Haziri: Kurti le të ndërtojë shumicën e re pa LDK’në, për neve është OK

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri sonte në Pressing ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka humbur besimin e tyre, transmeton Periskopi.

Haziri ka deklaruar se përkundër të gjithave, Kurti e ka lirinë të formojë shumicën, pa LDK’në.

‘’E ka humb besimin tonë. Nuk arriti me e fitu zotëri Kurti. Kjo ka me reflektu edhe në votim. Kurti mundet me ndërtu shumicën e re pa LDK’në, le të provon neve nuk na mbet hatri që nëse mundet me funksionu më mirë se sa me LDK’në. Kurti mundet me ndërtu një shumicë të re dhe jemi ok me këtë opsion’’./PERISKOPI/

 

Tahiri: Kurti deri tash po duket veç korrektor e jo udhëheqës i qeverisë

Periskopi.com Lajme

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të qeverisjes ka treguar se është “veç korrektor e jo udhëheqës i vërtetë”.

Sipas tij, korrektimi i vendimeve të qeverive të kaluara është në rregull, por “duhet të tregosh edhe planet tua për të ardhmen”.“Të gjitha qeveritë i kemi kritikuar për program të dobët, por kjo qeveri s’ka as program. Është hipokrizi vizita jashtë vendit pa e mbajt një mbledhje për të treguar prioritetet e tij para qytetarëve. Çdo ditë po befasohemi me sjelljet e tij prej një kryeministri sikur po abstenon nga angazhimi që duhet të ketë. Sikur s’po e njeh aparatin shtetëror. Në një rend dite që kam pa sot flitet veç për shfuqizime e jo për agjendë qeveritare për të ardhmen. Kam të drejtë morale të flas për atë vendimin e ish-qeverisë për pagat sepse e kam votuar për të marrë pagën me rritje prokurorët dhe gjyqtarët. Shpresoj se vendimi të mos afektojë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Si një njeri që kam refuzuar të marrë pagën me rritje, e përshëndes uljen e pagave për zyrtarët qeveritarë. Ai deri tash po del një lloj korrektori e jo njeri të qeverisë vendin. Padyshim që çdo vendim ku dyshon duhet ta çosh në prokurori. S’e kontestoj këtë por duhet me pas edhe agjendë”, ka thënë Tahiri në Interaktiv

Tahiri ka thënë po ashtu se me vizitën e tij në Shqipëri, Kurti “nuk mohoi se do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm për Mini-Schengenin”. Ka thënë se “ky devijim në qëndrim është shqetësues”.

Bajrami: Ose jemi partner në qeverisje ose s’jemi

Periskopi.com Lajme

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë në gjendje të votojnë qeverinë të cilën e propozon Albin Kurti edhe pa asnjë marrëveshje për koalicion.

Bajrami në një reagim në profilin e  saj ka thënë se janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë nëse iu duken shumë kërkesat e LDK’së.

“Nëse ju duken te padrejta kërkesat tona, ne kemi 28 vota për qeverinë Kurti pa marre asnjë post. Kemi me e votuar secilin ligj dhe vendim qe është ne te mire te vendit tone”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka thënë se duhet sqaruar gjërat, sepse ose mund të jenë partner ose jo.

“Ose jemi partner në qeverisje ose s’jemi”, ka shtuar ndër të tjera ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë.

Ismaili: Qeverisja e LDK’së e ka shitur 32 euro barnën e 3 eurove

Periskopi.com Lajme

Uran Ismaili, ministri që udhëhoqi shëndetësinë në dy vitet e fundit ka hedhur akuza për qeverisjene kaluar të LDK’së, që sipas tij nuk ka bërë diçka konkrete, transmeton Periskopi.

Duke folur për listën e barnave esenciale dhe hajninë me barërat, Ismaili tregon se çka kishte ndodhur me çmimin e tyre më herët.

‘’Qeverisja e LDK’së e ka shitur 32 euro barnën e 3 eurove’’, ka thënë Ismaili

Ismaili këtë debat e bëri me përfaqësuesin e LDK’së, Ekrem Hysenin i cili hidhte akuza rreth barnave./PERISKOPI/

Debat Plus me Ermal Pandurin – Shëndetësia – 16.09.2019

ShëndetësiaUran Ismaili – PDKAlbena Reshitaj – AAKArben Vitia – VVRefki Bytyqi – Nisma SocialdemokrateEkrem Hyseni – LDK

Posted by RTV Dukagjini on Monday, 16 September 2019

 

 

Tahiri: Në kohën e Qeverisë Mustafa ka pasë bllokadë totale të sistemit të drejtësisë

Periskopi.com Lajme

Ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se nga dhjetori i vitit të kaluar kur ka hyrë në fuqi ligji për konfiskim të pasurisë janë shënuar rezultate pozitive.

“Sekuestrimi i pasurisë në gjashtë mujorin e parë është rritur dukshëm. Mbi 60 aseste janë sekuestruar. I kemi rritur dënimet për korrupsion. Numri i gjyqtarëve ka qenë 307 në vitin 2017 kurse tash është 430 dhe 27 janë në proces të rekrutimit. Mbi 110 janë shtuar gjatë periudhës që kemi qeverisur ne”.

“Si qeveri kemi përkrah me buxhet Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës. Janë dyfishuar parashkrimet edhe kjo është shumë me rëndësi. Jemi partia e vetme qe kemi adresuar çështjet”, ka thënë Tahiri.

“Në Qeverinë Mustafa ka pasë një bllokadë totale në sistemin e drejtësisë sa i përket rritjes së buxhetit. Institucionet që menaxhojnë me drejtësinë janë kategori kushtetuese por buxhetin e kanë të varur nga politika”.

Sipas tij prej kur ka ardhur në ministri ka rritur numrin e gjyqtarëve ndërsa ka thënë se Kosovës i duhet një Gjykatë Komerciale e cila sipas tij është duke u bërë.

Këto janë 14 skandalet më të mëdha të ish-kryeministrit Haradinaj

Periskopi.com Lajme

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në 678 ditët e tij të qeverisjes ka pasur shumë skandale, të cilat është mundur t’i mbulojë me tema nacionaliste, që përfshijnë edhe deklaratat e tij të famshme rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pavarësisht kësaj, Haradinaj me mënyrën e tij të qeverisjes i ka shkaktuar qindra miliona euro dëme buxhetit të Kosovës. Madje, menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt, ish-partnerët e tij në qeveri dhe opozita kanë filluar t’ia numërojnë edhe vetë skandalet atij.Lajmi.net sjellë një përmbledhje prej top 14 skandaleve të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

  1. Haradinaj kundërligjshëm ua fali rreth 60 milionë euro kompanive mashtruese

Për 20 vjet prodhuesit e ujit në Kosovë e mashtruan shtetin, duke mos paguar asnjë cent për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave dhe shfrytëzimin e inerteve. Borxhet e tyre ndaj shtetit ishin afër 60 milionë euro. Por, ish-kryeministri Haradinaj, me një vendim të ngutshëm ua kishte falë borxhin, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës përreth 60 milionë euro. Opozita e kishte kritikuar Haradinajn për korrupsion rreth këtij vendimi

  1. Haradinaj kundërligjshëm ia rriti vetës pagën nga 1300 në 2950 euro

Ish-kryeministri Haradinaj sapo kishte marrë udhëheqjen e Qeverisë, ndër vendimet e para që kishte marrë ishte rritja e pagës së vet. Haradinaj nga 1300 euro, aq sa e kishin krejt kryeministrat e mëhershëm, e kishte rritur pagën e tij në 2950 euro, duke shkelur ligjet në fuqi.

  1. Haradinaj ua fali 219 mijë euro familjeve të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës

Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Ramush Haradinajt, në 100 ditët e para mori edhe një vendim që u kritikua shumë. Ndau 219 mijë euro për familjarët e të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjen e armatosur të Kumanovës. Më 2 nëntor, Gjykata në Shkup kishte dënuar me 746 vjet burg të akuzuarit për përleshjet në Kumanovë gjatë të cilave u vranë tetë policë të Maqedonisë dhe 10 persona nga grupi i armatosur.

  1. Zemërgjerësia e kryeministrit i kushton buxhetit edhe 28 milionë euro të tjera

Ish-kryeministri Haradinaj pasi kishte negociuar ditë e natë me banorët e Hadës dhe Shipitullës, në mënyrë të paprecedent kishte rritur çmimin e prapësimeve nga 4 në 28 milionë euro. Me këtë vendim, siç e ka quajtur zemërgjerë, që në ditët e para të punës, Haradinaj kishte ngritur koston e shpronësimit të fshatrave Hade dhe Shipitullë, nga 4 milionë euro në afro 28 milionë euro.

  1. Fryrja e numrit të veteranëve për 10 vjet i kushton Kosovës 380 milionë euro

Ramush Haradinaj nga opozita është fajësuar për fryrjen e numrit të veteranëve të luftës. Madje gjatë procesit të numërimit të tyre, në rajone të ndryshme të Kosovës ishin krijuar edhe zona fiktive, për të manipuluar me shifrat. Mbi 19 mijë veteranë të luftës janë konsideruar si të rrejshëm nga prokuroria e shtetit. Opozita ka fajësuar kryesisht ish-kryeministrin Haradinaj dhe zonën e tij të Dukagjinit në luftë, e cila dikur kishte mbetur me rreth 10 ushtarë në front, për rritje të numrit me mijëra dezertorë. Edhe anëtarët e komisionit qeveritar ishin akuzuar për fryrjen e numrit, derisa nga pozita e kryeministrit, Haradinaj e kishte fyer dhe kërcënuar ashpër edhe ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili ishte marrë me rastin dhe nga frika kishte ikur jashtë Kosovës.

  1. Haradinaj ia fali 53 milionë euro Bektel&Enkas

Për shkak të vonesave që ishin krijuar për të paguar borxhin ndaj kompanisë amerikano-turke “Bektel&Enka”, qeveria e Ramush Haradinaj ishte dënuar me 53 milionë euro, bazuar në kontratën ndërmjet kësaj kompanie dhe Qeverisë së Kosovës. Opozita kishte kritikuar Haradinajn dhe ministrin e tij Pal Lekaj për korrupsion.

  1. Haradinaj kishte ndarë jashtëligjshëm 815 mijë euro për “Let’s do it Kosova”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin kritikuar dhënien e 815 mijë euro për organizatën e joqeveritare “Lets Do It Kosova”, pa procedura dhe standarde të kërkuara. Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2018, kishte evidentuar disa parregullsi, ndër to është evidentuar projekti “Ta pastrojmë Kosovën”, punësime me marrëveshje për shërbime të veçanta, buxheti për grante dhe subvencione.

  1. Punësimi i dajave, mbesave, djemve, vajzave, kunatave nëpër ndërmarrje publike

Ndër skandalet më të mëdha të qeverisë së ish-kryeministrit Haradinaj ishte edhe punësimi i familjarëve të tij dhe anëtarëve të AAK-së nëpër ndërmarrje publike. Haradinaj kishte punësuar qindra militantë nëpër institucione e ndërmarrje publike, çka kishte nxitur reagime të ashpra nga diplomatët ndërkombëtarë në Prishtinë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Vetëm në Telekomin e Kosovës është raportuar se janë punësuar më shumë se 100 persona, duke përfshirë familjarë të deputetëve dhe zyrtarëve të tij qeveritarë.

  1. Skandali korruptiv me Autostradën e Gjilanit

Me të ardhur në pushtet Qeveria Haradinaj, tenderin për ndërtimin e autostradës së Gjilanit e kishin dërguar në rivlerësim dhe më pas ishin ndërruar kompanitë. Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në lidhje me keqpërdorimin e mjeteve të dedikuara për “Autostradën e Gjilanit”. Çmimi i kësaj autostrade ishte llogaritur të jetë 126 milionë euro, ku sipas zyrtarëve të MI-së ajo është ndarë në 8 lote, nga 8 operatorë të ndryshëm ekonomikë.

  1. Autostrada e Dukagjinit rreth 1 miliard euro

Ende pa dhënë dorëheqje, ish-kryeministri Haradinaj kishe planifikuar që ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit, kryesisht kah elektorati politik i tij, e cila do të lidhte qytetet e Dukagjinit me njëra-tjetrën. Sipas kalkulimit të Haradinajt, kjo autostradë do t’i kushtonte Kosovës hiq më pak se 1 miliard euro. Ky zotim ishte kritikuar nga të gjithë, pozitë dhe opozitë.

  1. Abuzimi me rezervat shtetërore

Haradinaj kishte ndarë miliona euro për aktivitete të ndryshme, si përvjetorë të ndryshëm, për vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, madje edhe për kompani private të afërta me ta, të cilat kishin pësuar nga zjarri dhe faktorët klimatikë. Po ashtu, afër 1 milion euro ia kishte ndarë edhe një shkolle private në

Prizren, të quajtur “Loyola”, derisa universitetet tona shtetërore sivjet nuk janë akredituar për shkak të mospërmbushjes së kushteve për funksionim.

  1. Qeveria më e madhe në botë

Qeveria Haradinaj do të mbahet në mend edhe si një prej qeverive më të mëdha në botë, për nga numri i ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. Përkundër që Kosova është një prej vendeve më të vogla, gjatë qeverisjes së Haradinaj ajo kishte mbi 100 të emëruar si zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra. Vetë Haradinaj kishte të emëruar gjithsej 33 këshilltarë.

  1. Haradinaj pronat shtetërore ia kthej komunave në ditën e dorëheqjes

Haradinaj në ditën e dorëheqjes së tij, pas anulimit të vendimit të parë, kishte marrë vendim sërish për rikthimin e disa pronave shoqërore që ishin nën përkujdesjen e AKP-së, tek komunat e Kosovës, përfshirë këtu siç ishte raportuar më herët edhe tek komunat serbe në veriun e Kosovës. Haradinaj këtë vendim e kishte pështjellë aq keq, duke e bërë të paqartë për publikun, me heqjen e pezullimit sipas vendimit të qeverisë nr. 05/76 të datës 21.11.2018. Për këto resurse shtetërore, tani e tutje mund të vendosin vetë komunat se çfarë do të bëjnë me to, duke rritur kështu mundësitë që ato të gllabërohen nga grupe të ndryshme kriminalo-biznesore të lidhura me politikën.

  1. Pushimet luksoze në “Carlton” të Saint Moritz

Kryeministri Haradinaj ishte parë duke pushuar në hotelin luksoz “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër. Ky fshat turistik është më i shtrenjti në botë.  Pushimet familjare të Haradinajt kishin zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve kishte arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë hotel kishte kushtuar një mijë e 50 franga. Nuk dihet saktësisht se sa kishte paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, rezultonte se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga. Zyra e Kryeministrit nuk kishin pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet.

Qytetarët e quajnë skandaloze qeverisjen e Haradinajt

Periskopi.com Lajme

Dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, përveç skenës politike, ka zënë në befasi edhe qytetarët e vendit.

Ata thonë se vendimi i kryeministrit Haradinaj për ta lënë postin e kreut të qeverisë e për t’u paraqitur në Hagë, është veprim i matur i një udhëheqësi qeveritar, raporton KTV.

Qytetarët konsiderojnë se ftesa e Speciales është e padrejtë, pasi që Haradinaj ka dëshmuar pafajësinë edhe më parë në Tribunalin e Hagës.

E punën e kryeministrit Haradinaj, qytetarët thonë se do ta mbajnë mend, por kryesisht për skandale.

Qeveria Haradinaj, e formuar në shtator të 2017-s, do të karakterizohet kryesisht me taksën ndaj Serbisë, derisa edhe përplasjet me bashkësinë ndërkombëtare e kanë përshkuar një pjesë të mirë të mandatit të saj, gjatë së cilës edhe u votua krijimi i ushtrisë.

Qeveria e Haradinaj ka qenë më e madhja e pasluftës, me më së shumti shpenzime, duke filluar nga rritja e pagës që ky i fundit ia bëri vetes në pothuajse 3,000 euro.

 

Haskuka inspekton rrugët e fshatrave malore që u bllokuan nga bora (Foto)

Periskopi.com Lajme

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pas rënies së borës në fshatrat malore të këtij qyteti, ka dalur në inspektim të rrugëve.

“Në inspektim të pastrimit të rrugëve nga Bora në fshatrat malore të Prizrenit. Falenderoj banorët e Billushës për mikëpritje”, ka bërë të ditur ai në profilin e tij në “Facebook”. /Periskopi

Kadri Veseli pranon se do të kandidojë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kryetari i parlamentit të Kosovës dhe njëherit kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në një intervistë për lajmi.net ndër të tjera ka folur edhe për kandidaturën e tij për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Veseli fillimisht është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës e vendos se kush do të jetë kandidat dhe se synimi i tij është të fitoj brenda partisë që të vazhdoj të jetë kryetar.

“Partia Demokratike e Kosovës vendos, njëherë duhet të fitoj të jem kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ndihem i privilegjuar që jam kryetar i kësaj partie dhe synoj të jem krytar i PDK-së, ndoshta është hera e parë që po e bëj publike dhe natyrshëm unë pretendoj të dal para qytetarëve të mij me ofertën ‘muj, di, du me e ndërru këtë vend’, për hir të interesit të qytetarëve, pra kjo nënkupton që synoj kryeministrin”, tha Veseli në intervistën për lajmi.net.

Ai gjithashtu është shprehur se e di saktësisht se çfarë duhet të bëhet që të ndryshohet dhe të transformohet Kosova dhe të drejtohet atje ku të gjithë qytetarët duan.

“Mua më ngushton kur thua a don veç karrigë, unë jam aty ku është interesi i vendit, por besoj me këto sfidat të cilat po i zhvillojmë ta çojmë deri në fund këtë mandat, e natyrshëm jo se mendoj, por mendoj fuqishëm që mund të bëjë shumë mirë për çdo qytetar të RKS, e di saktësisht çfarë duhet të bëj ta transformoj këtë vend, cili është vizioni me e transformu me e modernizu këtë vend, me e çu atje ku e dojnë qytetarët tonë”, tha Veseli.

Ai në këtë intervistë për lajmi.net ka folur për gjëra të ndryshme si gjendja brenda Partisë Demokratike të Kosovës, formimin e Ushtrisë së Kosovës, ministrat e PDK-së dhe të tjera. /Periskopi

Peja nuk lejon privatizimin e tokës publike

Periskopi.com Lajme

Në takimin e rregullt dhe të fundit për këtë vit të Kuvendit Komunal të Pejës, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe propozimi i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, për këmbimin e pronës komunale me sipërfaqe prej 7 hektarë e 49 ari, që gjendet në zonën kadastrale Jabllanicë e Vogël me një pronë private në sipërfaqe prej 1 ari e 6 metra katrorë, që gjendet buzë Lumëbardhit në Lagjen Kapeshnicë, raporton Koha.net.

Kjo pronë private ishte shpallur interes publik më qëllim të ndërtimit të rrugës për shtegun e ecjes për këmbësorë, buzë Lumëbardhit. I njëjti propozimi i Muhaxherit kishte qenë në Kuvend edhe para gati dy vitesh dhe ai nuk ishte aprovuar nga kuvendi, prej të cilit kreu i Komunës kishte shpresuar që kësaj radhe do ta aprovojë.
Mirëpo edhe kësaj here ky propozim hasi në kundërshtim të shumicës së këshilltarëve, jo vetëm nga subjektet opozitare por edhe nga këshilltarët e subjektit të PDK-së, që në koalicion me LDK-në bashkëqeverisin Komunën e Pejës.

Fillimisht, shpresën që do ti bindë që ta votojnë propozimin e tij, Muahxheri, me slajde me projektor ua prezantoi këshilltarëve pronën private dhe rëndësinë e saj për realizmin e planeve dhe projekteve për rregullimin e asaj hapësire edhe me shkallë për t’u ulur buzë lumit. Duke e arsyetuar këtë propozim, Muhaxheri pohoi se toka komunale në Jabllanicë nuk ka qasje me rrugë nga ana e territorit të Pejës, por vetëm nga fshati Kaliqan i Istogut.

“Është një pronë që nga Komuna dhe qytetarët e saj nuk mund të përdoret. Kurse një ari mund të përdoret për 100 vitet e ardhshme. Unë e kam menduar gjatë këtë punë dhe kam konsideruar që ajo tokë që nuk shfrytëzohet është mirë me ndërrua me një parcelë që shfrytëzohet. Janë tri projekte që janë në zhvillim dhe ju si këshilltarë mundeni me kontribuua në realizmin e këtyre projekteve”, u shpreh ai.

Mirëpo krejt pa rrugë, siç tha Sadri Murtezaj, këshilltar i AAK-së dhe banor i asaj ane, nuk janë ato 7.5 hektarë. Ai tregoi se është rritur atje dhe se janë dy-tri rrugë që shpien deri te ajo tokë, ndonëse nëpër prona private. Ai e pa shumë më të arsyeshme dhe më të rëndësishme që ajo tokë t’i jepet fshatit Jabllanicë për varreza. “Problemi i jonë atje është se nuk do të kalojë viti dhe fshati Jabllanicë do të ketë nevojë tokë për varreza. E kur të nisin qytetarët të kërkojnë tokë për varreza ku me i marrë në atë tokë nëse tash e japim këtë tokë që është. Pra edhe çështja e rrugës do të zgjidhej nga vetë qytetarët atje nëse do t’i jepej toka komunitetit për varreza. Prandaj ju kisha lutë që të mos votojmë politikisht por me arsye”, kërkoi ai prej kolegëve në Kuvend.

Edhe Nazmi Krasniqi i AAK-së kërkoi që të mos aprovohet ky propozim, i cili, sipas tij, është i njëjti sikur para dy vitesh.
“Edhe atëherë e kemi diskutuar dhe e kemi refuzuar edhe atëherë me arsyetimin se ka qenë një propozim i pa vend i pa arsyeshëm dhe pa kurrfarë logjike. Edhe pse toka nuk paska qasje me rrugë prej Peje, ajo tokë ka qasje nga ana e Istogut me rrugë dhe shkojmë rrotull në atë tokë. Po doni me na bë përrallë me këtë këmbim kur të dëgjojnë jo vetëm në Pejë por edhe me larg, që për një ari tokë me i dhënë 7.5 hektarë tokë, e cila edhe me qenë shkëmbinj nuk ishte bërë e lëre më qe në atë tokë që sot është pyll, përpara ka qenë vreshta rrushi dhe grunajë”, shpreh Krasniqi.

Njëjtë kundër këtij propozimi u shpreh edhe Muhamet Haliti, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, e cila është si partnere e LDK-së në bashkëqeverisje në Pejë. Ai tha se edhe herën e parë ka qenë kundër këtij propozimi të kryetarit dhe është edhe tash. “Sado që e mbështes kryetarin për realizimin e projekteve përgjatë Lumëbardhit, por këmbimin e këtyre dy pronave unë nuk mund ta arsyetoj sepse është një disproporcion i madh mes tyre dhe ajo tokë nuk është shkurre, por është tokë e pëlleshme pavarësisht se aktualisht është e mbuluar me pyll. Kështu që ne do të jemi kundër këtij propozimi dhe ftoi edhe kolegët e tjerë në Kuvend që të mos e aprovojnë, sepse do të ishte një imazh i keq për Kuvendin po të miratohej ky propozim dhe me siguri ka mundësi me gjet një zgjedhje tjetër për atë një ari tokë që i duhet komunës”, tregoi Haliti qëndrimin edhe të grupit të këshilltarëve të PDK-së, që kësaj here Muhaxheri nuk do t’i ketë krah për këtë propozim, të cilin Reshat Nurboja, këshilltar i Alternativës kërkoi që të hiqej krejt nga rendi i ditës.

“Me propozime të tilla vërtet po behëm përrallë në aspekt intelektual dhe atë njerëzor”, u shpreh Nurboja për këtë këmbim, të cilin nuk e kuptonte as këshilltari i LVV-së, Bashkim Lajçi, i cili gjithashtu u shpreh kundër, pavarësisht se, siç shtoi ai, qëllimit të kryetarit për të bërë mirë. “Me siguri mund të ketë zgjidhje edhe më të mira sesa që është ky propozim i juaji”, ju drejtua Lajçi kryetarit të Komunës, i cili, megjithatë, nuk insistonte me tërë energjinë që gjithsesi të aprovohet, megjithëse vërehej pak edhe inati në fytyrën e tij që nuk dëgjonte përkrahje, përveç këshilltarëve të LDK-së, ndonëse edhe prej tyre jo të gjithë ishin përkrahës të atij propozim. “Nëse ju duket e palogjikshme ky propozim, mos e votoni, por me ju tregu një të drejtë, ju veç për ndërrim të pronave dhe për buxhet keni mundësi me vendos, se për krejt të tjerat sovrani ma ka lënë mua me vendos. Sot e keni ju në dorë me vendos dhe është problem i juaji si vendosni, por ata që mendojnë që politikisht mundohen me ndal realizimin e këtyre projekteve sepse po ju pengojnë dikujt duke menduar në zgjedhjet e ardhshme se çka ka me ndodh, po gabojnë se mund ti ndalin se planet tona do t’i realizojmë dhe qytetarët e Pejës ato i vlerësojnë shumë. Kështu që votoni sipas bindjes suaj”, iu drejtua Muhaxheri këshilltarëve edhe me një porcion mllef, pasi e vërejti se propozimi i tij sërish hasi në kundërshtim edhe para se të votohej propozimi i tij, i cili nuk gjeti mbështetjen as të të gjithë këshilltarëve të LDK-së. Kjo edhe në votim u vërejt se nuk e votuan të gjithë 15 këshilltarët e LDK-së në Kuvend, respektivisht 14, pasi njëri ende nuk është certifikuar nga KQZ-ja. Prej 32 këshilltarëve të pranishëm, prej 35 këshilltarëve sa i ka Kuvendi, vetëm 10 veta ishin pro këtij propozimi, 21 kundër dhe një i përmbajtur. /Periskopi

Krasniqi: Vendi ka nevojë të qeveriset nga Socialdemokratët

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se vendi duhet të qeveriset nga socialdemokratët.

Në një postim në profilin e tij në Instagram, ka shkruar se barikadimet e deri tashme politike veç sa e kanë dëmtuar vendin dhe ketë e kanë parë se çka prodhon.

Sipas tij, për krijimin e konsensuesit nacional, kërkohet angazhimi i të gjithëve, e mbi të gjitha i atyre që mendojnë se kanë kontribuar shumë për të ardhur deri këtu.

Më poshtë postimi i Krasniqit pa ndërhyrje:

Po bashkimit socialdemokrat, jo çdo forme të barikadimeve vetëm për pushtet!

NISMA Socialdemokrate ka kohë që është duke e vezhguar situatën politike në vend dhe zhvillimet e qëndrimet politike rreth e për Kosovën.

Të gjitha rrethanat politike dhe jo vetëm ato na tregojnë se vendit i duhen: bashkimi socialdemokrat dhe konsensuesi nacional.

Se pari, një bashkim i të majtës ideologjike ( socialdemokratike), fjala është për socialdemokratët e bindjeve dhe jo të fjalëve .

Se dyti, dhe kryesorja, vendit i duhet krijimi i një konsensuesi vërtetë nacional, që donë me thënë jo barikadim: pozitë – opozitë, por bashkim politik për interesin nacional i cili shkon përtej çdo ndarje ideologjike a politike.

Barikadimet e deri tashme politike veç sa e kanë dëmtuar vendin dhe ketë e kemi parë se çka prodhon!

Realiteti që po e jetojmë është dëshmia më e mirë.

Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për një bashkim të Socialdemokratëve dhe qeverisjen e vendit nga ta! Kjo është më shumë se e qartë.

Politikat socialdemokrate mbetet shpresa për ndërtimin e shtetit të se drejtës, shtetit të dijës e të zhvillimit, shtetit të drejtësisë sociale! Prandaj e vendosa ketë si hap të parë.

Kjo u duhet qytetarëve dhe ata janë sovrani që mund ta vendosin ketë! Ndryshimin duhet e mund ta bëjnë vetëm qytetarët.

Por, kjo nuk duhet që t’i pengojë socialdemokratet që të ndihmojnë krijimin e konsensusit nacional. Përkundrazi duhet ta ndihmojnë fortë formimin e konsensusit të përgjithshëm politik. Konsensuesi u duhet të gjithve.

NISMA Socialdemokrate angazhohet fortë për këto dy çështje të interesit kombëtar!

Për krijimin e konsensuesit nacional, kërkohet angazhimi i të gjithve, e mbi të gjitha i atyre që mendojnë se kanë kontribuar shumë për të ardhur deri këtu.

Le t’i ndihmojnë edhe të tjerët që të japin kontributin e tyre! Këtu e kanë rastin që t’i tregojnë virtytet e tyre fisnike!

Skënderbeu i vlerësonte shumë njerëzit e virtytshëm.