Agon Musliu kishte kërkuar psikolog në ditën që u vetëvra (Dok)

Periskopi.com Lajme

Pas humbjes tragjike të jetës së 26 vjeçarit nga Gjilani, Agon Musliu, i cili u raportua se ishte hedhur nga konviktet në Prishtinë ku po qëndronte në karantinë, tani Klan Kosova ka siguruar dokumentet, gjegjësisht kërkesat që i janë drejtuar Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me datë 1 maj është dërguar letra e parë me kërkesë që t’i lëshohet leja e qarkullimit babait të të ndjerit, i cili siç pretendon QOE Gjilan, kishte reklamuar dokumente që Agoni ishte sëmurë nga mëlçia.

Letra tjetër shpalos shkëmbimin e letrave në mes të dy Qendrave Operative, ku me datë 2 maj si kërkesë emergjente është që Agoni të kontrollohet urgjentisht nga neuropsikiatri sepse siç thuhet aty, ai ishte depresiv.

Kësaj kërkese i është përgjigjur Qendra Operative Emergjente pas disa minutash, duke i thënë se e kanë përcjellë kërkesën e tyre për angazhim të ekipeve mjekësore në Karantinën e Qendrës së Studentëve.

Ndërkohë, e kemi edhe një email, ku me datë 3 maj, përgjegjësi i karantinës, Valdet Hashani, ka bërë të ditur se pas vizitave mjekësore, katër pacientë kanë shfaqur shqetësime dhe kanë kërkuar konsulencë specialistike, e në mesin e tyre është edhe Agon Musliu, i cili sipas këtij dokumenti, kishte kërkuar psikolog ose psikiatër.

Kërkohet punësimi i më shumë psikologëve dhe pedagogëve në shkolla

Periskopi.com Lajme

Konkursi i hapur ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për punësimin e 30 psikologëve dhe 20 pedagogëve në shkolla po kritikohet nga njohës të çështjeve të arsimit dhe nga përfaqësues të Komisionit parlamentar për arsim.

Kjo, meqë po konsiderojnë se numri i këtyre profesionistëve që po i kërkon Ministria është i pamjaftueshëm karshi kërkesave të shkollave. Aktualisht në gjithë Kosovën janë vetëm 80 psikologë dhe pedagogë të angazhuar në shkolla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministrisë po i kërkohet që të hapë sërish konkurs dhe të shtojë numrin e psikologëve dhe të pedagogëve në institucione shkollore. Kjo, pasi një pjesë e madhe e shkollave nuk kanë fare të angazhuar profesionistë të tillë. Angazhimi i tyre në shkolla parashihet me Ligjin për arsimin parauniversitar.

Kryetari i Komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi, ka thënë se Ministria është dashur të kërkojë më shumë psikologë dhe pedagogë në konkursin e fundit. MASHT-i, sipas tij, duhet të gjejë mënyra për shtimin e tyre, pasi, siç ka shtuar, nevoja për angazhimin e tyre është shumë e madhe.