Klinika e Psikiatrisë në QKUK me mijëra pacientë këtë vit

Periskopi.com Lajme

Klinika e Psikiatrisë në QKUK po përballet me mungesën e disa barnave dhe me probleme në hospitalizimin e pacientëve.

Për mjekët e klinikës por edhe për pacientët ekzistojnë sfida në ofrimin dhe marrjen e trajtimeve të duhura për pacientët që vuajnë në fushat që mbulohen nga psikiatrit dhe psikologët.

Shaban Mecinaj, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK  ka treguar se kjo qendër përbëhet nga 20 psikiatër, 5 psikologë klinik, dy pedagogë, 45 infermierë dhe stafin mbështetës teknik.

Kjo Klinikë është e ndarë në katër reparte, e cila e ka funksionale edhe pjesën ku trajtohen sëmundjet e varësisë nga droga dhe alkooli.

Për Kallxo.com  foli edhe A.V nga Komuna e Skenderajt i cili është një person i varur nga droga tash e një kohë. Ai ka shkuar në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare për kontroll javor.

Pacienti deklaroi se tash e 5-6 vjet ka filluar trajtimin në këtë Klinikë.

“Jam përdorues i drogës për një kohë të gjatë, por që 5-6 vjet marr terapi këtu në QKUK. Kam qenë edhe i shtrin këtu në spital veç nja 10 ditë por s’kam pas efekt. Pa nejt ma shumë s’ka efekt”, tha ai.

Pacienti thotë se është 45 vjeçar, i pamartuar dhe familja e tij përbëhet nga tre vëllezër pasi  prindërit nuk i jetojnë më. “Familja jem ma dinë gjendjen dhe m’përkrahin”, thotë ai.

Ai tha se çdo javë ka kontrolla të rregullta në Klinikën e Psikiatrisë. “Me kanë të ktuhit, t’Prishtinës duhet me ardh dy herë në javë, por mu më duhet me udhëtu e ma kanë mundësu veç një herë me ardhë”, thotë A.V. Pacienti shtoi se për momentin është duke e përdorur vetëm një medikament i cili kushton 35 euro. “Këto më harxhohen shpejt, plus më duhet me pagu rrugën deri në Prishtinë”, thotë ai.

Në anën tjetër, drejtori i Klinikës shpjegoi se cilat shërbime saktësisht i ofron kjo klinikë.

“Çrregullimet psikotike, akute dhe kronike të cilat janë në formë të skizofrenisë, trajtohen në repartin A. Reparti B ofron trajtim për çrregullime të depresionit, çrregullime mbi polare, çrregullime të personalitetit e të tjera. Është edhe reparti i sëmundjeve të varësisë, ofron trajtim për sëmundje të varësisë, për alkool dhe droga të ndryshme.  Dhe kemi njësinë e kujdesit intensiv psikiatrik, ku trajtohen pacientët që janë agresivë, të cilët zakonisht vijnë në përcjellje të policisë, e që kanë nevojë që për disa ditë të jenë të izoluar fizikisht dhe për të marrë terapi domosdoshmërisht”, thotë Mecinaj.