Numërohen 40 % të votave me postë

Periskopi.com Lajme

Nga mëngjesi i sotëm, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i fletëvotimeve të ardhura me postë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka dhënë më shumë detaje për Klan Kosovën se si ka shkuar ky proces deri tani.

“Prej orës 10:00 të ditës së sotme, kemi filluar me numërimin e 13 mijë e 500 fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit gjatë periudhës kohore 19 shtator deri më 5 tetor 2019”.

“Procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve është duke vijuar pa ndonjë problem. Grupet numëruese kanë numëruar gjatë gjithë këtyre orëve dhe në bazë të të dhënave të fundit janë diku rreth 40 % të fletëvotimeve të cilat janë numëruar deri tani”.

“Në bazë të kësaj dinamike, po shpresojmë që gjatë ditës së sotme, deri në mesnatë, do të arrijmë ta përmbyllim numërimin e këtyre fletëvotimeve”.

Elezi ka thënë se rezultatet e numërimit të këtyre fletëvotimeve transmetohen vazhdimisht në tabelën që është e vendosur në QNR.

“Rezultatet janë duke u transmetuar në tabelë në QNR – e cila përditësohet vazhdimisht sapo të kemi të dhëna nga një tavolinë numërimi”.

Numërimi i votave me postë pritet të përfundojë sonte

Periskopi.com Lajme

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve me postë, proces ky i cili sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi është duke shkuar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

Elezi për KosovaPress tha se procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve, të cilat kanë ardhur përmes postë është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë.

Madje ai është shprehur optimist se ky proces do të përfundojë sonte, ndonëse në mëngjes është thënë se numërimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

“Deri më tani numërimi i fletëvotimeve jashtë vendit po ecën sipas dinamikës e cila është paraparë këtu në QNR, pra janë 23 tavolina ku po zhvillohet procesi i rinumërimit gjithsej janë 13 mijë e 491 fletëvotime nga jashtë vendit të cilat kanë ardhur gjatë periudhës 19 shtator-5 tetor 2019. Po shpresojmë që brenda një kohe të shkurtër në variantin jam optimist që deri në përfundimin e kësaj dite të përmbyllet numërimi i këtyre fletëvotimeve dhe me mundësi që nesër mos të ketë fare nevojë. Sido që të jetë më vonë do të arrijmë të mësojmë nëse sot me përmbylljen e kësaj dite të përfundojë procesi i numërimit”, u shpreh Elezi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se deri tani nuk kanë hasur në ndonjë pengesë, dhe se numërimi i votave me postë është duke u përcjell edhe nga vëzhgues të partive politike dhe organizatave jo qeveritare.

“Nuk ka pasur ndonjë pengesë e cila është paraqitur në ndonjë nga grupet e numërimit, siç mund ta shihni numërimi është duke u përcjellë edhe nga vëzhguesit e subjekteve politike dhe të organizatave jo qeveritare”, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në këtë proces të numërimit të fletëvotimeve që kanë ardhur përmes postës nuk janë duke u numëruar ato vota, të cilat kanë arritur pas përfundimit të afatit për pranim të fletëvotimeve me postë e që ka qenë data 5 tetor.

Rezultati i këtij numërimi është duke u përditësuar kohë pas kohe në tabelën e QNR-së.

Deri në këto momente janë numëruar gjithsej 5242 fletëvotime nga numri total 13 mijë e 491 vota.

Në bazë të rezultatit prinë Lëvizja Vetëvendosje me 2553 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 972 vota. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës deri tani ka marrë 825 vota nga diaspora.

Koalicioni AAK-PSD deri tani ka marr 369 vota kurse koalicioni Nisma- AKR-PD ka marr gjithsej 356 vota.

Gjatë ditës kreu i KQZ-së Valdete Daka ka parë nga afër në QNR procesin e numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë.

Votimi përmes postës përfundon më 5 tetor

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës ku u diskutua lidhur me votimin përmes postës, i cili ka filluar më 19 shtator dhe përfundon më 5 tetor.

KQZ thotë se fletëvotimet duhet të pranohen nga ky institucion më së largu më 5 tetor 2019.

Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 6 tetor 2019.

Sipas vendimit të KQZ-së, bazuar në listën përfundimtare të votuesve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa, KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02% fletëvotime më pak se votues.

Deputeti Selmanaj përplaset me kryeshefin e Postës: Fol veç kur t’ua jepi fjalën unë, nuk jeni në Postë

Periskopi.com Lajme

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike që në rend dite kishte shqyrtimin e raportit të Auditimit të Postës, Telekomit të Kosovës dhe Ujësjellësit të Prishtinë.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha se në mungesë të kuorumit nuk mund të mbahet mbledhja, sipas të cilit kjo po tregon se nuk po funksionon asgjë as brenda Kuvendit të Kosovës.

Selmanaj: Raporti i auditorit është më se negativ për të gjitha këto institucione

“Unë e kam pasur vetëm një informatë zyrtare prej deputetit Avdullah Hotit që s’është këtu, për të tjerët s’kam asnjë informatë. Kjo si rezultat po nxjerr që shumë çështje të rëndësishme siç është Posta, Telekomi, ujësjellësi Prishtina, për të cilat kemi çka të diskutojmë mjaft, sepse raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit është më se negativ për të gjithë këto institucione, por në mungesë të deputetëve ne jemi të detyruar me mbyll sot dhe po e shty takimin për të premten në orën 10:00. Do të provojmë maksimalisht që mos të shkojmë në pushim veror pa i kryer së paku edhe këto tri institucione. Ju kërkoj ndjesë që pritet kaq gjatë, por ky është realiteti”, tha Selmanaj.

Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, i cili tha se nuk duhet të jepen paragjykime për raportin para se të diskutohet për të.

Hoxha: Nuk është mirë më dhënë paragjykim

“Për hir të korrektësisë të kryetarit meqenëse nuk e diskutuam raportin e auditimit nuk është mirë më dhënë paragjykim para se me u diskutua në Komision”, tha Hoxha.

Ndërsa, reagimi i deputetit Selmanajt ishte i ashpër, duke i thënë se mund të flasë vetëm kur t’ua jap fjalën.

Selmanaj-Hoxhës: Fol veç kur t’ua jepi fjalën unë, nuk jeni në Postë.

“Drejtor, veç kur t’ua jep fjalën unë, sepse unë i menaxhoj senet, s’e nuk jeni në Postë. Kështu që shihemi të premten”, tha Selmanaj.

Mbledhja e radhës për shqyrtimin e këtyre pikave sipas rendit të ditës u paralajmërua se do të mbahet të premten në orën 10:00.

Mustafa: Kontrata me Z Mobile nuk ishte e dëmshme, e tha edhe gjykata (Video)

Periskopi.com Lajme

Agron Mustafa, ish-kryeshef i Postës dhe Telekomit thotë se kontrata e PTK’së me Z Mobile nuk ka qenë e dëmshme për këtë ndërmarrje, raporton Periskopi.

Mustafa thotë se këtë gjë e kishte konstatuar Gjykata e EULEX’it.

‘’Kontrata me Z  mobile nuk ka qenë e dëmshme për Postën.Procesi gjyqësor ka thënë se kontrata me Z mobile nuk është e dëmshme’’, tha Mustafa.

Për shkak të korrektësisë, unë e interpretova një vendim të gjykatës së EULEX’it se a ka qenë apo jo. Vendimi dy shkallor e ka vlerësuar ashtu. Cka deklarojnë këtë tjerët, nuk kisha komentu.

Ndërsa Zeka thotë se ka kontrata hala më të zeza se sa Z Mobile nga Posta.

Ai po ashtu tregon se Posta në vit, paguan 7 apo 8 milionë euro veç qera./PERISKOPI/

Debat Plus me Ermal Pandurin – Kush e shkatërroi PTK-në? – 05.07.2019

PRAPASKENAT E DEGRADIMIT TË TELEKOMIT TË KOSOVËS Agron Mustafa – Ish-kryeshef i Telekomit të KosovësFidan Rama – Drejtor i Informacionit, Rtv Dukagjini Milaim Zeka – Deputet i Kuvendit të Kosovës, Nënkryetar në Komisionin Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala, Lider i PEK

Posted by RTV Dukagjini on Friday, 5 July 2019

 

Zeka: Stupcat ia morën gjysmë milioni euro Postës, 150 mijë prej tyre i dhanë ryshfet

Periskopi.com Lajme

Deputeti Milaim Zeka gjatë debatit në Tv Dukagjini, përballë ish-drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa tha se ekipi i humoristeve të njohur si “Stupcat”, ka marrë nga Telekomi i Kosovës rreth gjysmë milioni euro, 150 mijë prej të cilave sipas tij i kanë dhënë ryshfet.

“Stupcat i kanë marrë dikund një sponzorizim dikund 500 mijë euro. Unë kam informacion brenda policisë së Kosovës që nga ato, Stupcat i kanë dhënë ryshfet 150 mijë euro. Kujna ja kanë dhanë nuk e di, le të kallxojnë ata”, u shpreh Zeka.

Ndërsa një përgjigje për këtë e pati Mustafa.

“Stupcat kanë qenë me 411 mijë saktësisht plus TVSH-ja, për periushë 2-vjeçare. Gjatë asaj peruidhe kanë realizuar diku rreth 50 reklama apo pak ma pak ose ma tepër nuk e di saktësisht, ka qenë kontratë e realizuar përmes kushteve të prokurorimit publik”, u përgjigj Mustafa.

Ai tha se nuk kishte pasur asnjë lloj ryshfeti sa i përketë kontratës me Stupcat. /Periskopi

Mustafa-Zekës: Je manipulant dhe i pabesë, ky ia kthen: Pse po më tutesh pra (Video)

Periskopi.com Lajme

Deputeti Milaim Zeka dhe ish-kryeshefi i PTK’së, Agron Mustafa sonte janë përplasur në ‘Debat Plus’, duke bërë akuza ndaj njëri-tjetrit rreth funksionimit të Postës dhe Telekomit, raporton Periskopi.

Përderisa Mustafa tha se sa ishte në këtë post, kishte nënshkruar kontrata edhe për bizneset e Milaim Zekëës, për t’i sponsorizuar, Zeka pastaj ka reaguar ashpër.

‘’Kam mendu që ke pak burrëri për gjëra private. Kemi fol për konfliktin që e ke pasë me drejtorin e Bordit. Kam folë për gjana për të cilat kam pasë fakte. Më ke shantazhu mua’’, tha Zeka

Mustafa: Fjala jote është e pabesuar dhe manipulative.

Zeka: Pse po më tutesh masi fjala ime qenka e pabesueshme.

Mustafa:  Me të pasë ngu ty, nuk kisha ardhë këtu.

Zeka:Unë nuk manipuloj, sepse këtë e përcakton publiku./PERISKOPI/

Debat Plus me Ermal Pandurin – Kush e shkatërroi PTK-në? – 05.07.2019

PRAPASKENAT E DEGRADIMIT TË TELEKOMIT TË KOSOVËS Agron Mustafa – Ish-kryeshef i Telekomit të KosovësFidan Rama – Drejtor i Informacionit, Rtv Dukagjini Milaim Zeka – Deputet i Kuvendit të Kosovës, Nënkryetar në Komisionin Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala, Lider i PEK

Posted by RTV Dukagjini on Friday, 5 July 2019

Posta i dhuron Clintonit pullën postare me imazhin e punuar në bronz

Periskopi.com Lajme

Në kuadër të tematikës “20 Vjetori i Lirisë”, Posta e Kosovës promovon pesë pulla postare me imazhet e miqve më të mëdhenj që i ka populli ynë, Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton, dy Sekretareve të Shtetit, zonjës Madeleine Albright dhe Hillary Clinton, Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, si dhe Komandantit Suprem të NATO-s, gjeneralit Wesly Clark në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me nderime të larta e pritën dhe i dhuruan pullën e parë postare të punuar në bronz me imazhin e mikut tanë më të çmuar amerikan, që sot arriti në Kosovë, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton.

Këto personalitete botërore janë meritore që përkrahen luftën e drejtë të UÇK-së, organizuan Konferencën e Rambujesë për Kosovën, morën vendimin për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj ushtrisë pushtuese ish jugosllave, shpëtuan popullin shqiptar të Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi serb.

Populli i Kosoves do t’u mbetet përjetësisht mirënjohës këtyre personaliteteve dhe shteteve anëtare të NATO-s që ishin të rreshtuara në krah me të drejtën tonë historike, ato hynë triumfalisht në Kosovë, më 12 qershor 1999, si dhe jemi shumë falënderues për qëndrimin e tyre 20-vjeçar në ruajtjen e paqes.

Filatelia e Postës së Kosovës është përkujdesur që përmes pullave postare të nderojë miqtë e popullit të Kosovës në 20 vjetorin e lirisë, ashtu siç u nderua ditë më parë edhe ish Presidentin e SHBA-ve, Woodrow Wilson për përkrahjen që i dha kombit shqiptar para 100 vitesh në Konferencën e Paqes në Paris.

Digjet posta e vjetër në Krushevc të Dragashit

Periskopi.com Lajme

Policia raporton se në fshatin Krushevc të Dragashit është raportuar se në rrethana të panjohura nga zjarri është përfshirë objekti i postës i cili gjendet jashtë funksioni.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime në njerëz.

 

Posta nderon veprat e artistit Esat Valla

Periskopi.com Lajme

Në kuadër të tematikës “Arti vizual: Esat Valla – veprat”, Filatelia e Postës së Kosovës emetojë pullat postare me imazhet artistike të piktorit të shquar kosovar, Esat Valla.

Esat Valla u lind në Gjakovë më 22 prill 1944, artin vizual kosovar e begatoi me vepra që japin kuptimin dhe narracionin e veçantë të një surrealisti, që padyshim kanë vlerë të pamohueshme jo vetëm artistike, por edhe historike. Periudhat e krijimtarisë së artistit janë po ato të popullit dhe atdheut të tij. Megjithatë, siç shprehet vet piktori: “Në art është prezente fshehtësia, duhet të kemi respekt për atë fshehtësi, kur njeriu mendon se e ka zbuluar, ajo është zgjuar edhe është thelluar diku pas”.

Tri pulla postare që emetohen në kuadër të këtij emisioni prezantojnë dy periudha të krijimtarisë së Vallës. “Hasjanja pranë dritares” dhe “Hasjanja pas parmakëve”, të realizuara në vitet e mëhershme paraqesin preokupimin e piktorit për të paraqitur të kaluarën e veshjeve autoktone të vajzave të Hasit. “Dritarja, roleta e këputur” paraqet shqetësimet e viteve ‘81-‘91.

Veprat e piktorit Esat Valla janë mjaft të pasura me simbolikë mistike, dyer të vjetruara ndër shekuj, dollapë, dritare, imazhe të zakonta me konkretësinë e tyre tërheqëse. Veprat e tij kanë si pikë referimi eksperiencën e vet artistit, atë profesionale dhe atë jetësore, duke denoncuar pashtershmërinë e imazheve, ndjeshmërinë dhe risinë e tyre, raportin midis së shkuarës dhe të tashmes, referimet simbolike, të cilat në kontekstin e tyre më të plotë përmbajnë shenjën që mbart ky artist.

Filatelia e Postës së Kosovës do të angazhohet që përmes imazheve të pullave postare të afirmojë vlerat tona artistike dhe kombëtare.

Ministri Lluka bën dallimin e pagave në Postë dhe Telekom

Periskopi.com Lajme

Ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka ka folur edhe për Postën e Kosovës. Ai ka treguar edhe sa janë pagat në Postë, në dallim me Telekomin.

“Posta e Kosovës është një nga ndërmarrjet e pakta që ka bërë ristrukturimin. Dy herë janë ulur pagat”, tha Lluka në Puls të KTV-së.

Lluka tregoi se derisa në Telekom paga sillet rreth 1 mijë euro, në Postë është rreth 760 euro, ose mund të shkojë deri 770.

“Kur janë ndarë Posta dhe Telekomi, Postës i kanë mbetur shumë obligime. Por me kohë është bërë ristrukturimi, dhe edhe numri është zvogëluar e po ashtu edhe paga”, tha Lluka.

Ministri tha se edhe shpenzimet në Postë janë shumë të vogla.

“Ta zëmë udhëtimet zyrtare, në krahasim me të tjerat, i kanë vetëm rreth 3 mijë euro. Në postë janë dikur 1 mijë e 20 punëtorë. Pra, paga në vit shkojnë diku 9 milionë euro”, tha ministri Lluka.

Këto janë kompanitë që duan ta blejnë Telekomin

Periskopi.com Lajme

Katër kompani ndërkombëtare janë interesuar për të privatizuar Telekomin e Kosovës, përkundër që nuk kishte një proces të hapur për shitjen e kësaj ndërmarrjeje.

Kërkesën për privatizim të Telekomit këto kompani e kanë paraqitur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Deri më tani interesim për privatizimin e Telekomit kanë shprehur disa kompani ndërkombëtare, si: A1 Telekom Austria, Orange, Rockaway Capital i PFF Group dhe Artiller One”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

MZhE-ja tutje ka shpjeguar se fillimisht duhet të plotësohen disa parakushte para se Telekomi të shitet.

“Ristrukturimi i ndërmarrjes me asistencë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilët Qeveria e Kosovës, do të punojnë ngushtë për përgatitje të këtij procesi privatizues”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Në ministri kanë thënë se të gjitha kompanitë do të kenë qasje të barabartë në procesin e privatizimit të Telekomit.

Kompania më e zëshme në garë për të blerë Telekomin e Kosovës ka qenë kompania Artillery One, pronar i të cilës është Daniel Peter Cannon. Kryeministri Haradinaj i ka pritur në takim krerët e kësaj kompanie vetëm një ditë para se qeveria e Kosovës të vendos për shitjen e Telekomit të Kosovës.

Senton Kaçaniku, përfaqësues i kompanisë “Artillery One” ka thënë për KALLXO.com se kanë kërkuar nga MZHE-ja qasje në të dhënat financiare të Telekomit, në mënyrë që të vlerësojnë vlerën e kësaj kompanie.

Sipas Kaçanikut, kompania ka qenë e interesuar të blejë deri në 75 % të aksioneve të Telekomit, përmes çfarëdo procedure që do ta sugjeronte MZhE-ja dhe Qeveria.

“Vetëm pas këtij procesi të ‘due diligence’, ne do të mund të vazhdonim më tutje me një ofertë specifike për blerje të 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës përmes cilësdo procedurë që pritej ta sugjeronte MZhE, pra kemi qentë të hapur qoftë për aplikim për status të investitorit strategjik, qoftë përmes cilësdo procedurë që Qeveria e Kosovës do ta përcaktonte me kohë”, ka deklaruar Kaçaniku.

Në anën tjetër Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për KALLXO.COM, ka thënë se ‘Artillery One’ kishte kërkuar eksluzivitet në procesin e privatizimit dhe komercializimit.

“Subjekti në fjalë (Artillery One) ka dërguar në Ministrin e Zhvillimit Ekonomik një shprehje të interesit për të ndërmarrë një analizë mbi veprimtarinë financiare, strukturën organizative dhe asaj te kapitalit si dhe asetet ekonomike dhe ato te pronësisë intelektuale të kësaj ndërmarrje. Ndër të tjera në shprehjen e interesit të njëjtit kanë kërkuar ekskluzivitet gjatë fazës së analizës dhe përparësi absolute në gjithsecilin proces të privatizimit ose komercializimit të ndërmarrjes në fjalë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas MZhE-së, Telekomi në këtë fazë nuk është i hapur për privatizim ose komercializim. Sipas MZhE-së kërkesa e ‘Artillery One’ e cenon bazën ligjore si vlera të ekonomisë së lirë të tregut dhe konkurrencës.

Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për privatizim të Telekomit, Drejtori i kompanisë “Artillery One” për Kosovë, Senton Kaçaniku thotë se mbeten të interesuar për të privatizuar Telekomin e Kosovës. Vazhdimi e interesimit të kësaj kompanie, ai e ka lidhur me takimin që përfaqësuesit e kompanisë kanë pasur me kryeministrin Haradinaj.

Më parë, Artillery One kishte deklaruar se tërhiqet nga interesimi për privatizim të Telekomit me arsyetimin se nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik./Kallxo.com

Droga vjen edhe me postë në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Në zyrën për zhdoganime postare në Prishtinë erdhi një dërgesë e pazakontë. Ajo dukej të ishte një CD, por që në mbështjellësin e saj, u gjet një substancë e ndaluar.

Midis mallrave të shumta në postën doganore në Kosovë u gjet drogë që erdhi nga Gjermania.

Bëhet fjalë për amfetaminë që ishte fshehur nën mbulesën e një CD’je.

Por 50 gramët e kësaj substance narkotike nuk janë të vetmet me të cilat zyra për zhdoganime postare është përballur.

Këto veprime kanë bërë që Dogana e Kosovës të jetë më vigjilente.

Rasti i amfetaminës është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti e cila tha se substanca e dyshuar është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

 

Punëtorët e Postës kërkojnë pagat nga Qeveria

Periskopi.com Lajme

Punëtorët e Postës së Kosovës, të mbështetur nga BSPK, kanë mbajtur një protestë para Qeverisë së Kosovës, ku kanë kërkuar pagat e muajit gusht, si dhe shtimin e disa shërbimeve tjera në postë.

Etrit Hotim kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, tha se greva tre ditore e tyre ka për qëllim ta informojë opinionin publik për mosmarrjen e pagave të muajit gusht. Për këtë, ai tha se fajtorë janë institucionet dhe rastin e quajti papërgjegjshmëri të tyre.

Video “Ka tri ditë që ne kemi zhvilluar një grevë për senzibilzimin e opinionit publik e institucioneve tona, që ju dhe ne ende nuk i kemi marrë pagat e gushtit, me qëllimin e vetëm që Posta e Kosovës nuk ka arritur të ketë mjete të ekzekutojë pagat për shkak të papërgjegjshmërisë të institucioneve bartëse… I duam skemat pensionalem duam PostBankën, i duam të gjitha shërbimet shtetërore të cilat për neve krijojnë jo një stabilitet afatgjatë, por një stabilitet të përhershëm”, ka thënë Hoti.

Kurse Naser Gashi, kryetar i sindikatës “Postieri”, tha se posta e Serbisë operon lirshëm në Kosovë, dhe sipas tij, po ua merr një pjesë të tregut Postës së Kosovës. Ai tha se askush nuk ka reaguar për këtë dhe kërkoi nga qeveria që t’i rimbursohen humbjet e shërbimit postar, që sipas tij arrijnë deri në 5 milionë euro.

“Ne nuk duam asgjë më shumë, por asgjë më pak. Duam që të na rimbursohen humbjet e shërbimit universal postar, gjë që qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj dhe duke e ditur se të gjitha formalitetet tjera janë kryer”, ka thënë Gashi.

Kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lami Balaj, tha se po kërkojnë nga qeveria që ta respektojnë ligjin dhe kërkoi nga ministri i Financave që t’ua japë pagat.

“Sot është data 13 dhe ju nuk keni marrë paga, ndërsa ministri i Financave, një javë para bajramit del edhe shitet krenar që ua ka qitë paret e shtetit, taksat tona ndërmarrjeve tjera ose shërbyeseve civilë në Kosovë. I nderuar ministër, paguj borxhet që ia ki njerëzve edhe mos i le njerëzit pa paga sepse është marre për juve”, ka thënë Balaj.

Të pranishëm ishin edhe kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilat ofruan mbështetjen e këtyre sindikatave për protestë.

Pas fjalimeve, shefi i kabinetit të kryeministrit i pranoi në një takim përfaqësuesit e këtyre sindikatave.

Pavarësisht se protestuesit në fillim thane se nuk largohen pa dale kryeministri, pas takimit të përfaqësuesve, ata u pajtuan ta ndërprenë protestën deri në një afat të pacaktuar.

Ndërkaq, nesër në ora 16:00, kryeministri Haradinaj do ta presë në takim delegacionin e këtyre sindikatave.

 

Menaxhmenti i Postës përkrah grevën e punëtorëve

Periskopi.com Lajme

Bordi i Drejtorëve të Postës dhe menaxhmenti kanë dal me një komunikatë për media me anë së cilës e përkrahin grevën e punëtorëve e cila ka filluar sot.

Punëtorët e Postës kanë hyrë në grevë duke kërkuar pagat të cilat ende nuk i kanë marr.

Sipas komunikatës bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i ndërmarrjes kanë reaguar para disa muajve, që nëse nuk kryhet mbulimi i Shërbimit Universal Postar nga Qeveria, ndërmarrja do të përballet me probleme financiare dhe nuk do të mund të bëhet ekzekutimi i pagave për punonjësit,  si e drejtë themelore e garantuar me ligj.

“Menaxhmenti  me datën 6 shtator 2018 i ka dërguar shkresën e fundit në Qeveri, përmes së cilës ka njoftuar se i ka  plotësuar të gjitha parakushtet ligjore përfshirë edhe konfirmimin nga ARKEP-i, që Shërbimi Universal Postar të mbulohet nga Qeveria dhe ka mbi një muaj që kjo çështje është në dorën e Qeverisë për ta kryer rimbursimin”, thuhet në komunikatë.

Siç thuhet në komunikatë deri më tani borxhi i pa paguar nga Qeveria e Kosovës për Shërbimin Universal Postar ka arritur vlerën rreth 5 milionë euro, dhe pikërisht mos pagesa e këtij borxhi e ka sjellë këtë situatë në të cilën ndodhen  sot.

“Menaxhmenti i ndërmarrjes ka shpenzuar këto mjete nga të hyrat vetanake të ndërmarrjes për ta ofruar Shërbimin Universal Postar, sepse Ligji mbi Shërbimin Postar e obligon për ta kryer një shërbim të tillë, si dhe i njëjti ligj e obligon Qeverinë pastaj të rimbursojë Postën për humbjet e shkaktuara nga ky shërbim”,  thuhet në komunikatë.

Menaxhmenti i ndërmarrjes i vlerëson kërkesat e punonjësve si të drejta dhe të ligjshme, sepse mos kryerja e këtij obligimi financiar nga Qeveria ka pamundësuar ekzekutimin e pagave.

Këtë çështje e kemi diskutuar dhjetëra herë me përfaqësuesit sindikal dhe me punonjës të ndërmarrjes.

Menaxhmenti i ndërmarrjes situatën e vlerëson si shumë shqetësuese dhe i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të merr sa më parë vendimin për të mbuluar Shërbimin Universal Postar, që punonjësit t’i marrin pagat dhe ndërmarrja të kthehet në gjendje normale.

Çdo shtyrje e këtij vendimi, vetëm sa do ta thelloi krizën në ndërmarrje dhe do të krijoi pasoja të rënda negative në të gjitha aspektet.

 

Punëtorët e Postës në grevë, paralajmërojnë edhe protesta në rrugë

Periskopi.com Lajme

Punëtorët e Postës së Kosovës që nga sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme për shkak të mos marrjes së pagave të tyre për muajin shtator.

Për këtë ata po paralajmërojnë edhe protesta në rrugë. Në grevë kanë hyrë të gjitha degët  e  Postës së Kosovës në shtatë regjione të vendit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti  tha se greva nuk do të ndërpritet deri në ekzekutimin e pagave për punëtorët.

Sipas tij këta punëtorë kërkojnë edhe një garanci  se më nuk do kenë vonesa të marrjes së pagave.

“Punëtorët e Postës së Kosovës, kolegët e mi deri sot më datën 10 nuk u janë realizuar apo ekzekutuar pagat e Postës së Kosovës. Organizimi i grevës bëhet me qëllimin final realizimin e pagave…një garancion  që nuk do të përsëritet të njëjta seriale për çdo muaj për punëtorët e Postës së Kosovës që do të thotë realizimi i shërbimit të subvencionimit universal postar që do të thotë marrja e shërbimeve shtetërore publike”, tha Hoti.

Hoti po ashtu ka deklaruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen ata do të vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e tyre përmes protestave.

“Hapat sindikalë do të ndryshojnë, do të bëhen më të ashpra. Kjo është një grevë që fillon sot dhe nuk përfundon deri në realizimin e kërkesave, forma dhe mënyra e protestës do të ndryshojnë në të ardhmen nëse nuk realizohen kërkesat tona”, tha Hoti.

Sipas tij Qeveria e Kosovës nuk ka reflektuar lidhur me kërkesën e tyre për shërbimin universal postar,  ndonëse një premtim i tillë e kishte marr kohë më parë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Njëra nga punëtoret e Postës Albulena Paçarada, është e shqetësuar për mos marrjen e pagës së saj duke thënë se kjo po ndikon negativisht tek familjet e tyre.

Ajo shton se për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tyre nga Qeveria, po detyrohen që shërbimet e tyre ndaj konsumatorëve t’i ndërpresin.

“Po më vjen keq prej konsumatorëve që nuk po mundemi me krye shërbime për shkak se kërkesat tona nuk i kanë plotësuar ende qeveritarët. Po ne do të vazhdojmë me grevë derisa të na plotësohen kërkesat tona. Po ndikon negativisht, normal që mos me marr deri me të 10-in pagat ndikon negativisht në familjet tona”, tha Paçarada.

Punëtorët e Postës së Kosovës kanë mbajtur grevë edhe gjatë muajit korrik të këtij viti për shkak të mos marrjes së pagës së tyre, dhe mos plotësimit të kërkesave të tyre.

 

Posta e Kosovës sot hyn në grevë

Periskopi.com Lajme

Kriza financiare në të cilën aktualisht është Posta e Kosovës ka bërë që punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje të mos u dalin pagat e muajit shtator.

Kjo pasi ndërmarrja ka shënuar humbje të vazhdueshme në ofrimin e shërbimit të saj postar, ndërsa Qeveria nuk ka vendosur ende për ta ndihmuar financiarisht atë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo i ka shtyrë punëtorët që të marrin vendim për të hyrë në grevë që nga dita e hënë.

Grevën e ka paralajmëruar Sindikata e punëtorëve, duke njoftuar se gjatë kësaj kohe nuk do të ofrohet asnjë shërbim.

Kryetari i kësaj sindikate, Etrit Hoti, i ka thënë gazetës se ata kërkojnë garanci me shkrim nga menaxhmenti, Bordi dhe Qeveria e Kosovës, që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm do të bëhet brenda afatit ligjor.

 

 

Punëtorët e Postës nga e hëna në grevë të përgjithshme

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës ka njoftuar se nga e hëna, të gjithë punëtorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme, e cila sipas tyre, nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Sipas njoftimit të sindikatës, gjatë kësaj kohe në sportelet e Postës së Kosovës nuk do të ofrohet asnjë shërbim.

“Greva nuk do të ndalet deri realizimin e paagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës, garantim me shkrim nga menaxhmenti, bordi dhe Qeveria e Kosovës që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm do të bëhet brenda afatit ligjor.  Qeveria e Kosovës të kryej urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës – rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar. Qeveria t’i mundësoj Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë (pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës).

Grevë do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të PK Sh.A, për të cilat do të ketë njoftime me kohë.

 

 

 

 

S’ka paga për punëtorët e Postës, paralajmërohen greva

Periskopi.com Lajme

Punëtorët e Postës sërish mund t’i mbyllin zyrat postare dhe të mos ofrojnë asnjë shërbim të vetëm për qytetarët nëse Qeveria e Kosovës nuk ua mbulon humbjet financiare në vlerë prej 5 milionë eurosh siç po kërkon menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Sindikalistët paralajmërojnë greva.

Takimi i Sindikatës së Kryesisë së Postës së Kosovës të mërkurën pritet t’i japë një zgjidhje krizës aktuale në këtë ndërmarrje. Përfaqësuesit e Sindikatës së kësaj ndërmarrjeje nuk i mohojnë grevat si opsion për t’i realizuar kërkesat e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës (SPP), Etrit Hoti, ka konfirmuar, se në takimin e së mërkurës me Kryesinë Sindikale pritet të dalin me një qëndrim rreth gjendjes, gjersa nuk ka përjashtuar mundësinë e grevës së serishme.

“Të mërkurën, në orën 09:00, e kemi takimin e Kryesisë. Do të dalim me një qëndrim sindikal. Greva nuk përjashtohet, as reagimet sindikale. Nesër detajisht do t’ju informojmë. Pa e marrë qëndrimin e Kryesisë nuk di çka të them”, ka paralajmëruar kryetari i SPP-së.

 

Qeveria me subvencionime synon ta zgjidhë krizën në Postë

Periskopi.com Lajme

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) po synon që të gjejë një “zgjidhje” për krizën financiare në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës përmes subvencionimit të shërbimeve universale, që kap shifrën rreth 1 milion euro në vit, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo ministri ka thënë se ka kërkuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) që të bëjë një vlerësim të kostos së shërbimeve, e më pas të diskutohet në Qeveri për subvencionim.

Edhe pse me Ligj për shërbimet postare Qeveria është e obliguar që të mbulojë humbjet e këtij shërbimi, ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë, me gjithë që për këtë kishte marrëveshje nga viti 2014. Kjo çështje është ngritur edhe në Gjykatën Themelore, ku me një aktvendim të kësaj gjykate kërkohet nga MZHE-ja që të kompensojë humbjet financiare që ka pësuar Posta gjatë ofrimit të këtij shërbimi.

Shkaku i mosrimbursimit të këtij shërbimi dhe vonesës së qirasë nga ana e Telekomit në vlerë 4.1 milionë ne vit, kanë vështirësuar gjendjen financiare dhe vonesa në ekzekutim të pagave për punëtorët, të cilët të hënën kanë filluar një grevë, që pas një konsultimi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u ndërpre.