Universitetit të Gjilanit i hiqet akreditimi për tri programe të rëndësishme studimi

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Akreditimit të Kosovës ia ka hequr akreditimin Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” për tri drejtime – dy prej të cilave të nivelit Bachelor dhe një Master.

Zyrtarja për media në këtë Universitet, Minire Haziri Rexhepi, ka konfirmuar për Periskopin se Agjencia e Akreditimit e ka hequr akreditimin për programet: Drejtim Juridik i Përgjithshëm BA, Drejtimi i Edukimit me 2 programet (Fillor dhe Parafillor) BA dhe drejtimi E-Qeverisja MA.

Ndërkohë, kjo Agjenci ia ka akredituar katër programe këtij Universiteti, si: Programi i Ekonomikut (Banka, Financa dhe Kontabilitet si dhe Menaxhment) BA, Shkenca Kompjuterike BA, Fakultetin e Shkencave Aplikative – Programi Matematikë Arsimor BA dhe Qeverisje lokale dhe Shoqëri Demokratike MA – raporton Periskopi.

Haziri Rexhepi ka thënë tutje për Periskopin se bazuar në Udhëzimin Administrativ të MAShT’it, nr.15, viti 2019, neni 21, pika 2, thotë se “AKA mund të  rishqyrtojë  akreditimin e dhënë në çfarëdo kohe, më pas të tërheq vendimin e saj për akreditim, nëse kushtet e dhëna me rastin e akreditimit janë shkelur”, por UKZ nuk ka shkelur asnjë  kusht.

Këto programe në Universitetin “Kadri Zeka” janë vetëm  disa prej programeve të cilave ua ka hequr akreditimin Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

Madje në një shkresë zyrtare, rektorët e gjashtë universiteteve publike të Kosovës kërkuan që të shkarkohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për shkak të pezullimit të 42 programeve studimore.

Për këtë reagoi Këshilli.

Ata thanë se legjitimitetin si Këshill e kanë nga Kuvendi dhe vetëm nga ai mund t’i merret.

Sa i përket vendimit për pezullim të 42 programeve studimore, ky këshill ka thënë se i merr vendimet në bazë të kornizës ligjore dhe se pa aplikuar Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë nuk mund të bëhet anëtarësimi në ENQA dhe EQAR.

“KSHC vepron dhe funksionon në bazë të kornizës ligjore, më specifikisht: Ligjit Nr. 04/L-037 Për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës: Nr. 15/2018, datë: 28.09.2018. KSHC merr vendime konform dispozitave ligjore në fuqi dhe në përputhshmëri me Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë. Vlenë të ritheksojmë se aplikimi i këtyre standardeve është parakusht për anëtarësi të Agjencisë së Akredimit (AKA) të Republikës së Kosovës në European Association for Quality Assurance -ENQA dhe rikthim në European Quality Assurance Register – EQAR. ENQA ofron ekspertizë Evropiane në akreditimin e programeve në vendin tonë. EQAR njeh diplomat e marra në arsimin e lartë në Kosovë. Nëse Kosova nuk është anëtare, atëherë procesi i akreditimit vështirësohet dhe studentët do të ballafaqohen me vështirësi në regjistrim dhe/apo transferim në programe të studimit jashtë vendit. Për më shumë, mosnjohja e diplomave rezulton në përjashtim në punësim dhe mobilitet në zonën e arsimit të lartë në Evropë”, thuhet në reagim.

Në reagim, KSHC ka thënë po ashtu se programet e studimit i trajton sipas kritereve të parapara në Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Udhëzimin Administrativ për Akreditim duke shtuar edhe përkufizimin e Nenit 26, paragrafit 5.3.4 për kërkesën minimale për programet e studimit: “Për programet e studimit të cilat shpijnë deri tek marrja e një diplome shkencore Bachelor dhe Master, kërkesat për stafin akademik janë për çdo grup të studentëve (të përcaktuar sipas statuti të IAL) dhe për çdo 60 ECTS të programit duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimit.”

“Neni 26 paragrafi 5.3.6 përkufizon se: Për programet e studimit të doktoratës që shpijnë deri tek marrja e një diplome shkencore Dr.Sc., kërkesat për stafin akademik janë që për çdo program të studimit institucioni duhet të ketë të paktën tre (3) me marrëdhënie të rregullt të punës me titull akademik Prof. Asoc. Dr. ose Prof. Dr. nga fusha e programit të studimit. Po ashtu, Neni 30, saktëson procedurën e deklarimit të stafit akademik për angazhim, dhe obligon KSHC të veprojë konform me legjislacionin në fuqi. Më specifikisht, Paragrafi 3 i Nenit 30, i Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2018 kërkon që: Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”, thuhet në reagim.

KSHC ka thënë se është zhgënjyese dhe për keqardhje që disa institucione publike nuk kanë arritur të plotësojnë minimumin e kërkesave për akreditim dhe riakreditim.

Për më shumë, KSHC thotë se i ka informuar zyrtarisht të gjitha institucionet e arsimit të lartë, më 11 Qershor 2018 për kushtet e akreditimit dhe ri/akreditimit dhe deklarimin e stafit.

Këshilli ka ofruar disa shembuj “se si disa institucione publike të arsimit të lartë kanë dështuar në sigurimin e stafit të kualifikuar sipas fushës së studimit për bartës të programeve”.

# 1 Universiteti “Haxhi Zeka”

Programi Menaxhimi i Burimeve Njerëzore, niveli MSc (120 ECTS), dy bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Ekonomi; 2) Filologji

# 2 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Programi Udhëheqja në Arsim, niveli MA (90 ECTS), dy bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Histori; 2) Psikologji

# 3 Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”

Programi Edukim Parashkollor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Kulturë Fizike dhe Sport; 2) Shkenca mjekësore, 3) Sociologji; 4) Fizikë

# 4 Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”

Programi Edukim Fillor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Filologjii; 2) Filologji; 3) Filologji; 4) Gjuhësi dhe Didaktikë

# 5 Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”

Programi Edukim Fillor, niveli BA (240 ECTS), katër bartës të programit me Ph.D në fushat: 1) Kimi; 2) Makineri; 3) Histori; 4) Punë Sociale

# 6 Universiteti i Shkencave të Aplikuara – Ferizaj

Programi Menaxhment i Hotelierisë dhe Turizmit, niveli BSc (180 ECTS), tre bartës të programit me Ph.D. në fushat: 1) Ekonomi; 2) Lëndë paraklinike/Mjekësi; 3) Filologji.

“KSHC mbetet e përkushtuar për vendimmarrje me llogaridhënie, transparencë, dhe e hapur për dialog me hisedarët në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtar. Ju përkujtojmë se çdo mbledhje e KSHC monitorohet nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe media. Ne shohim vendimet e KSHC në funksion të ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë përgjatë sektorit publik dhe privat. Synojmë arsim të lartë cilësor dhe programe studimi të shumëllojshme në të gjitha qendrat e Kosovës sipas standardeve bashkëkohore të zonës Evropiane. Besojmë se vetëm përmes mekanizmave të cilësisë Kosova do të mund të marr pjesë në arenën ndërkombëtare. Nuk është synimi i KSCH mbyllja e programeve por sigurimi dhe avancimi i cilësisë”, thuhet në reagim.

KSHC thotë se synon ta vendosë Kosovën në rrjetet ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore.

“Prandaj, jemi të përkushtuar për kthimin e AKA në EQAR dhe ngritjen e mobilitetit ndërkombëtar. Refuzimi i standardeve të cilësisë nga institucionet e caktuara jo vetëm që do të rëndon zhvillimin institucional të arsimit të lartë, por do të mbanë studentët kosovarë dhe Kosovën jashtë rrjedhave dhe trendeve globale të dijes dhe punës. KSHC përmes insistimit në cilësi synon të ndërtojë Kosovën Evropiane dhe të hap rrugë për zhvillim intelektual të studentëve dhe gjeneratave të ardhshme. KSHC nuk do të bëjë asnjë kompromis ndaj kërkesave minimale ligjore dhe standardeve të cilësisë në arsimin e lartë përkundër presioneve të ndryshme. KSHC është institucion përgjegjës dhe mbron interesin publik përmes ‘kujdestarisë’ së cilësisë në arsimin e lartë. Ftojmë hisedarët dhe të gjithë të interesuarit në bashkëbisedim për standardet në akreditim sot dhe vizionin për Kosovën si shoqëri e dijes, e jo sjelljen jashtë rregullave formale, kërcënimeve dhe kërkesave për mbajtje të status quo-së në funksion të strukturave të pushtetit. I ftojmë univerisitetet publike të shfrytëzojnë rrugët juridike për ankimim dhe të largohen nga praktikat joformale dhe lajthitje të opinionit publik. Po ashtu, ftojmë IAL të jenë institucione modele të dijes, udhëheqjes demokratike, transparencës dhe sundimit të ligjit”, thuhet në fund të reagimit./PERISKOPI