Lëndohet tre policë në një aksident në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Policia raporton se mbrëmë në rrugën “George Bush”, në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë lënduar tre zyrtarë të Policisë.

Sipas Policisë aksidenti ka ndodhur kur i dyshuari, i cili ka qenë duke drejtuar veturën me targa lokale duke mos iu përshtatur distancës ka goditur nga mbrapa një veturë tjetër me targa lokale ku si pasojë lëndime trupore kanë pësuar tre zyrtarë policorë.

Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

“Barnat me origjinë nga Serbia nuk janë vetëm në Prishtinë por në gjithë Kosovën”

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se barnat me origjinë serbe nuk janë vetëm në komunën e Prishtinës por në të gjithë Kosovën.

Ai ka thënë se prioritet i komunës është që qytetarët të mos kenë mungesë të barnave.

“Kujdesi jonë parësor është që qytetarët tanë të mos mbesin pa barna. Lajmi ishte vetëm për komunën e Prishtinës por unë mendoj që ato janë të pranishme në tërë Kosovën”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për dezinfektimin, ai ka thënë se faza e parë e dezinfektimit të hapësirës në Prishtinë ka përfunduar, ndërkaq për fazën tjetër është paralajmëruar se do të jetë një mot i favorshëm për këtë proces.

Ai ka thënë se në fazën e dytë do të bëhet dezinfektimi për disa fshatra të Komunës së Prishtinës ashtu siç është paraparë me kontratën e vitit të kaluar.

Sipas tij, disa nga fshatrat nuk kanë pranuar që ky proces të kryhet.

Gashi në KTV ka thënë se regjioni i Prishtinës nuk njihet si zonë endemike.

“Ne javët e fundit kemi marrë disa kërkesa nga qytetarët e Prishtinës ku kanë lajmëruar për pickim të rriqrave mirëpo këto ndodhin më shumë në pjesët rurale jo në qytet”, thotë ai.

Ai ka thënë se do të jenë gjashtë faza të dezinfektimit.

Duke folur për mungesën e barnave dhe materialit shpenzues në qendrat e mjekësisë familjare, ai ka thënë se nuk ka pasur ankesa, pasi që sipas tij, në vazhdimësi qendrat pajisen me material.

Ndërkaq lidhur me rritjen e çmimeve për qytetarët e komunave tjera gjatë kontrollit në qendrat e mjekësisë familjare, ai ka thënë se, një iniciativë e tillë është filluar për t’i mbrojtur qytetarët e Prishtinës.

“Qytetarët e komunave tjera kanë qendra familjare në komunat e tyre. Nuk ka qenë çmim i papërballueshëm por çmim me i vetëdijesuar qytetarët e komunave tjera. Unë shpresoj që kuvendi i komunës do ta kalojë këtë pikë”, thotë ai.