Presidenti Thaçi: Deputetët t’i miratojnë kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, hapet kapitull i ri në bisedimet Kosovë – Serbi

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi me anë të një shkrimi në facebook ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratohet draft – rezoluta e dërguar nga ai, shkruan Periskopi.

“Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Ai tha se të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

Shkrimi i plotë:

Kosova, të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. HTH

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia ka dërguar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim Draft Rezolutën për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një dokument ekskluziv të siguruar nga Periskopi, presidenti ka kërkuar që me miratimin e kësaj Rezolute shqiptarët e Luginës së Preshevës të bëhen pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, kërkohet që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të ngritët në çdo forum ndërkombëtar ku marrin pjesë përfaqësuesit të institucioneve të Kosovës.