Pa votat e AKR’së, LDK’ja nuk mund ta sigurojë shumicën në kuvend

Periskopi.com Lajme

Sot do të finalizohen marrëveshjet e koalicionit qeverisës, ka paralajmëruar Avdullah Hoti, i nominuar i Lidhjes Demokratike (LDK) për kryeministër të ri. Negociatat e fundit i kanë mbetur me Aleancën Kosova e Re (AKR), dy deputetët e së cilës konsiderohet të jenë përcaktues për ta bërë shumicën.

Hoti ka thënë të martën se një ditë më vonë do ta zbulojë edhe përbërjen e Qeverisë që synon ta ndërtojë.

“Besoj se shumë shpejt do të përmbyllen të gjitha marrëveshjet, e shpejt do të dalim para deputetëve për ta votuar Qeverinë e re”, ka thënë Hoti.

“E them me kënaqësi që bisedat janë përmbyllur në masë të madhe, sepse dakordimi ka qenë më herët”, shtoi Hoti.

Ai ka theksuar se do të jenë marrëveshje që marrin parasysh peshën specifike që ka secili prej partnerëve të koalicionit që synon ta ndërtojë.

“Jemi të vetëdijshëm që do të marrim qeverisjen në situatë bukur të vështirë me pandemi, me nevojën që shpejt të intervenojmë në ekonomi e të kthejmë miqësitë që janë lënduar javëve e muajve të fundit. Jemi të vetëdijshëm, por jemi përgatitur me ekip të shkëlqyeshëm. Besoj që nesër do të përmbyllim të gjitha çështjet e të dalim me përbërjen e Qeverisë së re”, ka thënë Hoti.

“Jemi takuar me disa prej partnerëve, jemi duke finalizuar komplet detajet. Edhe AKR-ja do të jetë pjesë e kësaj qeverie”, u shpreh ai.

Mbështetur në deklarimet e deritashme, marrëveshjet veçse janë finalizuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që i ka 13 deputetë, me Listën Serbe (LS) që i ka 10, me Nismën Socialdemokrate që i ka 4 dhe me partitë e komuniteteve joserbe, që mund t’i sigurojnë më së shumti 9 prej 10 deputetëve të tyre. Bashkërisht ky numër mbërrin në 60 deputetë, meqë 4 nga 28 deputetët e LDK-së, edhe ishin kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, e edhe pro një Qeverie të re me subjekte që e përbënin koalicionin PAN të mandatit të shkuar – AAK-në dhe Nismën.

Çelës i zgjidhjes në këtë situatë janë parë dy deputetët e AKR-së, parti kjo që një ditë më parë theksoi se nuk do të ishte pjesë e Qeverisë së re, por që të martën kreu i saj, Behgjet Pacolli, i cili është edhe deputet, kërkoi të kthehej në Kosovë.

Me t’u konfirmuar rastet e para të prekura me SARS-CoV-2, virus i cili e ka “mbyllur” botën, Pacolli ka fluturuar për në Zvicër. Ndërkohë, LDK-ja kishte iniciuar mocion mosbesimi kundër Qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me të cilën ndodhej në koalicion. Partia e Pacollit nuk e kishte mbështetur mocionin.

Megjithëkëtë, kreu i AKR-së të martën ka kritikuar Qeverinë në detyrë, për siç ka thënë, barrierat e vëna për t’u kthyer në Kosovë, në kohën kur janë duke u bërë përpjekje për ta formuar Qeverinë e re.

“Është tronditëse kjo që po ndodh me mua. Pas dy muajsh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua dëshmova me dokumente, më pengojnë të vij në Kosovë”, ka deklaruar Pacolli.

“Anulimi i lejes së uljes në Aeroportin e Prishtinës për aeroplanin tim është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës sime për të lëvizur”, perfundoi ai.

Qeveria e re kërkon institut të ri për krimet e luftës

Periskopi.com Lajme

Opozita thonë se për temën e krimeve të luftës duhet të diskutohet në Kuvend.

Nuk ka vend në Kosovë që serbët nuk kanë kryer krime.

Fatin e njëjtë si shumë të tjerë e kishin edhe banorët e fshatit Sllovi ku u vranë 46 persona.

Krime të ngjashme nga serbët u kryen edhe në fshatin tjetër të Lipjanit; Tërbovc.

Pjesëmarrës i këtyre krimeve, dyshohet se është edhe serbi Goran Stanisiq.

Si pjesë e forcave rezervë të policisë serbe, kishte marrë pjesë në vrasjen dhe  dëbime të shqiptarëve nga Sllovia, Tërbofci dhe vendbanimet e tjera.

Lidhur me dyshimet për serbin, Prokuroria Speciale gjatë të enjtes ka ngritur aktakuzë ndaj Stanisiqit.

Ngritja e kësaj aktakuze, është vetëm njëra, por ka shumë punë për t’u zbardhur mijëra krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në marrëveshjen për bashkëqeverisje mes LVV dhe LDK-së, palët janë dakorduar për miratim ligjesh e formim të Institutit për Krimet e luftës.

E si do të funksionoj ky Institut tregon numri tre i qeverisë.

E partia më e madhe opozitare thonë se për këtë temë duhet të ketë patjetër diskutim në Kuvend.

Madje Blerta Deliu, deputetet e PDK-së, thotë se pjesë e diskutimit duhet të jetë edhe ideja e ish-kreut të Kuvendit Kadri Veseli, i cili kishte ngritur çështjen e krimeve të luftës.

Kosova, megjithatë deri para dy vitesh pati një Institut që trajtonte specifikisht krimet e luftës por që është mbyllur.

Rifunksionalizimin e tij po e kërkon edhe shefi i qeverisë Albin Kurti, raporton T7.

Të gatshëm për bashkëpunim shprehen edhe ish anëtarët e komisionit për Krime Lufte që dikur e kishte themeluar Hashim Thaçi derisa ishte në pozitën e kryeministrit.

Beogradi që nga viti 2003 ka një komision të tillë që në vazhdimësi deri më sot mbledhë fakte për krimet që kanë ndodhur në ish-shtetet e Jugosllavisë.

Sfidat e krijimit të Qeverisë së re të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike dështuan gjatë kësaj jave të gjejnë një zgjidhje për formimin e qeverisë së re ndërsa janë shënuar edhe më shumë se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare

As këtë javë dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për të formuar qeverinë e re të vendit.

Të dy subjektet për tri ditë me radhë u përfshinë në negociata për të përafruar qëndrimet për një marrëveshje për koalicion qeverisës, por pa sukses.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha pas takimit të fundit që në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje i ka paraqitur Lëvizjes Vetëvendosje ofertën për bashkëqeverisje, por pa dhënë asnjë hollësi rreth kësaj oferte.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje tha se bisedimet janë bërë më të dendura dhe se tash ka edhe mundësi më të reja në tryezë. Që nga këto deklarata, të dyja subjektet nuk kanë mbajtur më takime.

Bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës rifilluan pas një pushimi të gjatë që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt më 26 dhjetor, ku në krye të kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ndonëse përgjatë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.

Përgjatë negociatave janë hedhur ide nga më të ndryshme lidhur me marrëveshjen ndërsa i vetmi qëndrim i pandryshueshëm deri tash është këmbëngulja e të dyja partive se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre, me kusht që kjo të nënkuptojë edhe zgjedhje të reja, raporton Zëri i Amerikës.

Kosova ka përvoja të gjata të procesit të negocimit të koalicioneve qeverisëse.

Pas zgjedhjeve të vitit 2014 ishin dashur gjashtë muaj për të gjetur një zgjidhje.

Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet aktualisht në një periudhë kur duhet të përshpejtohen proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional apo edhe për të shmangur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje në vend që të gjejë një zgjidhje.

Kosova mbajti zgjedhjet e katërta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Njohësi i çështjeve ekonomike: Qeveria e ardhshme duhet të rrisë investimet në 700 milionë euro

Periskopi.com Lajme

Njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, ka thënë se, Kosova duhet t’i rris investimet në 700 milionë euro.

Ekonomisti Muhamet Mustafa, ka theksuar se rritja e tashme ekonomike rreth 4%, sado që shumë e quajnë solide për Kosovën, nuk është e mjaftueshme.

“Për të marrë drejtimin e duhur, duhet fuqizuar forcat e brendshme zhvillimore dhe promovuar e zbatuar politika që rritin ofertën e vendore të produkteve për tregun e brendshëm dhe për eksport. Kjo kërkon një rritje te investimeve publike për nja 200 milionë Euro dhe një rritje te investimeve private 500 – 700 milion në vit”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Mustafës pa ndërhyrje:

QEVERIA E RE DUHET TE RRITE INVESTIMET VJETORE PUBLIKE DHE PRIVATE PER RRETH 700 MILION EURO

Marrja e një rruge zhvillimi ekonomik me ritme me te shpejta çfarë i duhet Kosovës mbetet edhe ne vitin 2020 është çështja me me rendësi. Rritja e tashme ekonomike rreth 4% sado që shume e quajnë solide për Konen nuk është e mjaftueshme.

Ky ritëm i rritjes ekonomike jo vetëm qe është me tepër një rritje nga inicioni i disa faktorëve qe lidhen me stadin zhvillimor dhe disa faktorë qe vijnë nga jashtë, por është fragjil dhe jo e qëndrueshme. Për te marre drejtimin e duhur duhet fuqizuar forcat e brendshme zhvillimore dhe promovuar e zbatuar politika qe rritin ofertën e vendore te produkteve për tregun e brendshëm dhe për eksport.

Kjo kërkon një rritje te investimeve publike për nja 200 milion Euro dhe një rritje te investimeve private 500 – 700 milion ne vit. Ndërkaq te rritja e investimeve publike ka probleme te mëdha me deformimet ne strukturën e buxhetit qe janë krijuar me rritjen e pagave te sektorit qeveritar, pra me koston e la rte te Qeverise dhe administratës, një kosto tepër te larte për nivelin e zhvillimit te vendit .

Ndërkaq rritja e investimeve private mbetet peng i dobësive ne qeverisjen makroekonomike , mos zbatimin e ligjit dhe korrupsioni i larte.

Qeveria e re duhet te ballafaqohet me këto probleme jo te lehta . Nga ana tjetër situata ne shoqëri përgjithësisht mbetet peng edhe i defekteve ne krijimin dhe funksionimin e institucioneve qe prodhohen nga lufta primitive pulitke grupore e partiake për pushtet, duke e vene pushtetin si qëllimin primar për te servisuar kastat partiake dhe te interesit grupor politik e ekonomik.

Mbeten shume te panjohura si se do te rrjedhin gjerat këtu, pas konstituiMit te legjislaturës se shtate te Kuvendit.

A do te krijoje ky moment një praktike te re institucionale apo negociatat për pushtet do ta devalvojne edhe ketë dhe do te hyjmë ne një situate pritjeje, status kvo, e cila do te rrite apatinë me shume probleme shoqëruese degjeneruese.

Uroj me qe te ndodhë e kundërta dhe te ketë një kthjellim ne logjiken dhe sjelljet e aktoreve politike.

BE kërkon krijimin e qeverisë dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Bashkimi Evropian po vazhdon të inkurajojë vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli në mes Beogradit dhe Prishtinës.

Kreu i delegacionit të BE-së në Serbi, Sam Fabrici ka thënë për gazetën serbe ‘Blic’ se BE-ja do të vazhdojë ta udhëheq procesin e dialogut, përcjell lajmi.net.

Ai ka theksuar se për të rinisur ky dialog, Kosova duhet ta heq taksën e vendosur ndaj Serbisë.

“BE kërkon formimin e një qeverie të re në Prishtinë dhe vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar. BE do vazhdojë të udhëheq këtë proces të themeluar nga Kombet e Bashkuara dhe të mbështetur nga vendet anëtare të BE-së. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka njoftuar se së shpejti do vizitojë Prishtinën dhe Beogradin. Por, tarifat duhet të hiqen”, ka deklaurar Fabrici.

Fabrici ka theksuar se hapja e kapitujve të BE-së për Serbinë varet edhe nga përparimi në dialog me Kosovën.

Osmani tregon nëse qeveria e re do të investojë në autostrada të reja

Periskopi.com Lajme

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, deklaroi sot se Qeveria e ardhshme nuk do të investojë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja, por do të investojë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare.

Ajo këto komente i bëri sot gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Mattia Romani, drejtor Menaxhues për Ekonomi, Politika dhe Qeverisje, Oleg Levitin, zëvendësdrejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike dhe Neil Taylor, udhëheqës i Zyrës në Kosovë.

Osmani i njoftoi përfaqësuesit e BERZH-it mbi prioritetet zhvillimore të LDK-së të përfshira në programin e përbashkët qeverisës LDK-LVV me përqendrim të veçantë tek investimet në kapitalin njerëzor përmes shëndetësisë, arsimit dhe sektorit privat.

“Nuk do të investojmë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja por do të investojmë në potencialin e qytetarëve tonë, veçanërisht në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare”, tha Osmani.

Përfaqësuesit e BERZH-it paraqiten projektet aktuale të tyre në Kosovë në sektorin privat dhe atë publik, duke u zotuar që të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme veçanërisht në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e sektorit privat.

Çfarë roli do të ketë në Qeverinë e re: Flet Mimoza Kusari

Periskopi.com Lajme

Kandidatja për deputete, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ende nuk e ka diskutuar me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, se a do të ketë ndonjë post në qeverinë e re, por thotë se një gjë e tillë nuk është prioritet i saj

Kryetarja e Alternativës në një intervistë për Ekonomia Online thotë se nuk është në prioritetin e saj që të jetë pjesë e qeverisë dhe se nuk e ka diskutuar këtë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk e kam diskutuar me zotri Kurtin, nuk ka ardhur deri tek ky diskutim, për arsye se emrat e përveçëm ende nuk janë diskutuar. Është duke u trajtuar programi dhe natyrisht formati i qeverisë, në cilin do rast nuk ka qenë as kusht as kërkesë e imja.

Mendoj që pak është e rëndësishme tash për fatet individuale e kam fituar mandatin e deputetes, kam pasur një mbështetje shumë të mirë dhe e cila më bënë krenare për aktivitetin e deritashëm politik. Cila do përgjegjësi që më ngarkohet  ose me të cilën do të përfundoj pas krejt këtij procesi zgjedhorë, nuk është se do të ketë kushte ose kërkesa individuale nga ana e ime”, thotë ajo.

Kusari-Lila ka vlerësuar se fushata zgjedhore dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe e cila mund të krahasohet me nivel evropian duke u falënderuar partive si dhe përkrahësve të partive politike.

Albulena Haxhiu tregon a do t’i ketë Qeveria e re vetëm 12 ministri

Periskopi.com Lajme

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në parim janë pajtuar që qeveria e re të mos i ketë më shumë se 12 ministri.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë për Ekonomia Online, se nuk është diskutuar se cilat ministri do duhej t’i takonin VV-së e as LDK-së.

“Jo në fakt kemi biseduar vetëm për numrin e ministrive, në parim jemi dakorduar që të kemi jo më shumë se 12 ministri. Në takimin e parë nuk ka pasur refuzime por do t’i quaja spekulime të gjitha ato të cilat kanë qarkulluar në medie për shkak se asnjëherë nuk na ka ardhur një kërkesë nga LDK-ja për 7 ministri. Aty jemi dakorduar vetëm që Kosova të ketë 12 ministri dhe është e qartë prej tyre u takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, dhe prandaj ne do ta respektojmë këtë dispozitë kushtetuese. Për të tjerat nuk është diskutuar, as sa ministri do t’i ketë VV-ja e as LDK-ja”, ka thënë Haxhiu.

Këtë ide për zvogëlimin e qeverisë po e përkrahin analistë politikë.

Armend Muja, njohës i çështjeve politike, thotë se Kosova në të kaluarën ka pasur një ndër qeveritë më të mëdha në rajon, teksa këtë të fundit e quan “qeveri kineze”.

Thotë se zvogëlimi në 12 ministri është rikthim në normalitet.Është reformë kjo që po pritet të ndodhë me 12 ministri, është vetëm kthim në normalitet, se siç e dini në të kaluarën kemi pasur një qeveri “kineze”, kemi pasur ministri që janë shtuar qëllimisht vetëm për të akomoduar interesa politike, pra ka pas një qeveri e cila nuk i ka shërbyer qëllimit përfundimtar siç është përmirësimi i shërbimeve qytetare ose zhvillimit ekonomik. Disa ministri janë burimore dhe nuk do të ndryshohen, mirëpo disa prej tyre do të kthehen në normalitet”, ka thënë Muja.

Shuarja e disa dikastereve të qeverisë, do të lë pa punë shumë persona.Por kjo sipas Mujës nuk do duhej të shihej problem, pasi që shumë prej tyre janë lojal të politikës.

“Natyrshëm janë 83 mijë shërbyes civilë që janë pak në drojë por unë nuk besoj se gjithë këta kanë nevojë që të shqetësohen. Unë mendoj se 1 për qind i tyre do të duhet të shqetësohen sepse mënyra është shumë legjitime, kanë ardhë përmes premisave me lojalitetin politik dhe shkojnë përmes lojalitetit politik. Pjesa dërmuese e tyre, unë nuk shoh kurrfarë sfide për ta.

Qeveria Haradinaj është konsideruar si më e madhja që Kosova ka pasur ndonjëherë me 21 ministri dhe afër 80 zëvendësministra kështu duke u bërë edhe struktura më e madhe në Ballkan.

Përvec numrit të madh, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend edhe për rritjen më të lartë të pagave për kabinetin e tij qeveritar.

 

Franca kërkon që Qeveria e re ta heq taksën: Duam një takim të ri në Paris

Periskopi.com Lajme

Franca e sheh si të rrezikshme mbetjen në status-quo të situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë sot ambasadori francez në Beograd, Federico Mandolini, gjatë Forumit për Siguri.

“Status-quo ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e rrezikshme”, ka thënë Mandolini.

Tutje ai ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme të Francës është e gatshme që së bashku me Gjermaninë e me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian të përfshihet në çështjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Mandoloni tutje ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjnë në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ministria e Punëve të Jashtme së bashku me Gjermaninë është dhe ndërmjetësimin e BE’së të përfshihet në këtë çështje, në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë tutje ai.

Tutje ai ka thënë se Franca dëshiron që të dy palët të eliminojnë kushtet për rikthim në dialog, pasi që Macron dëshiron një takim në Paris sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Ne duam që të japim një impuls politik dhe të kemi një takim të ri në Paris. Është shumë e qartë për ne që tarifa duhet të hiqet, nëse qeveria e re në Prishtinë dëshiron të bisedojë me Beogradin, në mënyrë që të gjejnë një kompromis”, ka thënë ai.

 

Qeverinë e re e pret një mori problemesh

Periskopi.com Lajme

Ndëshkimin e sovranit e kanë përjetuar të dielën e shkuar subjektet në koalicion qeverisës, kryesisht për shkak të keqqeverisjes e abuzimit me pushtetin që për prodhim kanë pasur stagnimin e shtetit në të gjitha fushat.

Ato do ta lënë pushtetin, bashkë me një mal problemesh të grumbulluara prej vitesh, shkruan sot Koha Ditore.

Vota popullore i renditi si subjekte të para partitë kryesore opozitare, të cilat në garën elektorale prezantuan programe jo pak ambicioze dhe premtuan standard të ri qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), një subjekt që i përket spektrit të majtë, për herë të parë ka dalë parti e parë për kah numri i votave.

Rezultatet preliminare kanë treguar se pro saj ishte 25.5 për qind e trupës votuese. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike (LDK), parti e djathtë, është ranguar e dyta me 24.8 për qind të votave. Ajo në disa mandate ka qenë në pushtet, por vetëm diçka më shumë se dy vjet ka drejtuar Qeverinë.

Drejtuesit e këtyre subjekteve, që me orientim ideologjik qëndrojnë larg njëra-tjetrës, kanë treguar se do të jenë bashkë në Qeveri.

Albin Kurti i LVV-së pritet të jetë kryeministri i ardhshëm. Ai tashmë ka vënë kontaktet me lidershipin e LDK-së, me qëllimin për ndërtimin e koalicionit qeverisës. Vjosa Osmani, që ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, ka theksuar se qytetarët me votën e tyre përcaktuan edhe Qeverinë e re, atë LDK-LVV. Insistimi i saj është se nuk ka alternativë tjetër.

Demi: Suksesi apo dështimi i Qeverisë së re do të varet nga krijimi i vendeve të reja të punës

Periskopi.com Lajme

Nga veprimet në ekonomi, sidomos në krijimin e vendeve të reja të punës, do të varet suksesi apo dështimi i qeverisë së re, ashtu sikurse i të gjitha qeverive deri më tani, ka thënë Agron Demi. E, me rritjen e vendeve të punës, ai ka parashikuar se mund të bjerë edhe shkalla e migrimit.

Demi është analist politikash në Institutin GAP dhe, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ka folur për problemet më kryesore me të cilat përballet vendi, për veprimet që duhet ndërmarrë menjëherë qeveria e re, por edhe për prioritetet mandatore që duhet t’i ketë kjo qeveri.

Ai ka treguar edhe se cilat janë pritjet e përgjithshme, nga ekzekutivi që pritet të drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt të cilin e nxorën fitues zgjedhjet e 6 tetorit.

KD: Z. Demi, cilat janë veprimet që kërkojnë më shumë urgjencë, e që duhet ndërmarrë nga qeveria e re që në ditët e para të punës?

Demi: Ekzistojnë disa sfida të cilat me vullnet politik mund të zgjidhen menjëherë. Serioziteti i qeverisë së re, duke supozuar se ajo do të përbëhet nga koalicioni Vetëvendosje-LDK, do të shihet që në ditën e parë.

A do t’i përmbahen këto dy parti premtimit për një qeveri më të vogël, me dy zëvendëskryeministra, 12 ministri, 24 zëvendësministra maksimumi dhe me së paku katër gra ministre? Nëse po, një veprim i tillë do të kursente mbi 11 milionë euro brenda mandatit qeverisës vetëm në paga të pozitave të larta politike, pa llogaritur këtu edhe shpenzimet e tjera që shkojnë me këto pozita. E siç keni raportuar edhe ju si gazetë, por edhe ne në kuadër të platformës së GAP-it për transparencë buxhetore, shpenzimet për dreka zyrtare, telefona e mëditje janë më të mëdha se pagat.

Që në javën e parë të qeverisjes, partitë mund të vënë rregull në shpenzimet për pensionet e veteranëve të luftës, të cilat kanë dalë nga kontrolli dhe deri në fund të vitit pritet që të arrijnë mbi 78 milionë euro.

 

Limaj: Qeveria e re duhet të ketë 80 vota në Parlament

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se mbështet idenë e një qeverie e cila ka një shumicë prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

I ftuar në emision “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ai tha se kërkohet një shumicë shqiptare.

“Na duhet një qeveri me shumicë të gjerë, më mbështetje të fuqishme në Parlament. Po flas për një qeveri me 80 vota ku sigurisht që shumica do të ishin partitë shqiptare”, deklaroi ai.

Sipas tij, vetëm kështu do të mund të mbylleshin temat e rëndësishme për vendin.

“Liberalizmi duhet të marrë fund, e dyta demonstrimi i Kosovës, ne nuk mund të garantojmë se do të mbyllet dialogu sepse janë dy palë plus pala ndërmjetëse, por na duhet unitet dhe të tregojmë vullnetin tonë për dialog, ky do të ishte demonstrim i shtetit tonë. E treta të kryhen temat e shtëpisë nga problemet sociale deri të zhvillimi ekonomik”, deklaroi Limaj.

 

Qeveria e re duhet ta përshpejtojë agjendën e integrimeve

Periskopi.com Lajme

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme mund të ndikojnë në ngadalësimin e proceseve integruese.

Por, ai ka thënë se qeveria e re duhet ta përshpejtojë agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka deklaruar se institucionet e reja duhet të fokusohen në proceset euroatlantike, në dialogun me Serbinë si dhe në forcimin e shtetit ligjor duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Shpresoj të kemi zgjedhje të lira, me pjesëmarrje të madhe të masës elektorale dhe që nga ky proces të dalin sa më parë (brenda afateve ligjore) një parlament dhe qeveri e përgjegjshme që të përqendrohet në proceset e rëndësishme shtetndërtuese, si në procesin e liberalizimit të vizave, të integrimit evropian dhe euroatlantik, në procesin e vazhdimit të dialogut dhe, mbi të gjitha, në agjendën e brendshme të zhvillimit ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor, duke e shtuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se agjenda e dialogut do të riaktualizohet menjëherë pas zgjedhjeve edhe nëse në krye të qeverisë do të jenë ata që e kanë kundërshtuar dialogun duke përdorur mjete të paligjshme për ta penguar këtë proces.