Hong Kongu pëson recension ekonomik, shkak protestat

Periskopi.com Lajme

Hong Kong u zhyt në recesion për herë të parë në dekadë.

Të dhënat e qeverisë konfirmuan të premten se ekonomia u zvogëlua nga protestat gjithnjë e më të dhunshme anti-qeveritare dhe lufta e përshkallëzuar e SHBA-Kinë.

Ekonomia u tkurr me 3.2% në periudhën korrik-shtator nga tremujori i mëparshëm, treguan të dhënat e rishikuara të qeverisë, njofton Klan Kosova.

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) kontraktoi për të dytin tremujor radhazi, duke përmbushur përkufizimin teknik të një recesioni.

Pa mbaruar protestat, analistët paralajmërojnë se qendra financiare dhe tregtare potencialisht përballet me një rënie më të gjatë dhe më të thellë sesa gjatë krizës globale financiare në 2008/2009 dhe epidemisë SARS në 2003, shkruan Reuters.

“Kërkesa e brendshme u përkeqësua ndjeshëm në tremujorin e tretë, pasi incidentet sociale lokale morën një numër të madh të aktiviteteve të lidhura me konsumin,” tha qeveria në një deklaratë.

 

Paralizohet Barcelona nga protestat

Periskopi.com Lajme

Një ditë e pestë protestash dhe një grevë e përgjithshme kanë paralizuar Barcelonën në mesin e zemërimit në vazhdim për liderët separatistë katalanë, të burgosur.

Dhjetëra e mijëra demonstrues hynë në qytet të premten, duke ndaluar tramvajet dhe duke bllokuar rrugët.

Protestat kanë marrë përmasa të tilla që kanë çuar edhe në shtyrjen e të famshmes El Clasico mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, ndërkohë që Sagrada Familia në Barcelonë, një nga atraksionet më të mëdha turistike, u mbyll pasi protestuesit bllokuan hyrjen.

Vendimi i gjykatës supreme, të hënën, për të burgosur nëntë liderë separatistë katalanas shkaktoi episodet më të rënda të dhunës nëpër rrugët e Spanjës, në dekada të tëra. Të paktën 96 vetë u plagosën pasi protestat u përhapën në të gjitha rajonet veri lindore të Spanjës.

Të mërkurën, barrikadat u dogjën dhe shishe me benzinë u hodhën ndërkohë që protestat mbërthyen qendrën e Barcelonës.

 

Vazhdojnë protestat kundër qeverisë së Vuçiqit

Periskopi.com Lajme

Protestuesit anti-qeveritarë në Serbi dolën në rrugë për herë të 43-të me radhë të shtunën.

Ata u mblodhën para Universitetit të Beogradit për shkak të dyshimeve se ministri i financave, Sinisa Mali, ka bërë plagjiaturë me rastin e mbrojtjes së doktoratës.

Studentët po kërkojnë qe 12 ditë që të bëhen publike gjetjet e një këshilli universitar në lidhje me rishikimin e doktoratës së ministrit.

Në maj të këtij viti, ky këshill kishte vendosur në mënyrë kundërthënëse se teksti i diplomës së ministrit nuk e arrin shkallën e plagjiaturës.

Dyshimet për këtë çështje kishin nisur para disa vjetësh, kur një grup ekspertësh kishte vlerësuar se ministri e ka kopjuar punën e të tjerëve, por brenda nivelit të lejuar.

Sidoqoftë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka ngacmuar protestuesit me fjalë, duke thënë se nuk do t’i plotësojë kërkesat e tyre as nëse në rrugë dalin pesë milionë njerëz.

Ai madje u tall me protestat edhe gjatë bisedës me gazetarë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke thënë “Rroftë rektorja”.

Protestat në Serbi filluan vitin e kaluar dhe ato po mbahen për çdo fundjavë. Protestuesit po kërkojnë shpërndarjen e kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, shkruan “Free Europe”.

Macron: Protestat e qytetarëve më ndryshuan për të mirë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pranoi se kriza me lëvizjen jo-politike “Xhaketat e Verdha” në disa mënyra ishte e mirë për të, sepse kjo e shtyu atë të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj francezëve.

“Në një farë mënyre, situata me Xhaketat e Verdha ishte shumë e mirë për mua…sepse ata më kujtuan atë që duhet të bëja”, tha Macron në një intervistë për US Times.

“Unë me siguri kam dhënë përshtypjen se kam dashur reforma kundër njerëzve. Ndonjëherë padurimi im interpretohet si padurim me francezët, gjë që nuk është kështu”, tha Macron.

Presidenti francez shtoi se ai është në gjysmë të mandatit të tij pesë-vjeçar dhe është në fazën midis kërkesës për reformave dhe dhënies së rezultateve.

“Sfida ime është të dëgjoj më mirë njerëzit sesa kam bërë në fillim të mandatit tim”, tha presidenti francez.

Protestat në Francë filluan në nëntor të vitit të kaluar dhe vazhduan për muaj të tërë. Ato nisën pas pakënaqësive për rritjen e çmimit të karburanteve, por vazhduan edhe për pakënaqësi të tjera ndaj politikave të Qeverisë së Macronit./REL/

 

Autoritetet turke përdorin topa uji kundër protestuesve kurdë (VIDEO)

Periskopi.com Lajme

Policia turke ka përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit që demonstruan në juglindje të Turqisë.

Protestat janë organizuar për të shprehur pakënaqësinë për largimin e tre kryebashkiakëve kurdë, një muaj pas zgjedhjes së tyre nga elektorati, shkruan Reuters.

Ankaraja ka zëvendësuar kryebashkiakët nga Partia Demokratike pro-kurde me zyrtarë të tjerë të Qeverisë.

Gjithashtu autoritetet turke kanë arrestuar më shumë se 400 persona nën dyshimin se janë militantë, veprim ky që është kritikuar ashpër nga partitë opozitare.

Angazhohet edhe ushtria për parandalimin e dhunës në protestat në Paris

Periskopi.com Lajme

Autoritetet franceze kanë njoftuar se do të angazhojnë forca shtesë të sigurisë, përfshirë trupat ushtarake, për ta parandaluar përsëritjen e dhunës në protestat e “jelekverdhëve”, të cilat do të mbahen në Paris dhe në qytete tjera gjatë kësaj fundjave.

Policë, xhandarë dhe ushtarë do të marrin  pjesë në një ceremoni të shfaqjes së forcës në kryeqytet dhe në qytetin jugor të Nices, ku presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, gjatë një vizite shtetërore të tij në Francë të dielën.

Pavarësisht ndalesës për protesta në disa pjesë të qytetit Nice, organizatorët e “jelekverëdhëve” kanë për thirrje për të protestuar në këtë vend të shtunën, ndërsa protesta pritet të mbahen edhe në qytete tjera të Francës. Kjo është java e nëntëmbëdhjetë e protestave të këtij grupi.

Analistët po e vlerësojnë marshimin e trupave si provokim nga qeveria. Sidoqoftë, administrata e Macronit e sheh daljen e mundshme nga kontrolli të kryengritjeve civile si sfidë serioze për autoritetin e vet dhe është është e vendosur ta ketë situatën nën kontroll pas akuzave se ka qenë e papërgatitur për protestat e javës së kaluar.

Protestat e javës së kaluar sollën dhunë dhe incidente. Protestuesit e dhunshëm shkatërruan dyqane luksoze, shitore të gazetave dhe njërin nga restorantet më të veçanta në “Champ Elysee”. Komandanti i policisë së Parisit u shkarkua pasi policët e tij u akuzuan për dështim në parandalimin e dhunës, shkruan “The Guardian”, transmeton  Express.

 

Bërnabiq: Serbia nuk e do dhunën, protestat s’po na bëjnë nervoz aspak

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka thënë se protestat nuk ndikojnë në punën e qeverisë dhe nuk ka nevojë askush të nervozohet më protestat.

“Nuk shoh ndonjë arsye që qeveria (serbe) të lëkundet nga këto protesta dhe s’ka arsye të jemi nervoz. Është një grup i vogël që po udhëhiqet nga Vuk Jeremiq, Dragan Gjilas dhe Boshk Obradoviq”, ka thënë ajo duke komentuar protestat që po ndodhin kundër qeverisë në serbi, shkruan B92, përkthen Periskopi.

“E drejta (për të protestuar) është e garantuar. Presidenti i Republikës ka thënë se askush nuk ka nevojë të shpreh papajtueshmëri me protestat”, ka thënë ajo.

Bërnabiq ka thënë se Serbia është një vend ‘i tolerancës dhe që nuk e do dhunën’./Periskopi/

 

 

Rama: Në Itali pastrova baltën e ziftin që hodhi opozita

Periskopi.com Lajme

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, është kthyer nga Italia pasi qëndroi për 24 orë në këtë vend ku zhvilloi 4 intervista në televizione dhe gazeta italiane.

Në intervistat e tij, ai foli për aktualitetin politik në Shqipëri me dorëheqjen e deputetëve shqiptarë të opozitës dhe me protestat e këtyre të fundit të cilat janë shpeshtuar.

Në Twitter, Rama tha se në Itali u mundua të pastronte baltën dhe ziftin që opozita i hodhi Shqipërisë.

“Për Tiranë pas 24h në Romë, tv më tv e gazetë më gazetë, për të pastruar sa mundej baltën e ziftin që lidershipi qorr i opozitës sonë, i hodhi ndërkombëtarisht Shqipërisë! Ata nxisin dhunë për hesapin e tyre krejt vetjak, po faturën e paguan vendi dhe ekonomia”, shkroi Rama.

Rama flet për protestën dhe mandatet e opozitës: Kanë interesa partiake që synojnë përçarjen e zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zgjedhur të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjeteve sociale, duke komentuar veprimin e opozitës për të djegur mandatet.

Ai tha se opozita ka vepruar në këtë mënyrë për interesa vetjake, por Rama shtoi se kjo gjë duhet të sjellë reflektim të thellë, që për secilin duhet të nisë nga vetja.

“Kanë interesa partiake që synojnë përçarjen e zgjedhjeve. Duhet të përpiqemi, të shohim sa më qartë dhe të reflektojmë sa më thellë, duke nisur nga vetja, pastaj duke parë rreth e rrotull. Opozita ka konsumuar një akt të panjohur të vendeve me zgjedhje që nga demokracitë perëndimore deri te regjimet hibride. Po e nis nga vetja, jam zgjedhur kryeministër i Shqipërisë dy herë pas zgjedhjeve nën një qeveri të përbashkët me opozitën, të cilës i dhamë të gjitha portofolet që kërkoi”, tha Rama./Tch/

Kuvendi i Shqipërisë anulon seancën e së enjtes shkaku i opozitës

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Shqipërisë nuk do të zhvillojë punimet e paracaktuara për të enjten, gjatë seancës plenare të njoftuar por ende pa caktuar orarin e mbajtjes së saj.

Opozita ka paralajmëruar prej së shtunës, në fundin e protestës së dhunshme të zhvilluar para Kryeministrisë, se do ta vijonte atë përpara Parlamentit gjatë kësaj të enjteje, një institucion që sipas Bashës nuk ekziston më.

Ndërkohë, kryeparlamentari Gramoz Ruçi ndodhet aktualisht në Kuvend, teksa pritet të dalë me një deklaratë për mediet në orën 17:00.

Nuk dihet ende se çfarë do të thuhet, por burime të Top Channel thonë se ndoshta do t’i jepet mundësia opozitës të ulet në dialog për të zgjidhur krizën politike, e për të mos vijuar me hapin ekstrem të djegies së mandateve, siç është njoftuar. /Periskopi/

Studentët e juridikut në Tiranë heqin dorë nga ngujimi, i kthehen mësimit

Periskopi.com Lajme

Mbrëmjen e kësaj të hëne ka përfunduar ngujimi i studentëve të Fakultetit Juridik në Tiranë.

Prej më tepër se një muaji, një grup studentësh të Juridikut vijuan protestën në mjediset e brendshme të Fakultetit, duke mos lejuar zhvillimin e mësimit.

Ngujimi i grupit të studentëve brenda Fakultetit u vu përballë pjesës tjetër të studentëve, që donin t’i riktheheshin mësimit, raporton TCh.

Për të shmangur vazhdimin e përplasjes mes studentëve, dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha kërkoi nga Ministria e Arsimit gjetjen e mjediseve të tjera, që studentët të vijonin leksionet.

Në dispozicion të Fakultetit Juridik u vunë mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, ku prej dy javësh studentët ndoqën leksionet dhe seminaret aty, edhe në ditët e fundjavës

Jovanoviq për protestat e serbëve: Vuçiqin e pret një pranverë e nxehtë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i partisë Liberal Demokrate, Çedomir Jovanoviq, e ka paralajmëruar presidentin e Serbisë, Alekander Vuçiq , se e pret një pranverë shumë e nxehtë.

Këto deklarata ai i ka bërë teksa ka folur për protestat që po organizohen kundër pushtetit të Vuçiqit në Serbi.

Jovanoviq ka thënë se Serbia tashmë është një vend i ndarë, me ata që e përkrahin Vuçiqin, dhe një numër të madh të serbëve që po marrin pjesë në protesta e që janë kundër pushteti.

Ai thotë se protestat masive tregojnë se qytetarët janë tejet të pa kënaqur.

“Jam shumë i kënaqur që qytetarët po protestojnë dhe po shprehin pakënaqësitë e tyre”, ka shtuar Jovanoviq, shkruajnë mediat serbe.

Teksa ka folur për fushatën që ka nisur presidenti serb me moton ‘Për të ardhmen e Serbisë’, Çedomir Jovanoviq, thotë se këtë Vuçiq po e bën në përpjekje e sipër për të neutralizuar protestat kundër tij.

Ndër të tjera ai ka thënë se është duke e menduar nëse do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi.

Çedomir Jovanoviq njihet për retorikën e tij kundër pushtetit të Vuçiqit në Serbi. Ai kishte kritikuar edhe vizitën e Putinit.

“Një vend që vizitohet nga Putini, nuk ka të ardhme”, kishte thënë Jovanoviq.

 

Kurti takon studentët në Shqipëri, u jep instruksione që t’i vazhdojnë protestat

Periskopi.com Lajme

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave Socialenë Tiranë, në kushtet kur është bllokuar procesi mësimor, ndërsa pritet vendimi i Asamblesë së Pedagogëve nëse do të ketë grevë. Kurti u ka dhënë të drejtë studentëve për protestën, ndërsa shtoi se kauza e tyre është akoma më e drejtë kur mbështetet nga pedagogët. Ai tha se fitorja vjen nga qëndresa, e citon “Shqiptarja” .

“Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse cdo herë dhe cdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë.

Edhe në Kosovë i kemi ndjekur protestat tuaja, por në prag të pranverës nuk ka si të mos vijë. Në protestat studentore në Shqipëri kemi vërejtur se studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive në sistemin arsimor. Monopolet në ekonomi dhe autoritarizmi në politikë janë njëlloj.

Kundërshtimin e studentëve e shoh edhe kundër kësaj skeme politike. Në trojet shqiptare kemi skema politike të ndërthurura që mirëmbajnë njëri tjetrin dhe protesta e studentëve është kundër privilegjeve që ekzistojnë jo vetëm në arsim, por edhe për nevojën që shoqëria shqiptare të kalojë në një transformim të ri, që është edhe me idenë kombëtare edhe atë Europiane.

Është e rëndësishme që të keni organizimin tuaj, jo ta ndërtoni përfaqësimin që të dialogoni me përfaqësuesit politikë, por të keni vendgrumbullimet e përbashkëta. Me qeverisjen e Vetëvendosjes nesër në Kosovë arsimi publik do të jetë falas. nuk mund të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë perspektivë të errët për shkak se nuk kishin mundësi në fillim të jetës së tyre” deklaroi Albin Kurti.

Albin Kurti u shpreh se në Shqipëri dhe në Kosovë ka ardhur koha për një pranverë shqiptare nisur nga konteksti politik në rajon. “Serbia është e interesuar që ta ndajë Kosovën që të vijojë duke ndarë Bosnjën, ajo synon që të realizojë Serbinë e Madhe përmes ndarjes së fqinjëve. Kosova nuk ka as 5% serbë, ndërsa Serbia ka 20% pakica, por për Serbinë nuk flitet, por vetëm që të ndahet Kosova.

“E gjitha filloi në mesin e 2018 kur Thaci paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Korrigjimi nëse është korrigjim i një gabimi duhet të na kënaqë jo të na dhembë, atëherë cfarë korrigjimi është ky? Ka pasur bisedime sekrete me Vucic për të ndarë Kosovën, duke e maskuar si shkëmbim territorial, apo integrimin në BE apo OKB, si karrem për të futur edhe Serbinë në lojë.

Kosova ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë, por jo duke u tkurrur. Kjo është e papranueshme, e padrejtë dhe anti kombëtare. Ka ardhur koha për një pranverë shqiptare edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pasi edhe kemi mbetur në fund të vendeve europiane edhe po shtohet rreziqet nga fqinjët grabitqarë, prandaj duhet të kemi një rikthim te populli, pasi institucionet nuk janë në nivelin që na kërkon realiteti” përfundoi Albin Kurti.

 

Ministrja Shahini u kërkon studentëve që energjinë e protestave ta përdorin për reformën në arsim

Periskopi.com Lajme

“Ne duam ta shfrytëzojmë energjinë e re që ka dalë nga protesta e studentëve për të shtyrë përpara reformën në arsimin e lartë”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë prezantimit të Paktit për Universitetin, një takim i organizuar me ministrat e përfshirë në grupin e punës, rektorë, dekanë, pedagogë dhe studentë.

Drafti, tha Shahini, synon të adresojë nevojat e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri.

Duke folur mbi mënyrën si është ndërtuar drafti, Shahini tha se “nën udhëheqjen e zv/Kryeministrit Erion Braçe, të gjithë ministrat si dhe deputetët e PS-së zhvilluan gjatë muajit dhjetor një bashkëbisedim me universitetet për të zbërthyer problematikat dhe për të identifikuar zgjidhjet më të mira për adresimin e problematikave.

“”Procesi ka zgjatur 6 javë dhe sot kemi një draft fillestar. Ne kemi nevojë për vërejtjet dhe sugjerimet tuja, por ky takim është pikënisje që ky dialog të niset mbarë”, tha Shahini.

 

 

 

 

 

Nesër sërish protestohet para Kuvendit të Maqedonisë

Periskopi.com Lajme

Ka përfunduar protesta e sotme para Kuvendit të Maqedonisë, pasi seanca për ndryshime kushtetuese që filloi vonë pasdite, është shtyrë për nesër në orën 13:00.

Pjesëmarrësit në protestë paralajmëruan se nesër në mesditë sërish do të mblidhen para Kuvendit, që të dërgojnë porosi kundër ndryshimeve kushtetuese.

Në protestën para Kuvendit morën pjesë anëtarë të shoqatave civile Maqedonia bllokon, Vëllazëria krishtere, partia Maqedonia e Vetme, Tvërdokorni, ndërsa më vonë iu bashkëngjit edhe lideri i VMRI-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. /KosovaPress

Studentët kosovarë përsëri në protestë, vazhdojnë të kërkojnë liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përsëri kanë bërë thirrje që të protestohet për të kërkuar nga Bashkimin Evropian që të bëj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Protesta është paralajmëruar të mbahet më 10 janar para Bibliotekës Kombëtare, duke filluar nga ora 12:00.

“Nuk do të ketë parti politike, organizatë studentore apo bindje fetare, por do të kërkohet e drejta e këtij populli të vuajtur e të mashtruar e të zhgënjyer.

Të gjithë të bashkuar pa dallim drejtë Evropës!”, thuhet në paralajmërimin e protestës.

Përveç studentëve të UP-së, këtë herë këta studentë kanë bërë thirrje që kësaj proteste t’i bashkohen edhe studentët e universiteteve të tjera, nxënësit dhe qytetarët në përgjithësi.

Protesta e kaluar ishte organizuar nga studentët e Fakultetit Filozofik me 24 dhjetor të vitit 2018./Periskopi

Shqipëria nis Vitin e Ri me protesta

Periskopi.com Lajme

Banorët e Astirit, banesat e të cilëve porejen nga projekti i Unazës së Re, e kanë nisur vitin e ri me protesta.

Si çdo ditë, ata kanë bllokuar edhe pasditen e kësaj të hëne qarkullimin e mjeteve në të dyja kahet e kalimit në aksin nga “Pallati me Shigjeta” te sheshi “Shqiponja” .

Ndryshe nga herët e tjera, protesta është shoqëruar me tensione mes banorëve protestues dhe drejtuesit të një mjeti.Ky i fundit si duket nuk është pajtuar me bllokimin e rrugës.

Në protestë nuk munguan dhe fishekzjarret.

Banorët e Astirit kanë përpiluar 6 kërkesa, të cilat kërkojnë që qeveria t’i plotësojë me çdo kusht.

-Anulimi i projektit të Unazës së Madhe;

-Rifillimi i procesit të legalizimit për të gjitha banesat;

-Rregullimi i kushteve të transportit publik në kryeqytet;

-Ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e cilësisë së tij;

-Tu jepen punonjësve të policisë rroga e 13 orët suplementare dhe pagesa e dietave;

-Plotësimi i kërkesave të studenteve dhe rrëzimi i ligjit të Arsimit të Lartë. /Periskopi

Policia franceze arrestoi kreun e “Jelekëve të Verdhë” pas protesave të dhunshme

Periskopi.com Lajme

Tri ditë përpara krishtlindjeve, “Jelek Verdhët” e pakësuar ndjeshëm francezë dolën sërish në rrugë për të protestuar për të gjashtën fundjavë radhazi, duke shënjestruar tashmë pikat kufitare, ndërkohë që një aksident fatal rrugor e çoi numrin e viktimave në 10, që prej nisjes së kësaj lëvizjeje anti Macron muajin e kaluar.

Rreth 38 mijë e 600 francezë morën pjesë në protestat e kësaj të shtune në Francë, në disa qytete të vendit, shumë herë më pak sesa 66 mijë protestuesit e fundjavës së kaluar, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme. Ajo shtoi gjithashtu se 220 persona u prangosën në mbarë vendin, 81 prej të cilëve vijojnë të mbeten në qelitë e paraburgimit.

Numri i demonstruesve ka ardhur gjithnjë në rënie, që prej shifrës rekord prej 282 mijë njerëzish në protestën e së shtunës së parë, kundër rritjes së planifikuar të çmimit të karburanteve, më 17 nëntor.
Lëvizja, e karakterizuar nga jelekët e verdhë fosforeshentë që u veshën nga protestuesit, u kthye më pas në një demonstratë mbarëkombëtare kundër politikave të presidentit Macron dhe stilit të tij qeverisës.
Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn tha për “Le Journal du Dimanche” se qeveria e Macronit “ishte në të njëjtën linjë me kërkesat e Jelek Verdhëve”, teksa bëri thirrje për “dialog më konstruktiv”.

Kryeministri Edouard Philippe, ndërkohë, duke folur për të njëjtën gazetë tha se marrëdhënia e tij me Macronin vetëm sa është “intensifikuar” përgjatë kësaj krize, në vend që të ishte përkeqësuar siç është raportuar në media. “Ne flasim përditë dhe kemi mësuar shumë gjëra të reja së fundi”, tha ai.
Në Paris, skenë e përplasjeve të dhunshme gjatë demonstratave të mëparshme, rreth 2.000 protestues u bashkuan me grumbujt e njerëzve në disa rrugë, krahasuar me 4.000 gjatë javës së kaluar.

E pavarësisht numrit më të pakët, me të rënë muzgu në sheshin e famshëm “Champs Elysees” shpërtheu sërish dhuna, duke shkaktuar mbylljen e dyqaneve e bizneseve që ishin ende të hapura për shkak të fundjavës përpara Krishtlindjes.

Policia pariziene tha se kishte arrestuar 142 persona, 19 prej të cilëve mbeten në paraburgim, përfshi këtu edhe kreun e “jelekverdhëve” Eric Drouet. Zëdhënësi i qeverisë, Benjamin Griveaux shfrytëzoi rrjetet sociale për të shkruar se “pas dhunës fshihej e njëjta fytyrë frikacake, raciste, antisemite dhe puçiste”./Periskopi

Studentët e Prishtinës nesër në protestë para BE-së, kërkojnë liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Studentët e Universitetit të Prishtinës nesër do të protestojnë para zyrës së BE-së në Kosovë për shkak të mos liberalizimit të vizave.

“Nesër në ora 11:00 tubohemi para Fakultetit Filozofik dhe vazhdojmë drejtë zyrës së BE-së, ju ftojmë të merrni pjesë në aksionin simbolik të organizuar nga ne, studentët”, kanë bërë të ditur ata.Studentët thonë se me anë të kësaj proteste kërkojnë llogaridhënie nga BE-ja./Periskopi

Rama shfajësohet për tarifat ndaj studentëve, paralajmëron rishikimin e autonomisë së universiteteve

Periskopi.com Lajme

“Protesta është shuplakë për qeverinë, por kjo protestë lidhet me ju. Studentët nuk e dinë se nga burojnë tarifat”.

Kështu u shpreh Edi Rama në një takim me rektorët dhe dekanët e universiteteve.

“Mos u fshihni dhe merrni përgjegjësitë në një situatë kur përgjegjësia është shumë e qartë. Nëse ka ardhur dita që të bëni këtë, duhet të rishikojmë autonominë universitare”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama shtoi se i gjithë bordi i administrimit në universitete duhen shkarkuar dhe të zëvendësohen me persona me profile publike.

“Kam dëgjuar që bordi i administrimit ka shumicë të zgjedhur nga qeveria. Po, sepse qeveria është financuesi kryesor. Kam kërkuar të di një rast kur në një universitete ka ardhur një propozim për bordin e Administrimit dhe është penguar nga qeveria? Asnjë rast. Qeveria nuk ka penguar asnjë vendimmarrje. S’po them që bordi ka funksionuar mirë, madje them se bordi duhet të shkarkohet i gjithi dhe duhet të zëvendësohen me persona me profile publike. Kam parë specifikime kur dekani kërkon makinë 60 mijë euro. Jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mija dhe shuplakën ndaj qeverisë që ka dhënë kjo protestë. Hera e parë që një protestë mbahet gjallë duke refuzuar zgjidhjen”, tha Rama.