Legjislatura që shkoi, nga 140 projektligje përfundoi vetëm 29 prej tyre

Periskopi.com Lajme

Me seanca të jashtëzakonshme, mungesë kuorumi e pak ligje të miratuara, është karakterizuar sesioni pranveror i legjislaturës së shkuar.

Njohës të punës së Kuvendit, Legjislaturën e gjashtë, e cila nuk arriti të përmbyllte mandatin e saj, e kanë cilësuar të dobët për nga performanca, raporton KTV.

Sipas Agnesa Haxhiut nga Instituti Demokratik i Kosovës, legjislatura e re do të përballet me probleme të vjetra.

Megjithatë, Artan Murati thotë se efikasiteti i legjislaturës së re do të varet nga mënyra e formimit të saj.

Përkundër kësaj, Haxhiu e Murati vlerësojnë që, për dallim nga seancat e Kuvendit, puna në komisionet parlamentare ka qenë ndryshe.

Nga 143 projektligje sa kanë qenë të planifikuara për shqyrtim gjatë sesionit pranveror, legjislatura e kaluar ka miratuar vetëm 29 prej tyre.

Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 26 dhjetor, pas shpërndarjes së Legjislaturës së gjashtë, në gusht të 2019-s.

 

Shpërndarja e Kuvendit lë në letër shumë projektligje

Periskopi.com Lajme

Edhe legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës nuk do arrijë të dërgojë deri në fund mandatin e saj katër vjeçar.

Kjo pasi më 22 gusht, deputetët pritet të votojnë shpërndarjen e tij, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, e pas refuzimit të ftesës së Presidentit Hashim Thaçi që koalicioni PAN të propozojë një mandatar të ri.

Si pasojë e kësaj, puna e bërë deri më tani në hartimin dhe shqyrtimin e projektligjeve të shumta do të shkojë huq, raporton KTV.

Ndër to edhe për projektligjin për Qeverinë, për Rregulloren e Punës së Kuvendit e për zgjedhjen e Komisionerit për Informim e Privatësi.

Monitorues të punës së Kuvendit, një gjë të tillë e shohin shqetësuese.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, këtë legjislaturë e ka cilësuar të dështuar.

Puna e bërë deri më tani, sipas Agnesës Haxhiut nga KDI, jo vetëm që do të kthehet në pikën zero, por edhe do t’i mbetet qeverisë së re, nëse do të trajtojë apo jo çështjet e ekzekutivit paraprakë.

Në seancën e 22 gushtit kur shpërndahet Kuvendi, paraprakisht do të votohet për marrëveshjen IPA, që Kosova përfiton rreth 90 milionë euro nga BE-ja.

Kuvendi miraton krijimin e ushtrisë së Kosovës, kalojnë tri projektligjet

Periskopi.com Lajme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar edhe projektligjin e tretë për transformimin e FSK’së në ushtri.

Është miratuar me 96 vota pro Projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Ky projektligj përcakton kriteret e përgjithshme për shërbim, parametrat e shërbimit, kohëzgjatjen e shërbimit, zhvillimin e karrierës, ndërprerjen e shërbimit, statusin e pjesëtarit të FSK-së, të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve dh çështje tjera në kuadër të shërbimit në FSK.

Shefja e BE’së mirëpret votimin e projektligjeve: Vota konfirmon përkatësinë evropiane të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova ka mirëpritur votimin e tri projektligjeve nga Kuvendi i Kosovës, të cilat lidhen me marrëveshjet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Apostolova përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se votimi i këtyre ligjeve konfirmon përkatësinë evropiane të Kosovës.

“Përgëzoj Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes IPA 2017 dhe pjesëmarrjen në programet Erasmus+, Evropa Kreative dhe Evropa për Qytetarët. Vota konfirmon përkatësinë evropiane të Kosovës dhe aftësinë për tu bashkuar rreth çështjeve me interes kombëtar”, ka shkruar Apostolova.

Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017 është miratuar me 93 vota “për” dhe 8 abstenime.

Kurse, projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”, me 96 “për”, 2 “kundër” dhe 7 abstenime.

Kuvendi gjithashtu ka miratuar edhe projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport, me 97 vota “për”.

 

Votohen disa projektligje, mes tyre edhe ai për konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm

Periskopi.com Lajme

Disa që kanë mbetur nga seancat e qershorit e disa ato të korrikut, ishin këto projektligjet që u hodhën në votim në pjesën e parë të seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

E me gjithë vështirësitë në kuorum, disa prej tyre arritën të kalojnë.

Ndër të tjera, Kuvendi sot miratoi në parim Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Gjithashtu, u miratua në parim edhe Projektligji për Qasje në Dokumentet Publike dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Gjithashtu, në seancën e sotme kaloi edhe ligji për gjak dhe përbërës të gjakut. Derisa, për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Ndërmjetësim mungoi kuorumi.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës e arriti kuorumin edhe për të kaluar pikën e parë të rendit të ditës, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Siç tashmë dihet, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është bërë praktikë mungesa e deputetëve pjesëmarrës në sallë.

Jo rrallë herë, kjo po bënë që pikat e rendit të ditës të kalojnë në seanca të tjera, të reja  plenare, ku edhe aty kuorumi nuk po arrihet pa vështirësi.

Seanca pritet që të vazhdojë pas orës 14:00.

 

​Të hënën seanca e radhës

Periskopi.com Lajme

Të hënën do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës. 

Kështu ka vendosur kryesia e Kuvendit në të cilën pritet të votohen projektligjet e mbetura nga seancat e kaluara.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se beson që opozita do t’i votoj projektligjet e mbetura sidomos atë për legalizimin e ndërtimeve.

Ai tha se kanë marrë vendim me unanimitet të plotë dhe shpreson se të hënën nuk do të ketë qëndrime tjera nga opozita.

Kuvendin e pret punë e madhe, edhe 100 projektligje presin miratimin

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës ka një kohë të gjatë që po përballet me mungesë të kuorumit. Kështu shumë projektligje që janë në rend dite nuk po mund të miratohen për shkak të numrit të vogël te deputetëve të pranishëm në seancë.

Monitoruesja e Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se shumë pika të rendit të ditës nuk janë duke u shqyrtuar në ditën kur po planifikohet nga Kryesia dhe zvarritja e tyre po ndikon në stërngarkim të rendit të ditës së seancave.

Sipas saj, këto gjëra kanë bërë që Kuvendi për nga ushtrimi i funksionit ligjvënës të jetë e dobët.

“Kuvendi i Kosovës këtë legjislaturë është përballur vazhdimisht me mungesë kuorumi, por që si problematikë ka qenë dukshëm më e theksuar në vitin 2018, çka edhe ka pamundësuar funksionimin normal të këtij institucioni. Shumë pika të rendit të ditës nuk janë duke u shqyrtuar në ditën kur po planifikohet nga Kryesia dhe zvarritja e tyre po ndikon në stërngarkim të rendit të ditës të seancave. Caktimi i seancave plenare në kohën kur komisionet kanë paralajmëruar mbajtjen e takimeve të tyre po shkakton mungesë kuorumi në të dy anët. Në njërën anë, Kryesuesi i seancës shpesh herë është detyruar të ndërpres seancën ose ta shtyj votimin e ndonjë pike të caktuar për një ditë tjetër për mungesë të kuorumit. Ndërsa në anën tjetër, shumë prej takimeve të komisioneve janë anuluar në momentin e fundit për shkak që deputetët kanë qenë në seancë. Kjo ka ndikuar që performanca e Kuvendit për nga ushtrimi i funksionit ligjvënës të jetë e dobët”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndryshe, Haxhiu thotë se janë edhe mbi 100 projektligje të cilat janë në agjendën legjislative për vitin 2018.

“Për vitin 2018, Kuvendi ka arritur që të miratojë vetëm 27 ligje, prej të cilave 11 janë miratuar me procedurë të përshpejtuar meqë kanë qenë të parapara në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane. Nga agjenda legjislative për vitin 2018, në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare janë edhe 55 projektligje ndërkaq 62 te tjera ende nuk janë përgatitur nga sponzorizuesit e tyre”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, vetëm në seancën që është mbajtur të premten e kaluar ishin paraparë për miratim gjithsej 8 projektligje, dhe në mungesë kuorumi asnjë nga to nuk është hedhur në votim.