Auditimi i brendshëm zbulon se në BQK janë shpikur 55 pozita menaxheriale

Periskopi.com Lajme

Shkelje të shumta janë evidentuar në Bankën Qendrore të Kosovës, në një raport të brendshëm të këtij institucioni.

Raporti i Auditimit për vitet 2017 – 2019, të cilin e ka siguruar KOHA, shkeljet më të mëdha i ka evidentuar në rekrutimin e stafit.

Gjatë këtyre dy vjetëve BQK-ja ka rritur numrin e pozitave që nuk parashiheshin në organogram, por edhe pa u ndjekur kriteret konkurruese.

“Janë krijuar pozita të reja menaxheriale të “shefit”, të cilat nuk janë përcaktuar nga asnjë dokument rregullativ. Deri më 28 shkurt 2019 tre persona janë emëruar në këto lloj pozitash. Këto pozita janë emëruar pa proces konkurrues të brendshëm apo të jashtëm. Për asnjërën nga këto pozita nuk ekziston ndonjë njësi organizative përkatëse, e cila do të udhëhiqej nga këto pozita”, thuhet në raportin e brendshëm të auditimit në BQK.

Përveç kësaj, raporti thotë se është shtuar edhe numri i këshilltarëve, si ata të bordit ekzekutiv, këshilltar i guvernatorit dhe zëvendësguvernatorit, që, sipas raportit, nuk janë të nevojshëm.

Atyre u ishte caktuar pagë që sillej prej 700 deri në 2000 euro.

E për këto pozita nuk është e përcaktuar saktësisht as paga, që raporti e thekson se nuk ekziston asnjë dokument i shkruar për rregullimin e pagës së tyre.

Në një përgjigje për KOHËN, BQK-ja ka mohuar se ato janë shpikur, duke thënë se të gjitha janë pozita që kanë ekzistuar qëmoti, duke shtuar se asnjë prej tyre nuk është në kundërshtim me ligjin apo rregulloret e brendshme.

Emërimet e tilla kanë çuar në rritjen e të punësuarve në BQK, pozitat e të cilëve nuk përfshihen në strukturën organizative dhe Vendimin e vitit 2017 për sistemin e gradimit dhe të pagave në këtë institucion.

Sipas raportit, janë 55 pozita të tilla e që janë në listën e pagave të Bankës Qendrore.

Madje, sipas këtij raporti, rekrutimet gjatë këtyre dy vjetëve janë bërë me kritere të dyfishta për pozita të njëjta.

  • “Zyrtar i ri” është kërkuar: në tri raste një (1) vit përvojë pune, ndërsa në tri (3) raste të tjera dy (2) vjet.
  • “Mbikëqyrës bankar”: në pesë (5) raste është kërkuar tre (3) vjet përvojë pune, dy (2) raste një (1) vit. Në një (1) rast nuk është kërkuar fare (preferohet) dhe një (1) tjetër rast nuk kemi dëshmi.
  • “Zyrtar i lartë”: në dy (2) raste nuk kemi dëshmi, ndërsa në një (1) rast janë kërkuar dy (2) vjet.
  • Tek një pozitë për “Zyrtar” dhe një tjetër për “Asistente” – nuk është kërkuar përgatitja universitare specifike (e fushës), por vetëm “diplomë universitare”.

Sipas raportit, këto standarde mund të ndikojnë në cilësinë e rezultateve të përzgjedhjes adekuate të personelit.

Por, megjithëse nuk është dhënë asnjë sqarim shtesë, Zyra për Media e BQK-së vetëm ka mohuar se në ndonjë rast ka aplikuar kritere të dyfishta për punonjësit e saj.

“BQK-ja nuk aplikon asnjëherë kritere të dyfishta për punonjësit e saj. Sikurse është cekur më sipër, BQK-ja i ka të përcaktuara strukturën dhe nivelin e gradave për secilën pozitë dhe varësisht nga pozita varet edhe kompensimi, nëse në këtë rast është nënkuptuar kriteri i baraspeshuar sipas nivelit të punës”, ka thënë Zyra për Media e BQK-së.

Ndërkaq BQK-ja në këtë raport ka dhënë edhe komentet e veta, duke theksuar se të gjitha vendet e punës në këtë institucion janë të sistematizuara e të klasifikuara qartë e po ashtu janë të dokumentuara.

“Të gjitha vendet e punës në BQK janë të sistematizuara dhe të klasifikuara qartë. E gjithë kjo është edhe e dokumentuar. Të gjitha vendet e punës në BQK kanë gradë, përshkrim të vendit të punës dhe linjë raportuese. E gjithë kjo nënkupton që ka klasifikim dhe sistematizim të vendeve të punës dhe kjo është e dokumentuar”, thuhet ndër të tjera në raportin e brendshëm të auditimit në BQK.

Opozita e sheh gabim të madh tërheqjen nga Interpoli, qeveritarët e arsyetojnë

Periskopi.com Lajme

Ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar tërheqjen e aplikimit në këtë vit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Pasi që gjasat për anëtarësim për këtë vit janë të vogla, meqë Asambleja e Përgjithshme mbahet në Uruguai, vend që s’e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Një vendim i tillë pritet të vendoset nga Qeveria e Kosovës gjatë ditëve në vazhdim.

Kjo tërheqje po vlerësohet si gabim i madh i qeverisë në kohën kur ekziston presioni për të rifilluar dialogu me Serbinë.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala tha për Ekonomia Online se Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të ndaluar lobimin e Serbisë për mos njohje.

Shala theksoi se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Siç tha ai se agresiviteti i institucioneve mund të ndikojë në mos anëtarësimin e Kosovës.

“Qeveria deklaroi se ka tërhequr aplikimin e Kosovës në Interpol që është një gabim jashtëzakonisht i madh i kësaj qeverie. Në kohën kur bëhet presion për heqjen e taksës për të hyrë në dialog me Serbinë, atëherë tërheq atë. Ta shfrytëzon këtë momenti politik që edhe ne të përfitojmë nga heqja e taksës.

“Institucionet e sigurisë janë të gatshme qysh moti të jenë pjesë anëtare e këtyre organizatave, si shumë institucione tjera të vendeve të zhvilluara. Kosova është e gatshme që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Serbia asnjëherë nuk do ti ndal lobimet kundër Kosovës. Me një punë dhe përkushtim të madh të institucioneve, besoj që do të arrijmë që t’i përfitojmë miqët tanë dhe të kemi vota të mjaftueshme që të jemi pjesë e organizatave. Mos puna e jonë dhe agresiviteti mund të na dërgojë në mos anëtarësim”, thotë Shala.

Kurse nga pozita thonë se do të punojnë me një dinamikë të shtuar që Kosova së shpejti të bëhet pjesë e familjes evropiane dhe organizatave ndërkombëtare.

Kryetari i komisionit për Integrim Evropian, Armend Zemaj, potencoi se me një qeverisje të mirë do të lehtësohet puna e Komisionit dhe Këshillit të BE-së.

“Komisioni ka filluar punën dhe ne do të angazhohemi që dinamika e raportit Kosovë-BE të jetë me e shtuar në raport korrekt në kërkesat e dyanshme dhe të përmbushim që Kosova të jetë pjesë e familjes evropiane. Nga Qeveria e Kosovës presim planin legjislativ rreth integrimit në BE dhe do të shohim se si do të evoluojmë në këtë drejtim”.

“Me një qasje dhe një shpresë për një qeverisje të mirë do të lehtësohet puna e komisionit që të ketë raport korrekt dhe parësor me komisionin evropian dhe këshillin e BE-së. Do të punojmë me një dinamikë të shtuar sepse qeverisja e mirë rezulton me suksese atëherë marrja e statusit dhe përmbushjet e marra nga BE do të jetë më i lehtë dhe me i qasshëm”, thotw ai.

Ndërsa, Hajrulla Çeku, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se kostoja e dështimit në anëtarësim mund të jetë e dyfishtë. Andaj thotë se do të veprojnë në mënyrë të duhur.

Sipas tij, një aplikim i ngutshëm do të jetë refuzim i sërishëm.

“Para disa ditësh ka qenë vetë ministri i Jashtëm i Kosovës që ka deklaruar që në Interpol duhet të presim edhe pak para se të paraqesim aplikim për anëtarësim sepse një herë kemi dështuar dhe kostoja e dështimit të dyfishtë mund të jetë shumë e madhe dhe këto janë veprime të mençura dhe të duhura”.

“Nuk është ideja vetëm të bëjmë ofanziv dhe të dërgojmë aplikacione por ta studiojmë mirë secilin rast veç e veç dhe aty ku kemi mundësi më të mira të konkurrojmë në këto mekanizma. Më shqetësuese për mu do të ishte aplikimi i ngutshëm dhe refuzimi i sërishëm”, u shpreh Çeku.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka deklaruar se aplikimi do të bëhet në vitin 2021 kur Asambleja e Përgjithshme do të mbahet në Turqi, derisa pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës.

 

Tahiri e quan abuzues Kurtin: Po i shkarkon njerëzit për t’i sjellur militantët e tyre

Periskopi.com Lajme

Deputeti i PDK’së, Abelard Tahiri ka thënë se zgjedhja e Albin Kurtit kryeministër ka qenë skandaloze, ndërsa thotë se tash po e tregon fytyrën e vërtetë duke larguar njerëzit nga pozicionet e tyre, transmeton Periskopi.

‘’Zgjedhja e tij skandaloze. Ka kaluar sa kohë, ende nuk e kemi programin qeverisës. Sot me mungesë të vizionit të tij politik, ai ka vendosur me zhvendos vëmendjen tek largimi  i njerëzve nga pozicionet politike’’, ka thënë ai në Argument Plus.

‘’Po e shohim fytyrën e vërtetë të tyre. Njerëz abuzues, po duan t’i kthejnë militiantët e tyre partiakë’’.PERISKOPI/

 

 

Opozita nuk pranon të jetë pjesë e ekipit të dialogut: Kurti nuk është i sinqertë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, synon që të marrë timonin e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, por njëherësh është në kërkim edhe të krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës.

Këtë lidership në dialog, Kurti ka deklaruar se e mbështetë në vendimin e vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, e cila ia njeh rolin kryesor në politikën e jashtme qeverisë dhe kryeministrit.

Në këtë aspekt, po shihet edhe thirrja që Kurti ia drejtoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u takuar dhe për ta unifikuar pozicionin e Kosovës në çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme.

Por, Thaçi, i cili për më gjatë se një dekadë ka qenë në krye të procesit të bisedimeve, nuk i ka kthyer fare përgjigje Kurtit.

Pas dakordimit eventual me presidentin, misioni tjetër i Kurtit mbetet krijimi i një ekipi gjithëpërfshirës, me përfaqësuesit e pushtetit dhe ata të opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila nga pozicioni i pozitës, aktualisht është në opozitë, konsideron se kryeministri Albin Kurti nuk është personi adekuat, i cili mund të arrijë të formojë një ekip unifikues për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kurti i ka fituar votat e qytetarëve me mashtrime duke thënë, siç shprehet ai, se nuk do të negociojë me Serbinë dhe tani, thekson ai, “duket se do të ndodhë e kundërta”.

“Unë besoj se nuk është i sinqertë, nuk ka qenë, as atëherë, as tash, i sinqertë dhe nuk besoj që është njeriu adekuat për ta unifikuar shtetin e Kosovës rreth bisedimeve me Serbinë. Do të jetë një përpjekje e dështuar dhe nuk është i sinqertë”, shprehet Reçica.

Shefi i Grupit Parlamentar të partisë tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se e para që duhet të dihet rreth vazhdimit të dialogut me Serbinë është ajo se për çka do të diskutohet. Megjithatë, Haradinaj thekson se AAK-ja do të jetë një kujdestar që do të mbrojë Kushtetutën e Kosovës dhe pavarësinë e 17 Shkurtit.

“Do të thotë, ky do të jetë qëndrimi ynë i prerë. Ndërsa, rreth dialogut, nuk mendoj se ka nevojë të ketë shumë teza të gjithanshme derisa nuk kemi diçka konkrete në tavolinë. Po shihet se kryeministri i ri i ka ndërruar shumë qëndrimet. Ka pasur shumë qëndrime radikale në të kaluarën, ndërsa tash nuk është në ato pozicione dhe ne nuk dimë se për çka do të diskutojë ai. Nuk është e qartë se me çfarë agjende do të shkohet në dialog. Nuk e ka një agjendë të qartë, nuk e kemi parë të paktën”, thotë Haradinaj.

Analisti Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në situatën politike në të cilën gjendet Kosova, ideja e kryeministrit Kurti për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës, do të jetë vështirë e realizueshme.

“Mendoj se një nga pengesat e para është trashëgimia e këtij procesi. Sikur që dihet, kishte mospajtime shumë të mëdha gjatë mandatit të kaluar mes presidentit dhe kryeministrit [aktual] për çështjet e dialogut. Mendoj se kjo do të jetë pengesa e parë pra trashëgim nga e kaluara. Dhe, një pengesë tjetër që mendoj se do të jetë problematike për idenë e kryeministrit Kurti është qasja e tij e deritanishme”, thekson Berisha.

Ai rikujton se kur flitet për çështjen e dialogut, Kurti për një kohë të gjatë sa ishte në opozitë, mbante një qëndrim shumë të fortë kundër duke refuzuar që të jetë pjesë e ekipeve të dialogut.

“Kryeministri Kurti do ta ketë shumë të vështirë që ta implementojë një plan të tillë. Do të jetë shumë vështirë i realizueshëm dhe pres rezistencë nga presidenti dhe nga opozita e tanishme për këtë ide”, shton Berisha.

Partitë politike opozitare ia kanë kujtuar në vazhdimësi këto ditë kryeministrit Albin Kurti problemet dhe sfidat, me të cilat do të përballet qeveria e tij, duke e paralajmëruar për opozitarizëm të fuqishëm.

Dialogu Kosovë-Serbi, konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha për Qeverinë Kurti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime që paralajmërojnë përfshirjen e saj për rinisjen e dialogut dhe ndërmjetësimin për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar deri më tash nga Bashkimi Evropian, ka ngecur pasi që më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si reagim ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, si dhe bllokimin e anëtarësimit të kësaj të fundit në organizata ndërkombëtare.

Në muajin e kaluar i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Richard Grenell, ka vizituar Kosovën dhe ka porositur lidershipin politik dhe institucional të Kosovës që ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ndërkaq që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjes së shtetit të Kosovës.

Pozitat që u shuan me një vendim të Qeverisë së re të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Krahas ekzistimit të ministrive përkatëse, në Qeverinë e kaluar të Kosovës ishte zbatuar edhe forma e emërimit të koordinatorëve për çështje të caktuara. Në këtë aspekt, krahas ministrit të Arsimit, ekzistonte edhe koordinatori nacional për arsim apo edhe rasti kur krahas ministrit të Mjedisit dhe Ambientit, ekzistonte koordinatori për çështje klimatike dhe ambient.

Por, këto pozita u shuan me një vendim të Qeverisë së re të Kosovës, të kryeministrit Albin Kurti. Shuarja e pozitave të koordinatorëve, bie në fushën e shqyrtimit të shumë vendimeve të qeverisë paraprake, nga qeveria aktuale.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga koordinatorët e shkarkuar, por ata nuk kanë pranuar që të flasin e disa nga ta nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile e vlerësojnë si të qëlluar vendimin e qeverisë, pasi që sipas tyre, këto pozita kanë qenë të panevojshme.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shuarja e këtyre pozitave ishte një vendim i mirë dhe në funksion të kursimeve buxhetore.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se ky është një vendim i drejtë i cili më në fund i jep përgjigje bastardimit të madh të pozitave të shumta të koordinatorëve të cilat janë krijuar edhe pa nevojë, por edhe duke krijuar dëme dhe barrë të madhe për buxhetin e Kosovës. Koordinimi i shumë prej këtyre obligimeve që i kanë pasur në kompetencë këta koordinatorë, janë të bazuara në ligj, prandaj zbatimi i ligjeve nga zyrtarët e të gjitha institucioneve do ta bënte të panevojshme krijimin e këtyre pozitave”, tha Musliu.

Vetëm për pagën e një koordinatori nacional, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar brenda një vitit mesatarisht mbi 20 mijë euro. Koordinatorët nacionalë të cilët ishin emëruara në qeveria e kaluar, nuk kanë ekzistuar si pozita zyrtare në periudha më të largëta kohore.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, tha për Radion Evropa e Lirë se shkarkimi i koordinatorëve nacionalë nuk do të paraqesë ndonjë pengesë në funksionimin e atyre fushave të cilët ata i kanë udhëhequr.

“Është vendim i mirë pasi që nuk ka qenë e arsyeshme emërimin e koordinatorëve dhe po ashtu ka qenë e pa qartë pse duhet të ekzistojnë ato pozita, kështu që vendimi që të shkarkohen është pozitiv. Në Kosovë nuk do të duhej të krijohen pozita të tilla sepse edhe ashtu ka shumë institucione, agjenci të pavarura, që secila prej tyre mund të luajë rolin e tyre dhe nuk ka nevojë të krijohen koordinatorë të tillë”, thotë Demhasaj.

Demhasaj shton se emërimi dhe funksionimi i këtyre koordinatorëve nuk është se ka treguar ndonjë ndryshim pozitiv në shoqëri apo në funksionimin e institucioneve.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj i cili kishte emëruar këta koordinatorë nacionalë, përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti, duke shkruar se me këtë vendim kanë pësuar profesionistët.

Me vendimin e fundit, Qeveria Kurti ka shkarkuar koordinatorin nacional për reforma shtetërore, koordinatorin për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, koordinatorin nacional për kulturë, rini dhe sport, koordinatorin nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, koordinatorin nacional për integrim dhe anëtarësim në NATO, pastaj ka shfuqizuar vendimi për emërimin e udhëheqësve të projektit për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë, si dhe është shfuqizuar vendimi për themelimin e task-forcës kundër narkotik te të rinjtë dhe siguri në shkolla.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti nuk ka dashur të komentojë vendimin e Qeverisë Kurti për shkarkimin e tij nga pozita. Edhe koordinatorët e tjerë, kanë qenë jo të qasshëm për t’u kontaktuar.

Qeveria Haradinaj ishte kritikuar në vazhdimësi nga shoqëria civile në Kosovë për shkak të, siç thuhej, krijimit të posteve të shumta qeveritare.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte më së shumti ministri nga të gjitha qeveritë e kaluara. Ajo kishte 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendësministra, e që të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve politikë, shoferë si dhe të punësuar të tjerë.

Edhe në këtë aspekt, qeveria e re e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë reduktuar numrin e ministrive nga 21 në 15 sosh.

Por, me gjithë zotimet se ky reduktim ishte pozitiv dhe do të kursente buxhetin e shtetit, në mbledhjen e fundit të qeverisë, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti kërkoi që qeveria të vendosë sa më shpejt për fatin e shumë shërbyesve civilë, të cilët tani e kanë të paqartë punën dhe pozitën e tyre, pasi që procesi i shkrirjes së ministrive tashmë ka filluar.

Komisionet parlamentare, testi i parë i konsensusit pushtet – opozitë

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e të enjtes të vendosë për themelimin dhe funksionalizimin e komisioneve parlamentare. Nga 16 sa kishte përbërja e kaluar e legjislativit, tani numri i komisioneve është zvogëluar në 14, çka e shtron nevojën e miratimit me dy të tretat e votave të deputetëve apo 80 vota për.

Propozimi për formimin e 14 komisioneve, është marrë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pa praninë e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, tha për Radion Evropa e Lirë, se në seancën e së enjtes kur do të diskutohet dhe vendoset eventualisht për komisionet parlamentare, deputetët e PDK-së do të jenë të pranishëm.

Ndërkaq sa i përket pjesëmarrjes në Kryesinë e Kuvendit, ku PDK-ja ka një pozitë të nënkryetarit, deputeti Xhelili tha se bojkotimi i këtij organi ndërlidhet me veprimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka zhvendosur fotografinë e presidenti Hashim Thaçi, duke e zëvendësuar atë me fotografinë e ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Fotografia e presidentit Thaçi është zhvendosur nga pjesa ballore e zyrës së kryeparlamentares Osmani dhe është vendosur pjesën tjetër të zyrës.

“Deputetët e PDK-së do të shkojnë në seancë. Ne nuk kemi thënë se nuk do të shkojmë në seanca. Ne do të jemi pjesë aktive e kuvendit. Kurse presim që kryetarja e kuvendit të reflektojë në kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për fotografin e presidentit”, tha Xhelili.

PDK-ja e ka kritikuar mënyrën se si kryetarja e Kuvendit ë Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur punën, duke parashikuar si mesazh të keq për mbarëvajtjen e punës së organit më të lartë ligjvënës në Kosovë.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se është e rëndësishme që në fazën e funksionalizimit të tërësishëm të kuvendit, në procesin e ndarjes dhe formimit të komisioneve dhe propozimin e përbërjes së komisioneve, të marrë pjesë edhe opozita.

“Është shume e rëndësishme që komisionet parlamentare të fillojnë punën sa më parë sepse ka shumë çështje që presin trajtim të menjëhershëm nga ana e kuvendit dhe pa formimin e komisioneve kjo nuk mund të ndodhë”, tha Haxhiu.

Haxhiu thekson se për votimin e propozimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për formimin e komisioneve, kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, pasi që bëhet fjalë për amendamentimin e Rregullores së Punës për shkak të ndryshimit të numrit, fushëveprimit dhe përgjegjësive të komisioneve parlamentare.

“Është shumë e rëndësishme që komisionet parlamentare të fillojnë punën sa më parë sepse ka shumë çështje që presin trajtim të menjëhershëm nga ana e kuvendit dhe pa formimin e komisioneve kjo nuk mund të ndodhë”, tha Haxhiu.

Nga 14 komisionet e propozuara, dy partitë e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i udhëheqin nga tri komisione.

Po ashtu, edhe Grupi Parlamentar i PDK-së, pritet të kryesojë me tri komisioni. Por, para se të shkohet në procedurën e themelimit, deputeti Xhelili thotë se PDK-ja i ka vërejtjet e saj për mënyrën se si janë ndarë komisionet.

“Kemi vërejtjet tona në mënyrë se si janë formuar komisionet, mënyrën e zvogëlimit të numrit të komisioneve dhe mënyrën e propercionalitet ose jopropercionaliteti, të cilat janë bërë për kryesimet e komisioneve. Mirëpo, do ta diskutojmë”, tha Xhelili.

Edhe partitë e tjera, parlamentare do të kenë komisionet që do t’i drejtojnë. Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë nën udhëheqjen e vet dy komisione, ndërsa Nisma Socialdemokrate do të kryesojë një komisionin, sikurse dhe partitë nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Por, që propozimi i Kryesisë së Kuvendit të jetë i plotfuqishëm, mbetet që kuvendi të vendosë gjatë seancës së caktuar për të enjten, më 13 shkurt.

Vjosa Osmani e befasuar se si LDK e VV luftuan për pozita

Periskopi.com Lajme

Teksa ka thënë se marrëveshja me Vetëvendosjen ka qenë jo lehtë e arritshme, nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani ka thënë se është befasuar që dy partitë patën probleme në ndarjen e posteve.

Ajo ka thënë se në tavolinën e diskutimeve mes dy partive nuk ka pasur gjuhë jo të mirë, e as tensione.

“Jam befasuar edhe unë që ka pasur probleme për pozita. Ka pasur edhe të tjerë që janë befasuar se brenda këtyre tavolinave do të ketë probleme. Por kur dalin fjalët jashtë, keqkuptimet janë të mëdha. Kam parë gjuhë jo të mirë që ka lënduar raportet. Raportet në tavolinën tonë kurrë nuk ishin aq të rënda sa i shihnit në debatet televizive. Ka pasur raste, por në shumicë mund të them se ka ekzistuar respekti i ndërsjellë. S’ka ekzistuar kurrë debati se si të ndahen pasuri të paligjshme, s’është diskutuar si të amnistohet krimi. Pavarësisht dallimeve, ato kanë qenë profesionale, normale, politike, por jo përmes fyerjeve”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se qëndrimi i saj ka qenë që posti i presidentit të mos jetë pjesë e pazareve politike.

 

 

Konjufca: Vjosa Osmanin e pranojmë veç në pozitat që kemi negociu me LDK’në

Periskopi.com Lajme

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje ka thënë sonte në Debat Plus se kanë respekt për Vjosa Osmanin e LDK’së, por që asaj mund t’ia japin vetëm një nga pozitat për të cilat kanë negociuar me LDK’në, transmeton Periskopi.

‘’VV ka shumë respekt për Vjosa Osmanin dhe Osmani për VV do të ishte e pranueshme në të gjitha ato pozicione me të cilat kemi negocu me LDK’’, ka thënë ai.

‘’VV mendon që nëse e shihni si konstruktohet figura e presidentit sipas kritereve të Kushtetueses do të ishte mirë të vinte një figurë mbipartiake. Por në Kosovë s’ka qenë kështu edhe për arsye të mënyrës se si zgjedhet ai’’.

‘’Presidentin nuk mund ta nxjerrim jashtë zhvillimeve politike-partiake’’./PERISKOPI/

 

 

Hoti: Kurti e zyrtarët e tij të kenë kujdes me deklarata, të gjitha pozitat i diskutojmë në tavolinë

Periskopi.com Lajme

Avdullah Hoti nga LDK, sonte në Rubikon ka thënë se përveç postit të kryeministrit, asnjë post tjetër nuk do të përcaktohet pa u diskutuar, transmeton Periskopi.

Hoti lidhur me deklaratën e Albin Kurtit se do t’i marrin Ministrinë e Brendshme, të Drejtësisë dhe të Financave, ka thënë se VV nuk duhet të ngutet, sepse nuk mund të vendosin vetë.

Hoti ka theksuar se edhe pozita  e kryeparlamentarit  do të diskutohet në tavolinë.

‘’Formula e ndarjes mbetet të dakordohen dy liderët. Kanë përvoja ndërkombëtare dhe përvoja të kaluarës. Kjo nuk është problem, por cështje që do të vendoset në ndërkohë. Askush nuk mund t’i caktojë askujt pozicionet. Vec pozita e kryeministrit u përcaktu nga qytetari, por edhe ajo pjesë e ndarjes.Janë dikur dy pjesë,  dy parti ku asnjëra nuk mund ta ndërtojë Qeverinë pa njëra tjetrën. Të gjitha janë në tavolinë të diskutimit’’

‘’Kurti dhe të tjerët zyrtarë duhet të jenë të kujdesshëm sepse ato nuk vendosen vetëm nga ta, por vendosen së bashku. Nëse VV do  t’i kishte fitu 61 mandate, ajo do të kishte të drejtë të thoshte që nuk negocojmë asgjë. Asnjëri partner nuk  e ka fuqinë e tillë.Duhet të ulemi dhe të negociojmë’’/PERISKOPI/

 

Haziri: VV le ta harrojë në jetë të vetë që mund të na kushtëzojë për pozita tjera

Periskopi.com Lajme

Lutfi Haziri i LDK’së ka thënë se përveç pozitës së kryeministrit që e cakton sovrani, çdo post tjetër do të diskutohet në tavolinë me VV’në, transmeton Periskopi.

Haziri sonte në DPD ka thënë se asesi nuk pranojnë kushtëzime nga Vetëvendosje.

‘’Asnjë organ tjetër nuk është jashtë tavolinës. Ne nuk pranojmë kushte. Vec zyra e kryeminsitrit është e padiskutueshmne. Për pozitat tjera nuk mund të jemi të kushtëzuar, le ta harrojnë këtë’’

‘’Sonte i them Rexhep Selimit që me LDK nuk mundesh me fol me kushte dhe se LDK’së  duhet me ia la llogarinë, ai personalisht dhe partia e tij. Kurrë në jetë të vetë. Tjetër send që i kanë militanët e tyre të fshehtë nëpër xhamia të Prishtinës që shkruajnë në rrjete sociale. Jemi parti e pastër politikisht’’

‘’VV e trajtojmë si partner, por individët e VV’së s’mund të na kushtëzojnë. Kush  e fiton një votë më shumë, është kryeministër’’./PERISKOPI/

Haziri e quan Vjosa Osmanin ‘iron lady’, analisti ia kthen: E pse dikur e quanit ‘nuse të Preshevës’ (Video)

Periskopi.com Lajme

Lutfi Haziri i LDK’së, sonte në Debat Plus e ka quajtu Vjosa Osmanin ‘iron lady’, pasi sipas tij ajo ka konsistencë politike dhe se është e edukuar të vendos politikisht, transmeton Periskopi.

I menjëhershëm ishte reagimi i analistit Imer Mushkolaj i cili e pyeti:

E pse dikur e keni quajtur nuse të Preshevës dhe keni pasë mospajtim, e tani e quani iron lady?

Haziri u përgjigj:

‘’Asnëherë unë nuk i biej pishman fjalës sime publike sepse unë se kam shkaku atë debat me qëllime të këqija. Ka mund të quhet etiketim. Sot ne jemi pajtu, s’është që s’jemi pajtu. Tek cështja e kauzës që lidhet me Kosovën Lindore, ne nuk kemi mospajtime. Unë jam në politikë prej njerëzve që nuk pranoj marterizime politike, duke i nxjerrë pengesa politike.’’

‘’Në Kosovë nuk duhet me leju me prodhu monstrum politik. Nominimi i saj ka pasë të bëjë me goditë rivalët, e cila njihet për konsistencë politike, kokëfortësi’’/PERISKOPI/

Debat Plus me Ermal Pandurin – Pse nuk fitoi LDK-ja? – 08.10.2019

Pse nuk fitoi LDK-ja? Lutfi Haziri – LDK Imer Mushkolaj – Analist Arton Demhasaj – ÇohuBekim Kabashi – Reporteri

Posted by RTV Dukagjini on Tuesday, 8 October 2019

 

Kjo është pozita e Milanit, pas humbjes nga Torino

Periskopi.com Sporti

Milan u mposht në udhëtim nga Torino me rezultat 2:1.

Fillimisht, rosonerët kaluan të parët në epërsi në minutën e 18-të, ku Piatek ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë.

Ndërsa dy gola për 4 minuita nga Belotti përmbysën gjithçka dhe i siguruan Torinos tri pikë të arta, shkruan Indeksonline.

Pas kësaj humbje, Milan bie në pozitën e 13-të në tabelë me 6 pikë nga 5 ndeshje duke regjistruar 2 fitore dhe tri humbje.

Në anën tjetër, Torino ngjitet në vendin e gjashtë me 9 pikë, ndërsa tabelës i prin Inter me pikë të plota pas 5 ndeshjeve, 15 gjithsej.

 

Dardan Gashi i bashkohet Nismës, ia ofrojnë pozitën e nënkryetarit

Periskopi.com Lajme

Zëvendës-kryeministri i katërt në detyrë i Kosovës dhe njëherit ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka braktisur ‘Listën Rugova’ pas disa viteve.

Dardan Gashi ka kaluar në partinë NISMA të Fatmir Limajt, parti kjo që ati i ka ofruar pozitën e nënkryetarit të partisë.

Metro mëson se Gashi ka kaluar në NISMA pasi që ‘Lista Rugova’ e udhëhequr nga djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova janë pajtuar që të ritkthehen në LDK, ky vendim nuk i ka pëlqyer Gashit.

Gashi përndryshe nuk ka marrëdhënie të mira dhe të besueshme me Isa Mustafën, ky i fundit nuk ka pranuar që ai të rikthehet në LDK.

Ukë Rugovës tani në LDK është zgjedhur si anëtar në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie i cili do të voton më vonë për anëtarët e tjerë të partisë.

Lista Rugova është themeluar 2009 e udhëhequr nga Ukë Rugova, ajo fillimisht kishte garuar me AAK’në, pastaj me LDK’në përmes Teuta Rugovës. Kjo listë ka qenë dy herë pjesë e koalicionit qeverisës duke u përfaqësuar me ministra dhe zëvendësministra.

 

 

Drejt zgjedhjeve të parakohshme

Periskopi.com Lajme

Institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për qartësimin e gjendjes pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

Dy ditë pasi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, Ramush Haradinaj ka vazhduar me disa aktivitete të tij, por nuk ka folur për zhvillimet politike.

Të dielën, Haradinaj bashkë me zyrtarë të Qeverisë dhe të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka marrë pjesë në një akademi përkujtimore në Komunën e Rahovecit.

Haradinaj, më parë ka njoftuar se nga fillimi i javës së ardhshme do t’i informojë edhe zyrtarisht krerët e institucioneve për vendimin e tij për dorëheqje.

Partitë politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës kanë deklaruar se pas dorëheqjes së Haradinajt janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të shtunën se zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili është thirrur në Hagë në Prokurorinë e Posaçme për Kosovën.

“Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që ato të caktohen. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato do të mbahen”, ka deklaruar Veseli.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i Kosovës që t’i nis konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk duhet të humbet kohë dhe se duhet të nisin konsultimet sa më parë për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

“Presidenti i vendit duhet t’i thërras sa më shpejt partitë politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidenti mund ta shfrytëzojë një periudhë kohore sa është e nevojshme dhe e përcaktuar për konsultime, përndryshe duhet të veprohet shumë shpejt”, tha Veliu.

Veliu ka përjashtuar çdo mundësi tjetër veç zgjedhjeve të reja.

“Unë tash po flas për qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë që të caktohet data e zgjedhjeve përndryshe nuk jemi të gatshëm që të hymë në kurrfarë qeverie. Tash në demokraci vendimtar janë edhe numrat. Ata që duan të bëjnë qeveri nëse mund të arrijnë ndonjë marrëveshje më këdo qoftë është punë tjetër, por sa i takon LDK-së, ky është qëndrimi jonë”, tha Veliu.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media i ka bërë thirrje presidentit Thaçi që të mos e zvarris proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Ai ka thënë se Kosova nuk ka qeveri dhe se Kosova duhet të bëhet me qeveri të re.

Partitë politike në Kosovë tashmë janë në pritje të vendimit që mund të marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Analisti politik Imer Mushkolaj, tha se krijimi i një qeverie të re që do të vazhdonte gjysmën e mandatit të Qeverisë Haradinaj, është i pamundur.

“Marrë parasysh situatën në skenën politike, unë e shoh një gjë të tillë të pamundur për shkak se nuk e besoj se as LDK e as Vetëvendosje do t’i bashkohen pjesës së mbetur të PAN-it, përjashtuar AAK-në për të krijuar qeveri të re. Më ketë logjikë, presidentit të vendit i mbetet vetëm që të konsumojë të gjitha procedurat të cilat i parasheh ligji dhe kushtetua në mënyrë që t’i shpallë zgjedhjet reja”.

“Ndërkaq partive politike ju mbetet që të përgatiten për zgjedhje duke pas parasysh që dorëheqja e Haradinajt ishte e papritur dhe nuk është se edhe partitë i ka gjetur në komoditetin më të madh për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Mushkolaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje dhe njoftimin e ka bërë publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës të premten.

Arsyeja e dorëheqjes, siç ka thënë Haradinaj, është sepse ka pranuar një ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj, në konferencën e tij pas dorëheqjes, theksoi se nuk mund të lejojë që të intervistohej nga Dhomat e Posaçme dhe të paraqitet si kryeministër dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e Ramush Haradinaj i ka dhënë fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Koalicioni PAN në zgjedhje e vitit 2017, kishte garuar me një grupim prej rreth 20 partive politike. Por, prej tyre, ulëse në Kuvend siguruan vetëm PDK, AAK dhe Nisma. Ndërkaq, pas zgjedhjeve, këtij koalicioni iu bashkua AKR-ja e Behgjet Pacollit, Lista Serbe, si dhe partitë e komuniteteve tjera pakicë.

Kryeziu: Nuk e kam plan të pezulloj pozitën në PDK, ideja ka qenë veç në institucione publike

Periskopi.com Lajme

Ish-këshilltari i Kadri Veselit, Njazi Kryeziu, i përfshirë në aferën ‘Pronto’, ka thënë se ishte propozues që njerëz të përfshirë në aktakuza, të mos jenë pjesë e institucioneve publike, përfshirë edhe atë vetë.

Megjithatë, Kryeziu thotë se nuk do të largohet nga anëtarësia e PDK’së në Prizren, transmeton Periskopi.

‘’Procedurat janë normale të gjykimit. Nuk mund të largohem për 1 apo dy muaj. Nuk jemi më kurrfarë helmi dhe kurrfarë virusi. Nëse ndonjëri nga ne dënohemi me një proces krejt qesharak. Por ideja ka qenë tek institucionet publike më shumë, se sa në parti politike. Por në gjitha partitë tjera ka më shumë se sa në PDK.

‘’Nuk kam marrë vendim të pezulloj pozitën e anëtarit të PDK së në Prizren. Vec e respektoj parimine e PDK’së. 269 vota i kam pasë. Nuk e kam problemin tek dorëheqja. Edhe PRONTO ka elemente të gjenezës në PDK.

‘’Qysh me  na mbajt neve me muaj nën hetime. Edhe ne kemi fëmijë edhe ne kemi familje.Mundesh me mcu në burg, por jo kështu’’, shtoi Kryeziu./PERISKOPI/

 

Tahiri: Qeveria mund të bjerë nga koalicioni pozitë – opozitë

Periskopi.com Lajme

Politologu Ramush Tahiri ka paralajmëruar se kryeministri Ramush Haradinaj mund ta ketë fatin e ish-kryeministrit Isa Mustafa. Ai ka thënë se qeveria aktuale mund të rrëzohet vetëm nga një koalicion joparimor pozitë – opozitë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka kritikuar qeverinë dhe subjektet opozitare.

“Tani kjo qeveri mund të rrëzohet jo prej votave të opozitës, por prej një koalicioni joparimor pozitë – opozitë, ashtu siç është rrëzuar qeveria Mustafa”, ka thënë Tahiri. Ai ka deklaruar se në momentin që PDK-ja siguron partnerin politik për qeverinë e ardhshme, ajo mund ta rrëzojë qeverinë. Sipas Tahirit, një bashkëpunim PDK – LDK mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

“Tani ka mbetur të bëhet vetëm një marrëveshje e fshehtë PDK – LDK dhe qeveria të bie nesër. Kjo nuk është një strategji, por interes pragmatik. Bisedimet në këtë bazë janë duke u zhvilluar. Në atë moment që PDK-ja e siguron një mbështetje për ta krijuar qeverinë pas zgjedhjeve me LDK-në, menjëherë ajo e rrëzon qeverinë. PDK-ja nuk ka asnjë interes të qëndrojë në qeveri dhe për ta forcuar Ramush Haradinajn, ose për t’i duruar kritikat publike të Haradinajt derisa janë në koalicion bashkë”, ka thënë Tahiri. Më tej, ai ka kritikuar edhe qasjen e opozitës ndaj qeverisë.

Sipas Tahirit, opozita e vendit është e përçarë dhe kryeneçe. “Opozita është e përçarë dhe kryeneçe, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Vetëvendosja jeton në revolucionarizëm, i cili është anakronik për kohën e sotme, kurse LDK-ja jeton në shpirt të Rugovës dhe në të kaluarën e saj, pa ndonjë plan strategjik për të ardhmen dhe pa ndonjë reformim të thellë. Pra, është një politikë meskine e këtyre dy partive”, është shprehur Tahiri.

 

Pozita dhe opozita nesër sërish përballen për dialogun

Periskopi.com Lajme

Ndasitë në qëndrime të politikës kosovare karshi përfaqësimit të shtetit në procesin e dialogut, edhe një herë tjetër, do të shpërfaqen të mërkurën në Kuvendin e Kosovës. 

Përderisa në orën 10:00 nis punimet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga deputetët e LDK-së e Vetëvendosjes, po në të njëjtën orë nis edhe tryeza e thirrur nga kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli. Veseli, seancën e jashtëzakonshme e ka konsideruar vetëm si komplikim të mëtejmë të thirrjes për unitet.

Megjithëse ka refuzuar të jetë pjesë e ekipit negociator, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit të saj, Isa Mustafa, ka thënë se pa opozitën e mirëfilltë nuk do të ketë zgjidhje të çështjeve me interes shtetëror, raporton KTV.

Pak minuta më vonë, në një postim të dytë, Mustafa ka sqaruar se këto pikëpamje, nuk nënkuptojnë se do t’i bashkohen ekipit negociator.

Se kë do ta ketë përballë, aspak e rëndësishme nuk iu është dukur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, megjithëse i ka përmendur kryesuesit e ekipit negociator, Ahmetin e Limajn.

Shtyhet mbledhja e Komisionit Hetimor, diskutohej për dëbimin e shtetasve turq

Periskopi.com Lajme

Pas mospajtimeve në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës është shtyrë për të hënën mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi tha se pozita po shihet që po dëshiron ta pengojë punën e Komisionit hetimor.

“Asnjëherë nuk kanë me marrë ata pjesë në këto mbledhje. Ata ose duan diçka me fsheh, ose i tuten shefave të tyre. Kjo gjë ndodh vetëm në Kosovë, pa asnjë arsyeje e lëshojnë mbledhjen. Pozita nuk është e interesuar që të bëhet një hetim parlamentar ashtu qysh është caktuar në seanca të Kuvendit”, tha ai.

Mbledhja e sotme nisi me ftesën e raportimit të një zyrtari policor, ku ishin prezent edhe mediat.

Megjithatë, ende pa filluar intervistImi i tij, reaguan anëtarët e komisionit nga pozita, të cilët kërkuan që mbledhja të jetë e mbyllur për media për shkak të ndjeshmërisë së rastit, si dhe për shkak se mund të dëmtohet procesi i hetimeve.

Atëherë kanë reaguar anëtarët e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kërkuan që takimi të jetë i hapur për media.

Mbledhjen e lëshuan Ganimete Musliu, Haxhi Shala, Muharrem Nitaj, Bahrim Shabani.

Më vonë u vendosë që mbledhja të mbahet të hënën në ora 09:00.

Pozita gjen shkas për të braktisur punën e Komisionit për hetimin e dëbimit të gylenistëve

Periskopi.com Lajme

Mbledhjen e komisionit hetimor për rastin e dëbimit të shtetasve turq, e kanë lëshuar Ganimete Musliu, Haxhi Shala, Muharrem Nitaj, Bahri Shabani. Kjo, sepse nuk arritën të dakordohen nëse kjo mbledhje do të jetë e hapur apo e mbyllur për mediat.

Kundër kësaj u shpreh Sami Kurteshi, duke thënë se kjo mbledhje duhet të jetë e hapur.

Pas daljes së tyre nga mbledhja, Sami Kurteshi u shpreh se kjo jep sinjal që ata po duan të fshehin diçka për publikun.

“Mediat duhet të jenë këtu të marrin ata përgjegjësinë çfarë shkruajnë e çfarë jo”, tha Kurteshi.

Ndërsa, Muharrem Nitaj tha se këtu ka të bëjë me materie të ndjeshme dhe sensitive, transmeton ksp.

“Nuk bëhet seanca e hapur, e dini fort mirë se me çfarë raportesh e dokumentesh kemi të bëjmë, nuk është mirë të bëhet debat për këtë gjë a është e hapur apo jo, ju lus të jetë e mbyllur mbledhja, përndryshe jemi të detyruar ta lëshojmë mbledhjen”, tha Nitaj.

Me këtë gjë u pajtua edhe anëtari i komisionit Hajdar Beqa, i cili tha se nëse kjo mbledhje do të jetë e hapur, do të dëmtohen provat.

“Munden me u dëmtu misioni, mbledhja e provave mund të dëmtohet derisa ato të hetohen. Jemi në pjesën e hetimeve, i hup kredibiliteti i informatave meqë jemi në këtë fazë”, tha Beqa.

 

Debat kundërshtues pozitë-opozitë, ka apo nuk ka rritje të auditorëve të brendshëm

Periskopi.com Lajme

Seanca e sotme vazhdoi me shqyrtimin e raportit vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, ku përfaqësues të Qeverisë thanë se ka përmirësime, ndërsa, deputetët thanë se ndryshimet janë shumë të vogla dhe patën disa kërkesa për Ministrinë e Financave.

Ministri Hamza duke paraqitur raportin vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017, para deputetëve, ka thënë se informatat që dalin nga pyetësori vetvlerësues, monitorimi dhe analizat e bëra, është një përmirësim në të gjitha komponentët e menaxhimit të kontrollit të brendshëm.

“Numri i auditorëve të brendshëm është rritur për 30 % apo nga 98 në 128. Njësitë e auditimit të brendshëm gjatë vitit 2017 kanë kryer 497 auditime të brendshme që krahasuar me vitin 2016 kemi një rritje të auditimit të kryera nga 492 nga 497. Çështjet për adresim në të ardhmen lidhur me menaxhimin financiar e kontrolli janë si në vijim; ka nevojë për përmirësim në procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit, rritjen e efikasitetin e proceseve që lidhen prokurimin publik, rekrutimin e stafit të brendshëm për auditim të brendshëm, mirëmbajtjen e regjistrit të pasurisë, raportimin dhe arkëtimin e të hyrave, nxjerrjen e procedurave për parregullsi, avancimin e proceseve që lidhen me teknologjinë informative, si dhe nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme që standardizojnë proceset e brendshëm te secila organizatë buxhetore“.

Mergim Lushtaku, në emër të komisionit të Kuvendit, sha disa rekomandime për Ministrinë e Financave, e cila duhet të vazhdojë me programin kombëtar për certifikimin e auditorëve të brendshëm dhe të mbajë trajnime për punëtorët që janë certifikuar por që nuk janë duke punuar si auditor.

“Të kompletohet njësia e auditorit të brendshëm brenda kuvendit nga një i punësuar në së paku tre të punësuar. Ministria e Financave të përkrah kërkesat e institucioneve lidhur me rritjen e stafit për pozitat e auditorit të brendshëm, në veçanti për ato institucione që ende nuk kanë plotësuar pozitat për auditor të brendshëm”, tha ai.

Kurse, deputeti i PSD-së, Faton Topalli, tha se ka vlerësim të mirë të vetvetes të organizatave buxhetore nuk ka ndryshim pozitiv nga viti 2016 në vitin 2017.

“Nëse e krahasojmë vitin 2016 me vitin 2017 ndryshimi del shumë i vogël, kështu p.sh mjedisi i kontrollit në vitin 2016 ka qenë 2.62 %,në vitin 2017 , 2.57, notim maksimale është 3, që i bie se kemi një ulje në krahasim me vitin 2016 për 0.51 %. Sa i përket menaxhimit të rrezikuat gjithashtu kemi një ulje prej 0.6 % në krahasim për vitin 2016”, tha ai.

Gjithashtu janë shqyrtuar edhe disa projektligje tjera siç është ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, si dhe projektligje tjera.