Presidenti ​Thaçi i uron shërim sa më të shpejtë kryeministrit britanik

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka uruar shërim sa më të shpejtë kryeministrit britanik Boris Johnson, pasi ky i fundit është prekur nga koronavirusi i ri COVID-19 dhe është shtruar në kujdes intensiv.

“Duke uruar një rikuperim të shpejtë të kryeministrit Boris Johnson dhe një kthim i shpejtë te të dashurit e tij dhe të vazhdojë t’i shërbejë vendit të tij dhe botës! Mendimet e mia janë me të dhe familjen e tij”, shkruan presidenti Thaçi në një postim në Twitter.

Presidenti Thaçi thërret konferencë për media

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, do të mbajë konferencë për media.

Konferenca pritet të fillojë nga ora 10:30, njofton Zyra e Presidentit.

I pari i shtetit kishte mbajtur një konferencë edhe mbrëmë, pas vendimit të Qeverisë për marrjen e masave shtesë për parandalimin e koronavirusit.

Në këtë vendim përfshihet edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Thaçi dënon sulmin ndaj ekipit të gazetës Blic në veri të Mitrovicës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmin ndaj ekipit të gazetës Blic në veri të Mitrovicës, derisa po bënin një storie rreth gjendjes me koronavirus.

Ai me këtë rast ka bërë thirrje që të gjithë të qëndrojnë të qetë dhe të frenohen nga të gjitha aktet e dhunës.

“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa frikë ose presion. Ne të gjithë së bashku jemi në luftë kundër COVID-19”, shkruan presidenti Thaçi në Twitter.

Mediat serbe spekulojnë për një takim të mundshëm Thaçi-Vuçiq

Periskopi.com Lajme

Nesër në Uashington mund të ketë një takim ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe homologut të tij nga Kosova Hashim Thaçi, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, transmeton Tanjug.

Sipas agjencisë së lajmeve serbe, takimi mund të ndërmjetësohej nga i dërguari presidencial i SHBA për dialogun Beograd-Prishtinë Richard Grenell.

Takimi nuk do të përfaqësojë vazhdimin e dialogut, pasi Vuçiq ka thënë vazhdimisht se në interes të gjetjes së një zgjidhje për çështjen e Kosovës, ai është i gatshëm për të gjitha bisedimet, por që vazhdimi i dialogut nuk është në dispozicion para se Prishtina të heqë taksën.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet për vizitë në Uashington, ku është takuar me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, si dhe ka vizituar selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prit nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha, dhe nga anëtarët e kësaj shoqate.

Thaçi: Duhet të jemi të bashkuar, sepse vetëm kështu e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në pritjen shtetërore të organizuar nga ai me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se liria dhe pavarësisë është meritë e gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Po kalojnë 21 vite që Kosova e ka fituar lirinë dhe 12 vjet nga shpallja e Pavarësisë. Edhe liria dhe pavar7sia e vendit u ndërtuan me sakrificë, mund, luftë dhe unitet qytetar dhe politik. Është meritë e secilit. Më këtë rast ne kujtojmë dëshmorët, invalidët e luftës, diasporën dhe çdo qytetar që dha gjithçka për lirin kontribut “- tha Thaçi.

Thaçi përmendi edhe sukseset e arritur gjatë këtyre viteve të mëvetësisë.

“Tani Kosova është më e konsoliduar se kurrë si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kemi dalë nga një cikël zgjedhor dhe ndërtimit të institucioneve të vendit që ishin shembull për botën demokratike. Na presin punë që të konsolidohemi edhe në rrafshin e brendshëm, në atë politik, institucional, ekonomik të sigurisë të rendit dhe ligjit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Kur po e shënojmë 12 vjetorin e Pavarësisë Jemi të njohur nga mbi 100 shtete, dhe anëtarësuar në mbi 200 organizata ndërkombëtare “- theksoi ai.

I pari i shtetit të Kosovës shtoi se mbetet shumë punë për të bërë në arritjen e objektivave ndërkombëtare.

“Po në të njëjtën kohë po lëvizim në drejtim të konsolidimit më të fuqishëm edhe në perspektivën evropianë dhe anëtarësimin në NATO. Para nesh shtrohen obligimet e mëdha për të ndodhur liberalizimi i vizave kur Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret demokratike, por edhe anëtarësimi në Interpol, UNESCO dhe Organizata të tjera. Objektivë të gjithë neve e partive politike, shoqërisë civile është që sa më shpejtë të jemi në NATO. Prandaj të gjithë nga ne jemi krenar me Ushtrinë e Kosovës. Ushtri e re, multietnike, efikase, që do të shtrij autoritetin e vet në tërë territorin e Republikës së Kosovës “-shtoi Thaçi.

Ai ftoi të gjithë spektrin politik për unitet.

Thaçi tha se vetëm kështu të bashkuar është arritur liria dhe pavarësia.

“I tërë ky angazhim do të vazhdohet nga të gjithë, të unifikuar dhe të bashkuar pozitë dhe opozitë, sepse vetëm kështu të bashkuar e kemi arritur lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, dhe vetëm kështu mund të arrijmë të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Falënderoj në emër të popullit të Kosovës, SHBA-të, vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-n, që na janë gjendur afër në momentet më të vështira. Ne do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm së bashku sepse ndajmë vlerat e përbashkëta “-tha në fund Thaçi.

Thaçi në Durrës me Metën: Shqipëria nuk është vetëm, ka Kosovën

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me atë të Shqipërisë Ilire Meta kanë vizituar vendet që i goditi tërmeti në Durrës.

Dy presidentët thanë se i kanë vu në dispozicion institucionet shtetërore për të përballuar tragjedinë që la pas tërmeti.

Thaçi duke shprehur ngushëllime për viktimat tha se Shqipëria nuk është e vetme në këtë betejë të fatkeqësisë natyrore, por se ka Kosovën.

“Dëshiroj që në emër të institucioneve të Kosovës t’i shpreh ngushëllime presidentit Meta, institucioneve të Shqipërisë, popullit shqiptar për këtë fatkeqësi natyrore dhe për viktimat. Shprehim solidaritetin e Kosovës në këtë angazhim të përbashkët, në këto ditë jo të lehta”.

“Kur Shqipëria ka dhimbje edhe Kosova ka dhimbje, kur Shqipëria ka zi edhe Kosova ka zi”.
Thaçi po ashtu ka falënderuar të gjithë kosovarët që i dolën në ndihmë vëllezërve të tyre, veçanërisht ushtarët, policët dhe ekipet e kërkimit që janë në Shqipëri.

“Dëshiroj t’i falënderoj burra dhe gra të ushtrisë së Kosovës dhe Policisë që kanë reaguar dhe janë gjendur pranë vëllezërve dhe motrave këtu në Durrës dhe kudo”.

“Shqipëria nuk është vetëm është bashkë me Kosovën dhe shtet partnere që janë këtu me tërë ekipet e tyre të specializuara. Ngushëllime të gjithë familjeve të viktimave, prandaj do të jemi të përkushtuar në koordinim me institucionet e Shqipërisë që të kalojmë më lehtë tërë këtë dhimbje”.

Thaçi tha se dyert e shtëpive kosovare janë të hapura për familjet që kanë nevojë për strehim.

“Kosova është pranë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj me gjithë potencialin e vet shtetëror dhe qytetar, jo vetëm në aspektin moral. Shqipëria ka bërë shumë për Kosovën në vitin 1999 kur çdo familje në Shqipëri kishte hapur dyert për familjet kosovare që u dëbuan nga shtëpitë e tyre në atë kohë. E njëjta vlen edhe sot për familjet shqiptare që kanë nevojë për strehim duke i pasë dyert e hapura në familjet kosovare”.

“Por besoj që institucionet e Shqipërisë dhe janë në krye të obligimeve, të angazhuar dhe të përkushtuar për strehimin e familjeve që kanë nevojë”.

“Sot takova ushtarët dhe policët e Kosovës që janë këtu. Gjithashtu takova edhe rumunë dhe përfaqësues të shteteve të tjera. Kjo fatkeqësi tejkalon kornizat etnike që është njerëzore dhe nuk është vetëm një solidaritet vetëm brenda shqiptarëve por shumë më i gjerë”.

Thaçi: Bota është një vend më i sigurt me vdekjen e Abu Bakr al-Baghdadi

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se bota është një vend më i sigurt pas vdekjes së kreut të ISIS-it Abu Bakr al-Bagdadi.

Ai në një postim në Twitter shkruan se Kosova është një aleat i besueshëm dhe aktiv i SHBA në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Lajm i mirë nga presidenti @realDonaldTrump për vrasjen e liderit të #ISIS Abu Bakr al-Baghdadi. Bota është një vend më i sigurt me vdekjen e tij. #Kosova është një aleat i besueshëm dhe aktiv i SHBA në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”.

Lideri i Shtetit Islamik u vra gjatë një operacioni ushtarak të forcave amerikane në Idlib të Sirisë.

Idrizi: Veseli do ta udhëheqë dialogun, jo Thaçi

Periskopi.com Lajme

Ndonëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi aktualisht përfaqëson Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, nga PDK-ja kanë thënë se timonin e këtij procesi do ta marrë lideri i këtij subjekti Kadri Veseli po qe se PDK-ja vjen në krye të ekzekutivit pas 6 tetorit.

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës në një intervistë për gazetën “Zëri” ka deklaruar se me ardhjen në krye të ekzekutivit Kadri Veseli do të marrë në udhëheqje dialogun Kosovë – Serbi, duke ia marrë kështu nga duart këtë proces udhëheqësit aktual presidentit Hashim Thaçi.

Ndër të tjera ajo tha se PDK-ja nuk pajtohet me idenë e Thaçit për ndryshim territoresh. Sipas saj, qëndrimi i Veselit është që të mos preket asnjë milimetër e territorit të Kosovës.

Ndërkaq e pyetur se a mban përgjegjësi PDK-ja për korrupsionin në nivel të lartë në Kosovë, Idrizi nuk ka mohuar se edhe PDK-ja ka përgjegjësi, duke thënë se “Kush punon, gabon”.

Ndërkohë Idrizi ka komentuar edhe deklaratat e partive politike, të cilat tashmë i kanë vënë vijë të kuqe PDK-së. Ajo tha se këto vija pas 6 tetorit do të fshihen si me gomë.

Presidenti Thaçi jep një lajm të mirë, Vatikani dhe Greqia në prag të njohjes së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po qëndron në Selinë e OKB-së ku po zhvillon takime të rëndësishme me liderë të vendeve të ndryshme.

Thaçi do të merr pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara derisa ai në një intervistë ka folur rreth takimeve që ka zhvilluar atje.

Presidenti Thaçi është shprehur se kjo është mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën.

“Është një mundësi e jashtëzakonshme për shtetin e ri të Kosovës pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të afirmuar shtetësinë tonë, konsolidimin e brendshëm dhe afirmimin në rrafshin ndërkombëtar”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka folur rreth takimit të tij me përfaqësuesit e Vatikanit dhe kryeministrin e Greqisë duke shtuar se janë në fazën e njohjes së Kosovës.

“Kisha kënaqësinë që gjatë këtyre ditëve të takohem me presidentë të vendeve të ndryshme, me kryeministra dhe liderë të tjerë të vendeve që e kanë mbështetur dhe njohur Kosovën, por kam zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e Vatikanit dhe kryeministrin e Greqisë që janë në fazën e njohjes së Kosovës”, tha Thaçi më tutje.

Në vazhdim, Thaçi ka folur edhe rreth takimit me liderët e Ballkanit dhe përfaqësuesit e BE-së, duke treguar se do të takohet edhe me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe presidentin Donald Trump.

“Mendoj se ishte mundësi e mirë për të diskutuar edhe bashkëpunimet bilaterale por edhe perspektiven evropiane të Kosovës dhe pastaj edhe në takimin e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të Bashkimit Evropian, zonjën Mogherini dhe të tjerë. Ishin mundësi të mira për të prezantuar të arriturat e Kosovës dhe zotimet tona për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike.  Takimet do të vazhdojnë edhe sot me përfaqësuesit e SHBA-ve, z.Ricoer, ndërsa në mbrëmje me presidentin Trump dhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Është agjendë e ngjeshur e takimeve të rëndësishme me vendet që janë potencialisht partnere të Kosovës, mbështetëse të Kosovës por edhe me vende që ende hezitojnë të njohin shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.

Më tutje, i pyetur nëse është diskutuar rreth bisedimeve me Serbinë, Thaçi tregoi se nuk janë diskutuar tema specifike.

“Kanë qenë takime ku janë diskutuar tema të përgjithshme nuk ka pasur diçka specifike, secili e ka përfaqësuar vendin e vet. Unë kam vlerësuar se Kosova ka hyrë një kapitull të ri, të nevojshëm ndoshta të domosdoshëm të zgjedhjeve. Kam shprehur opinionin tim  me bindje të plotë se zgjedhjet do të jenët ë lira, fer dhe demokratike e Kosova do të formoj qeverinë së shpejti, qeveri sa më inkluzive sa më përfshirëse, që njerëzit të kenë legjitimitet të plotë, qeverisje të mirë dhe natyrisht sundimit të plotë të ligjit dhe të punohet për të ardhmen evropiane.”, tha Thaçi më tutje.

I pyetur rreth takimit me Donald Trump, Thaçi tha se presidenti aktual i SHBA-ve është përkrahës i madh i Kosovës, ndërsa e sheh si privilegj që do ta përfaqësoj Kosovën në këtë takim.

Thaçi ka shtuar gjithashtu se në këtë takim do të rikonfirmoj qëndrimin se Kosova duhet ta ruaj përjetësisht miqësinë speciale me SHBA-të.

“Presidenti Trump dhe administrata e presidentit Trump e ka mbështetur Kosovën fuqishëm sikur edhe administratat e tjera dhe presidenti Trump gjithmonë ka theksuar për Kosovën si vend dhe popull i mrekullueshëm. Kështu që unë kam besim të plotë se Trump dhe bashkëpunëtorët e tij do të jenë në mbështetje të plotë të fuqizimit të shtetit të Kosovës edhe sot edhe në të ardhmen. Dhe Kosova do të zotohet edhe njëherë se do ta ruaj përjetësisht miqësinë speciale me SHBA-të, do të jetë mundësi e madhe e imja për të përfaqësuar shtetin e Kosovës në takim me presidentin Trump”, tha Thaçi.

Thaçi nderon vëllezërit Bytyqi

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nderuar vëllezërit Bytyqi gjatë një vizite te varrezat e tyre në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA.

“Para varrit të tyre, si president i Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella në emër të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, për sakrificën që ka bërë familja Bytyqi për Kosovën”, shkruan Thaçi në Facebook.

“U mbusha me ndjenjat më të thella të respektit, nderimit, por edhe dhimbjes në vizitën që bëra te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA”, shton kreu i vendit.

Presidenti Thaçi është takuar edhe me bashkëluftëtarë nga Batalioni i Atlantikut, së bashku me komandantin e tyre Gani Shehu, në vendin prej ku ata janë nisur për të ardhur dhe për të luftuar për Kosovën.

“Bijtë tanë nga të gjitha trojet shqiptare kishin lënë ëndrrën amerikane për të ardhur dhe ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë për liri, pavarësi e barazi në Kosovë. Do t’u jemi përjetësisht mirënjohës për këtë”, theksoi presidenti Thaçi.

Për më tepër, ai ka thënë se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe sot është i përkushtuar me të njëjtin zell për realizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në vendet e rajonit.

“Për këtë ua shpreha mirënjohjen më të sinqertë komunitetin shqiptar në Bronx të Nju Jorkut”, shkruan presidenti Thaçi.

Pjesëtarët e MPB-së i kanë burgosur vëllezërit Bytyqi më datën 26 qershor 1999 në vijën kufitare Serbi-Kosovë, derisa ishin duke i ndihmuar një familjeje rome për të kaluar në Serbi. Më 9 korrik 1999  Mehmet (21), Agron (23) dhe Ylli (25) Bytyqi u vranë nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Sipas provave të paraqitura gjatë gjykimit, vrasjen e tyre e ka urdhëruar ministri i asokohshëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojiljkoviq.  Urdhri është përcjellë nëpërmjet të zinxhirit komandues deri tek ekzekutori.

Në zinxhirin e komandës është gjetur kryeshefi i asokohshëm i Resorit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime në Kosovë, si dhe komandanti NjPP dhe i Qendrës së Mësimit në Petrovo Selo, kurse sot themeluesi i organizatës joqeveritare Qendra për Studimin e Terrorizmit dhe anëtari i Këshillit qendror të Partisë progresiste serbe, Goran Radosavleviq- Guri.