Trump: Procedura për shkarkim, mashtrimi më i madh

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur procedurën për shkarkimin e tij, të nisur nga demokratët, si “mashtrimin më të madh” në historinë e politikës amerikane.

Video-mesazhi i publikuar nga Trump në rrjetet sociale, vjen si kundërpërgjigje pas nisjes së hetimeve ndaj tij lidhur me dyshimet se ai, përmes bllokimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, i ka bërë presion Kievit zyrtar, që të hetojë kundërshtarin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden.

Trump tha se demokratët – të cilët javën e kaluar nisën procedurat për shkarkimin e presidentit – duan “të marrin gjithçka”.

Ai tha se demokratët “duan të marrin armët tuaja, lirinë tuaj… dhe unë kurrë nuk do të lejoj që një gjë e tillë të ndodhë”.

Në thelb të këtij skandali është publikimi i një raporti të një informatori, i cili ka treguar detaje për telefonatën e 25 korrikut ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Gjatë kësaj bisede, Trump i ka kërkuar ndihmë Zelenskiyt për të hetuar Bidenin – i cili është kandidat demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – dhe djalin e tij Hunter, i cili ka qenë anëtar i bordit të një kompanie të energjisë në Ukrainë.

Trump, kishte bllokuar ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej 400 milionë dollarësh, para se kjo bisedë telefonike të ndodhte.

Shtëpia e Bardhë, më 25 shtator, publikoi një transkript prej pesë faqesh të bisedës telefonike Trump-Zelenskiy.

Sipas një memoje, Trump i ka thënë Zelenskiyt se avokati i tij personal, Rudy Giuliani dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të ndiqnin hetimin në Ukrainë dhe ata do të ishin kontakti kryesor për këtë çështje.

Giuliani ka konfirmuar se ka kontaktuar me autoritetet ukrainase për një hetim të mundshëm ndaj Bidenit dhe djalit të tij.

Në një postim në rrjetet sociale më 28 shtator, Giuliani tha se demokratët dhe mediat, janë bashkuar që ta shkatërrojnë atë.

“E dija se mediat dhe demokratët e korruptuar do të përpiqeshin të më shkatërronin”, tha Giuliani, i cili në të kaluarën ka qenë kryetar i Nju Jorkut.

Presidenti Trump po ashtu ka pranuar se i ka kërkuar Ukrainës që ta hetojë Bidenit, por edhe ai dhe Giuliani mohojnë se kanë bërë ndonjë gjë të gabuar.

Ndërkaq, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, përmes një deklarate, ka thënë se Trump asnjëherë nuk i ka kërkuar atij që ta hetojë Bidenin.

Pas telefonatës së 25 korrikut, sipas raportit të informatorit, Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët, janë munduar “që të fshehin” të dhënat e kësaj telefonate.

Sipas sondazheve, publiku në SHBA është i ndarë lidhur me procesin e shkarkimit të presidentit, i cili njihet me termin “impeachment”.

Sipas legjislacionit në SHBA, procesi i shkarkimit të një presidenti fillimisht iniciohet në Komitetin për Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, përpara se të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Dy presidentë – Andrew Johnson më 1868 dhe Bill Clinton më 1998 – kanë qenë subjekt i procedurave për shkarkimin e tyre. Por, që të dy janë liruar nga akuzat.

Më pas, votimi bartet në Senat – i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët – dhe për të shkarkuar një president, duhen dy të tretat e votave të senatorëve.

Procedurat për shkarkim kishin nisur edhe ndaj presidentit Richard Nixon më 1974, por ai kishte dhënë dorëheqje para se kjo procedurë të arrinte në Senat. Nixon është presidenti i vetëm amerikan që ka dhënë dorëheqje.

Trump tregon emrat që mund të zëvendësojnë John Boltonin

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 17 shtator, shpalli pesë emra si zëvendësues të mundshëm, për pozitën e lirë të këshilltarit të sigurisë kombëtare, katër prej të cilëve kanë punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Duke folur para gazetarëve në bordin e aeroplanit presidencial, Trump renditi fillimisht, Ricky Waddell, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare, së bashku me Keith Kellogg, i cili aktualisht shërben si këshilltar për siguri i nënpresidentit amerikan, Mike Pence.

Më pas, Robert O’Brien, u veçua si një pasardhës i mundshëm i John Boltonit, i cili u shkarkua javën e kaluar nga ana e presidentit Trump. O’Brien është një veteran i politikës së jashtme në qarqet e partisë republikane.

Ish-oficeri i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Fred Fleitz është një tjetër zëvendësim i mundshëm. Ai shërbeu si sekretar ekzekutiv i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Fleitz është kritik ndaj Iranit dhe ka pikëpamje të linjës së ashpër mbi islamin.

Lisa Gordon-Hagerty, nënsekretare e sigurisë bërthamore në Departamentin e Energjisë, gjithashtu u rendit si zëvëndësuese e mundshme e Boltonit. Ajo gjithashtu ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Pozita e këshilltarit të sigurisë kombëtare nuk kërkon konfirmim të Senatit të SHBA-së. Këshilltari-ja e sigurisë kombëtare jep këshilla për çështjet e mbrojtjes, të sigurisë dhe diplomacisë dhe është pozicioni më i lartë i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare.

Megjithëse këta emra u përmendën nga presidenti Trump, më vonë përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha se lista nuk është e plotë.

Më 10 shtator, presidenti Donald Trump, e shkarkoi këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, duke i thënë se shërbimet e tij në Shtëpinë e Bardhë nuk janë më të nevojshme.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham u tha gazetarëve se “Presidenti (Donald Trump) nuk i kanë pëlqyer shumë politikat e tij (John Boltonit), dhe se ata kanë pasur mospajtime”. /REL

Trump dëshiron që trupat amerikane të tërhiqen nga Afganistani para zgjedhjeve më 2020

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se dëshiron që trupat amerikane të largohen nga Afganistani para zgjedhjeve presidenciale në nëntor të vitit 2020.

Këto deklarata vijnë pas citimeve të mediave amerikane se SHBA-ja është e gatshme të tërheq një numër të madh të trupave nga Afganistani në këmbim garanimit të negociatave nga talibanët me Kabulin për t’i dhënë fund luftës 18 vjeçare.

Gazeta Uashington Post dhe agjencia e lajmeve CNN kanë cituar burime duke thënë që numri i ushtarëve do të shkonte nga 14,000 deri në 8,000 – 9,000 si pjesë e marrëveshjes për paqe për t’i dhënë fund konfliktit.

Uashingtoni tha se marrëveshja me talibanët duhet të finalizohet deri në fillim të shtatorit.

Kur u pyet nga gazetarët për tërheqjen e trupave, Trump nuk specifikoi numrin e saktë, por u tha gazetarëve se do të zvogëlohet.

“Ne kemi qenë aty për 19 vite. Jemi duke shërbyer si policë. Ne do të mund të shëptonim Afganistanin për disa ditë nëse kemi dëshirë, por nuk jam i interesuar t’i vras 10 milionë njerëz”, kishte thënë Trump, transmeton rel.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët, që nga shtatori, kanë mbajtur tetë runde bisedimesh të paqes. Të dyja palët kanë njoftuar për përparim në bisedimet për një marrëveshje të mundshme. SHBA-ja ka premtuar se mund të tërheqë trupat, nëse talibanët nuk lejojnë që Afganistani të përdoret si bazë për terrorizmin.

Talibanët kanë refuzuar të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, duke e quajtur atë të paligjshme.