Si e notuan qytetarët Avdullah Hotin: Gati 40 për qind e vlerësojnë me 10-she

Periskopi.com Lajme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon Qeverinë Hoti ka bërë që të pasojnë vlerësimet partiake mbi performancën e saj dhe në veçanti të kryeministrit Avdullah Hoti.

Hoti nuk i është shmangur temave të mëdha publike ndërkohë që ka arritur sukses në përgatitjen e shpejtë dhe më pas edhe miratimin e Ligjit të Rimëkëmbjes – megjithëse për një gjë të tillë iu desh shumë kohë.

Qytetarët tashmë pritet të marrin këto ditë 10 përqindëshin nga Fondi Pensional ndërsa edhe bizneset kanë marrë një infuzion të rëndësishëm përmes pakove tjera.

Sidoqoftë, Hoti njihet për modestinë e tij dhe nuk reklamon aq shumë arritjet. Po ashtu, kryeministri nuk merrte pjesë në intervista e emisione tjera politike – siç bënte paraardhësi i tij Albin Kurti.

Por, si e vlerësojnë lexuesit e Periskopit qeverisjen e Avdullah Hotit nga 1 deri në 10?

Nga 147 komente të bëra për një orë, rezultati është jashtëzakonisht befasues.

Pesëdhjetë e tre vetë e kanë votuar me notën 10, ose më shumë se 1/3 e tyre. Mes përkrahësve të Qeverisë Hoti, kishte edhe shumë prej tyre që e vlerësuan me notë 20, 100 e 1000.

Sidoqoftë, nga komentet negative, shumë e votuan me notën 0. Disa me 00 e kështu me radhë. ‘Komisioni verifikues’ në Periskop i përbërë nga një gazetar i palodhshëm vendosi t’i pranonte këto nota si të vlefshme por duke i numëruar si 1 (një) – nota më e ulët.

Pak komente bënin një vlerësim pak më realist të qeverisjes, me dy që e kishin votuar me 7, disa tjerë me 8 e kështu me radhë. /Periskopi

Si e vlerësoni qeverisjen e Avdullah Hotit nga 1 deri në 10?

Posted by Periskopi on Tuesday, December 22, 2020

Qeveria Hoti mblidhet nesër, nuk dihet se çfarë do të diskutojnë

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës nesër do të mbajë mbledhjen e radhës. Përmes një njoftim për media, Zyra për Komunikim e Kryeministrisë ka bërë të ditur se mbledhja do të mbahet nesër në ora 08:30.

Nuk është bërë e ditur agjenda e kësaj mbledhje, as pikat e diskutimit që pritet të miratohen.

Nuk ka paralajmërime se a do të merret ndonjë vendim për shtimin ose lehtësimin e masave në menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Isa Mustafa kërcënon hapur Haradinajn dhe Limajn: Qeveria të jetë gati t’i largojë ata me agjenda personale e partiake

Periskopi.com Lajme

Duket se takimi i djeshëm mes tre liderëve të partive në koalicionin qeveritar nuk ka shkuar aspak mirë. Së fundi, Isa Mustafa në mënyrë të hapur ka kërcënuar dy partnerët e koalicionit me largim nga Qeveria nëse nuk i përmbahen përcaktimeve fillestare. 

Ai ka deklaruar se “LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëj rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.”

Gjatë ditës së djeshme nuk pati fare prononcim për media nga z.Mustafa, e as nga kryeministri Hoti, shkruan Periskopi.

Një goditje e tillë nga Mustafa thellon edhe më tej përçarjet në koalicionin aktual qeverisës mes tri partive në Qeverinë Hoti.

Mustafa gjatë këtij statusi foli edhe për dialogun duke përsëritur qëndrimet e mëparshme.

Statusi i plotë: 

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.
Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.
Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.
Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.
LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.
Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim. IM

Jakup Krasniqi i pakënaqur me menaxhimin e pandemisë, mbështet përfshirjen e PDK-së në Qeveri

Zana Rugova Lajme

Vendi përveç se po përballet me pandeminë COVID-19 me numër të lartë të të infektuarve dhe viktimave nga ky virus, gjithashtu arena politike po përballet me përpasje e mospajtime mes partnerëve të koalicionit. Në anën tjetër, partia opozitare LVV, ka filluar një nismë për mocion mosbesimi nga qeverisë Hoti.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në një intervistë për Periskopin thotë se LVV ka të drejtë të nisë një mocion të tillë dhe është e drejtë ligjore e tyre, por që filimisht kjo parti do të duhej të shihte se a i ka votat e të gjitha partive.

Në anën tjetër, Krasniqi shpreh pakënaqësitë e tij rreth menaxhimit të pandemisë, Sipas tij, pandemia nuk po menaxhohet mirë dhe fajtor sipas tij është trekëndëshi MSH-ekspertë të shëndetësisë dhe qytetarët.

I pyetur se a duhet të bëhet pjesë e qeverisë edhe Partia Demokratike e Kosovës, Krasniqi thotë se zgjedhja më e mirë ka mbetur që të zgjerohet koalicioni, mirëpo LDK duhet ta shqyrtojë këtë ide.

Periskopi: Partia opozitare, LVV ka nisur një mocion mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti, cili është komenti juaj për këtë nismë?

Krasniqi: Është e drejtë legjitime e opozitës të kërkoi mocion mosbesimi për Qeverinë Hoti, por para se të bëhej mocioni, kërkuesi i tij duhet të mendoj a i ka numrat për arritjen e qëllimit. Nëse nuk i ka numrat dhe e bënë mocionin e mosbesimit, ia bënë një shërbim të mirë – Qeverisë Hoti. Pra, mocioni është e drejtë ligjore e kushtetuese e opozitës. Por, mocioni mund të jetë edhe një ligjitimitet shtesë i Qeverisë aktuale

Periskopi: Vendi po përballet me pandeminë COVID-19, ashtu sikurse e gjithë bota. Si po ju duket menaxhimi i deritanishëm i MSH-së me koronavirusin?

Krasniqi: Konsideroj që pandemia e COVID-19 në Kosovë nuk është menaxhuar mirë dhe për këtë përgjegjësia nuk mund të drejtohet vetëm te një faktor, ndonëse MSH-ja është përgjegjësja kryesore. Por, problemi i mos funksionimi i shëndetit publik ka një histori më të gjatë. Menaxhimi i parasë publike ka qenë e vazhdon të mbetet problemi kryesor dhe jo vetëm për këtë sektor të rëndësishëm për shëndetin publik. As Arsimi nuk është në pozitë që politika të jetë kaq e pa vëmendshme Një e metë tjetër po duket që të jetë, mos funksionimi harmonik i tre faktorëve të domosdoshëm: Qeveri (MSH) – ekspertë të shëndetësisë dhe qytetarët dhe pa funksionuar mirë këta tre faktorë, menaxhimin me pandeminë e bëjnë më të vështirë. Të shpresojmë që në të ardhmen këta tre faktorë do të jenë në harmoni e në shërbim të shëndetit qytetarë

Periskopi: Kohëve të fundit janë rritur ‘mosmarrëveshjet’ ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. A do të ishte i nevojshëm zgjerimi i këtij koalicioni, pra përfshirja e PDK-së në qeveri?

Krasniqi: Nëse e shikojmë se si kanë funksionuar koalicionet qeverisëse pas Pavarësisë, shihet qartazi se gjatë gjithë këtyre viteve në Kosovë ka munguar shumë kultura e formimit të koalicioneve dhe pastaj edhe e funksionimit të tyre. Natyrisht, në funksionimin e koalicioneve qeverisëse të deritashme e sidomos të këto të viteve të fundit ka pasur shumë të meta, por e meta më e madhe ka qenë, jo formimi i tyre mbi bazën se çka kanë të përbashkët për shtetin dhe funksionimin e tij, por mbi bazën e ndarjes se “kulaçit”?! Prandaj asnjë koalicion qeverisës nuk e ka çuar mandatin e tij deri në fund. Një problem tjetër goxha i madh janë vijat e kuqe që në fushata zgjedhore bëjnë partitë politike. Si po duket këtij koalicioni, zgjedhja më e mirë i ka mbetur zgjerimi i koalicionit qeverisës. Po për këtë duhet të mendoj partia që udhëheqë me Qeverinë. Në qeverisjet tona një gjë po shihet, të qeverisurit nuk është dëshirë, por është dije e kulturë menaxhimi me njerëzit dhe paranë publike Këtë formë të qeverisjes, pra te qeverisjes së mirë në këto vitet e Pavarësisë nuk jemi duke e parë ende! Mbase e ardhmja do të sjellë qeverisjen e mirë me njerëzit e duhur. Të shpresojmë!./PERISKOPI/

Hoti shpall veten zot të dialogut me Serbinë: E kam mandatin, i kam parimet

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në një tryezë të KDI-së për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë se ai ka mandat që të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se nuk do të lejojë që të ndërhyjë askush në kompetencat e tij.

“Unë kam mandat që të negocioj mbi bazën e Kushtetutës, asnjë mandat tjetër nuk kam, Kushtetuta më jep autorizime të qarta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë proces. Kompetencat të cilat as nuk dua t’i transferoj te dikush tjetër, as nuk do të lejoj që tjetër kush të ndërhyjë në kompetencat e mia. Kjo nuk ka nevojë as të thuhet”, ka deklaruar Hoti sot.

Ai më tej ka shtuar se janë disa parime që do të shkojë në tryezën e diskutimeve me Serbinë.

“Parimi i parë që do ta bëjmë këtë proces është integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm, unë s’kam mandat që ta hap këtë temë. E dyta karakteri unitar i shtetit, parimi i tretë është që marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, tha Hoti më tej.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish kryeministri kosovar Ramush Haradinaj vuri tarifën doganore 100% kundër mallrave serbe, në nëntor të 2018-s.

Kurse, emisari i Presidentit Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell, njoftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me liderët nga Kosova dhe Serbia.

 

Gazetari i Kohës Ditore sulmon Qeverinë Hoti për rastet e reja me Covid-19

Periskopi.com Lajme

Gazetari i Kohës Ditore me emrin Besnik Krasniqi ka akuzuar haptas Qeverinë Hoti për rastet e reja me Covid-19. 

Besnik Krasniqi ishte konfrontuar me Vetëvendosjen në lidhje me disa informacione që i kishte pasur nga Gjykata Kushtetuese për vendimin e tyre në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi që e mandatonte Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e qeverisë.

Sidoqoftë, prej atëherë e tutje, Krasniqi i ka dalë në mbrojtje partisë Vetëvendosje, përcjell Periskopi.

Në Facebook-un e tij, ai ka komentuar lajmin e fundit që thotë se janë 40 raste të reja të konfirmuara me covid-19, prej të cilave 10 në Prishtinë.

Sipas tij, ky virus ka bërë edhe “aleatë në Qeveri” por pa shpjeguar se çka nënkupton një gjë e tillë.

Kujtojmë se ishte vetë Qeveria Kurti e cila kishte vendosur t’i lehtësonte drastikisht masat prej 1 qershorit e tutje.

Statusi i plotë: 

Virusi ka çu kry, prej që ka ba aleatë në Qeveri!

Ditë të randa po na presin!

JAVA: Qeveria Hoti i jep fund konfliktit të Kosovës me miqtë ndërkombëtar  

Periskopi.com Lajme

Kjo ishte java më e rëndësishme për Kosovën sivjet. Masat luftuese kundër përhapjes së koronavirusit u lehtësuan duke lejuar kthimin e normalitetit, ndërkohë që në Kuvend do të votohej Qeveria Hoti.

Pas më shumë se 120 ditësh në krye të Ekzekutivit, Albin Kurti do të largohej nga kjo pozitë duke mos bërë asnjë veprim të rëndësishëm në të mirë të vendit. Gjatë kohës si kryeministër, Kurti shërbeu më shumë si kryemilitant i partisë së tij duke shpërndarë konspiracione të pambështetura dhe gjuhë të dhunshme që nxiste urrejtje.

Të mërkurën u votua Qeveria Hoti, nga deputetët e LDK-së, AAK-së, Nismas dhe AKR-së. Me 61 vota për, 24 kundër dhe vetëm 1 abstenim, Hoti dhe ministrat e tij morën mandatin për të qeverisur me Kosovën në këtë periudhë të vështirë.

Hoti premtoi se do të ishte kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, e se nuk do të vazhdonte kulturën e linçimit e të urrejtjes si paraardhësi i tij Kurti. Po ashtu, Hoti deklaroi që nuk do të hynte në konflikte me miqtë ndërkombëtar të Kosovës.

Kjo qasje natyrisht që nuk ishte aq pasionante dhe nuk nxiste nacionalizmin e tërbuar të shoqërisë tonë, por i ndihmoi vendit. Hoti menjëherë hoqi masën e reciprocitetit tregtar dhe MCC zhbllokoi 200 milionë eurot e destinuara për Republikën e Kosovës. Kryeministrit të mëparshëm Kurti nuk i bënte për një gjë të tillë.

Hot-opozita

Opozitarët e Avdullah Hotit do të jenë kundërshtarët e përbetuar në politikën tonë, Vetëvendosja me PDK-në.

Të dyja partitë e konsiderojnë Qeverinë Hoti si qeveri të dalë nga ndonjë marrëveshje mashtrimi. PDK-ja e Kadri Veselit e cilësoi Hotin si një “kopje të keqe të Albin Kurtin” dhe si “zëvendës të Kurtit” duke e sulmuar kryeministrin e ri me gabimet që i kishte bërë kryeministri i mëparshëm. Por, qasje të njëjtë ka edhe Lëvizja Vetëvendosje. Edhe kjo parti politike vazhdon ta cilësojë z.Hoti si një kryeministër “kukull” që kontrollohet nga presidenti Thaçi, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq etj.

Hoti deri tash nuk është marrë fare me këto sulme ashtu siç nuk merrej në të kaluarën presidenti Rugova me sulmet e kundërshtarëve politikë.

Sidoqoftë, Hoti do të ketë një punë mjaft të vështirë para vetes duke parë problemet e shumta që i kanë lënë qeveritë e kaluara. Ndër më kryesoret është ndreqja e raporteve me miqtë ndërkombëtar, përfshirë ShBA-të, BE-në, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat u përplas Kurti, e para tij edhe Haradinaj.

Hoti në ekspozenë e tij para se të votohej si kryeministër premtoi edhe masa konkrete për të luftuar dëmet që i ishin shkaktuar ekonomisë së vendit gjatë kohës së pandemisë. Shuma e përmendur prej tij ishte 1,2 miliardë për vitet 2020 dhe 2021, e për të cilë nuk patën se çka të thonin liderët e opozitës, Kurti e Veseli.

Murat Jashari

Por, LDK-së gjatë kësaj jave iu theksua një tjetër problem veçse ekzistues: Vjosa Osmani. Ajo vazhdoi të kundërshtonte Qeverinë Hoti, ndërkohë që së fundi i doli kundër edhe heqjes së reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë duke thënë se ajo ishte “heqje dorë nga pavarësia e Kosovës”.

Isa Mustafa pas votimit të Qeverisë deklaroi se do të diskutohej në Këshillin e Përgjjthshëm të partisë edhe mundësia e largimit të Osmanit nga LDK-ja, ndërkohë që Osmani kishte propozuar një ditë para votimit të Qeverisë Hoti, një qeveri tranzicionale.

Këtë propozim të Osmanit e kishte mbështetur Lëvizja Vetëvendosje, e cila parti madje edhe e kishte dhënë emrin e kryeministrit të ri. Ishte Murat Jashari.

Një gjë të tillë shumë analistë dhe kundërshtarë politikë të Vetëvendosjes e cilësuan si një tjetër veprim populist nga kjo parti që në kohë polarizimesh politike po e përdorte familjen emblematike të lirisë tonë për qëllime partiake.

Zyrtare: Avdullah Hoti është kryeministër i ri i Kosovës, merr votat e të zgjedhurve të popullit

Periskopi.com Lajme

Qeveria Hoti e përbërë nga koalicioni i partive LDK, AAK, Nisma dhe AKR ka marrë besimin e të zgjedhurve të popullit, deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nga 86 deputetë sa ishin në sallë, 61 deputetë votuan për formimin e Qeverisë së re, 24 ishin kundër ndërsa një abstenoi. 

Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, do të jetë Avdullah Hoti i cili do të pasojë në këtë pozicion Albin Kurtin.

Hoti do t’i ketë në kabinetin e tij gjashtëmbëdhjetë ministra dhe katër zv.kryeministra, shkruan Periskopi.

Në ekspozenë e tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Hoti premtoi masa të forta për rimëkëmbje ekonomike duke përmendur shifrën e të paktën 1,2 miliardë eurove për vitet 2020 dhe 2021.

Kryeministri i ri sulmoi planin e paqartë për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë Kurti, e cila i kishte dhuruar vetëm 170 milionë euro.

Hoti kritikoi paraardhësin e tij në këtë pozitë për “kulturë të linçimit” dhe për prishje të raporteve me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Ky proces do të pasohet nga betimi i anëtarëve të Qeverisë së Kosovës./Periskopi