Ministria e Punës dhe GIZ-i gjerman ofrojnë mundësi punësimi për 400 persona

Periskopi.com Lajme

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica ka njoftuar se ministria që ai drejton bashkë me GIZ-in gjerman, kanë lansuar sot skemën “Praktikë në Punë” për të ndihmuar papunësuarit në Kosovë.

Reçica, ka shpjeguar se nga kjo skemë do të përfitojnë 400 persona përmes një praktike prej 6 muajve, që paguhet 150 euro në muaj, njofton Periskopi.

Kjo skemë realizohet në bashkëpunim me punëdhënësit, të cilët po ashtu përfitojnë nga skema praktikantë pa pagesë gjatë këtyre 6 muajve, e më pas i punësojnë si punëtorë të kualifikuar.

Njoftimi i plotë i ministrit Reçica:

Mundësi punësimi për më shumë se 400 punëkërkues

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), së bashku me GIZ-in Gjerman, nga sot ka lansuar skemën “Praktikë në Punë” për punëkërkuesit, si dhe punëdhënësit e sektorit privat. Nga kjo skemë do të përfitojnë mbi 400 punëkërkues të regjistruar.

Ftoj punëkërkuesit e regjistruar pranë Zyrave Komunale të Punësimit, të rinjtë e moshave 18-35 vjeç, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, të riatdhesuarit dhe minoritetet e të gjitha moshave, që të aplikojnë për praktikë në punë. Praktika zgjatë 6 muaj dhe pagesa është 150 euro në muaj.

U bëjë thirrje gjithashtu punëdhënësve/kompanive që kanë nevojë për praktikantë e të cilët kanë regjistruar vendet e lira të punës pranë Zyrave të Punësimit, që të aplikojnë në mënyrë që të përfitojnë nga Skema e Praktikës në Punë.

Koha e aplikimit është e hapur nga data 9 korrik deri më 17 gusht 2018.