Qeveria shqiptare mbledhje urgjente pas tërmetit

Periskopi.com Lajme

Zëvendës-kryeministri Erion Braçe u shpreh për Top Channel se institucionet shtetërore janë në gatishmëri për t’i dhënë ndihmën e parë qytetarëve.

“Tërmetet nuk parashikohen dot. Emergjencat janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Ministria e Mbrojtjes ka vënë në kontroll të gjithë mjetet për të qenë në gatishmëri për çdo emergjencë”, tha Braçe.

“Paniku ekziston. Një tërmet i tillë pasohet nga disa lëkundje, disa të cilat kanë ndodhur në harkun kohor të dy-tre orëve. IGJEUM nuk e ka klasifikuar këtë tërmet si më të rrezikshmit pasi nuk e ka kaluar shkallën 6 righter”, tha Braçe.

“Qeveria do të mblidhet për pak minuta dhe do të gjithë do të jemi në gatishmëri për tu ardhur në ndihmë qytetarëve”, përfundoi Braçe.

 

Qershori afati i fundit për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga dy Qeveritë në Pejë

Periskopi.com Lajme

Në Tiranë është mbajtur takimi i dytë koordinues në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e dy Qeverive të mbajtur në Pejë.

Në këtë takim është bërë e ditur se qershori do të jetë afati i fundit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Në këtë takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura në muajin nëntor në Pejë, siç është marrëveshja për hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes dy shteteve.

Koordinatori kombëtar dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, tha se janë ftuar dy delegacionet përkatëse për të dhënë kontributin përmes diskutimit dhe analizuar rezultatet e arritura deri me tani si dhe sfidat e implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara.

AI ka thënë se koordinimi i aktiviteteve nga dy palët dhe qasja e mirëfillte do të garantoj implementimin e marrëveshjeve mes dy vendeve tona.

“Ky takim koordinues ka për qëllim trajtimin e çështjeve të identifikuara nga takimi i parë, që nënkupton që diskutimi sot do të orientohet në sfidat që kërkojnë veprime konkrete nga organet zbatuese me qëllim të tejkalimit me lehtësi duke reaguar në kohë. Konsiderojmë se koordinimi i aktiviteteve nga të dy palët do të të garantojë implementimin e këtyre marrëveshjeve mes dy Qeverive tona. Ajo që unë mund të them me kënaqësi sot, nga katër marrëveshje që kemi arritur në mbledhjen e dy Qeverive në Pejë ka pasur një progres, të shfrytëzojmë rastin të shohim ku jemi me katër marrëveshjet e nënshkruara. Ashtu sic e kemi bërë një tajming qershori do të jetë afati i fundit në implementimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Pejë”, tha Limaj.

Limaj tha se nga ministritë e të dyja shteteve do të tregohet për sfidat që i kanë, që më pastaj të raportojnë tek kryeministrat, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, për të eliminuar ato pengesa.

Ai tha se niveli i komunikimit dhe mbikëqyrjes së realizimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri ka kaluar në një fazë tjetër, ku ai tha se si grup e kanë përgjegjësi që ashtu siç është marrë zotimi që ajo që nënshkruhet duhet të implementohet në tërësi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, tha se që nga mbledhja e parë e përbashkët e dy Qeverive ku është nënshkruar dokumenti bazë i partneritetit strategjik mes dy shteteve kanë kaluar nga plotësimi i kuadrit ligjor, në përafrimin e legjislacionit në mes dy shteteve dhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura.

“Me Kosovën ashtu sikur edhe me katër vendet e tjera të Ballkanit  Perëndimor po punojmë fort drejt krijimit të një zone ekonomike të përbashkët, një zonë ku legjislacioni i vendeve tona lehtëson tregtinë, lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe në të njëjtën kohë, është i përafruar me legjislacionin e BE-së. Në këtë drejtim nëpërmjet koordinimit dhe aksioneve politike diplomatike të dy vendeve tona që ne arritëm pas më shumë se një viti përpjekje të nënshkruajmë në mars të këtij viti një marrëveshje rajonale për roaming, e cila do të ketë efektin real në tarifat telefonike duke filluar që nga data 1 korrik i këtij viti. Po ashtu, vetëm në rrafshin dy palësh me Kosovën kemi një marrëveshje për lehtësimin e tarifave roaming, përputhshmëria në mes këtyre dy marrëveshjeve do të diskutohet edhe sot”, tha ai.

Sa i përket marrëveshjes për hapjen e pikave t përbashkëta të kalimit kufitar, ai tha se wshtë një çështje komplekse por që sipas tij, nëse punohet mund të arrihet.

“Në funksion të hapjes së tregjeve tona ne kemi punuar ngushtësisht në muajt e fundit për heqjen e vështirësive të tejkaluara në kohë në kohën e kalimit të kufijve të lëvizshmërisë së njerëzve. Por heqja e pengesave të kalimit kufitar ka edhe një aspekt të rëndësishëm sigurie, sa kombëtar aq edhe rajonale dhe evropiane. Menaxhimi i kufijve është një çështje komplekse, gati – gati një sfidë në vete, por nëse bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë punët ndërmjet strukturave tona sfida bëhet shumë here më e menaxhueshme. Ne synojmë të realizojmë menaxhimin  integruar të kufijve përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, tha ai.

 

Rama çon në Presidencë kërkesat për dekretimin e ministrave të rinj, dy prej tyre kosovarë

Periskopi.com Lajme

Burime nga kryeministria bëjnë me dije se Edi Rama ka dorëzuar në Presidencë kërkesat për dekretimin e ndryshimeve në qeveri.

Ndërsa votimi i shkarkimeve dhe emërimeve të ministrave të rinj pritet të ndodhë më 21 janar në Parlament, kur nis edhe sesioni i ri parlamentar, burime nga kryeministria konfirmojnë se kërkesa e depozituar në Presidencë ka të bëjë me emërimin e 8 ministrave të rinj dhe Erjon Braçes si zv/kryeministër, transmeton TCH.

Dekretimet e Metës sipas afatit kushtetues, priten të miratohen brenda 7 ditësh.

Kujtojmë se me ndryshimet që ka bërë Rama në qeveri, dy ministra të rinj janë nga Kosova.

Ditmir Bushati do të zëvendësohet nga Genti Cakaj në Ministrinë e Jashtme dhe Lindita Nikolla zëvendësohet nga Besa Shahini në Ministrinë e Arsimit.

Prodhuesit të zhgënjyer që nuk i ftuan në takimin e djeshëm mes dy Qeverive

Periskopi.com Lajme

Klubi i Prodhueseve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në kuadër të “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë” janë shprehur të zhgënjyer për mospërfshirjen në takimin i cili është mbajtur dje në mes të qeverive, qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në qytetin e Pejës.

Klubi i Prodhuesve dhe Bashkimi i Prodhuesve ditë më parë kanë shprehur kërkesat e tyre dhe kanë adresuar ato tek të dy qeveritë, duke kërkuar që këto të merren parasysh gjatë kësaj mbledhje të sotshme.

Prodhuesit kanë kërkuar eliminimin e barrierave tregtare dhe unifikimin e tregut kombëtar shqiptar.

Kërkesat të cilat janë adresuar kanë të bëjnë me problematikat që prodhuesit hasin gjatë tregtisë së tyre, e të cilat kanë të bëjnë me procedura tarifore dhe jo-tarifore. Këto janë dhe kërkesat specifike:

Heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Shqipërisë)

Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; (Kërkesa i drejtohet qeverisë së Kosovës)

Njohja e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)

Njohja reciproke e regjistrimit te produkteve farmaceutike (autorizimi për tregtim) nga agjencitë relevante, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë në të dyja tregjet. (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)

Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)

Të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për Kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve; (Kërkesa i drejtohet qeverisë shqiptare)

Heqja e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive)

Krijimi i Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë; (Kërkesa i drejtohet dy qeverive).

Të bëhen pjesë e mbledhjeve të qeverive të përbashkëta përfaqësues të “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë” dhe përfaqësues të “Klubit të Prodhuesve të Kosovës; (Kërkesa i drejtohet të dy qeverive)

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në kuadër të Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë nuk do të ndalin me kërkesat e tyre, deri në momentin e përmbushjes së këtyre nga Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë.

 

Zëvendësministri nga Kosova dorëhiqet nga Qeveria e Edi Ramës, do të bëhet baba

Periskopi.com Lajme

Një nga zëvendësministrat e Qeverisë së Edi Ramës nga Kosova, Hajrullah Çeku ka kërkuar nga kryeministri që ta lirojë nga detyra, pasi dëshiron të kthehet në Prishtinë dhe t’i përkushtohet familjes, pasi ai dhe gruaja e tij, Eli, janë në pritje të fëmijës së parë, raporton Periskopi.

Çeku, i cili mban pozitën e zëvendësministrit të Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë, në një publikim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se ky lajm i mirë për të dhe gruan e tij, erdhi pas shumë përpjekjesh e mundimesh, andaj angazhimi i tij do të jetë maksimal.

Ai bëri të ditur se që nga emërimi i tij në postin e zëvendësministrit në Shqipëri, ka jetuar i ndarë nga gruaja e tij, me lëvizje të kufizuara mes Pristhinës dhe Tiranës, andaj tani do ta bëjë pjesën që i takon.

Në fund, ai është shprehur i lumtur që iu ka ofruar mundësia që të kontribuojë në një nga sezonat më të mira turistike të shtetit shqiptar.

Lexoni të plotë publikimin e tij:

Të nderuar miq, Pas një periudhe shumë të gjatë përpjekjesh dhe mundimesh, Eli dhe unë jemi të lumtur që më në fund kemi nisur rrugëtimin tonë për t’u bërë prindër, një nga qëllimet dhe dëshirat tona jetësore.

Deri në këtë pikë kemi arritur me shumë sakrificë dhe të dy jemi tërësisht të përkushtuar që ëndrrën tonë për t’u bërë me fëmijë ta jetësojmë me sukses.

Ky moment i ri në jetën tonë më ka bërë të rimendojë gjithë situatën dhe angazhimet e mia aktuale, marrë parasysh edhe faktin që gjatë kësaj periudhe Eli dhe unë kemi jetuar të ndarë, me lëvizje të kufizuara mes Prishtinës dhe Tiranës. Ajo që e mendoj me mendje dhe e ndiej me shpirt në këtë moment është kjo: duhet ta bëj pjesën që më takon.

Dhe kjo parasëgjithash nënkupton prezencën fizike pranë saj. Për hir të së vërtetës, dhe sepse biologjia na e përcakton kështu, pjesa dërmuese e sakrificës së bërë deri tash mban firmën e Elit. Prandaj edhe besoj që nga tani e tutje më takon të mbart më tepër mbi supe. Jo se ndonjëherë do të arrij në nivelin e njëjtë me të, por të paktën dua të sigurohem që e jap të gjithën që mund ta jap.

Për këtë shkak, duke u mbështetur në mirëkuptimin dhe përkrahjen e tij, nga Kryeministri Rama kam kërkuar të më lirojë nga detyra e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit në qeverinë e Shqiperisë.

Këta 13 muaj në Shqipëri kanë qenë përvoja më fantastike e angazhimit tim profesional dhe publik. Si pjesë e një ekipi të përkushtuar, jam i lumtur që m’u ofrua mundësia për të kontribuar në atë që u cilësua një nga sezonet më të mira turistike. Mundësia për t’i shërbyer Shqipërisë ka qenë motivi im kryesor për të pranuar detyrën, ndërsa ofrimi i këtij shërbimi nën drejtimin e Kryeministrit Rama e bën këtë shërbim përvojë të papërsëritshme jetësore. Thellësisht mirënjohës dhe më shumë se asnjëherë më parë i përkushtuar për të vazhduar shërbimin ndaj Shqipërisë në forma të tjera, me fokus në thellimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ju dëgjofsha të mirën gjithmonë. Hajra