Zyra e Presidencës: Nuk e përjashtojmë mundësinë që t’i drejtohemi Kushtetueses

Periskopi.com Lajme

Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që në kuadër të funksionalizimit të institucioneve t’i parashtrojë ndonjë kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, zyra e të parit të shtetit thonë se ata do të jenë të obliguar të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur detyrimin kushtetues të tyre.

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Janë bërë një javë që kur ka qenë takimi konsultativ mes fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti dhe presidentit, Hashim Thaçi. Ky i fundit përmes një letre i ka kërkuar Kurtit që partia e tij të ofrojë mandatarin për kryeministër.

“Në cilindo rast të pranimit ose refuzimit të propozimit të kandidatit për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejt, sipas premtimit tuaj nga takimi ynë”, thuhet në letrën e presidentit.

Derisa sot, Kurti përmes një letre ka adresuar akuza karshi presidentit, duke e cilësuar si të njëanshëm.

Edhe pas tre muajve që kur kanë përfunduar zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka arritur të nënshkruaj marrëveshjen bashkëqeveriëse me LDK-në.

Franca respektoi Presidencën e Kosovës, kjo e hatëroi Vuçiqin

Periskopi.com Lajme

Mënyra e uljes së përfaqësuesve shtetërorë gjatë ceremonisë në Paris, ka hatëruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte ulur afër pesë njerëzve më të fuqishëm në botë.

Këtë e ka bërë të ditur gazetari Baton Haxhiu derisa dha detaje ekskluzive rreth takimeve që presidenti i Kosovës ka zhvilluar me liderët botërorë në Paris të Francës, njofton Klan Kosova.

”Ulja e përfaqësuesve shtetërorë, është çështje protokolli dhe kjo shpjegon se Presidenca e Kosovës ka pasur një respekt nga protokolli i Presidencës së Francës”.

”Nëse ka diçka përtej asaj se ç’ka kërkuar protokolli atëherë gabohemi por nëse ky është një respekt që Presidenca e Francës i ka bërë Presidencës së Kosovës kaq mjafton”.

”Ajo që ka ndodhur është një reagim i presidentit serb, edhe për faktin se në pjesën tjetër ka qenë edhe presidenti Erdogan”.

”Aleksandar Vuçiq ka pasur një hatërmbetje pasi presidenti Thaçi është ulur një hap prapa Macron, Merkel e Putin”.

”Ai në konferencë për shtyp ka pasur një hatërmbetje dhe ky konsiderohet reagim jodiplomatik”, thotë gazetari Haxhiu