësisë me ndryshimet kulturore, shtytja për barazi ka shndërruar në atë që kritikët thonë se është e kundërta e saj:një lëvizje të drejtësisë sociale, që i përcakton njerëzit vetëm nga identiteti i tyre, dhe nxit një hierarki të kundërt, në të cilën statusi varet nga “pika e shtypjes”.

Me përqendrimin e saj në ndryshimin e qëndrimeve dhe çrrënjosjen e paragjykimeve delikate, kjo lëvizje është përplasur edhe me një nga vlerat më themelore të liberalizmit:lirinë e fjalës. Progresistët e sotëm, argumentojnë gjithnjë e më shumë se mbrojtja e Amendamentit të Parë për shprehjen e lirë, cilësohet si poshtëruese ndaj njerëzve të margjinalizuar, për të vazhduar shtypjen dhe dëmtuar të dobëtit.

Vlerat e vjetra liberale si liria artistike, po zbehen për shkak të shqetësimeve rreth imperializmit kulturor. Kundërshtimi ndaj “korrektesës politike” dhe anktheve rreth shkeljeve të lirisë fetare, kanë kontribuar që të dyja në zgjedhjen president të Donald Trump. Dhe sigurisht që ka faktorë të tjerë që kanë çuar në krizën aktuale – nga dështimet katastrofike të politikës së jashtme, tek revolucioni i medias sociale.

Së bashku, të gjithë këta faktorë kontribuojnë në një cinizëm ndaj një sistemi liberal, që pavarësisht nga tensionet që nuk u është dhënë zgjidhje, i kanë shërbyer për mirë kombeve perëndimore. Nga Hungaria tek Brezi i Ndryshkut, konservatorët po përqafojnë gjithnjë e më shumë një vizion të shoqërisë, bazuar në të drejtën e të lindurit në vend, dhe jo në vlerat e përbashkëta.

Ndërkohë, shumë progresistë në kampin e “drejtësisë sociale”, argumentojnë se liberalizmi tradicional është i “ndotur” në mënyrë të pashpresë nga racizmi dhe shtypjet e tjera. Këto nuk janë shenja se demokracia liberale është një dështim, vetëm se shumë njerëz janë duke hedhur poshtë normat, që janë ende thelbësore për një shoqëri të mirë.

Kjo nuk është hera e parë që disa kanë shpallur vdekjen e demokracisë liberale. “Demokracia, mund të jetë tek e fundit një aksident historik, një parantezë e shkurtër që mbyllet para syve tanë”- paralajmëroi intelektual francez Jean-Francois Revel në librin “Si zhduken demokracitë”, botuar në vitin 1983.

Asokohe, kërcënimi ishte ajo që ai e pa si paaftësia e demokracisë, për t’i rezistuar në një mënyrë efektive ekspansionit komunist. Tetë vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik ishte shembur. Ndoshta, në një çerek shekulli tjetër, paniku aktual mbi liberalizmin e rrezikuar, do të duket i ekzagjeruar. Por për të kapërcyer krizën, ne duhet të përballemi me tendencat vetë-mposhtëse të liberalizmit, ta frenojmë arrogancën e tij, dhe të ri-zbulojmë virtytet e përulësisë dhe pluralizmit të vërtetë. / Në shqip nga Bota.al