Presidenti austriak i del në mbrojtje restorantit shqiptar në Vjenë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka kërkuar falje publike, pasi ai dhe bashkëshortja e tij thyen rregullat e rekomanduara si masë ndaluese e koronavirusit. Ai ka deklaruar se do të marrë përsipër të gjitha gjobat nëse i vihen pronarit shqiptar të restorantit “Sole” në Vjenë.

Austria ka lejuar hapjen e restoranteve deri në orën 23.00 të mbrëmjes, por presidenti Van der Bellen dhe bashkëshortja e tij, Doris Schmidaue, janë parë nga policia austriake teksa pinin deri pas mesnatës në restorantin “Sole” të pronarit shqiptar, Aki Nuredini, raporton Albinfo.

Sipas mediave austriake, restoranti në atë kohë ishte i mbyllur, por ata kishin vazhduar edhe për më shumë se një orë të qëndrojnë të ulur në tarracën e restorantit.

“E humbëm kohën duke biseduar dhe fatkeqësisht e kaluam orarin e lejuar”, kishte shkruar ai në një postim në rrjetet sociale. “Më vjen keq, ishte një gabim”, shpreh keqardhje presidenti Van der Bellen.

Sipas rregullores në Austri, nëse ndonjë restorant gjendet i hapur pas orës 23.00, gjoba do të jetë afër 30 mijë euro. Për këtë presidenti austriak ka theksuar se nëse pronarit të restorantit do t’i vihet ndonjë gjobë, është i gatshëm të gjitha t’ i marrë përsipër.

“Nëse restoranti do të marrë ndonjë gjobë, unë do të qëndroj prapa kësaj dhe do të marr përgjegjësitë e mia”, ka shkruar presidenti Van der Bellen.

Restoranti “Sole” është pronë e gastronomit të njohur shqiptar Aki Nuredini, i cili këtë restorant e ka të hapur që nga viti 1983 dhe gjendet në një nga rrugët më të frekuentuara të Vjenës.

​Policia kap presidentin austriak duke shkelur orën policore

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen kërkoi falje sot pasi së bashku me bashkëshorten e tij Doris Schmidauer është gjetur nga policia në një restorant në qendër të Vjenës pas mesnatës, megjithëse kafenetë dhe restorantet lejohen të punojnë deri në ora 23.00, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Van der Bellen konfirmoi incidentin për ‘Kronen Zeitung’ dhe kërkoi falje, duke thënë se ai ishte duke biseduar dhe kishte harruar për kohën.

Policët mbërritën në pikën e kontrollit kur gjetën presidentin dhe zonjën e parë austriake që po pinin në tarracë pas mesnatës.

Në Austri, për shkak të epidemisë, kafenetë dhe restorantet lejohen të punojnë deri në orën 23:00. Përndryshe, pronarët mund të gjobiten deri në 30,000 euro.

Restoranti u mbyll zyrtarisht kur hyri policia.

“Me të vërtetë më vjen keq. Ky ishte një gabim,” tha Van der Bellen.