“Dreka e thjeshtë” në Prevallë siç e quajti zëvendëskryeministri Haki Abazi, por zyrës së kryeministrit Albin Kurti i kushtoi mbi një mijë euro.
Gazeta Insajderi, bazuar në të drejtën për qasje në dokumente publike ka siguruar dy faturat që qeveria kishte paguar për takimin e mbajtur dy javë më parë në Prevall. Fatura e parë, kap shifrën 850 euro derisa fatura e dytë 525 euro. Por për çfarë u shpenzuan këto para?
Me 29 shkurt, kryeministri Albin Kurti kishte mbledhur kabinetin e tij prej 50 personash. Ai kishte caktuar vendtakimin në zonën turistike Prevall, për të diskutuar për planin qeverisës.
Takimi gjithë ditor në hotelin “Sharr”, i Kurtit me varësit e tij zgjati tetë orë. I tërë ky organizim i Kurtit, sipas zyrës së tij i kushtoi 1 mijë e 375 euro.
Gazeta Insajderi, ka siguruar dy faturat që zyra e Kurtit i ka paguar atë ditë.
Vetëm dreka për ministrat, stafin mbështetës dhe sigurimi i afërt të kryeministrit në këtë hotel luksoz kishte kushtuar Zyrës së Kryeministrit 750 euro, kurse shfrytëzimi i sallës kishte kushtuar 100 euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas kësaj fature, shujta ditore ka kushtuar 15 euro. Kabineti i qeveris përbëhej nga 50 persona, për të cilët u shpenzua 750 euro.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, zëvendëskryeministri Haki Abazi, pati thënë se qëndrimi në sallën e hotelit iu ka kushtuar 150 euro, si dhe sipas tij dreka që e kanë konsumuar ka qenë e thjeshtë.
“Unë e di që na ka kushtuar 150 euro sallë ku kanë qëndruar gjatë gjithë ditës ministrat, stafi mbështetës dhe për pjesën tjetër, është një drekë e thjeshtë të cilën e kanë konsumuar ministrat bashkë me stafin dhe këtu përfundon e gjithë kostoja. Sigurisht se do ta bëjmë publike. Natyrisht e kemi zgjedh një vend brenda Kosovës që është Prevalla dhe ku është mundësuar punë produktive për të gjithë pjesëtarët e kabinetit qeveritar”, tha ai.
Në këtë takim përveç drekës së Qeverisë Kurti, dreka dhe kafe ishin shërbyer edhe për vozitësi, shërbimi policorë të Kosovës dhe mbrojtja e ministrave.
Edhe shujta e tyre kishte kushtuar 15 euro, ky staf përbehej nga 35 persona, e ku Zyrës së Kryeministrit i kushtoi 525 euro.
Bazuar në përgjigjen e zyrës së kryeministrit, në këtë hotel ishin rezervuar salla për gjithë ditën si dhe dreka për kabinetin qeveritar, stafin mbështetës, zyrtarët nga ZPS, stafin Teknik, sigurimi i afërt të kryeministrit, vozitësit dhe mbrojtja e afërt e ministrave si dhe për shërbimin policor të Kosovës.
Kjo mbledhje filloi në orë 9 të mëngjesit. Kabineti i Qeverisë Kurti kishte marrë rrugën për në Prevallë në orët e hershme të mëngjesit të së shtunë, të 29 shkurtit. Krejt kjo për të arritur dakordim për planin qeverisës 2020-2023. Kurti, pas pesë orësh takim kishte shpalosur draft programin qeverisës i cili kishte 41 faqe